| E premte, 14.06.2019, 09:06 PM |
Faik Konica: Esperantoja – një fantazi
qesharake…
Nga Fotaq
Andrea
Këto
ditë, Shtëpia botuese “Zenit Edition”, që renditet në pararojë të botimeve më
dinjitoze shqipe, nxori nga shtypi librin e Faik Konicës “Ese për gjuhët
natyrale dhe gjuhët artificiale”. Libri, përkthyer e botuar i plotë nga
origjinali frëngjisht, paraprihet nga një Hyrje e gjatë studimore, si dhe
shoqërohet nga shkrime të vetë Faik Konicës, të Apolinerit dhe Remi de Gourmont
për këtë vepër shkencore tepër e veçantë në llojin e vet, që ka ngacmuar
kërshërinë dhe interesin e mjaft autorëve të huaj. Po botojmë pjesë nga “Hyrja”
e studimit tonë.
“Nuk mund të lidhet jeta me pezhishka
merimange.
Zgjidhja për një gjuhë ndërkombëtare do të
vijë
nga vetë jeta, derdhur në kallëp të jetës”.
Faik
Konica.
Me këtë konkluzion, Faik Konica mbyll librin
e tij në frëngjisht “Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale”, botuar në
Bruksel më 1904. Me këto fjalë, po nisim prezantimin tonë për këtë vepër
shkencore, e rrallë dhe e çmuar në llojin e vet, ku gjenia koniciane shkëlqen
në fushën e filozofisë gjuhësore dhe asaj përkthimore në rrafsh europian e më
tej.
Vepër referenciale gjer edhe kohët e fundit
për përkrahësit dhe kundërshtarët e gjuhëve artificiale, dhe veçanërisht të
esperantos, kjo Ese, “goxha e pasur, goxha e shkruar mirë,” siç shprehet
Apollinaire, shfaq përmasën enciklopedike dhe erudite të rilindësit shqiptar,
poliglotizmin e tij, me njohuri të thella për gjuhët semitike e indo-europiane,
nga më të lashtat e të rrallat – si persishtja e Zend Avestës apo gjuha
pahlavi, sanskritishtja, gjuha e teksteve veda, greqishtja e vjetër,
latinishtja, hebraishtja, arabishtja, turqishtja, etj. –, gjer në pothuaj krejt gjuhët e gjalla europiane. “Qoftë për parapëlqim, qoftë për zanat,
kalova jetën time duke studiuar ligjet se si një gjuhë i zë vendin një tjetre,
pa u kapur nga pamja e jashtme”, shprehet Konica në këtë Ese, ku lëvron me
origjinalitet, me qartësi mendimi e pastërti të shprehuri vetë fushën e
filozofisë dhe të krahasueshmërisë gjuhësore.
Mbështetur në studimet e gjuhëtarëve klasikë
botërorë, por edhe tek autorë modernë të kohës së tij, Faik Konica depërton në
këtë vepër në thelbin e vetë gjuhës, për të zbuluar mekanizmin e saj
funksionues dhe vlerën e fjalës si motor i mendimit nga individi në shoqëri,
brenda një gjuhe të caktuar, dhe nga një gjuhë në tjetrën në shoqëri të
ndryshme gjatë procesit komunikues e përkthimor. Tek përdor një logjikë analitike
dhe një dialektikë sintetike, tek njeh “Republikën e Letrave”, siç e quan ai
letërsinë e filologjinë, dhe tek e shkruan me bukuri të veçantë gjuhën frënge –
këtë “tokë të shkrifët e pjellore” –, Konica shfaq këtu shpirtin e gjuhës si
institucion, si dukuri shoqërore dhe pikë kontakti midis qytetërimeve, si
pasqyrim kulture e ndjenje artistike. Merr shembuj nga më të çuditshmit në
kërkim të mekanizmit fiziologjik në trurin e njeriut për ruajtjen dhe
mbishtresëzimin e një gjuhe në kujtesë dhe i trajton faktet psikiko-gjuhësore
me hollësi, për të treguar përplasjen e mistershme në trurin e njeriut midis dy
gjuhëve të ndryshme. Po ashtu, rendit e shpjegon me themel tiparet kryesore të
gjuhëve natyrale për të nxjerrë më mirë në pah artificialitetin e gjuhëve të
fabrikuara me rregullat statike, ngurtësinë, ngushtësinë, varfërinë dhe
shterpësinë që i karakterizon, duke arritur kësisoj në konkluzionin logjik,
vërtetuar tashmë nga koha, se një gjuhë artificiale është e pamundur të
përdoret si mjet komunikimi botëror, se është materialisht e pamundur që të
bëhet e përbotshme.
Racional e polemist “par exellence”, me
gjykim të hollë e të thellë, gjithë argumente asgjësuese, që e shter arsyetimin
gjer në kufijtë e skajshëm të vetë arsyes e të absurdit (“reductio ab absurdum”), mjeshtër i përdorimit të fjalëve në nuancat
më të holla, ironik e me ton të prerë, me njëfarë krenarie doktorale që e
karakterizonte, Faik Konica arrin në këtë libër në përfundime të qarta e të
arta që shprehin vetë thelbin e filozofisë gjuhësore: “Një gjuhë natyrale, thekson ai, e trajtuar në veprimin që ushtron mbi
intelektin, është shkolla më e lartë për përpunimin e mendimit njerëzor...
përfaqëson kulmin e përpjekjeve të njerëzimit përgjatë shekujve, drejt
bukurisë, mprehtësisë, brishtësisë në shprehjen e mendimeve dhe ndjenjave”.
Dhe, aty-për-aty tregohet kategorik, kundër gjuhëve artificiale:“Një gjuhë
artificiale e përbotshme ul nivelin e intelektit... është gjuhë kufomë... që
zhduk letërsinë, artin e të shkruarit, këtë botë të pafund e subjektive!”
[...]
Origjinal e shkencor, plot shembuj dhe fakte
interesante e të rralla për ta mbajtur në tension lexuesin, Konica depërton, po
ashtu, në thelbin e “zanatit” të shkrimtarit, të kësaj “bote të pafund e
subjektive”, tek shfaq ligjin themelor të stilit, që është “arti për të prekur
ndjeshmërinë e lexuesit nëpërmjet mënyrës origjinale të autorit”; është
njëkohësisht arti “për të kursyer vëmendjen e lexuesit apo dëgjuesit duke
shpenzuar sa më pak sforcim e lodhje”, sikurse vë në dukje filozofi anglez Herbert
Spencer, të cilit Konica nuk kursehet t’i referohet. Por, përtej këtij mendimi
të Spencer-it për një stil konciz nga ana e shkrimtarit, Konica mban parasysh
edhe kategorinë e vetë lexuesit (si individ e si komb), shkallën e intelektit
dhe të nivelit të tij kulturor, natyrën e shijeve, ndjesitë që shkakton vetë
fjala me nuancat e veta nga një gjuhë në tjetrën, etj. Ai ndërton kësisoj një
trinitet të bukur të stilit, dhe konkretisht: shkrimtari, si produkt i një race
(kombi) të caktuar, vetë perceptimi dhe ndjesitë individuale e kombëtare, dhe
më në fund kategoritë e ndryshme të lexuesit. Jep kësisoj këtë përkufizim të
bukur për stilin, dhe konkretisht: “Arti për të depërtuar në ndjeshmërinë e
lexuesit, është stili”.
Gjithnjë në kërkim të mekanizmit linguistik
të gjuhëve të gjalla, po aq sa stili në të shprehur e në të shkruar, ai sheh si
karakteristikë themelore të këtyre gjuhëve ritmin e tyre, që i jep vetë stilit
shfaqjen e lëvizjes dhe të jetës. Ndërsa në gjuhët e vdekura, sipas Konicës, ka
humbur ndjenja e rimtit dhe e metrikës, ka humbur, me një fjalë, elasticiteti i
gjuhës, tek gjuhët e gjalla, përkundrazi, është shi ritmi që i bën këto gjuhë
të zhdërvjelltësohen e të kenë frymëmarrje. “Çdo gjuhë, vëren ai, ka ritmin e vet, si në muzikë... ka sistemin e vet
të shenjave të pikësimit... Ritmi përbën një bukuri letrare, një karakteristikë
vendimtare për shkrimtarin e vërtetë... Ritmi kërkon ta njohësh një gjuhë në
thellësi, si një tërësi, ... kërkon një njohje të thellë të gramatikës e
leksikut”.
Në kundërvënien gjuhë natyrale dhe gjuhë
artificiale, apo gjuhë të gjalla dhe gjuhë të vdekura, gjuhë në lulëzim, në
larmi e larushi mendimi nga njëra anë, dhe gjuhë kufomë, nga ana tjetër, Konica
shfaq me qartësi objektive dhe argumente të themelta pse çdo gjuhë e fabrikuar
është e destinuar të mbetet “lettre morte”,
me konture të paracaktuara dhe të dhëna njëherë e përgjithmonë, gjuhë pa
shpirt, pa hapësirë e kohë, “gjuhë për gjuhë”, që mbetet shumë-shumë në nivelin
e sajesës ekzotike, si një tek a trill, me lojni fjalësh të huazuara, si një
bukuri artificiale, gjuhë që nuk shërben për kurrëfarëgjë, në kuadrin e vet
thjesht autotelik e të “përkryerjes në vetvete”. Për Konicën gjuhët artificiale
nuk kanë veçse një ngjyrë, një shije: atë të ujit. Sepse në vetvete ato janë të
mbyllura, skllavëruese, të zhveshura nga shija e vërtetë e jetës që përcjell
gjuha natyrale, të zhveshura nga arkaizmat, neologjizmat, pa dritë-hije të
fjalëve, pa liri. Ato thjesht priren drejt pohimit të thatë e drejt mohimit të
sheshtë e të ngurtë dhe vetë ironia, “kjo bimë me aromë të këndshme, siç e
cilëson Konica, priret të zhduket njëherë e përgjithmonë nga larmi e
letërsisë”. [...]
Sot, kur ka kaluar mbi një shekull që nga
botimi i këtij libri, dhe kur “International English” mbisundon si gjuhë
komunikuese botërore (më 2017, anglishtja flitej si gjuhë zyrtare nga 75 kombe
dhe 2 miliard vetë), ky parashikim i Konicës del më se i vërtetuar. Ndërkohë,
gjuhët artificiale dhe vetë esperantoja kanë mbetur gjuhë pa popull, pa
territor kombëtar, në “shërbim” individësh, gjuhë në kuadër gjithnjë premtues e
ekzotik. Vetë esperantistët duan të përllogarisin disa qindra mijë vetë që
“arrijnë” të përdorin gjuhën e hebreut polak Zamnehof.
*
* *
Është e vërtetë se nuk kanë munguar autorët
shqiptarë që kanë shkruar drejtpërdrejt në gjuhë të huaj në rrjedhë të
historisë, duke rrokur kryesisht tematika historike, letrare apo enciklopedike,
pa përmendur këtu veprat teologjike. Dhe Konica renditet ndër ata autorë
shqiptarë që i kanë bërë të njohur që herët publikut dhe lexuesit të huaj botën
shqiptare, gjuhën, doket dhe zakonet e vendit të tij, sidomos me revistën
dygjuhëshe “Albania”. Por Konica mbetet pionier e i pari autor shqiptar që i
është përgjigjur lexuesit të huaj duke trajtuar drejtpërdrejt problematikën e
kohës me vepra extra-shqiptare, të fushës socio-pedagogjike si “Essai sur
l’Education” (“Ese mbi Edukimin*, Bruksel, 1898), apo kjo “Ese
mbi gjuhët...” e karakterit shkencor në fushën filologjike.
Nuk është rastësi që Konica i ri i ndërmori
këto dy studime pikërisht për t’iu përgjigjur nevojave të lexuesit francez e
perëndimor. Ai jetonte mes intelektualitetit europian, ndiqte nga afër
zhvillimet socio-kulturore dhe politike, shtypin e kohës, problemet në rend të
ditës dhe jo rrallë i pasqyronte ato edhe tek “Albania” e tij. [...]
Më pas, në studimin tonë hyrës ndalemi, më në
hollësi, në kushtet dhe rrethanat historike kur Faik Konica hartoi “Esenë e tij
për gjuhët natyrale e artificiale”, duke i dhënë, në fakt, shenjat paraprake me
një artikull tepër të veçantë të tij, “Gabimi i esperantistëve”, botuar më 1903
te revista franceze L’“Européen”, artikull që botohet për herë të parë në shqip
në këtë libër referencial. Artikulli nis me këto fjalë: “Esperantoja është një fantazi qesharake, dhe mjaft të vëreni për këtë
disa personalitete me nivel të lartë inteligjence të barkojnë në atë anije prej
kartoni. Ideja për të kërkuar që tërë kombet të flasin të njëjtën gjuhë është
aq e pakuptimtë sa dhe të kërkosh të përziesh kuaj, gomarë, qe e deve, duke i
detyruar kësisoj të hingëllijnë, bulurojnë, pëllasin e blegërijnë pa dallim
lloji. I vetmi ndryshim është që apostujt e esperantos zëvendësojnë kamxhikun
me bindjen.” Ja pra, me ç’figuracion të rrallë, të fuqishëm, à la Rabelais, plot humor, ironi,
sarkazëm, shprehet Konicë shqiptari, Konicë eruditi, duke vënë bukur fort në
lojë, në kërthizë të Europës “Herra”, “Profesora” e “Doktora” të kohës së tij,
që e kishin mendjen tek sensacionet e mbrapshtitë, tek sajesat e marrëzitë.
Të parët që i bënë jehonë veprës koniciane me
komentet e tyre pozitive dhe me superlativa janë Apollinaire e Remy de
Gourmont, dhe binte dukshëm në sy në atë kohë se ishin të rinjtë
Konica-Apollinaire ata që mbronin me pasion pastërtinë dhe bukurinë e gjuhëve
natyrale dhe konkretisht të gjuhës frënge, ndërkohë që gjuhët artificiale nuk
reshtnin së sajuari në numër të madh, për t’u pagëzuar në mënyrë pompoze e
“sorboniste” si premtueset e gjuhës së ardhshme universale!
Pa u ndalur në këtë shkrim prezantues në
debatet që shkaktoi dje, dhe vazhdon të shkaktojë ende sot në arenën
ndërkombëtare vepra e Faik Konicës « Ese për gjuhët e gjalla… », debate
që pasqyrohen gjerësisht në pjesën hyrëse të studimit tonë, një vend i veçantë
i kemi kushtuar parimeve bazë të përkthimologjisë (traduktologjisë), ku Konica,
ndër të parët filologë europianë, shkëlqen dhe parashtron që herët – me
origjinalitet – konturet e një shkence
të re të ardhme, e quajtur sot me të drejtë “shkenca e dukurisë përkthimore”,
kur dihet se veprat shkencore në këtë fushë do të dilnin jo më parë se në vitet
1970!... Ashtu si tek “Ese për edukimin”, ku Konica shfaqet pioner i “Edukimit
të Lirë”, i “Shkollës së Summerhill-it” (1921), edhe te vepra “Ese për
gjuhët...”, Konica shfaqet pioner i Shkencës së Traduktologjisë, një fakt ky tërësisht
i anashkaluar gjer më sot, thjesht për mosnjohje e mosthellim në veprën
shkencore e erudite koniciane!... Por një fakt i tillë nuk i ka shpëtuar aspak
filozofit të madh modern zvicerian Denis de Rougemont që mbron Konicën tonë në
“betejën” kundër gjuhëve artificiale të esperantistëve!
Dihet se në thelbin e vet, përkthimi nuk
është gjë tjetër veçse transpozimi nga
një gjuhë në tjetrën i një akti të menduari (i shprehur a i shkruar), gjë që
nënkupton të menduarit dhe komunikimin në dy a më shumë gjuhë. Për Konicën, një
përkthim i mirë kërkon shije, qartësi, bukuri dhe interpretim të nuancave më të
holla të origjinalit, familjarizim me gjuhën dhe me tekstin bazë, si dhe njohje
të thellë të dy gjuhëve të punës përkthimore. Dhe prapë, “traduttore traditore”, kufizimet në përkthim janë gjithnjë të
pranishme sepse, nënvizon Konica, “është gati e pamundur të bashkëjetojnë te
përkthyesi dy gjendje të plota gjuhësore”, duke qenë se “nuk ka barasvlefshmëri
të plotë leksiku nga një gjuhë në tjetrën”, ashtu sikurse nuk ka sinonimi
absolute brenda leksikut të një gjuhe. Gjë që nuk rreshte së na thëni i Madhi
Jusuf Vrioni, kur përkthyesi përpiqet të jetë besnik ndaj origjinalit deri në
një pikë të caktuar, duke ruajtur ngjyrimet e tekstit bazë, neologjizmat,
arkaizmat, madje edhe gabimet trashanike të vetë origjinalit!
Dhe këtu Konica nuk ngurron të prekë një
çështje thelbësore të traduktologjisë: përse përkthimi është krijimtari? Sepse,
nënvizon ai, është interpretim, sepse fjalët e dy gjuhëve të dhëna, nëse janë
të barasvlershme në fjalorë, nuk janë aspak të tilla në mënyrën e të menduarit
të dy popujve që i përdorin. Sepse, më në fund, për Konicën, një përkthim i
arrirë është teorikisht i mundshëm vetëm kur dy gjuhë zotërojnë burime të
barabarta dhe elasticitet të barabartë. Dhe kjo mund të arrihet vetëm nga
përkthyes me ndjeshmëri të lartë mjeshtërore, me njohuri të plota gramatikore,
leksikore, letrare, kritike, estetike, etimologjike, etj. Andaj, shpesh,
shkrimtarët e mëdhenj janë edhe përkthyes të mëdhenj. I tillë është edhe
Konica!
Jo rastësisht, nga fundi i kreut XIII i kryeveprës
së tij, gjuhëtari dhe eruditi shqiptar ndalet te poeti i madh francez Stéphane
Mallarmé, që ka përkthyer nga anglishtja poetin amerikan Edgar Allen Poe, ose
të themi, ka përkthyer “të papërkthyeshmen”. Konica, që thotë te “Albania” e tij se ka ndërmarrë një
studim për Mallarmé-në (mjerishti i humbur!), bën tek “Ese për gjuhët...” një
koment të gjatë lidhur me ritmin, metrikën, “përngjashmëritë” relative
simetrike dygjuhëshe (anglisht-frëngjisht), kur teksti origjinal përmban
ngarkesa dhe shkarkesa të fuqishme poetike, dhe ku shfaqet bukurisht, do
thoshim ne nga ana jonë, vetë BALETI I FJALËVE, me të tillë forcë poetike që të
bën “të mendosh të pamendueshmen”, siç thoshte Paul Valéry, dhe ta shprehësh
atë me krejt fuqinë e fjalës artistike. Vetë Mallarmé njihet për ëmbëlsinë, bukurinë
dhe fuqinë e fjalës mrekullore (me verb plot fosfor, plot shije, nektar e
vezullim diamanti tingëllues), si dhe për sintaksë të pashembullt apo “insolite”, tek konsiderohet me të drejtë,
edhe sot e kësaj dite, si “i papërkthyeshmi” ndër poetët botërorë. “I
papërkthyeshëm”, ngaqë thjesht i bën fjalët “të ëndërrojnë” e “të vallëzojnë”
me muzikalitet mahnitës vargu e ritmi. Të “përkthesh” e të “transpozosh”deri
edhe muzikën e fjalës poetike, – ja një sfidë e hapur dhe e fuqishme për gjuhët
natyrale, palé për gjuhët artificiale “pa shpirt”, siç i cilëson Konica. E
megjithatë, konkluzioni konician ka edhe këtu qartësinë e rrezes diellore: “Një
përkthim pothuaj i përkryer, thotë Përlindësi modern shqiptar, mbetet teorikisht
përherë i mundshëm, kur dy gjuhët zotërojnë burime të barabarta dhe elasticitet
të barabartë”, sintaksik e artistik njëherësh... E më tej, ne do shtonim: kur
ka edhe zanatllinj e mjeshtër të mëdhenj zbatues të shkencës së
traduktologjisë, që edhe gjuhës shqipe nuk i kanë munguar historikisht, duke e
renditur këtë ndër gjuhët me potencial të lartë shprehës ideor e artistik!...
“Lexuesit shqiptarë, vë në dukje Ismail
Kadare, kanë të drejtë të krenohen që një shekull më parë, një nga shkrimtarët
e tyre, Faik Konica, ka krijuar disa nga trajtesat më të bukura për letërsinë
dhe gjuhën, trajtesa që ende sot tingëllojnë aq të thella e moderne. E aq më
tepër mund të krenohen që prirja e kulturës shqiptare për Europën ka qenë
qyshkur, qysh në kohën kur Shqipëria ende nuk ekzistonte si shtet.”