| E merkure, 05.06.2019, 09:39 PM |
Nga
Prishtina në Australi
Mikpritja
dhe ndalesat australiane
Nga
Gani Mehmetaj
Janë
mahnitëse pamjet nga qielli kur e hedhë shikimin mbi qytetin më karakteristik
australian- Sidnein. Qyteti është futur
në det, apo deti ka depërtuar në gjirin e qytetit. Ura e famshme Sydney Harbour
Bridge të del para, ashtu sikurse të fascinon objekti i Operës , ndërsa plazhet
me nam që i ke parë në televizor, dukeshin rrëzellitëse në mëngjesin e 9 majit
2019, vjeshtës së vonë australiane, që të ngjanë me pranverën prishtinase kur
merr kohë e mirë.
Sidnei
është qytet i veçantë, simbol i periudhës të lavdishme koloniale, por edhe i
inkorporuar në zhvillimin marramenthës të Australisë së sotme, ku rrokaqiejt të
duken si të ishe në Nju- Jork a në Los Angjeles.
Aeroporti
ndërkombëtar nuk ndryshonte nga aeroportet në Evropë e në Azi, e megjithatë
ishte ndryshe. Policët dukeshin të relaksuar, nuk shprehnin nervoz a strese në
punën e tyre me përgjegjësi, edhe pse presioni i refugjatëve nga Azia ishte i
madh. Në Sidnei ateronin shumë aeroplanë. Qysh gjatë fluturimit na e dhanë një
pyetësor me vërejtjen se asgjë s’mund të fusnim në Australi, pos 25 cigareve.
Ndalesat australiane ndaj mallrave të huaja janë proverbiale. S' mund të fusësh
asgjë që prodhohet a kultivohet në këtë shtet. Kur me thanë se kjo bëhej jo
vetëm për të mbrojtur prodhimet vendëse, por edhe për të penguar farërat që nuk
ishin testuar e nuk kultivoheshin në këtë kontinent, mu kujtua përpjekja e
shqiptarëve në Evropën Perëndimore qysh në vitet shtatëdhjeta të shekullit të
kaluar që ta merrnin me vete fasulen kudo që shkonin, madje disa e kultivuan në
tokën e ftohtë zvicerane e gjermane. Nuk e di cilat ishin rezultatet? Të kenë
provuar shqiptarët të fusnin edhe fasulen në tokën e Australisë?
Vërshimi
i refugjatëve në shtetin e qetë e të kamur australian është një problemë me të
cilin ballafaqohen në det e në tokë kufitarët, sepse Azia është e trazuar, me
luftëra lokale e me varfëri të skajshme. Megjithatë janë më efikas se sa
evropianët e flashkët. Është një barsoletë e humoristit të famshëm afrikan
Trevor Noah në një shfaqje “Standup”, në
Melbourn, ku ai paraqet përvojën e tij dhe tallet me rreptësinë e doganierëve
australianë ndaj ushqimeve. Kështu, rrëfen humoristi, edhe pas disa pyetjeve të
policit australian se ku shkonte dhe se duhet ta jep një adresë të
vendqëndrimit ne Australi, turisti kinez ia kthen i druajtur me dërdëllitjen e
tij karakteristike " Kanguru"
(që dmth do të bënte vizitë turistike dhe do të shihte kangurët). Dikur polici
i mërzitur nga moskuptimi i pyetjes e nga përgjigja prej papagalli e kinezit e
le të kaloj. Por kur doganieri e sheh tjetrin me një mollë në dorë, i drejtohet
i acaruar: "Nuk mund ta fusni atë mollë në tokën australiane! Ku e more
atë mollë? Do t'u fusim në karantinë!". Trevor Noah, u drejtohet: Australi
çfarë ju ka bërë molla? Kinezi edhe mund të futet pa shumë pyetje në Australi,
por molla e kinezit nuk lejohet!
Australianët
kanë humor të mirë, tallen edhe më gjëra politike e jo politike. Australia
përballej edhe me emigracionin evropianë dikur, megjithëse janë evropianët ata
që e popullzuan, e ndërtuan dhe e udhëheqin shtetin. Banorët e parë evropianë
ishin të burgosurit, me ta erdhën gardianët, administrata e burgut dhe e
furnizimit, mjekët, infermierët, menaxherët e tokave që punoheshin nga të burgosurit, udhëheqësit e minierave
etj. kështu, u krijua mozaiku i shtetit të ardhshëm, ku nuk pati luftë të
brendshme, nuk u pushtua nga një shtet i huaj. Australianët nuk e ndjenë madje
as krizën e recesionin në kuptimin e rrënimit të ekonomisë sikurse në Evropë e
në ShBA.
Euro
perëndimorët u stabilizuan, ndërsa në mes të dy luftërave botërore vala më e
madhe e refugjatëve ishte nga Gadishulli Ilirikë: grekë, shqiptarë, kroatë,
serbë, sllavë të Maqedonisë etj. Por ata tashmë janë inkuadruar në rrjedhat e
shoqërisë australiane, ose janë pjesë e këtij shteti me karakteristikat
ekzotike të kombit a shtetit nga vijnë.
Kafe
ekspreso, s'para pihet në Sidney e në Australi. Por e kanë kur ua kërkojnë
turistët. Kur i thash kamerierit të një bistroje fare pranë aeroportit: kafe
eksperso, të lutëm, ai me shikoi me kureshtje. Jeni italian? Jo, jam nga
Kosova, iu përgjigja, i lodhur nga rruga
mbi 16.000 kilometra. Ku është Kosova, me pyeti me kureshtje. Afër
Italisë, deti dhe një bjeshkë e madhe na ndanë, i thash gjysmë me shaka, gjysmë
me seriozitet. Dikur u kujtua se te ne ishte bërë një luftë, por shpresonte se
tash jemi në paqe. Pastaj bëmë shaka për kafen time pa sheqer dhe kafen e madhe
australiane me shumë qumësht e sheqer, që e porositi gruaja ime.
Australianët
janë mikpritës. Fytyra u ndriçon kur e kuptojnë se ke ardhur ta vizitosh
shtetin-kontinentin e tyre. Frymën patriotike, ku Australia është në qendër të
vëmendjes e kanë mu si amerikanët. Marketingu më i fuqishëm bëhet kur vihet në
pah se është prodhim australian qind për qind, ujë australian, verë
australiane, televizioni australian, e përditshmja australiane etj.
Australianët
hapësirat e tyre të mëdha i kaptojnë me aeroplanë, megjithëse kanë rrugë të
mira, por jo rrugë të gjëra kontinentale me shumë korsi sikurse në Evropë, apo
madje edhe sikurse në Dardaninë tonë të varfër. Dhjetëra burra e gra me shtatë
të lartë e trup të bëshëm u futën në aeroplanin lokal nga Sidney në Kanberra,
ku do të shkonim edhe ne. Si në tallje, ia thash gruas, ka rrezik ta praptojnë
fluturaken këta burra e gra që secili prej tyre peshonte mbi 100 kilogramë, e
megjithatë nuk mund t'u thoshe se ishin të majmur. Fluturonim mbi një visore
karakteristike me shumë fusha e kodrina, ndërsa malet me pemën e kurorës së
gjerë australiane na ndoqën kudo.
Sidney, maj 2019