| E marte, 04.06.2019, 09:05 PM |
Meditim për “njeriun redaksi” Tuni Papuçiu
Nga Alfred
Papuçiu
“Më 3
qershor në Shkodër kishte ndodhur vdekja e papritur e Tuni Papuçiut, vëllait të
vetëm të Pandorës, shkruan në librin e tij “Nëpër rravat e jetës”, Profesor
Bedri Dedja. Kjo qe një goditje shumë e rëndë, pasi Tunin nuk e kisha patur
vetëm kunat, por edhe shok, edhe bashkëpunëtor në revistën “Fatosi”. Tuni ishte
një njeri që meritonte të qahej me kujë, ishte një figurë me reputacion të
madh, një flori me shpirt njeriu, që mbaroi në duart e miqve tanë të dashur,
Lajde Staku dhe Xhevat Beqaraj”.
Ai u largua nga kjo botë shumë shpejt, në 3 qershor të vitit 1975, në moshën 53
vjeçare. Në Shkodër, midis miqsh e dashamirës që i donte dhe e donin. Iku,
megjithëse të dashurit e tij do të donin ta kishin shumë më tepër pranë tyre,
për të dëgjuar zërin e tij melodioz që i jepte jetë darkave midis miqsh,
dasmave të të afërmve, gëzimit të afrimit të një Viti të Ri midis komshinjve. Shpesh thoshte midis miqsh: “Nuk i dua ata
që flasin keq për të tjerët, sepse më duket se u mungon dashamirësia, zgjuarsia
dhe mirëkuptimi”…Mendoj gjithmonë për babanë aq modest, me karakter dhe me atë
buzëqeshjen e tij karakteristike që i dilte nga shpirti.
E kam
gjithmonë parasysh: ishte i pashëm, me ato flokët e gjata që shpesh i drejtonte
prapa. Dhe pyes veten, pse ishte aq i
bukur me pamjen e tij ëngjëllore? Kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç, 20 vjeç, apo
pesëdhjetë e dy, kur shoh fotografitë e fëmijërisë së tij. Kjo pyetje vlen për
të gjithë bijtë e baballarëve dhe në fakt ne nuk i dimë të gjitha të fshehtat e
tyre.
E pëlqente natyrën, lulet dhe
sidomos manjolat, qëndronte shpesh për të parë horizontin dhe buzëqeshte. Ishte
besnik ndaj vetes, tepër fisnik, i qartë në mendimet dhe logjikën e tij.
Pranonte mendimet e kundërta, pa dashur t’i «vrasë» bashkëbiseduesit, gjithmonë
me dëshirën e mirë, politesën, drejtësinë. Nuk i gjykonte dashakeqët e paktë,
nuk i përçmonte, por i linte të gjykonin vetë dhe të ktheheshin në rrugë të
drejtë: kjo dhunti dua të jetë edhe e jotja mik, e jona, përjetësisht midis
nesh…
Ai lindi në Fier. I ati kishte 5 vajza, ishte arsimdashës dhe
duke njohur inteligjencën e të birit që në moshën dhjetë vjeç e çoi në Tiranë
për studime, pasi Fieri, vendlindja e tij, në ato vite kishte vetëm shkollë
fillore. Tuni pothuajse u rrit në Tiranë. I kreu studimet me shpenzimet e të
jatit i cili shkonte e shihte për të
ndjekur ecurinë e tij. Shpesh me bujarinë që e karakterizonte ndihmonte edhe
shokët konviktorë të të birit. Siç tregon e motra e Tunit, Pandora Dedja: “Në
familje shpërthente gëzimi i madh kur Tuni kthehej në pushime pranë nesh. Me
vete gjithnjë do të sillte libra, ato vepra të pakta origjinale dhe përkthime
që botoheshin në atë kohë. Kështu që në shtëpinë tone u krijua një
bibliotekë e pasur për kohën, e cila na dha mundësi të lexonim. Fillimisht në
netët e gjata të dimrit mblidheshim rreth vatrës dhe ne më të vegjëlve na i
lexonte motra e dytë, e treta nga fëmijët Ksanthipi…Megjithëse Tuni u rrit me
të gjitha të mirat nga prindërit, ai nuk e shpërdoroi asnjëherë përkujdesjen e
tyre, përkundrazi, ai qe gjer në fund të jetës mbeti njeri shumë i dhemsur për
familjen e vet, për prindërit, për motrat dhe kjo sjellje e bëri shumë të
dashur jo vetëm për të afërmit e tij, por edhe për miqtë e shokët.
Në librin e tij patrioti Tafil Boletini, nga
Kosova, i afërm i Isa Boletinit dhe mikut tim profesor Enis Boletinit, ndër të
tjera shkruan për kohën që ishte prefekt në Fierdhe për të jatin e Tunit, Peçin:
“ Si çështje kryesore e me qejf, në qendër të vëmendjes kisha ngrehjen e lagjes
“Liri ” (Bishanak). Dhe tue pa se akulli u thye dhe ngrehjen e shpijave populli
e ka marr me zell, gati çdo ditë me plan në dorë shkojsha për me i tregue
parcelat e me iu nda troje. Por u prekën shumë. Bejlerët e Fierit, veçanërisht
nga leja që iu dhashë Vangjel Lulës me hap dyqan e furrë pranë shpisë dhe Peçi
Papuçiut me hapë dyqan këpucarie në Bishanak, sepse kjo gja damtonte monopolin
e tregut të tyne dhe populli dita më ditë shkonte tue u kurajue e po largohej
nga influenca e tyre. Populli i Fierit, ndonëse i butë e i dindun, ka pasë edhe
asi burrash që nuk iu janë nënshtrue bejlerëve…
Më poshtë Tafil Boletini vazhdon:” Në nji rast
me Sami Begun kemi pasë një polemikë të gjatë, bile në prezencë të dr. Musa
Delvinës. Në mes të tjerash, me fjalë të ambla, më ceku punën e nji
shpije…Pastaj ai vazhdoi : ”Në je burrë, ma thuej sinqerisht e haptazi, pse e
me çfarë qëllimi po na damton kaq shumë?. “ Qe, besa, vetëm pse e quej për
detyrë njerëzore që edhe populli i Fierit të ketë banimet e veta e mos t’u
paguaj gjithmonë qira juve që e keni komplet nji qytet e shumë çifliqe me
mijëra hektarë tokë. Kurrgja tjetër ”.
U çudit: « Domethanë, e keni vetëm për të
drejtë të perëndisë?” Atëhere unë:”More, Sami Beg, çfarë interesi mund të kem
prej Peçi Papuçiut që s’ka për veti, apo prej Vangjel Lules, që furrë e dyqan i
ka ba me ndihmën e Taq Bozos e të Nazmi Skëndulit e të Elmaz efendi Poces? Të
isha i interesit edhe ju do të më kishit kuptue deri tash”.
Familja e Tunit dhe gjithë fisi ishin të lidhur me Luftën Antifashiste
Nacionalçlirimtare. Dy nga dera e Papuçinjve, Miço dhe Loni Papuçiu ranë
dëshmorë. Në radhët partizane ishte dhe një nga motrat e tij, Olimbia, atëhere
vetëm 16-të vjeçare. Edhe Tuni, megjithëse i vetëm midis pesë motrave u rreshtua
në radhët partizane. Në familjen e babait, për gati tre muaj u strehua një
partizan, i cili më vonë erdhi përsëri në shtëpi, për të shprehur ndjenjat e
respektit për përkujdesjet e treguara.
Megjithëse kishte një diferencë
të madhe moshe, mbi njëzetë e pesë vjetë, me dajën e vet, Vangjel Lulen, një
fanolist demokrat, njeri me horizont të gjerë, njohës i disa gjuhëve të huaja,
me të mbante një letërkëmbim të rregullt. Daja e donte shumë Tunin dhe Tuni
dajën, prandaj për çdo gjë këshilloheshin me njeri tjetrin, sikur të ishin
shokë të një moshe..Vetë Tuni u formua si gazetar gjatë Luftës, kur nxori «
Përpjekjen e Rinisë ». në Sevaster të Vlorës, bashkë Jakov Xoxën e paharruar.
Ishte një nga familjet më të dëgjuara në Fier dhe që përmendet me dashuri e
ngrohtësi nga shkrimtari fierak Jakov Xoxa tek romani disa vëllimesh “ Lumi i
vdekur“. „Përpjekja e Rinisë“, ekzemplarë të së cilës i ruaj me kujdes në
arkivin tim, siç e përmenda më sipër, u bë fryt i punës së përbashkët me
shkrimtarin Jakov Xoxa, të cilin edhe unë më pas e kam takuar shpesh herë kur
qëndronte në Apolloni, por edhe në ditët e fundit të jetës së tij kur kurohej
në pavionin 12 të Spitalit të Tiranës e ne bisedonim për letërsinë dhe Fierin
tonë të dashur dhe me njerëz të mirë e të thjeshtë, mikpritës të
gjirokastritëve por edhe të trevave të tjera nga Shqipëria dhe Kosova.
Tuni, gazetari në moshë të re, 22 vjeçar, në 1945 u bë kryeredaktori i parë i «
Sportit » dhe më 1946, bashkë me Anton Mazrekun fisnik mbushën faqet e gazetës
me njoftime tepër domethënëse për solidaritetin e sportistëve tanë që arritën
të zinin vendin e parë në Ballkaniadë, me Loro Boriçin në ballë. Gazetari
Besnik Dizdari e përmend në botimet e tij si veteran të sportit shqiptar. Nëna
më thotë se kur isha fare i vogël, babai më merrte me vete tek studio e
stadiumit « Qemal Stafa » ku shoku i tij fisnik Andon Mazreku transmetonte
ndeshjet e futbollit dhe Tuni përgatiste kronikat për gazetën. Në atë Ballkaniadë të paharruar do të gjendej gjithmonë përkrah Andon
Mazrekut, siç e tregojnë dhe fotografitë bashkëlidhur, për të përjetuar
emocionet e fitores së parë ballkanike për Shqipërinë, që solli Loro Boriçi
(1922 – 1984), kapiteni, simboli dhe legjenda
e futbollit shqiptar. Shumë shprehëse dhe e paharruar është
fotografia kur ekipi i futbollit doli kampion i Ballkanit dhe të gjithë, im
atë, Andoni, Loro Boriçi dhe ekipi kanë dalë tepër të entuziazmuar për atë
fitore të merituar. Më tej punoi 12 vjet natën në gazetë, më tepër si i « freskët », ku humbi dhe njerin sy, por me karakter gazmor dhe shokët e tij që
rrojnë akoma kujtojnë me nostalgji ato mbrëmje madhështore të viteve 50-të, ku
Tuni këndonte këngë të trevës së tij. Në Institutin e Folklorit dorëzoi një
fletore të madhe me të gjitha këngët myzeqare, që i këndonte vetë aq bukur.
Deri sa vdiq, organizoi lexime letrare duke shkuar tek lexuesit, bashkëpunoi me
revista dhe gazeta të kohës, realizoi botime të vetat dhe të miqve të tij,
afroi rreth vetes autorë që ishin të shquar apo që shpejt u bënë të shquar.
Shkrimtar por mbi të gjitha njeri dhe qytetar, i tillë që portreti i tij mbetet
mallëngjyes, pasqyrë e epokës që jetoi.
Sa herë jemi ulur sëbashku për të punuar mbi bocat e revistës, pothuajse
rregullisht për çdo numur, e gjithmonë dashamirët e shtypshkronjës kur shihnin
se maketi ishte gati, i bënin vend me kënaqësi për nxjerrjen e saj me
prioritet. Ishte më i fortë se vuajtja, i thjeshtë, këndonte ashtu pak
melankolik nga hallet e jetës, por pranonte i lumtur jetën siç ishte, i lirë, i
pavarur, besnik i shoqërisë dhe i të afërmve që i donte aq shumë. Mbi të gjitha
ishte i ndershëm dhe krenar dhe ashtu mbeti deri në fund të jetës së tij të
shkurtër. Për 17 vjet rresht, nga 1959 deri sa vdiq në fillim të qershorit
1975, fillimisht vetëm, për 11 vjet, pastaj me një kolektiv tepër të vogël,
nxorri revistën « Fatosi ». Faqet e « Fatosit » ishin të mbushura me vizatime e
ilustrime të piktorëve të rinj që hapat e para i kanë nisur ndoshta tek kjo
revistë që botohej në fillimet e veta nga i vetmi redaktor përgjegjës, Tuni. Revista
kishte një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh, nxënës, por edhe shkrimtarë të
dëgjuar që Tuni i afroi rreth vetes. Sa herë shkonte tek Safo Marko për të
krijuar një ilustrim të bukur që t’i joshte fëmijët. Aty qëndronte dhe
bisedonte edhe me Petro Markon e madh që kishte një shpirt të pastër por që
mbeti « një rebel », krenar që nuk i pranonte meskinitetet dhe njerëzit e
ngushtë. Shtëpia e Petro Markos pranë maternitetit ishte e mbushur me pikturat
e bukura të piktores së shquar, gruas së tij Safos, e cila bashkë me piktorin e
merituar Agim Faja kishin përparësinë në revistën « Fatosi ». Ai ofroi rreth
saj pena të njohura që i dhanë hov letërsisë për fëmijë, Dritëro Agollin, Petro
Markon, Kolë Jakovën, Bedri Deden, Odhise Grillon, Nasho Jorgaqin, Xhevat
Beqaraj, Helena Kadarenë, Lajde Stakun, Shpresa Vreton, Skënder Drinin, Prof.
Aleko Minga, Prof. Petrit Skende, Prof. Mina Naqe etj. Ai ka pasur temperament
të gjallë. Profesor Alfred Uçi e ka
cilësuar Tunin si « njeri të pazëvendësueshëm ». Ishte idealist dhe besonte se
një ditë do të fitonte e drejta, mirësia, solidariteti, do të zhdukeshin
meskinët dhe do të ravijëzoheshin karakteristikat e bukura të shqiptarëve në
shekuj. Te revista « Fatosi » ai shpalosi sërish talentin e vet. Profesor Murat
Gecaj ndër të tjera është shprehur: “ Tuni i ngjante minierës. Sa më shumë të
kërkoje, aq më shumë vlera do t’i njihje, aq më shumë xhevahire do të gjeje te
ky njeri. Pati një temperament të gjallë. Nxënës
në Fier la mbresa të pashlyeshme te shokët e tij, gjimnazist në Tiranë përqafoi
idetë më përparimtare të kohës. Qe gazetar dhe publiçist i shquar. Tuni
Petro Papuçiu , për nga karakteri i vet, natyra gazmore dhe aftësitë e
gjithanshme, ka qënë një personalitet i tipit unikal, një djalë fierak që, siç
shprehet populli, e lind nëna rrallë”.
Profesor
Bedri Dedja ndër të tjera kujtonte:” Ne, një grup shkrimtarësh për fëmijë, një
këshill botues vullnetar kishim emocione, sepse nuk ishim mësuar me këtë punë.
Pyesnim veten, vallë si do të dale revista? Midis nesh ishte dhe Tuni Papuçiu,
redaktori i pare i revistës “Fatosi”, një punonjës i vjetër i shtypit, që ishte
marrë me shumë gazeta. Tuni buzëqeshte me
ne, na qetësonte dhe punonte me zell, duke trokitur sa në shtypshkronjë, në
depot e letrës së revistave, në shtëpitë e piktorëve dhe shkrimtarëve, të cilët
na kishin premtuar bashkëpunime për numrin e parë. Dhe numri i pare u bë gati.
U dorëzua dhe në shtypshkronjë për shtyp. Por sa shumë vonoi për të dale! Gati
45 ditë, sepse ishte një proces i ri shtypi me shumë ngjyra…Për më tepër se një
muaj ditën dhe natën, bile ngandonjëherë edhe pas mesit të natës binte telefoni
në zyrën e vockël të “Fatosit” dhe në shtëpinë e redaktorit Tuni Papuçiu. Diçka
kishte ngelur në shtyp. Dhe Tuni vraponte në shtypshkronjë, punonte me
tipografët dhe lyente duart me bojë sikur të ishte edhe vetë tipograf. Dhe
vërtet punëtorët nuk e ndanin Tunin nga gjiri i tyre, e donin me gjithë shpirt,
e quanin pjestar të kolektivit të tyre.
Kur dolën kopjet e parat ë „Fatosit“, redaktori ynë i dashur erdhi me një tufë
revista duke qeshur për fitoren modeste që kishim arritur”.
Piktori i
merituar Agim Faja e ka cilësuar Tunin si njeri me zemër të madhe dhe shpirt
fisnik. Tuni Papuçiu ishte edhe shpirti i festivaleve kombëtare te këngës për
fëmijë ne Shkodër, ku laureohej çdo vit me çmimin e parë të nderit, bashkë me
kompozitorët Cesk Zadeja, Tonin Harapi, Avni Mula, Tish Daija, Pjetër Gaci,
etj. Tuni i përket elitës së publicistëve. Ai shkroi gjatë jetës së tij të
shkurtër me qindra artikuj publiçistikë, për sportin shqiptar, profesionin e
gazetarit, edukimin e fëmijëve, problemet sociale, të familjes, të shoqërisë në
përgjithësi, pa artifica, ashtu thjeshtë, siç ishte dhe vetë. Me qindra e
qindra poezi dhe poema të tij, apo tregime, skeçe për fëmijë, balada, skica u
botuan në revistat për fëmijë dhe sidomos tek « Fatosi », si dhe në botime
shkollore. Shumë prej tyre akoma nuk e
kanë parë dritën e botimit, pasi ai ishte tepër kërkues ndaj vetes, por edhe
miqve dhe dashamirësve të tij që u lexonte apo u botonte vjershat apo tregimet
e tyre. Trashëgimia publiçistike dhe letrare e Tuni Papuçiut është në
koleksionet e medias së shkruar të viteve ’40-’70-të, si dhe në botimet letrare
për shkollat. Ndërsa disa prej krijimeve të tij letrare për fëmijë janë botuar,
ndër të tjera, te vëllimet « Midis shelgjesh buzë lumit », « Një sirtar i
veçantë », « Supa dhe karamelet » etj. Ai zë një vend të veçantë në Fjalorin
enciklopedik « Gazetarë dhe publicistë shqiptarë », hartuar nga Prof. dr. Hamit
Boriçi dhe botuar nga « Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Veriut » (UGPV), «
Figura të shquara të rrethit të Fierit », si dhe te « Lekikon », me titullin «
Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë » (1872-1995), hartuar nga prof. Odhise K.
Grillo.
Libri i
tij « Një sirtar i veçantë » që u botua nën kujdesin e Profesor Bedri Dedes dhe
Pandora Dedes është një tregues i punës së tij të vyer ku ai çdo njerit i
kthente përgjigje dashamirëse, për të bërë ndonjë korrigjim të duhur në
shkrimin që i kishte dërguar revistës. Letërkëmbimet me miqtë e tij të
përhershëm piktorë e shkrimtarë, me Agim Fajën, Lajde Stakun, Skënder Drinin, e
shumë e shumë të tjerë që i ruaj në arkivin familjar, mbeten një shembull i
dashurisë së tij për artin e letrarët, shkrimtarët qofshin këta të çdo moshe.
Jo më kot, kolegu i tij i dikurshëm i revistës Llambi Blido e cilësoi në një
shkrim përkujtimor për të "njeriu-redaksi". Në librin: “Figura të shquara
të rrethit të Fierit”, 2002 ndër të tjera thuhet: “Tuni i madh e në të
njëjtën kohë modest ishte miku më i ngushtë i tipografëve, ishte mësuesi i tyre
dhe shpesh, kur bëheshin gabime të rënda në shtyp, ishte shpëtimtari i tyre,
sepse i merrte në mbrojtje duke u hedhur vetes gabimet e tyre apo duke i
korektuar ato sëbashku me tipografët në mijra ekzemplarë. Tuni Papuçiu qe
shpirti i festivaleve kombëtare të këngës për fëmijë në Shkodër. Jo vetëm si
anëtar permanent i jurisë, por edhe si autor i teksteve të këngëve për fëmijë,
ku laurohej çdo vit me çmime nderi të para; jeta e tij u sos pikërisht në
festivalin kombëtar të këngës për fëmijë në Shkodër në vitin 1975.
Aty ku ndodhej Tuni, aty buron kënga,
buronin gëzimi dhe humori. Aty ku ishte Tuni, aty takoje ndershmërinë,
gatishmërinë për të ndihmuar njerëzit, takoje besimin dhe optimizmin për
jetën”.
E motra e tij, Pandora kujtonte: “ Në fisin tonë të gjërë
të Papuçinjve dhe të Luleve, zëri dhe kënga e tij ishin gjithnjë të pranishëm. Nuk
më harrohen jaret sa bukur i këndonte! Apo këngët myzeqare e përmetare që i
merrte shtruar bashkë me dajën e tij, të urtë, të dhimsur e bujar, Kozma Lulen
e djalin e dajës së madh Timo Lulen .
Ajo
vazhdon kujtimet e saj:” Dhembja e Tunit, pas vdekjes në moshë të re të motrës
Ksanthipi, u shpreh në përkujdesjen për mbesën, Jetën. Ai flinte natën me të,
kujdesej për detyrat e saj në shkollë, për ushqimin, për dëfrimet fëminore. Ai
e ndjente shumë thellë përgjegjësinë për fatin e vajzës jetime. Siç na tregonte
më vonë e paharrueshmja Lajde Staku, që i ndenji te koka deri në fund, deri në
regëtimen e mbrame, ai shqiptonte: „Jeta…Jeta. Jeta sikur qe amaneti i tij i
fundit dhe unë e Bedriu këtë amanet e ruajtëm të shenjtë, gjersa Jetën sot
inxhinjere dhe nënë e dy fëmijëve, e nxorrëm në jetë”.
Tuni
Papuçiu ishte observues i shoqërisë shqiptare, i pëlqente shoqëria e pastër, u
shmangej karrieristëve dhe arrivistëve, nuk shante kurrë. Ai ishte pasqyra e
mirësisë. Gjithçka e motivonte dhe e bënte për të mirën e atdheut të vet, të
njerëzve të thjeshtë. E vetmja gjë që më kujtohet, kur vdiq babai erdhën për
ngushëllim shumë e shumë njerëz që nuk i njihja por që me fjalë të thjeshta
shprehnin mirënjohjen për të. Një tipograf i mallëngjyer ao ditë më tregoi se
Tuni kishte retushuar bashkë me të me mijra kopje të revistës së fëmijëve,
gabimin që ky tipograf kish kaluar pa dashje, që të mos paguante një shumë të
madhe si çdëmtim. Tuni ishte i përkryer. I
kthehej shpesh shkrimeve dhe poezive të tij. Mbaj në kujtesë bisedat e babait
me akademikun Mahir Domi, për gjuhën e pastër shqipe që donte të përdorte në «
Fatosi ». Profesor Mahiri ishte komshiu ynë më i afërt. Shpesh prof. Mahiri i
madh dhe tepër i urtë dhe modest, merrte « Fatosin » dhe e lexonte me kujdes.
Kopjet e para të revistës, sa dilnin nga shtypshkronja i jepeshin atij për
Etlevën dhe Benin, fëmijët e tij që çdo darkë vinin e qëndronin tek ne për ta
lënë sadopak të qetë të punonte për librat e tij të gjuhësisë profesorin e
shquar Mahir Domi, fjalëpakë që jetonte vetëm në një dy dhoma e guzhinë. «Poema
për Vedihanë », shoqen e Prof. Mahirit është një hymn që im atë ka shkruar për
atë grua nikoqire nga Delvina, që kujdesej aq mire për fëmijët dhe burrin e saj
professor që nuk shkëputej kurrë nga librat.
E kishte pasion gjenealogjinë
dhe shpesh i rikthehem atij blloku ku ka shënuar pemën gjenealogjike të
familjes sonë të madhe që nga vitet 1700 nga Voskopoja është vendosur në Fier,
si edhe shumë familje nga Kosova martire. Papuçinjtë jane ndër të parët të
vendosur në Fier. Ishte një nga familjet më të dëgjuara në Fier dhe që
përmendet me dashuri e ngrohtësi nga shkrimtari fierak Jakov Xoxa tek romani
disa vëllimesh«Lumi i vdekur».
Një nga miqtë e tij mendoi pas
vdekjes së tij të botonte një libër me tregimet e tij, me titull: « Midis
shelgjesh buzë lumit », si kujtim e mirënjohje për të. Në shtypshkronjë, kopjet e para të librit dolën me fotografinë e tij të
madhe (të përgatitur nga dashamirët e tij tipografë) dhe të gjithëve u duk se e
kishin pranë nesh dhe u përmalluam. Më vonë u botuan edhe vëllimi me
tregime, përralla, vjersha e skeçe, mbledhur nga shkrimtari Xhevat Beqaraj dhe
botuar nga « Toena».Me këtë rast atij ju dha një çmim i veçantë pas vdekjes për
veprimtarinë e pasur letrare, për vogëlushët që i donte aq shumë dhe që u
shkruante tekstet më të arrira në Festivalet e Fëmijëve që organizoheshin në
Shkodër. U organizua edhe një mbrëmje përkujtimore për Tunin e paharruar ku
folën shumë dashamirës e miq të tij :prof. Alfred Uçit, prof.Bedri Dedja, shkrimtarët
Xhevat Beqaraj, Nasho Jorgaqi, Shpresa Vreto, e sa e sa të tjerë. Libri « Një
sirtar i veçantë » që u botua është një kujtim i bukur për krijimtarinë e pasur
të Tuni Papuçiut. I paharruar dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i tij, të mirit,
të dashurit, njerëzorit. Mbi varrin e tij shokët vunë mbishkrimin tepër
domethënës, nga një vjershë e tij : « E dini pse nëna folenë, në zemër e ka, se
bashkë me qumështin e saj, dashurinë për Atdhenë m’a dha ». Tuni ishte një ndër
njerëzit e rrallë që gëzoi respektin e shoqërisë shqiptare, gazetar dhe
publiçist i talentuar, shkrimtar për fëmijë, artist e këngëtar, miku i madh i
punëtorëve tipografë, familjar i rrallë midis shokëve, njeri që gëzoi respekt
në mjediset shoqërore, kur ishte gjallë dhe që këtë respekt e ruajnë edhe sot,
jo vetëm intelektualët, por edhe njerëzit e thjeshtë.
Gjenevë, më 2 qershor 2019