| E diele, 02.06.2019, 10:52 AM |
SALARIOTËT
- EPOKA E BURRAVE- libri që lartëson heronjtë
Nga
Albert Z. Zholi, Shkrimtar-publicist
Të
shkruash për vendlindjen dhe banorët e tij, të djeshëm e të sotëm, në radhë të
parë është një përgjegjësi e madhe individuale, por njëkohësisht është një
detyrim moral, për cilindo që është pjesë e tij. Vendlindja është ajo tokë, ata
gurë e drurë që në çdo moment të kujtojnë origjinën, lavdinë e të parëve e cila
është dritë për pasardhësit! Sot, me zhvillimet moderne, të shkruash për
vendlindjen është thirrja e kohës për ndërgjegjësim dhe kushtrimi i të parëve
për të dashur atdheun. Vendlindja nuk do dashuri të cunguar. Ai që nuk bën
gjithçka për të, nuk bën asgjë. Ai që nuk i jap gjithçka Atij, ai i ka mohuar
të gjitha. Ajo s’mund të harrohet pasi në vendlindje njeriu ka të kaluar, por
edhe të ardhme. Vendlindjen e duam jo se është e madhe apo e vogël, por e duam
sepse është e jona, është gjaku, rrënja, burimi kristaltë, dielli i jetës
individuale. Vetëm në vend të huaj e njeh bukurinë dhe ëmbëlsinë e gjuhës
amtare, vetëm atje e ndjen ç’është vendlindja nga ku je larguar. Vendlindja është
vetëm Një, ashtu sikurse nëna. Respekti për vendlindjen është virtyti i madh
njerëzor që duhet ruajtur si thesar i rrallë. Thuhet që kush ka vdekur për
vendlindje, nuk ka vdekur por ka Lerë, rilindur. Një fjalë e urtë thotë: “Kush
nuk e do vendlindjen, nuk e do as njerëzimin”. Një dimër në vendlindje është më
i ëmbël se sa qindra pranvera në dhe të huaj. E ata që dëshirojnë ta njohin e
ta duan vendlindjen e tyre le të shkojnë në dhe të huaj që ta ndjejnë mallin
për të. Nisur nga këto ndjesi është nisur dhe Kastriot Lamaj të shkruaj për
vendlindjen e tij, Salarinë magjike. Tashmë, Salaria ka hyrë në historinë e
Shqipërisë si një fshat i veçantë, mbushur me histori luftërash patriotike, si
një fshat i dashuruar me atdheun, lirinë, pavarësinë, por dhe me arsimin dhe
kulturën. Në këtë libër të thjeshtë, por tepër korrekt, autori ka dashur të
përcjellë në mënyrë shkencore dhe me elegancë, gjithë historinë e këtij fshati
martir që nga krijimi dhe deri në ditët e sotme. Emërtimi, prejardhja, koha e
formimit, lagjet, fiset, traditat, të veçantat, historitë, puna, arsimi,
blegtoria, bujqësia, vështirësitë, kënga, gëzimet, hidhërimet por mbi të gjitha
luftërat e një fshati të vogël por me histori të madhe, janë pjesë e këtij
libri modest. Historikisht kanë luftuar salariotët për një jetë më të mirë, dhe
në historinë e tyre janë ndeshur me skamjen e varfërinë, kanë kapërcyen
vështirësi e pengesa, dhe gjithmonë kanë qenë vizionar duke luftuar të vjetrën
me dëshirën e zjarrtë për të sjellë të renë, përparimtaren, modernen. Në
luftërat për liri dhe pavarësi, shumë salariotë ranë në fushat e betejave dhe
ata ishin bijtë më të mirë që s’e gëzuan jetën, e humbën atë ose mbetën të
gjymtuar. Në luftën Nac-Clirimtare, salariotët, treguan vetëmohimin e tyre më
të madh dhe përgjegjësinë historike më sublime. Vendlindja është gjëja më e
shtrenjtë, pasi mbetet vendi ku u lindëm e u rritëm, ku morëm mësimet e
fëmijërisë, ku jetuam gëzimet dhe hidhërimet tona. Salaria është një fshat i vogël me histori të madhe. Nga gjiri i saj
ka dalë Selam Salaria, Selam Labi, që koha e ka gdhendur në altarin e
pavdekësisë së heronjve shqiptarë. Por nga Salaria kanë dalë dhjetëra
intelektualë të çdo fushe që kanë bërë emër jo vetëm në Shqipëri, që do ti
gjeni në faqet e këtij libri të sinqertë. Mbi të gjitha ky libër është një
mesazh për gjithë brezat kudo që banojnë dhe jetojnë, por sidomos për brezin e
ri: Në hapësirat ku jeton brezi i ri shqiptar, i larguar dhe emigruar në kohë
të ndryshme, si përfaqësues të një shoqërie dhe kombi ndër më të vjetrit në
Evropë, ka si detyrë të ruaj dhe të përcjellë tiparet më të mira të
vendlindjes, origjinës, kombit që përfaqëson vlerat, traditat, gjuhën, zakonet,
këngët, vallet, historinë e madhe të një
vendi të vogël, etj. Të gjithë kemi detyrime ndaj vendlindjes, pasi aty u
formuam, hodhëm hapat e para dhe nisëm rrugën e madhe të jetës plot zigzage dhe
të panjohura... Vendlindja, mbetet e njohura e parë, e barazuar me respektin
dhe dashurinë si ndaj Zotit.