| E premte, 31.05.2019, 09:04 PM |
GAJDJA
BIE PËR ATA QË KANË VESHË
Shënime
për librin me tregime humoristike “Bjeri gajdes, gajdexhi !” të shkrimtarit
Hysen Kobellari
Nga
Shyqyri FEJZO
Shkrimtari
oparak Hysen Kobellari i dha së fundi lexuesit vëllimin me tregime e skica
humoristike “Bjeri gajdes, gajdexhi!”. Në të 31 tregimet dhe skicat, që jo më
kot e pa qëllim është kurdisur që të nënkuptohet si numër shansi e fati, ka
diçka të re. Çdo tregim apo skicë humoristike e goditur, bën gati efektin e një
ngjarjeje me interes të përgjithshëm; ato përcillen njëlloj si një lajm i
sapomarrë. Shakanë, të qeshurën, komiken, që në kohët e lashta u pëlqente ta
përcaktonin si një zotësi për të gjetur ngjashëmëri midis sendeve dhe
fenomeneve të pangjashme, domethënë, për të gjetur ngjashëmëritë e fshehura.
Kur
mbaron së lexuari vëllimin, ndjen kënaqësinë e shpërndarjes së një lajmi të
mirë, një gur a tullë që vihet në rritjen e kalasë së letrave në fushën e
humorit dhe të satirës. Që në tregimin e parë “Erosmetri”, autori na prezanton
një sistem marredhëniesh e lidhjesh ku herë sundon humori, herë qëndrimi
satirik, deri në grotesk, cilësi të karakterizuara përmes humorit të hollë.
Natyra objektive e dukurive që shigjeton
Kobellari në këtë tregim janë: ftohja e ndjenjave njerëzore nga njëra anë, e
dashurisë në mes njerëzve dhe gllabërimi i gjithçkaje nga ekonomia e tregut dhe
fitimit, si dhe e dashurimatësit , nga ana tjetër. Në pamje të parë të duket si
historia e një shpikjeje të vërtetë, të rëndësishme, saqë beson dhe uron që
vërtet të jetë e tillë. Dhe ku dihet, mbase autori e disponon një Erosmetër,
Dashurimatës, të ngjashëm me zemrën e vet … Baza a humorit këtu përcaktohet
drejt nga cilësitë objektive të dukurisë komike. Ato, si dukuri nuk bien ndesh
me procesin shoqëror përparimtar; nuk i kundërvihen balla - ballas ecjes përpara të shoqërisë, por shkaktojnë
vonesa, çekuilibrime të dukshme, pengesa në proces …
Në
disa tregime, forma e mëshirimit artistik të personazheve e dukurive ndihmojnë të dalin në pah lidhje, ndërveprime
e marrëdhënie, të padukshme në plan të parë. Kobellari shkruan më shumë duke
përdorur vetën e parë. Kjo teknikë është më e lehtë, më komode në krahasim me
të tjerat, por kjo ka edhe të metë rrezikun e monotonisë dhe të vetëpërqeshjes,
në ndonjë rast, të cilat mund të zbehin vlerat e mirëfillta të prozës cilësore.
Këtij nuk i ka shpëtuar ky vëllim, me gjithë përpjekjet e autorit për larmi
stilesh e subjektesh. Në disa tregime e skica , Kobellari ia ka dalë me sukses
, duke përdorur ndonjë fabul, shaka, apo ngjarje komike të njohur, që përpunimi
dhe ngritja në art e kanë dhënë vlera të vërteta.
Në
tregimin “Epidemia e Zilisë” alegoria është e qartë, kur krahasohet me dukuritë
e sotme, me pyetjet që bëhen shpesh : “ Si e bëri gjithë këtë pasuri, filani
?!; Ku i gjeti gjithë ato para ?! ; Unë nuk dua, por edhe ai të mos marrë, të
mos këtë …, etj “ Të mos harrojmë që krimi i parë në këtë botë është bërë për
shkak të zilisë, cmirës, kujtoni se si Kaini vrau vëllain e vet, Abelin… Këto
dukuri fshikullohen bukur, ashtu si edhe në tregimin “Nuk mbarohen kurrë”, që
ka si objekt satirizimi apatinë, synimin për të fituar në kurriz të tjetrit,
rehatllëkun e fodullëve, të cilët kanë harruar se në ekonominë e tregut “puna
është babai”
E
papritura është përdorur me sukses në disa tregime të këtij autori. Ky mjet
artistik është bërë burim i komikes në tregimin “Kush ndez për djallin një
qiri”, në “Porosia e të vdekurit”, etj. Keqkuptimet e ngatërresat që lindin për
një gabim të njërës palë, gjithashtu krijojnë situate humoristike të këndshme.
Të tilla janë ato tek tregimet “Orëhumbura dhe Ëndrra”, “Unë, Pasqyra dhe
Mortja”, “Përkrenarja e Oficerit”, etj.
Të
shkruash mirë në gjinitë e humorit dhe satires kërkohet një njohje e thellë e
jetës njerëzore, deri në detaje, ku e mira dhe e keqja janë në të njëjtën
bërthamë. Në tregimet e Kobellarit bie në sy njohja e mirë e gjërave për të
cilat ai shkruan. “Dy orë kafshar”, flet për njohje të thellë të jetës së
personazhit, i cili me sa duket mbetet burim i pashtershëm thellësie e gjerësie
artistike. “Gjarpëri dhe helmi i gjuhës”, “Një fjalë foli Sefja”, “Lisit të
madh i ra një gjethe”, dëshmojnë se autori ka njohje të thellë, deri në detaje
të temave që trajton. Në tregimet “Krenari greke” dhe “Hajdut padashka” gjejmë
në përgjithësi një befasi të vërtetë, tek i pari, që nuk mund të pikaset në
fillim synimi i autorit dhe se si do të jetë zgjidhja, ndërsa tek tjetri,
boshti duket i diskutueshëm, se “ja, kështu do të mësohemi të vjedhim
njëri-tjetrin”; kjo do të ishte një jetesë e mirëqënie spartane, e
parealizueshme. Nuk hakmerresh dot aq lehtë kunder “grabitjes së përditshme”…
Kobellari
ka një stil të shkruari e të treguari original, të shtruar e të rafinuar; nuk i
shpëton gjë për temën që trajton. “Qesh me mollën e kuqe”, kur i thonë dhe
“shikon qimen në vezë.” Stili i tij është i kuptueshëm, konkret dhe mbetet
mjeshtër përshkrimi. Pastrimi nga fjalë të huaja, edhe pse ato që ka përdorur ai kanë
një përdorim të madh në zhargonin e përditshme, do të gjykonim se i shërbejnë
rritjes së cilësisë rrëfimtare në
tregime.
Gajdja
e librit të Kobellarit ka meloditë e saj, të ëmbla për veshin, për kohën edhe
pse është instrument që nuk i nxjerr të shtata notat të plota. Ato pjesët që ka
ekzekutuar gajdexhiu i Kobellarit, janë popullore, që të sjellin gaz në shpirt,
besim e shpresë dhe kritikë urtë e butë për të kaluarën. Me këtë gajde e
gajdexhi, autori ka mbyllur një shteg bosh në godinën e pafund të humorit dhe
satires, duke dhënë aty ngjyrat, tingullin, timbrin e regjistrin e kohës dhe të
trevës ku jeton.
A
do t’i dëgjojnë të gjithë dhe me të dy veshët këto melodi ?!
Le
t’ia lëmë kohës.