| E diele, 26.05.2019, 09:26 AM |
POETI DEDË DEDA JETON DHE KRIJON ATDHETARISHT
(Vështrim
për përmbledhjen poetike “Puthja e atdheut” të autorit Dedë Deda, Botimet ADA,
Tiranë, 2018)
Shkruan
Zymer Mehani
Poezia
si formë e eksplikimit dhe e komunikimit shpirtëror artistik me emrin e autorit
Dedë Deda në qiellin poetik shqiptar ka sjellë një refleks të ri, edhe përnga
rrafshi i vizionit e i senzibilitetit poetik, por edhe në rrafshin
tematiko-refleksiv, duke e pasuruar mozaikun e përvojës poetike në letërsinë
shqipe.
Po
ta lexojmë me vëmendje poezinë e poetit Dedë Deda , do të vërenim se në
horizontet e krijimtarisë poetike po ngritet ky autor ngadalë, por krejt
sigurt, duke e pasuruar letërsinë tonë me nuanca karakteristike.
Vëllimi
poetik “Puthja e atdheut” është libri i parë i botuar i autorit Dedë Deda, të
cilin ai e ka strukturuar duke e ndarë në nëntë cikle:
Zemra
e atdheut;
Zëri
i vendlindjes;
Loti
i nënës;
Yjet
e fëmijëve të mi;
Emri
i zemrës;
Zëri
i atdheut;
Një
botë tjetër;
Ëndërr
e larë në dritë;
Sentenca
filozofiko-poetike.
S’do
mend se edhe nga ndarja në këto cikle, vërehet se lajtmotiv i poezisë së
autorit Dedë Deda është atdhedashuria, prandaj nuk do të gabonim fare, po të
thoshim se motiv dominant i krejt vëllimit “Puthja e atdheut” pra është
atdhedashuria, edhe pse gama e motiveve dhe tematika e poezive të këtij autori
është e larmishme dhe me perimetër të gjerë.
Shpeshherë
frymëzimi poetik i autorit Dedë Deda ushqehet nga gurra e të kaluarës
historike, sikurse edhe nga realiteti i sotëm dhe përditshmëria jonë shqiptare,
i pasuruar gjithnjë me kolorit gjallërues dhe me shumë optimizëm.
Fuqia
shprehëse e poetit Dedë Deda arrihet përmes gjërave të vogla, ngase poezia e
tij është një varg ndeshjesh pas dukurive më të zakonshme, të përditshme,
ndeshje pas gjërave që thuajase na lënë mbresa të veçanta, por prmes tyre poeti
Deda vetvetiu të fut në vorbullën e gjërave më të mëdha dhe më të rëndësishme
të jetës duke krijuar një labirinth aq të pranishëm dhe aq të njohur me një
petk të ri.
Që
nga vargjet dhe poezitë e para të vëllimit “Puthja e atdheut” është vërejtur se
poeti Dedë Deda disponon një zjarr të brendshëm, i cili tek ai e nxit procesin
dhe aktin e krijimit poetik. Gjithashtu është hetuar se ky poet është i
mishëruar me ambientin dhe njerëzit e vet në të gjitha drejtimet e vetëdijes
asociative.
Te
përmbledhja poetike “Puthja e atdheut” kemi hasur një sistem figurshmërie të
konsoliduar dhe mjaft të organizuar, si dhe krejt origjinal, forcë kryesore e
të cilit është ngërthimi i shtresave të shumta kuptimore.
Poeti
Dedë Deda di dhe arrin të na thotë diçka të rëndësishme nëpërmjet patosit
karakteristik të natyrës së poezisë së tij, herë me mjete më spontane dhe më të
kultivuara artistike, herë me mjete pak më modeste dhe të thjeshta.
Me
të drejtë vlerëson editori, Vasil Tabaku se poeti Dedë Deda është padyshim një
krijues me mjaft interesa të larta njerëzore dhe që kërkon me ngulm triumfin e
së mirës, të paqes, të diturisë dhe dritës së shpirtit të madh e fisnik
shqiptar.
Poeti
Dedë Deda jeton dhe krijon atdhetarisht. Këtë më së miri e dëshmon me vëllimin
poetik “Puthja e atdheut”, të cilin të tërin (300 ekzemplarë) ua dhuroi këtyre
ditëve bibliotekave shkollore të Kosovës!
Podujevë,
më 24 maj 2019