| E merkure, 22.05.2019, 07:09 PM |
LIBRËR
QË SJELL BUZËQESHJEN TE FËMIJËT
“DËSHIRA
E POETIT” I AUTORES ORNELA LAHU
Shkruan
Zymer Mehani
Letërsisë
sonë për fëmijë këtyre ditëve iu shtua edhe një vëllim poetik nga autorja
Ornela Lahu, nxënëse e klasës së shtatë në Shkollën e Mesme të Ulët “Nexhmi
Mustafa” në fshatin Rimanishtë të komunës së Prishtinës. Kjo përmbledhje
poetike e kësaj voglusheje të zellshme fëmijëve përmes vargjeve ua ka sjellë
buzëqeshjen dhe gjithçka që është e mirë, si ngrohtësinë prindore, ledhatimet e
gjyshit dhe përrallat e gjyshes, lojërat e vogëlushëve, ëndrrat dhe dëshirat e
çupave dhe të çunave, tiparet e bukura të stinëve të vitit, atmosferën e gjallë
të jetës shkollore, shembujt e heroizmit të trimave luftëtarë etj…etj.
Posa
më ranë në dorë poezitë e këtij fëmije të mrekullueshëm, m’u dha rasti për t’i
shënuar disa meditacione në lidhje me poezinë e saj, për atë që shpreh dhe
përmban ajo si fuqi potenciale edhe njohëse, edhe argëtuese, por mbi të gjitha
edhe edukative.
Mendojmë
se kjo përmbledhje me vjersha për fëmijë, e shkruar nga një fëmijë talent, siç
është Ornela Lahu, vërtet është dëshmi se ekzistuaka mundësia dhe qenka e
mundur që fjalën e bukur artistike ta shkruajnë dhe kultivojnë me shije edhe
moshat e reja fëmijërore.
Shumë
lexues të vegjël, bashkëmoshatarë të Ornelës, nga vëllimi poetik “Dëshira e
poetit” presin argëtim, edukim dhe hare, presin atë që është e natyrshme,
tërheqëse dhe e pranueshme për fëmijët, atë që edhe poetët e rritur ua kanë
borxh fëmijëve- vargjet me karakter edukativ, argëtues dhe njohës. E të gjitha
këto i ka arritur me vargjet e veta vogëlushja penartë Ornela Lahu.
Vogëlushja
e talenturar, Ornela në vargjet e këtij vëllimi ka arritur të pasqyrojë tablot
e jetës fëmijërore me tërë laryshitë, peripecitë, dëshirat, krajatat dhe
andrallat e shumta me fjalë të zgjedhura dhe të kuptueshme për
bashkëmoshatarët.
Ornela
Lahu dëshiron që me fjalë e vargje fëmijët t’i nxisë për mësim dhe t’u tregojë
për gëzimin që ua sjell ai në jetë. Dhe mu ky është qëllimi kryesor që autorja
jonë e vogël ia ka parashtruar vetes, pra, bashkëmoshatarët e saj të edukohen
për mësim dhe punë, ngase këto janë burime të mirëqenies së tyre dhe hapa të
sigurt që dërgojnë drejt ardhmërisë së tyre të lumtur.
Meqë
përmbledhja “Dëshira e poetit” është e shkruar nga një vajzushë 13-vjeçare,
s’do mend se gjuha e saj e përdorur në këtë vëllim është e thjeshtë, e kulluar
dhe e kuptueshme për fëmijët e tjerë. Pra fjalori është i kapshëm për fëmijët.
Figuracioni poetik korrespondon gjithashtu me moshën fëmijërore.
Motivet
e trajtuara në poezitë e autores Ornela Lahu janë jeta dhe marrëdhëniet në
familje, dashuria prindore, respekti ndaj gjyshit e gjyshes, jeta shkollore,
dashuria dhe admirimi për mësuesen, gjuha shqipe, heronjtë e kombit, natyra e
vendlindjes etj.
Metri
dhe rimimi i vargjeve janë të ndryshëm dhe tejet karakteristikë me
melodicitetin e këndshëm.
Ornela
Lahu u lind më 11. 06. 2006. Është nxënëse e klasës së shtatë të Shkollës së
Mesme të Ulët “Nexhmi Mustafa” të fshatit Rimanishtë të komunës së Prishtinës.
Kjo nxënëse përveç që është talente në lëndët mësimore, e sidomos në lëndën
gjuhë shqipe, merret edhe me shkrime të vargjeve dhe të eseve temash të
ndryshme. Libri “Dëshira e poetit” është vëllimi i parë poetik i saj dhe
shpresojmë se nuk do të jetë edhe i fundit.
Ornela
Lahu jeton në fshatin Rimanishtë.
Autores
Ornela Lahu i urojmë rritë të mbarë në gjirin familjar, ndërsa juve,
bashkëmoshatarë të kësaj vogëlusheje talente, ju urojmë lexim të këndshëm dhe
gëzime në jetë!