| E shtune, 18.05.2019, 09:39 AM |
HARRESA
QEVERITARE NDAJ SHQIPTARËVE NË SERBI
Nga
Muharrem Salihu
Në
këtë periudhë intensive diskutimesh e analizash, deklaratash e
kundërdeklaratash për marrëdhëniet Kosovë – Serbi, pak kush po merret me
gjendjen e shqiptarëve në Serbi, kryesisht në 3 komunat autoktone Medvegjë,
Bujanoc e Preshevë. Në Kosovë e Shqipëri vëmendja po përqëndrohet te komentet
dhe deklaratat e ndërsjellta të drejtuesve politikë dhe po “harrohet” të shihet
e të pasqyrohet gjendja e shqiptarëve në Serbi, të cilët janë të prekurit
direkt të kësaj gjendjeje. Por, nëse drejtuesit politikë dhe shtetarët në
Kosovë e Shqipëri po heshtin dhe nuk po i kushtojnë asnjë vëmendje gjendjes së
shqiptarëve që jetojnë në Serbi, e kundërta po ndodh në Serbi. Qarqet
qeveritare po rrisin çdo ditë e më shumë presionin ndaj shqiptarëve, kryesisht
në tri komunat autoktone Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, që të pranojnë si
zgjidhje të vetme të problemeve mes shqiptarëve dhe serbëve, tezën e shkëmbimit
të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto veprime kryhen nga qeveria serbe,
si përmes presionit të drejtpërdrejtë, ashtu edhe përmes veprime konkrete të
tërthorta.
Serbia
historikish ka bërë dhe vazhdon të bëjë luftë për territore. Në frymën e këtyre
politikave shoviniste, ajo po synon të krijojë kushte të voliteshme për të
përfituar padrejtësisht nga territoret shqiptare dhe përmes realizimit të
marrëveshjes me shqiptarët, të përfitojë makismalisht në veri të Kosovës, duke
“dhënë” minimumin nga pjesa jugore e Serbisë. Vetë qeveria e Serbisë po punon
në disa drejtime: nga njëra anë ka ndërprerë dialogun me Kosovën duke e kushtëzuar
me heqjen e taksës nga Qeveria e Kosovës, ndërkohë që ka mbi 10 vjet që nuk
njeh vulat doganore të Republikës së Kosovës; nga ana tjetër kërkon territore
nga veriu i Kosovës, me pretendimin se janë komuna serbe; dhe në të njëjtën
kohë punon pa rreshtur që të shpopullojë dhe të zbrazi nga shqiptarët tre
komunat autoktone në Serbi, me synimin që të mos i lëshojë këto territore
shqiptare që gjeografikisht përfshihen në Republikën e Serbisë.
Shqiptarët
në Serbi në mënyrë masive po shndërrohen në qytetarë jorezidentë, si pasojë e
pasivizimit të adresave të tyre nga ana e pushtetit lokal dhe atij qendror,
duke i shndërruar si qytetarë inekzistentë në shtëpitë dhe tokën e tyre. Kur
dikujt i pasivizohet adresa, atëherë si shtetas humbet të drejtën të pajiset me
dokumentacion personal, që do të thotë mohim i të drejtës minimale kushtetuese,
atë të të qenurit shtetas i një republike. Sot, janë me mijëra qytetarë
shqiptarë nga tre komunat Medvegjë, Bujanoc e Preshevë që nuk arrijnë të
rinvojnë dokumentat e skaduara, për pasojë nuk arrijnë të marrin pensionin e
tyre, apo të kryejnë veprime të tjera në sportelet publikë. Bashkëqytetarët e
Medvegjës janë ndër më të prekurit nga këto diskiminime.
Faktori
politik shqiptar në Serbi dhe shoqëria civile duhet të ndalin heshtjen dhe të
shfaqen me qëndrimet e tyre në mbrojtje të popullatës duke kërkuar fuqimisht
ndërprerjen e menjëhershme të këtij procesi diskriminues ndaj shqiptarëve dhe
respektimin e të drejtave të tyre, përmes kthimit të adresave të marra
padrejtësisht. Mbështetje dhe ndihmesë duhet të ofrojnë edhe qeveritë e
Shqipërisë dhe Kosovës, që e kanë detyrim kushtetues mbrojtjen e të drejtave të
shqiptarëve në troje. Në Serbi gjatë vitit 2019 pritet të ketë zgjedheje në
nivel lokal dhe qendror. Shqiptarët jo vetëm që duhet ta kërkojnë këtë të
drejtë elementare të nëpërkëmbur ndër vite, por duhet edhe të veprojnë
masivisht dhe të braktisin këto zgjedhje, deri sa t’u kthehen adresat e
suprimuara. Nëse nuk ndërmerren veprime konkrete sot, rrezikohet që prezenca e shqiptarëve
të bëhet irelevante, duke vënë në pikëpyeteje të drejtën e dygjuhësisë, e cila
edhe në kushtet aktuale po repsektohet shumë pak, për të mos thënë hiç fare...