| E enjte, 16.05.2019, 09:29 PM |
BOSNJA NJË
BUKURI E MBULUAR
ENDE NGA PLAGËT
NGA PËLLUMB
GORICA
Kur
e shkel për herë të parë, me një kureshtje udhëtari, Bosnje – Hercegovinën,
vërtet ndjen një kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse është një vend që jo vetëm
të emocionon me bukuritë e natyrës dhe objektet historike, por edhe me
zhvillimin e saj të shpejtë, e cila pret me padurim anëtarësimin në Bashkimin
Evropian, si Shqipëria jonë (edhe pse ende ka marrëdhënie jo normale me
korrupsionin, papunësinë, krimalitetin e ambicie etnike). Detajet e tablove që
shikon e përjeton aty janë të shumta e të larmishme, por të përshkruash me
imtësi tërësinë e tyre nuk është e lehtë.
Bosnje
- Hercegovina shtrihet në veri të Ballkanit. Dikur, para Viteve ’90, për disa
dekada ajo ishte një nga gjashtë republikat e ish-Jugosllavisë, një shtet
multietnik, ku pjesën më të madhe e zinin boshnjakët, por ka edhe kroatë e
serbë. Tashmë të gjithë i dimë ngjarjet tragjike më shumë se një çerekshekulli
më parë, që kapërthyen jo vetëm Bosnje – Hercegovinën, por edhe gjithë
republikat e ish-Jugosllavisë. Kasapi i Ballkanit, Millosheviçi, me shpirtin e
tij demoniak, shkaktoi një stuhi apokaliptike, si holokausti hitlerian, me një
gjenocid të egër etnik plot tmerre, vuajtje e vdekje. Tashmë janë të njohura
dhe të rënda ato kohëra, por me këtë le të merret historia, veçse nuk duhet harruar
masakra e Sebrenicës, e paparë ndonjëherë aty. Ende Sarajeva i ka të freskëta
gjurmët e kësaj lufte, në fasada shtëpish, xhamitë, hotelet e fabrikat e
shkatërruara, nga rrebeshe predhash dhe bombardimesh të serbëve. Edhe Mostari u
rrënua shumë nga lufta midis kroatëve dhe myslimanëve, duke e përshkallëzuar
konfliktin e tyre etnik, me një garë të pashfrenuar për epërsi territoriale.
Mostari, margaritar i
Bosnje – Hercegovinës
Në
agimin e një prej ditëve të bukura, kur qielli ngjyrosej me penelin e
kuqërremtë të diellit dhe yjet furfurimën e tyre vezulluese e të purpurt e
fiknin një nga një, pasi kaluam me bashkëudhëtarët tanë traun e doganës së
Hanit të Hotit, do të merrnim rrugën e gjatë nëpër Tuz, Podgoricë, Nikshiq,
(qytete të Malit të Zi) drejt Bosnje-Hercegovinës. Në fytyrat tona shtohej
kënaqësia e këtij udhëtimi plot befasi, që shumëfishohej kur rruga kalonte
nëpër treva me pamje të magjishme, që sa më tepër ecnim, aq më i thyer bëhej
peizazhi i maleve, me plot shkëmbinj të thepisur, herë të mbuluar me pyje e
herë të zhveshur. Aty- këtu në këtë bukuri të panjollë një varg vendbanimesh,
të tërheqin vështrimin me vendosjen, arkitekturën e kështjellave, urave,
kishave e xhamive. Stolaci i shtrirë mbi shpinën e një kodre shkëmbore, jo aq i
madh sa qytetet e tjera të Bosnje – Hercegovinës, të shfaqet me ndërtimet e
përhimta që humbisin mes gjelbërimit. Mendimi, se nuk do të na jepej më rasti
t’i shohim edhe një herë këto mrekulli, nxjerrim nxitimthi aparatet
fotografike, që nuk i ndajmë në asnjë çast nga vetja dhe fillojmë të
fotografojmë. Madje kishim filluar që më parë, pa lënë të na ikte nga dora
asnjë nga këto mrekulli.
Ne
ndoqëm rrugën që të çonte në Mostar, e cila gjarpëronte afër rrjedhave ujore,
të qeta e të thella, që mezi dalloheshin mes gjelbërimit. Mostari është një
prej qyteteve margaritar të Bosnje – Hercegovinës, i rrethuar nga majëmalet e
rrumbullakosura, ku në mes të cilave rrjedh lumi Neretva, me valët e trazuara,
e me shumë degë lumenjsh që derdhen në të, dhe i japin shpirt e gjallëri gjithë
pjesës jugore të Bosnje-Hercegovinës. E njihnim Mostarin pa qenë qoftë edhe
njëherë të vetme atje prej urës mesjetare, një kryevepër arkitekturore, e cila
përfaqësonte një epokë, breza e histori. Ky simbol i kulturës orientale, që zor
se i gjen shoqen (nuk i ka mbetur as gjurma më e vogël), ndërtuar nga arkitekti
turk Neimar Hajrudin, prej vitit 1557 deri në 1566, nën urdhrat e Sulltan
Sulejmanit të Madh, duke shpëtuar për 500 vjet nëpër luftëra, tërmetet e
përmbytjet u shkatërrua një ditë nëntori të vitit 1993 nga predhat e ushtrisë
së kroatëve të Bosnje-Hercegovinës. Por, vetëm 7 vjet pas shkatërrimit ajo u
rindërtua e financuar nga UNESCO dhe Banka Botërore, duke u rikthyer përsëri në
shërbim të kënaqësisë së vizitorëve, sepse ajo ngjall kureshtje të veçantë.
E
përshkojmë nga njëri breg në tjetrin harkun magjik të urës, për të ndjerë
kënaqësi edhe nga hedhja në ujë e disa të rinjve prej lartësisë 80 metra, që
tërhiqnin çdo ditë një numër të madh kureshtarësh. Ishim me fat, kur një i ri
me plot shkujdesje, na la gojëhapur me hedhjen e tij të guximshme.
-
Duhet të dish se si të hidhesh se ndonjëherë është vdekjeprurëse, - thotë
Izeti, një burrë i vjetër nga Mostari , teksa po vështronte bashkë me ne. E kam
sfiduar dikur, dhe ishin ndër çastet më të lumtura, por edhe një test
shkathtësie për të rinjtë e çdo kohe të qytetit tonë.
Vlerat
arkitekturore të së shkuarës në Mostar janë përzier me modernen, që tashmë
është më e fuqishme se historia aty, me ndërtesa shumëkatëshe dhe shtrirje në
një fushë të gjerë sa të hante syri. Kuptohet që ndikon zhvillimi, i cili dukej
në bumin e tyre, dhe stonon me arkitekturën e ndërtesave orientale të ruajtura
me fanatizëm. Në rrugicat e mjeshtërve të vjetër, në të cilat nuk shkojnë dot
dy njerëz krah për krah, që dredhëronin ndërtesave arkaike, gëlonin turistë të
shumtë. Këtu ndodhet shtëpia Muslibegovica, monumenti kombëtar i Bosnje -
Hercegovinës, e ndërtuar 300 vjet më parë, si një nga objektet arkitekturore më
të çmuar të qytetit. Aty-këtu ka gjithçka suvenirësh turistikë; qysh nga
veshjet karakteristike, stoli femërore, shandanë, shpata mesjetare, bastune,
këmbora, çibukë, gjerdanë, stema, madje edhe gëzhoja e gjithë farëlloj
vogëlimash artistike që mund të shiten, ku nuk mungon as relikja e stilizuar në
miniaturë e urës së Mostarit. Ndaj edhe ne udhëtarët e ardhur këtu, nuk
ngurrojnë të blejmë relike, si kujtime të paharruara bashkë me mbresat më të
thella.
Një udhë drejt Sarajevës
E
lëmë pas qytetin e Mostarit dhe nisemi, nëpërmjet një arterie kryesore që
lidhet me Dubrovnikun e Kroacisë, drejt kryeqytetit të Bosnje - Hercegovinës,
Sarajevës. Makina gulçon kthesave të shumta, që ndjekin rrjedhën e lumit
Neretva të kthyer në ujëmbledhës e H/C.
Sytë nuk ngopen duke vështruar këto mrekulli që ka bërë natyra, por edhe
dora e njeriut mes pastërtisë dhe qetësisë, që të rrëmbejnë për t’i prekur e
shijuar nga afër. Jashtëzakonisht mbresëlënëse duken qytetet; Jablanica,
Konjiç, Tarçini, Hasdiçi, me ndërtimet alpine, të rrethuar nga gjelbërimi i
harlisur i drurëve, porse të trishtojnë rrënimet nga lufta. Diku- diku rruga
ngjitet lartësive shkëmbore në linja të mprehta. Dhe së andejmi vështrojmë
vargmalet Dinarike, të mbuluara nga shalli i bardhë i dëborës. Rrezet e diellit
ushtronin mbi to një shkëlqim pas shiut që ka rënë. Edmondi, më gazmori ndër
ne, përhumbjes sonë në peisazhet piktoreske, si tablotë e një piktori, e
kombinon me komente të këndshme nga njohja nëpërmjet leximeve rreth Bosnje -
Hercegovinës. Por, duke ecur, lartësitë ulen butësisht në kodrina dhe lugina,
me lëndina të stërpikura nga bari i dendur e lulet shumëngjyrëshe, të stolisura
me kultura bujqësore, vreshta e drurë frutorë, që të sjellin në mendje pak
vendlindje.
Teksa
i afrohemi Sarajevës, kryeqytetit historik të Bosnje- Hercegovinës aq më e
zhurmshme dhe gjallëruese bëhej rruga. E zhveshur nga shkëlqimi i dikurshëm i
rëndësisë historike, kulturore e ekonomike, Sarajeva e quajtur edhe si
Jeruzalemi i Europës, edhe pse e shkatërruar nga lufta ruante ende pamjen madhështore,
duke shpalosur qindra thesare. Sa e sa histori ruan Sarajeva qysh nga koha e
neolitit dhe Kulturës së Butmirit! Në epokat e mëvonshme u bë qendër banimi, që
i përkiste Daesitiatëve, ndër fiset e fundit ilire në Bosnje- Hercegovinë.
Zbresim
nga makina dhe ecim më këmbë përgjatë lumit, të jashtëzakonshëm të lëvizjeve
njerëzore, me kureshtjen e madhe për të njohur historinë e një trashëgimie të
derdhur në shekuj, gjithkah rrugëve të këtij qyteti. Kur vjen për herë të parë
këtu e ke të vështirë të orientohesh, por ne, duke mos lenë pa prekur, ç’na
zinte syri në të djathtë dhe në të majtë depërtuam aq thellë në brendinë e
Sarajevës, për të përjetuar bukurinë e saj, me arkitekturë mbizotëruese të
ndërtesave, aq të ngjeshura, që thuajse shkriheshin me njëra-tjetrën. Vijecnica
është një lagje e njohur e Sarajevës, ku monumentet historike, të ndërtuara
gjatë pushtimit Austro–Hungarez të Sarajevës janë të shumta (dikur këtu pati
banuar oborri Mbretërore i Habsburgve, Arkidukëve Austriakë). Akademia e Arteve
të Bukura, është një mrekulli më vete, por gjithashtu edhe Bashkia e Sarajevës
e Teatri i Baletit. Përmes zhurmës së potereshme të qytetit, vjen deri te
veshët tanë ding-dongu, si nga kohët e largëta, i këmbanave të Katedrales
‘’Zemra e Krishtit’’, mahnitëse e padyshim më e madhja në Bosnje – Hercegovinë.
Këmbët na çuan atje për të soditur pikturat e shumta nëpër mure, ikonat e
shenjtorëve dhe afresket, ku dallohen dekoracionet me pikëzime, e sa e sa pamje
të tjera të këtij metropoli që të çlodhnin sytë në çdo hap që hidhnim.
Të
pret me befasi sa s’bëhet më mirë lagja më e hershme e qytetit. Këtu është e
rrallë xhamia 600- vjeçare e Gazi Husref-bej, por edhe Medreseja Kursumlija, e
ndërtuar në të njëjtin kohë bashkë me Sebilj (burimi i bamirësisë). Mbasi kalon
përtej qytetit të kahmotshëm nuk të ikej pa fotografuar sinagogën e hebrejve,
si e vetmja këtu, dhe urën latine të ndërtuar në vitin 1798, që ishte pika
hyrëse e Sarajevës, e njohur në analet historike pasi në të janë vrarë Duka
Ferdinand me gruan e tij Sofi.
Moria
e ndërtesave zëvendësohej nga pamjet e natyrës ndërsa ne ecnim në rrugën aq
piktoreske ngjitur lumit Milajcka, që e përshkon Sarajevën mes për mes, duke e
bërë udhëtimin të këndshëm. Po shkojmë në Parkun Vrelo, në një zonë disi të veçuar
të Sarajevës. Mendja dhe dora e banorëve e kanë zbukuruar atë me lule dhe pemë
dekorative, jo vetëm në kolorit e formë, por edhe në sistemim e shije të hollë
artistike me komponent të argëtimit masiv.
Të papriturat e
udhëtimit
Në
Sarajevë u ballafaquam edhe me ngjarje aspak të këndshme, ku njëra eklipsonte
tjetrën dhe ciflosën disi përshtypjet tona. Në një nga parqet e lulosura para
memorialit në nderim të të vrarëve në luftën e Bosnje – Hercegovinës,
1992-1995, ishin mbledhur njerëz të shumtë, ku siç thuhet; s’kishte vend ku të
hidhje këmbën. Ata po përkujtonin genocidin barbar që njeh historia njerëzore
në Ballkan, ndaj boshnjakëve dhe jo vetëm ndaj atyre, si një e kaluar që ka
mbetur thellë në trazimet shpirtërore. Ne dëgjuam tmerret e dhjetëra të
mbijetuarëve, me pëshpërima të ngjirura (përmbajtjen e fjalëve nuk i kuptojmë,
por e rrokim natyrën e tyre), dhe pamë jo pak të gjymtuar nga masakrat e
serbëve. Pranë nesh afrohet një burrë rreth të pesëdhjetave. E kupton që jemi
të huaj dhe monologon i imunizuar nga dhimbja. Fotot e të afërmëve të tij, të
vrarë nga bombardimet janë një këmbanë alarmi për të dënuar orkestruesit e
tragjedisë.
Ndërkohë
që vazhdojmë më tej, ne bëhemi dëshmitarë të një revolte kërcënuese mes një
grupi myslimanësh boshnjak me ata serbë, të cilët, po i zgjidhnin
mosmarrëveshjet mes tyre me dhunë. Ajo nisi për një fjalë goje për të vazhduar
më tej me britma, të çjerra, çarje kokash, nxjerrje sysh, thyrje këmbësh dhe
duarsh. Sado të zhvillohet njeriu duke nxjerrë mësime nga tragjeditë, nuk do të
eleminohet fryma e konflikteve etnike, aq të prekshme këtu, megjithëse koha
kërkon të mposhtë pasionet e ashpërsisë njerëzore, për një bashkëjetesë mes
tyre.
Për të mos rrezikuar, u larguam, por befas na u rezervua një tjetër ngjarje. Një tufë lypsish me marifetet e tyre të zakonshme, të bënin të nxirrje nga xhepi patjetër para, se ndryshe nuk të ndaheshin. Të gjithë ne nuk kishim nga të ia mbanim ndaj dhe u dhamë ca të holla. Ngjarje të tilla kaotike ngërthejnë në vete pasiguri dhe turistët janë të parët që bien pre e veprimeve, që nuk mund të quhen të jashtëzakonshme, por ne përjetuam mospërfillje të shurdhët, nga qytetarët e Sarajevës ndaj gjestit të tyre.
Marrim
rrugën e kthimit, gjithë gjarpërime që tregonte bukuri të tjera të Bosnje-
Hercegovinës, ndonëse ato që pamë ishin veçse një grimë e saj. Në Medugorje,
admirojmë madhështinë e katedrales së Shenjtë Gospa Mira (Zonja e Paqes),
përpara së cilës turistët hynin e dilnin dhe përkuleshin me respekt. E shtyu
kureshtjen tonë, shtatorja e Shën Marisë, me ndjesinë mistike të syve që
pikonin lot, e cila na bëri të përhumbemi në soditje të thellë.
I
qasemi qytetit Trebinja, të Republikës Srpska, që na u shfaq si një befasi, me
rrugët e ngushta e shtëpitë çatikuqe. Në shoqërinë e perëndimit të diellit
ulemi në një kafene aty, ku disa metra më poshtë rrjedh lumi Trebisnjica i
gjerë, e i qetë. Sipas dëshirës secili nga ne mori pijen e preferuar. Një detaj
i vockël, papritur e pa kujtuar, na befason si në filmat fantastikë. Bisedat
tona shqip tërhoqën vëmendjen e një shqiptari nga Gjakova, të ngulur këtu 30
vite më parë, bashkë me familjen e tij, i detyruar nga regjimi serb në Kosovë,
si një ndër arsyet e lëvizjes emigruese. Ndodh që tregohen indiferentë, ose
bëjnë të heshturin kur dëgjojnë gjuhën e bashkëkombasëve të tyre në dhe të
huaj, por kur të takojnë, nuk ke si të mos ndjehesh krenar. Biseda më tutje me
përzemërsinë e dukshme të Markut rreth një teme apo një tjetre me frymë
atdhetare u bë më interesante dhe emocionet që morëm, na çlodhën nga rruga e
gjatë.
Ishte
bërë natë dhe ca drita të largëta shfaqeshin mes kodrave. Fundi i udhëtimit
kishte ruajtur edhe një të papritur tjetër, për të cilin as mund ta merrnim me
mend. Ne iu drejtuam doganës së Andraleos dhe sapo u futëm në ambientet e saj
na stepi absurditeti i doganierëve, me hipokrizinë që çalon llogjikën, se duhet
të ktheheshim në Deleusa andej nga kishim hyrë, e cila na kushtoi dhjetëra
kilometra të tjera, por edhe aty paguam për daljen nga territori i Bosnje-
Hercegovinës. Doganat në vend që të jenë porta hyrje- dalje dhe ura
bashkëpunimi ndërmjet shteteve, jo rrallë kthehen në një vend me sjellje
brutale e korrupsioni. Vrasmëndja për atë që ndodh nuk sjell asgjë të mirë, veç
të ndrydh shpirtin, duke u munduar të harrojmë dhe të kujtojmë vetëm vizionin
turistik të një udhëtimi emocionues, që nuk ishte aq i mjaftueshëm për të
shijuar gjithë bukuritë magjepsëse të Bosnje – Hercegovinës.