| E hene, 13.05.2019, 08:53 PM |
DHIMITËR
LIGORI NGA DARDHA NË KORÇË FLUTUROI NË QIELL
(1934
– 2019)
NGA
KALOSH ÇELIKU
Pak biografi:
Dhimitër Ligori u “shua” në
moshën 86 vjeçare?! Unë, them: Jo, nuk u shua! Po, u ndez edhe me më flakë dhe
zjarr majë Dardhe mes Shqipërisë. Nuk u shua, po fluturoi në Qiell. E kreu
Liceun artistik, Degën e Arteve
Figurative. Bashkpuntor i rregulltë i revistës për humor dhe satirë “HOSTENI”
dhe “ZEKTHI”, që delë kur t’i teket në Shkup.
Ligori shquhet për kombinimin e
elementeve të veçantë të pikturës së kavaletit me karikaturën grafike. Temat
univerziale kanë qenë priroiteti krijimtarisë së tij. Gjurmët që ai i ka lënë
në karikaturën shqiptare janë të pashlyeshme edhe janë vlerësuar me shumë çmime
brenda dhe jashtë vendit. Krijimtarinë e tij si karikaturist, ai ua dedikoi
profesorëve të tij në Lice: Sadik Kacelit dhe Nexhmedin Zajmit.
Dhimitër Ligori së bashku me
Shtjefën Palushin, Zef Bumçin, e më pas me Ilir Pojanin, Agim Sulën e tj., janë
artistët e mëdhenj shqiptar të cilët kanë lënë gjurmë të thella në artin e
karikaturës, që nuk i fshin dot asnjë shi rrebesh. Stuhi. Dëborë e madhe.
Tre vite mos e dish ku e ke kokën e ku këmbët në Shkup
Lajm i dhimbshëm tek “Fjala e
Lirë”: “Shuhet karikaturisti i njohur Dhimitër Ligori’. Humbje e madhe për
familjen, miqtë dhe Shqipërinë! Edhe për mua si mik dhe bashkëpuntor i atyre viteve
me saç mbi kokë. Shkaku premtimeve pas çdo takimi, se: Një ditë do të vij
përsëri në Tiranë, dhe do të ulemi kokë më kokë në sofër përpara Shtëpisë. Edhe
pse, unë kur vija në Tiranë derën e shtëpisë të Frederik Rreshpes, Pano Taçit
dhe Dhimitër Ligorit në rrugën e “Dibrës”, i kisha të hapura krah më krah.
Netë e ditë të tëra i kalonim
kokë më kokë deri në Agim. Punë tjetër ishte ajo, që mua më ndiqnin hap pas
hapi problemet dhe fatkeqësitë “natyrore” pasmesnate: Vdekja klinike në
Voskopojë dhe ringjallja po të njëjtën ditë në Korçë, aksidenti komunikacionit
në “Qafë Thanë”, djegëja e “xhipit” para dritareve të pallatit në “Çair” të
Shkupit, Dy herë me radhë zjarr në shtëpinë me libra e piktura. Sëmundja e
Gruas Besnike nga kanceri. Dhe, ikja e saj nga kjo botë e lumtur mes partive
politike. Tre vite, mos e dish ku e ke kokën, e ku këmbët në Shkup.
Takimi fundit me Dhimitër Ligorin në Dardhë të Korçës (Shqipëri)
Herën e fundit u takuam dhe u
pamë gjatë një manifestimi tradicional kulturor poetik në “Netët e Pozisë
Korçare”, në Korçë, ku unë gjatë një bisede të lirë rasti me miqtë e mi poetë
pyeta për Dhimitër Ligorin, se: Gjatë kohë nuk jam parë me karikaturistin, dhe
nuk e di se ku ndodhet kohën e fundit me shtëpi.
Skënder Rusi një lirik i
dashurisë, m’u përgjigjë: Dhimitër Ligorin e kemi në Dardhë. Ne, në programin e
manifestimit të “Netëve të Poezisë Korçare” e kemi paraparë për mysafirët edhe
një vizitë turistike deri në Dardhë. Edhe, unë do ta marr përsipër që gjatë
qëndrimit në Dardhë të takohesh edhe me Dhimitër Ligorin. Patjetër, u gëzova.
Falë karikaturave të Dhimitër Ligorit unë shpëtova nga burgu
Dhimitër Ligorin përmes mikut tim
të penës Pano Taçi e njoha në Tiranë (1991). Kohë e vështirë ajo për krijuesit
shqiptar. Karikaturistin e ilustrimeve të librit tim me satira: “Trumbetat e Tellalit” (1992). Libër, që asaj kohe në mjetet e informacionit hapi edhe një
fushatë të paparë deri më sot kundër meje si shkrimtar, duke më përcjellur me
njëzetë nënshkime të “patriotëve” shqiptar si “armik i shtetit” në një bisedë
informative edhe në polici. Gjoja, se: Unë jam i dërguar nga Kosova të veproj
në Malësinë e Shkupit. Takime të fshehta kam pasur në Bullgari. Dhjetëra mijëra
marka i kam dërguar Partisë Socialiste të Shqipërisë?! Dhe, se: Unë, jam ai
kryesori që Çështjen shqiptare dua ta zgjidh me luftë.
Falë karikaturave të Dhimitër
Ligorit, që e kishte ilustruar librin tim me mjeshtri artistike, ndoshta edhe
shpëtova nga burgu. Shkak, që vite më vonë do të vazhdoj bashkëpunimin me
Dhimitër Ligorin. Fati im, që karikaturisti do t’i ilustrojë edhe dy librat e
mi për fëmijë: “Trimi
shihet në vepër” – poemë humoristike (1994) dhe
“Çohuni
trima shaloni lapsin” – rrëfenja (1994).
Dhimitër Ligori më nuk banon me
shtëpi në rrugën e “Dibrës”, as edhe në Dardhë, fluturoi në Qiell. Megjithatë,
karikaturat e tij jetojnë mes librave në bibliotekë. I lumtur jam, që u takuam herën
e fundit me të në Dardhë, dhe i shkrepëm së bashku disa fotografi artistike. E
lamë të pakryer edhe një propozim nga
ana e tij: që Librin “Çohuni trima shaloni lapsin”,
edhe një herë ta marrim nëpër duar si libër shkollor.
Kurrë, nuk më shkoi mendja se, ai
do të ishte edhe takimi i fundit…