| E shtune, 04.05.2019, 04:55 PM |
Meditim
për diasporën shqiptare
Arbanasit
e Zarës
Nga
Alfred Papuçiu
Bashkëkombasit
kudo që janë në Europë, në Amerikë, Australi, Amerikë Latine e gjetiu, bëjnë
një shërbim për mbajtjen gjallë të
frymës kombëtare, edhe përkohësisht jashtë tokës mëmë. Kete mendoja kur nga
shtypi mora vesh se Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim një
grup nga Arbanasit e Zarës në Kroaci, të cilët ndodhen për një vizitë
disaditore në Shqipëri. Arbanasitt e Zarës njihen për ruajtjen e zakoneve të
tyre, dhe traditës, ata vizitojnë trevat e prejardhjes së tyre, promovojnë
kulturën dhe artin dhe shënojnë festën Zoja e Loretos.
Një
prej tyre është edhe një shqiptar të brezit të tretë, nga Zara, Franco
Marussich, i cili e ka për nder që e ka prejardhjen nga Shqipëria, nga
Dukagjini. Ai flokëthinjur, flet me thjeshtësi, pa u mburrur se gjithçka që ka
grumbulluar për familjen e tij të madhe, përbën një histori të vërtetë e të
dhimshme, të shqiptarëve të cilët menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut u
detyruan të lënë vatrat e tyre, për t’i shpëtuar invazionit të huaj. Kur i them
se historia e familjes së tij duhet hedhur në letër, ai më thekson se e ka
menduar një gjë të tillë, por ajo s’ka ndonjë gjë të veçantë, është tepër e
zakonshme, si edhe përpiqet t’i shmanget duke theksuar se pasioni për
profesionin e tij, arkitekt, e ka afruar me artin, me dëshirën për të bukurën,
për historinë e shqiptarëve, por nuk i ka lënë kohë më tepër…
Një
miku im mjek më tha një ditë: „Ndoshta nganjëherë jemi shumë pranë njerëzve të
mëdhenj, por nuk e kuptojmë filozofinë e tyre“. Këtë ndjeva kur e takova Frankon,
shqiptarin me prejardhjen nga Dukagjini, erudit dhe njohës i thellë i historisë
së popullit prej nga e ka prejardhjen, prej „Arbanasi“ të Zarës. U njoha me të
krejt rastësisht para shumë vitesh. E ruajtëm miqësinë tonë. Më ftoi disa herë
në shtëpinë e tij, diku në një fshat të Francës. Një shtëpi e ndërtuar mbi
bazat e një ish ferme, ku edhe tavolinën e tij të punës, mobiljet dhe pajisje
të tjera të ndërtesës tre katëshe, i ka skalitur me duart e tij të arta. Ai
pret atje miq e dashamirës të shumtë, shpesh herë rreth një gote rakije rrushi
nga Shqipëria që ja sjellin miqtë, ose edhe me një gotë verë të mirë e të
vjetër që ai e njeh si degustator e prodhues i saj. I tillë është dhe në jetë,
gjithmonë me atë buzëqeshjen e tij karakteristike, me respektin që gëzon tek
kolegët, tek miqtë e shumtë. Edhe unë kam fatin e mirë të jem një prej tyre, që
herë herë i marr ndonjë mendim edhe për artin, historinë e popullit tonë,
letërsinë, si edhe arkitekturën. Me njohuritë e tij të thella, shpesh më ka
folur për historinë e Ballkanit, për prejardhjen e familjes së tij, por nuk ka
dashur që ajo të bëhej publike, pasi e quante diçka të zakonshme. Më së fundi
ja mbusha mendjen dhe një pasdite më rrëfeu për orë të tëra këto rreshta në
dhomën e tij të punës, ku ndodhet një bibliotekë e pasur. Aty gjen edhe
fjalorin frëngjisht-shqip të profesorit tim të nderuar të frëngjishtes, Vedat
Kokona, një fjalorth italisht-shqip dhe
shqip-italisht, botime për „arbanasit“ e Kroacisë, për Zarën, për historinë e
shqiptarëve, të Ballkanit, të Shqipërisë, si edhe relike nga Zara, ku
shqiptarët kanë fshatin e tyre me emrin „Arbanasi“, kishën, korin e tyre dhe ku
rrugët mbajnë emrat e paraardhësve të Frankos. Ai është këmbëngulës për të
arritur diçka, pasi thotë jam si malësorët shqiptarë, pak kokëfort, por dua që
gjithçka të jetë e përsosur. Diku, në shënimet e tij ka shkruar në frëngjisht:
„Mon père était de langue maternelle albanaise“ (Babai im gjuhën amtare e
kishte shqipen).
„Familja
jonë, sipas burimeve familjare, por edhe sipas kërkimeve që janë bërë nga një
historian i lagjes sonë, është me origjinë nga krahina e Sködar (Shkodrës), me
sa duket në malet pranë Dukagjinit. Në fakt, meqënëse një familje me emrin
Dukagjini (që bën pjesë në grupin tonë familjar- u quajt më vonë Duka„.Në fillim,
emri ynë, me sa duket ishte „MAR-UKU ». Emrat e familjeve të ndryshme u
ndryshuan nën Austro-Hungarinë, me qëllim që t’u jepej atyre një tingëllim
sllav, meqënëse në atë kohë favorizohej sllavizimi.
Kur
e pyeta Frankon se kur ka filluar largimi i famljes së tij nga Dukagjini, ai
duke u menduar thellë, më theksoi : « Migrimi i grupeve të ndryshme familjare u
realizua me anën e dy rrugëve të ndryshme : një nëpërmjet Barit (Itali) ku një
prej paraardhësve të mij u martua me një italiane ; tjetra gjatë bregdetit
dalmat : data e mbritjes së tyre në Zara (tani quhet Zadar) për një pjesë të
tyre është në vitin 1726, dhe për një pjesë tjetër në 1733. Paraardhësit e mij
ikën nga Shqipëria në atë kohë, pasi kishin luftuar kundër otomanëve që
pushtuan tokat tona. Në shekulllim e 16-të, shumica e shqiptarëve ishin
Kristianë, me Kishën Katolike Romane që sundonte në Veri, dhe me Kishën
ortodokse në Jug. Në fillim, vetëm një numër i vogël qytetesh u kthyen nga feja Islamike, për të mbajtur pozitën e tyre
ekonomike dhe privilegjet e tyre nga pushtuesit otomanë. Ndërsa në mëse 100
vjet, megjithë presionet ekonomike dhe pengesat e shumta, pjesa e shqiptarëve
që ishin kristianë e ruajtën fenë e tyre. Kur otomanët filluan islamizimin e
vendit, ne u larguam nga Dukagjini… ». Në 1726, 21 familje shqiptare ikën nga
vatrat e tyre dhe u vendosën një kilometër në jug të Zarës. « Arbanasit » u
vendosën rreth Zarës ku kishte përparësi Kisha Romane dhe kjo bëri që ata të
vendoseshin nën mbrojtjen e « Republikës Veneciane të Dalmacisë ». Ata u
ndihmuan të ndërtonin shtëpi dhe të kishin stane për bagëtitë e tyre, dhe në
rastin e Zemunikut, disa kilometra larg Zarës, ju dhanë livadhe për kullotje,
si dhe u pastruan tokat nga gëmushat. Në 1726, të udhëhequr nga dy vëllezërit
me mbiemrin PETANI, erdhën 24 familje shqiptare. Profesori Vjekoslav Klaic,
shkruan për « Arbanasit » në librin e tij « Opis zemalja u kojim stanuju Hrvati
(Raport mbi vendbanimet e banuara nga kroatët), i botuar në 1881. Aty ai
thekson se ishin 1354 Arbanasi, rezidentë nga Skutari (Shkodra) që u vendosën
aty.
Duhet
theksuar se kolonitë shqiptare të Zarës në Dalmaci i kanë rezistuar rebeshëve
të kohës, nuk janë asimiluar nga fiset sllave, por kanë ruajtur gjuhën, doket,
zakonet, emrat, mënyrën e jetesës. Ata e pohojnë kurdoherë prejardhjen e tyre
arbërore dhe në përgjithësi flasin shqip, sidomos brenda familjes duke synuar
të ruajnë dhe transmetojnë brez pas brezi gjuhën e tokës amë. Arbanasit flasin
një nga dialektet ose gjuhët më të rralla në Europë, e folur sot nga vetëm 300
deri në 500 persona. Ajo kombinon elementë të dialektit geg shqiptar me
dialektin dalmat të Kroacisë dhe pak italisht.
Në
vitin 1756, qeveria e Venetikut bëri një regjistrim të tokës për familjet «
Arbanasi ». Regjistri kishte si qëllim të nxirrte numrin e vendndodhjeve dhe të
njerëzve që ishin në çdo familje. Në librin « Erber » ndodhen disa nga këto
mbiemra : Duka, Petani, Marsan, Marsiga, Kovacevic, Marsig, Sestan, Bargela,
Gjoka, Kalmeta, Markuz, Marusic, Nikagi, Skopelja, Vuk, etj.
Në
një dokument të 15 gushtit 1726, për « arbanasit », ndër të tjera thuhet : «
Migrimi i parë u bë për shkak të persekutimit fetar dhe dhunës nga ana e
otomanëve ; është e shkruar se familjet shqiptare ranë dakord të largohen nga
barbarizmi otoman, duke lënë tokat e tyre dhe çdo pasuri tjetër, duke u
strehuar dhe marrë në mbrojtje nga Republika ». Në një dokument tjetër të 30
dhjetorit 1726 theksohet lidhur me migrimin e dytë të shqiptarëve : « këto
familje u detyruan të ikin nga tokat e tyre, për shkak të persekutimit të
shkaktuar nga ana e dy pashallarëve otomanë nga Bar (port që është quajtur edhe
Antivari). Vetë turqit kanë njohur se persekutimi nga ana e Akmet Pashës ka
qënë i gabuar dhe se kjo i detyroi « Arbanasit » të lëvizin nga tokat e tyre
amtare. Sipas legjendës, një nga rrugët që përdornin otomanët për të
persekutuar shqiptarët ishte rrëmbimi i grave të reja të krishtere. Si
hakmarrje ndaj këtij veprimi çnderues, shqiptarët sulmonin natën otomanët ku
ndodheshin, digjnin fshatrat e tyre dhe largoheshin nga vatrat e tyre, për t’i
shpëtuar një persekutimi të ri nga ana e pushtuesve.
Përveç
arbanasve në Kroaci jetojnë edhe shqiptarë që mërguan atje në kohën moderne si
punëtorë sezonalë, refugjatë lufte ose sportistë, kryesisht nga trevat
shqiptarë nën ish-Jugosllavi.
Shumë
banorë të Zadarit sot, pa asnjë dyshim janë me origjinë nga migrimi i parë dhe
i dytë e Arbanasve. Në shkrimet për Zadarin e sotëm theksohet se ai është një
qytet kozmopolit. “Nga kohët e para popullsia ishte ilire, romake dhe slave. Në
Mesjetë u vendos aty një komunitet i vogël çifutësh dhe grekë, kurse para
pushtimit ottoman aty ishin vendosur komunitete të Arbanasve dhe serbe. Aty
mund të dëgjosh edhe sot gjuhën Zaratine dhe dialektin Shqip, si edhe në
traditën e këngëve popullore në kishat katolike dhe në ceremonitë e
ortodoksëve…” « Arbanasit » kanë
pasur gjithmonë frymën e solidaritetit, të ndihmës për njeri tjetrin. Ata ishin
të bashkuar përballë të huajve. Shpesh martoheshin në rrethin e tyre, natyrisht
jo me kushërinj të afërt.
Franko
vazhdoi tregimin e tij : « Im atë ka qënë një sportist i nivelit të lartë,
sidomos në kanotazh (vozitje), në shkallë ndërkombëtare, por gjithashtu si
nën-kampion ushtarak italian i hedhjes së shtizës. Ai ishte themeluesi i
seksionit socialist klandestin në Zara, në kohën e fashizmit… »
« Me një grup miqsh vozitësish si ai, ata
përshkruan bregdetin dalmat me një anije me rrema, një aventurë e madhe prej
nga u shkrua libri « Remi sull’Adriatiko » (Rremat mbi Adriatik). Fatkeqësisht,
unë nuk pata fatin ta lexoj këtë libër, pasi ekzemplarin që e kishte babai ja
mori hua dikush që nuk e ktheu më kurrë».
«
Duke qënë se kam lindur në Zara tek « Arbanasi », vazhdon Franko tregimin e
tij, trashëgova shtëpinë e tim eti, ku mendoj të kaloj pleqërinë time, me
gruan, me të cilën kam tre fëmijë, një djalë dhe dy vajza. Pas mbarimit të
shkollës së mesme në Itali, unë përfundova studimet për arkitekturë në Gjenevë,
ku mora dhe diplomën, më 1969. Duke qënë si arkitekt i pavarur, kam pasur
mundësi të punoj në Amerikë (Porto Riko), në Afrikë, si edhe në Evropë :
Zvicër, Portugali, Itali, Angli dhe Francë. Ka punuar sidomos si arkitekt
urbanist për programme të posaçme: si në krijimin e qendrave për persona me
aftësi të kufizuar, të banesave sociale, shkollave dhe ndërmarjeve industriale.
Ka projektuar vila (si të sheikëve arabë), shale-shtëpiza në male, ka
ristrukturuar qendra në zona rurale, dhe është marrë edhe me arkitekturën e
brëndëshme. Ka realizuar ndër të tjera një qendër shëmbullore arkitekturale në
Gjenevë, në « qytezën » Kolonji (Cologny) ku kanë rezidencat e tyre miliarderë
dhe artistë të dëgjuar si Alen Delon, Sharl Aznavur, si dhe ka rinovuar
kështjella në Londër, apo « qyteza » antike në Itali.
Së
fundi Franko ka botuar librin « San Donato Zara » (Analizë e krahasuar e
elementëve arkitektonikë) në Tiranë. Së shpejti libri do të botohet edhe në
gjuhën shqipe, pasi botimi i parë është italisht. Libri është tepër i
dokumentuar dhe lexohet me endje si nga arkitektët, por edhe nga lexues të
tjerë dashamirës të artit, pasi jep një vizion tjetër të arkitekturës. Franko
ishte edhe në Shqipëri për të gjetur gjurmët e të parëve të tij shqiptarë, për
të pasuruar pemën gjenealogjike të familjes së tij, si dhe për të dhënë
ndihmesën e tij për arkitekturën shqiptare dhe për të sjellë investues
francezë. «Dua edhe unë të jap kontributin tij si shqiptar, thotë ai, në
zhvillimin e Shqipërisë. Nuk e prisja nga këto që pashë që vendi im të kishte
bërë kaq hapa të mëdha. Natyrisht ka akoma shumë për të bërë, por edhe vende të
mëdha, si Franca, Italia e gjetiu, kanë probleme me urbanizmin. ».
Unë
i përkas brezit të vjetër të arkitektëve dhe më është dashur të merren sidomos
me urbanizmin e një qyteze, qyteti, apo edhe me punime të tjera, si ndërtimi i
shkollave, rinovimi i kështjellave e te tjera. Këtu, në Tiranë shoh që janë
bërë hapa përpara për urbanizmin, por duhet bërë më tepër për hapësirat e
gjelbra, për rrugë dytësore që janë akoma me gropa. Rëndësi i duhet dhënë
sidomos bregdetit dhe jo të veprohet si në Spanjë ku gjithçka po betonizohet. I
duhet dhënë përparësi turizmit, por kjo kërkon të zhvillohet infrastruktura e
duhur. Unë do të përpiqem të ndihmoj me mundësitë e mia dhe me miqtë e mi.
Ndërkohë, do vazhdoj kërkimet për të pasuruar pemën gjenealogjike të familjes
dhe për të gjetur më tepër të dhëna për prejardhjen time. Në këtë drejtim, më
kanë ndihmuar vëllezërit e mi shqiptarë, këtu dhe në Diasporë".
Djali
im (1966) është valltar-koreograf. Dëshira e tij është që një ditë të vizitojë
trevat e të parëve të tij në Dukagjin (familja Duka), si dhe të më fton të
vizitoj shtëpinë e tij në Zara dhe trevat e shqiptarëve atje dhe në brigjet e
Dalmacisë ku ata punojnë me nder e japin ndihmesë në prosperitetin e asaj zone
të bukur turistike. Franko ka botuar dy libra: «Zara, një qytet në hapësirë dhe
në kohë» dhe «Zara-San Donato».
Sipas
Frankos, në Zemunikun e ulët dhe Zemunikun e lartë, rajone në Kroaci, jo shumë
larg Zadarit, banorët vendas thonë se « ne jemi kushërinj ». Ata kanë ardhur
nga Veriu i Shqipërisë. Arkitekti me origjinë shqiptare më tregon se një ditë
kur ishte duke restauruar shtëpinë e tij në Zara, kishte kërkuar një kamion për
të transportuar disa pajisje. Shoferi ishte nga Marussichët… ». Vendbanimi i «
Arbanasve » i vendosur nga Republika e Venetikut në 1727, në Zemunik, 14 km
larg Zarës është po ashtu tepër domethënës. Një dokument i 12 shkurtit 1728,
thekson emrat e shqiptarëve të vendosur aty : Gjeçi d’Andrea, Pietro di Marko,
Giovanni di Vucchia, Giovanni Prençi, Nicolo Giovi, Giovanni di Giovo. Sot në
Zemunik ka familje me mbiemrin : Paleka, Sestan (Shestani i sotëm), Prenda dhe
Curkovic.
Franko
përmend me respekt Aleksandër Stipçeviç, historian akademik kroat, me origjinë
shqiptare dhe që konsiderohet një nga studjuesit më të mire të çështjes ilire
dhe të prejardhjes së shqiptarëve.. Është autor i një numri të madh veprash për
ilirët dhe historinë e librit: “Historia e ilirëve”, “Arti i ilirëve”,
“Simbolet e kultit te Ilirët”, “Bibliografi për ilirët”, “Historia e librit”,
“Censura në biblioteka”, “Interpretime albanologjike”, etj
Qyteti
i vjetër « Arbanasi », është më i vjetër se Roma. Aty janë gjetur eshtra të
njerëzve që kanë egzistuar 3 mijë vjet para lindjes së Krishtit. Popullsia në
fillim quhej « liburnë », që ishin ilirë në Zara. Ata merreshin atëhere më
tepër me kullotjen e bagëtive, por edhe për jetën e përditshme kishin edhe
zanate të tjera. Ishin njerëz krenarë, fisnikë, të bukur dhe me karakter, si
gjithë shqiptarët e mirë e të ndershëm, kudo që janë në botë. Nuk e njihnin as
drogën, as kriminalitetin, as prostitucionin, që në kohët moderne disa të
paudhë, sëbashku me ata që s’ja duan të mirën shqiptarëve, përpiqen t’i fusin
disa të rinj të papjekur në rrugën e mbrapshtë të fitimit të të hollave pa
djersë, pa mund… »Arbanasit » kanë bërë restaurime dhe janë nderuar për punën e
tyre nga kushdo. Përmendet me mirënjohje Sergio Papuçi, për restaurimin e «
Vetratës së Duomo di Arezzo », Giovanni Marussich për restaurimin e « Maestra
di Santa Trinita » dhe emra të tjerë të shquar shqiptarësh, për të cilët do shkruajmë
njëherë tjetër…Në Apenine tek « Luogo di Romagne » ndodhet « Bivacco Marussich
» që është një vendndodhje në mal ku alpinistë e turistë ndalen, bisedojnë,
pushojnë dhe pastaj marrin rrugën për më tej, në lartësira të tjera. Në jug të
Dalmacisë ndodhet një fshat me emrin « Marussich ». Interesant është se edhe në
Peloponez të Greqisë ndodhet një fis me mbiemrin « Maroussi » që thuhet se janë
shqiptarë…
Shumë
banorë „Arbanas“ flasin shqip, dhe
ruajnë fjalë të parardhësve të tyre. Fjalët „bregdeti“, „pirun“, „marangon“,
„kaiço“ (kaike- varkë e vogël), „stan“, „jam i angër“ (Kam uri) etj., përdoren
gjërësisht në mjediset me shqiptarë në Zara. Një port i vogël në Zara quhet «
Bregdet » dhe atje banonin « arbanasit ».
Po të shohësh fjalorin e folur nga « Arbanasit » të Dr. Kruno Krstic
gjen një ngjashmëri të çuditshme të fjalëve që fliten edhe sot në shqip atje.
Për shembull tek fjala « bregdet » thuhet : « era po fryn pe bregdetit » ; «
faculet » që thuhet në Shkodër, « arbanasit » thonë : « e ko mbluo krenin me
faculet » ; « fjal » : « me dhan fjalën » ; « fol : « un po të flas si mik
mikut » ; « flok » : « kur s i kren flokët » ; « grabit » : « vajzat kan vot në
pus me grabit » ; « kap » : « shkon me kap zogj në vishç » ; « këput » : « mos
ma këput udhën », « këcye » : « këcen si liepuri » ; « kopësht » : kopshti n’o
mas shpie » ; « mbyll » : « mbylli syt në daçësh më flet » ; « mujt » : « sot
nuk munj me punua » ; « punua » : « i ati i ti punon në gjutet » ; « rush » :
ko rush për me angër e për me bo ven » ; « vogël » : « mere voglin me vete », «
Zadër » : « Arbénesh jan sot nji vend me Zadër ».Shpesh mblidhen sëbashku dhe
këndojnë në kor këngët e tyre në kishën shqiptare. „Arbanasii“ janë katolikë
dhe praktikues të fesë së tyre.
Franko
erudit, por tepër i rezervuar për të folur për familjen e tij, nuk më flet për
të birin, Yann Marussich, „arbanasin“ që është kërcimtar i njohur në botë. Unë,
në aq vend sa do të më lejojë lexuesi i gazetës, do të jap një përmbledhje
tepër të shkurtër të rrugës së këtij artisti të madh. Qysh nga 1989 ai ka
realizuar më se 20 arritje (Performance) të shkëlqyera dhe koreografi. Nga 1993
deri në vitin 2000, ai ka qënë drejtor i „Teatrit të Uzinës“ në Gjenevë. Sot ai
merret sidomos me kërcimet vetiake dhe body-art. Spektakli i tij “Ble
Provisoire” (Bluja e përkohshme) është paraqitur në shumë festivale në Zvicër
dhe jashtë shtetit dhe ka qënë i ftuar nderi në edicionin 2003 në “Montpellier
Danse” të Francës. “Bluja e përkohshme” është një vepër vizuale që merret me
trupin për t’i dhënë bukurinë e tij fillestare: një ballë për ballë i
mrekullueshëm ku spektatori merr përvojën intime të lëkurës dhe përbërjes së
tij. Në Milano në Festivalin e Artit u paraqit me dinjitet me
“première-performance”( performance ose arritja e parë). Në Qendrën Kulturore
Zvicerane të Parisit, që është anëtare e Forumit të Instituteve të Huaja
Kulturore, u cilësua nga shtypi i Parisit si « eksploratori i të gjitha
zhanreve, koreografi dhe valltari Yan Marussich bën performance, vallzim, art
plastik dhe body-art që zgjat 3 deri 5 orë, por që do të deshim të vazhdojë
akoma… » Një kujtim i bukur për mua kur shoh se “arbanasi” me prejardhje nga
Zara e Kroacisë ka arritur shkallët më të larta të artit në Gjenevë, paçka se
ai nuk flet shqip, paçka se jetën e tij, fëmijërinë e tij e ka kaluar në Zvicër
ku jeton me gjithë familjen. Megjithatë, ai nuk e harron prejardhjen e tij,
ashtu si dhe të gjithë shqiptarët që kanë marrë nënshtetësinë zvicerane, por që
njëkohësisht ka edhe pasaportën e vendit ku ka lindur, Shqipërisë, pra gëzon
dyshtetësinë dhe është mirënjohës ndaj vendit që e ka pranuar, por edhe krenar
që fëmijët e tij do ta dijnë se nga kanë ardhur. Ashtu, siç thotë miku im i urtë: afroju bashkëatdhetarëve të
mirë, punëtorë, edhe atyre që e kanë në venat e tyre gjakun shqiptar, atyre që
janë pasardhës të Nënë Terezës, të Isa Boletinit, të Rilindasve tanë, të…;
atyre që e gëzojnë jetën, që pijnë nga një gotë raki, edhe pse janë larg
Atdheut, por largoju “qoftëlargëve”, atyre që kanë frikë nga hija e tyre, atyre
që nuk njohin miqësi e shoqëri, që vetëm lëshojnë anatema ndaj
bashkëatdhetarëve, mos kij frikë nga i ftohti i dimrit, ji më i fortë se
vuajtjet, shqetësimet, brengat, bujar si një pemë mbushur me mollë, ik diku pa
kërkuar diçka, prano vetëm atë që të jep e ofron jeta e përditshme. Tek
njerëzit e kombeve të ndryshëm që kanë të njëjtin karakter si ne mesdhetarët,
ballkanasit, shqiptarët kudo që janë në Kosovë, Maqedoni e në botë.