| E diele, 28.04.2019, 03:25 PM |
ÇAMËRIA,
KRAHINA MË JUGORE E TROJEVE ETNIKE SHQIPTARE
Nga
Frank Shkreli
Miku
im i nderuar dhe i mbijetuari i gjenocidit grek në Çamërinë martire, Z. Sali
Bollati pati mirësinë të më dërgonte një kopje elektronike të librit të tij:
ÇAMËRIA, KRAHINA MË JUGORE E TROJEVE ETNIKE SHQIPTARE. Autori e ka botuar
veprën dhe kujtimet e tija, “Në Nderim dhe Përkushtim të Përjetshëm Njerëzve më
të Dashur; masakruar nga shovinistët grekë më 1944 e lënë pa varre; Me Brengë
në Zemër që nuk kemi ku të vendosim tufa me lule”.
Libri
— që duhet vlerëruar si një kontribut me rëndësi për kauzën e Çamërisë martire,
por edhe të çështjes kombëtare në përgjithësi – është një përmbledhje
artikujsh, dokumentash, fjalimesh dhe intervista të autorit, të botuara gjatë
viteve nepër gazeta e portale të ndryshme në diasporë dhe në trojet shqiptare,
e që kanë të bëjnë ekskluzivisht me plagën e madhe kombëtare, të quajtur
ÇAMËRI.
Unë
kam mësuar shumë për Çamërinë dhe për historinë e saj nga shkrimet e Z. Sali
Bollati, të cilat ai gjithmonë m’i ka dërguar në postën time e të cilat i kam
lexuar me shumë kujdes dhe interesim – pasi janë kujtime të një shqiptari çam,
si një simbol i cili i ka përjetuar tmeret e asaj krahine shqiptare —
tragjedinë dhe masakrat greke ndaj popullësisë autoktone shqiptare të Çamërisë.
I lindur në Çamëri, në shkrimet e tija Z. Bollati, me fakte dhe bazuar në
përvojën e tij dhe të çamëve të tjerë, shpreh dashurinë dhe ndjenjat e thella
për Çamërinë e tij dhe tonën – por njëkohësisht thekson edhe tradhëtinë që i
është bërë Çamërisë dhe popullësisë së saj martire shqiptare, duke filluar nga
regjimi komunist i Enver Hoxhës, por edhe nga klasa politike post-komuniste e
këtyre 30-viteve të fundit, përfshir përfaqsuesit e sotëm të historiografisë
komuniste shqiptare dhe qëndrimeve të tyre ndaj çështjes mbarë-kombëtare, por
sidomos ndaj historisë së vërtetë të Çamërisë dhe të masakrave dhe tragjedive
ndaj popullësisë civile çame nga autoritetet shoviniste kriminale greke të
viteve të Luftës së dytë Botërore – përfshirë vrasjen dhe eliminimin madje edhe
të disa anëtarëve të familjes së vet autorit, varret e të cilëve nuk dihen as
sot, sipas tij.
Z.
Bollati ia kushton librin historisë dhe kujtimeve të asaj Çamërie – atij vendi,
“Aty kam thithur ajrin e pastër të malit dhe flladin e ngrohtë të detit. Aty
kam pirë qumështin e nënës dhe kam marrë dashurinë prindërore … Të lumtur,
shumë të lumtur, jetonim në shtëpinë tonë të madhe, mbi bregore të lulëzuar
plotë me ullinj qindravjeçarë e dhjetëra pemë fiku, poshtë Kalasë së vjetër
Ajdonate, duke soditur para vetes gjithë qytetin e bukur të Paramithisë (ose më
shqip Parmëthi, siç e thotë bashkëvendësi N. Stilo), deri larg në fushat e
begata. Midis ullinjve e fiqve të panumërt, mbi barin e gjelbër e livadhet e
pranë Kullës mesjetare të Bollatatëve – (monument i kulturës historike të
qytetit), pranë kopshtijeve të lulëzuara, luanim me vëllezërit e motrat si edhe
me kushërinjtë e fqinjët. Në lodra nuk dalloheshim në ishim myslimanë apo të
krishterë, por kush ishte më i shkathti e më i zoti, Ferhati apo Koçoja, Mihali
apo Rexhepi. Por erdhi një ditë e zezë për ne, barbarët shovinistë grekë, mbasi
na vranë prindërit-njerëzit më të dashur e të shtrenjtë, si bisha iu vërsulën
banesave, rrëmbyen gjithçka, i dogjën ato, dhe si i masakruan e vranë njerëzit,
neve, mbi 200 veta, kryesisht fëmijë dhe të moshuar, na mbajtën në burg 6 muaj
dhe na përzunë me dhunë. Shtëpitë e pronat fillimisht i grabitën, dhe i
përvetësuan pronat tona stërgjyshore… Mrekullisht unë shpëtova; fati më solli
po në Shqipërinë Nënë, me statusin e jetimit u rrita fillimisht me familjen e
Daj Muhametit me Tezet dhe pastaj në jetimore, e konvikte etj. Zoti më dha
forcë të mbijetoj, më dha vullnetin të mësoj, më dha drejtimin drejt edukimit
më dha dashurinë për njerëzit; por mbi të gjitha më ruajti në memorie dhe
thellë në zemrën time përjetimet e ditëve të tmerrshme të atij vendi, ku qesha
dhe qava, por që për mua mbetet thesari im, që do t’jua lë amanet nipërve e
mbesave, kushërinjve dhe miqve të vërtetë Shqiptarë”, shkruan Sali Bollati.
Ndërsa,
disa ditë më parë u përkujtua në Prishtinë përvjetori i një masakre tjetër
kundër shqiptarëve – për nga përmasat po aq e tmershme sa edhe tragjedia çame —
po afrohet muaji i qershorit që Çamët dhe të gjithë Shqiptarët kujtojnë
viktimat e pafajshme të masakrave të viti 1944 kundër shqiptarëve çamë nga
forcat gjakatare të gjeneralit grek Zervës, kryesisht, fëmij, pleq e gra. Të dy
këto krime ndaj shqiptarëve, janë krime kundër njerëzimit dhe padrejtësi të
mëdha ndaj Kombit shqiptar dhe duhet të konsiderohen si të tilla.
Përgënjeshtrimi
i këtyre masakrave dhe mos ballafaqimi me të kaluarën — qoftë nga Evropa ose
Athina, qoftë nga Tirana dhe Prishtina zyrtare — sado e tmerrshme që të jetë
ajo, jo vetëm që pengon demokratizimin e rajonit të Ballkanit, por kërcënon
sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe njëkohësisht kërcënon zhvillimin normal
të marrëdhënieve midis shteteve dhe grupeve të ndryshme etnike të rajonit.
Kryeministri i Shqipërisë, Zoti Edi Rama, në një intervistë me të përditshmen
greke “Kathimerini”, në fillim të mandatit të tij të parë, duke folur për
marrëdhëniet shqiptaro-greke, është shprehur se, “ ‘Acari’ në marrëdhëniet
tona, mori fund dhe ‘vera’ do vijë përsëri shumë shpejt në marrëdhëniet
shqiptaro-greke…Jetojmë në kohë të ndryshme nga disa vjet më parë dhe popujt
tanë nuk mund të përfitojnë, nëse nuk ndryshojmë duke ecur me kohën, e cila
gjithashtu ecën shumë shpejt”. Fjalët e Sali Bollatit në këtë libër na kujtojnë
se “acari” në marrëdhëniet greko-shqiptare, të pakën përsa i përket çështjes
çame, fatkeqsisht, nuk ka marrë fund.
Libri
i autorit Sali Bollati, “ÇAMËRIA, KRAHINA MË JUGORE E TROJEVE ETNIKE
SHQIPTARE”, është një kontribut me rëndësi kujtese, por edhe një përpjekje
drejt zbulimit të së vërtetës, nga një dëshmitar i atyre ngjarjeve të tmershme.
Është gjithashtu një thirrje që Athina zyrtare të pranojë, më në fund, të
vërtetën e masakrës ashtu siç ka ndodhur dhe të shpërnguljeve me forcë të
popullsisë çame nga trojet e veta — si një përpjekje ndaj pajtimit midis dy
popujve, bazuar në respektimin e standardeve ndërkombëtare për të drejtat e
njeriut dhe të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar të çamëve. Ashtu si edhe në
rastin e Masakrës së Tivarit dhe masakrave të tjera kundër shqiptarëve anë e
mbanë trojeve të veta – edhe Çamëria thrret, nepërmjet librit të Z. Bollati,
për vendosjen e drejtësisë historike dhe të zbulimit të së vërtetës. E vërteta
dhe drejtësia për krimet në Çamëri do të kontribojnë për ndërtimin e urave të
pajtimit midis dy vendeve dhe njëkohësisht, do të kontribojnë edhe ndaj paqës
dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi.
Sali
Bollati, si njëri prej viktimave që mbijetuan tragjedinë e Çamërisë, vazhdon të
jetë zëri i atyre të cilët ndoshta nuk dëgjohen më, ndërkohë që bën thirrje
njëkohësisht, që krime të tilla të tmerrshme, si tragjedia e Çamërisë dhe e
Tivarit – krime këto që lirisht mund të cilësohen si krime kundër njerëzimit —
të mos përsëriten më në trojet shqiptare, as nga dora e të huajit e as nga dora
shqiptare kundër shqiptarit, por të kujtohen gjithmonë e të mos harrohen kurrë!
Heshtja ndaj krimeve të tilla, qoftë mbrenda Shqipërisë, qoftë jashtë, do të
thotë miratim të krimeve të tilla. I jemi mirënjohës Z. Sali Bollatit që nuk
hesht për ato që din e që ka përjetuar vet dhe njëherazi falënderojmë Zotin që
i ruajti atij memorien, shëndetin dhe jetën e gjatë që i ka falur atij, me
qëllim që edhe ai ashtu si At Zef Pllumi, të jetojë vetëm për me tregue.