| E diele, 28.09.2008, 08:38 AM |
Skuadra më e fortë e të gjithë Evropës në ato kohëra praktikisht ishte shfarosur në përplasjen e Mynihut
Mynih i Bavarisë, ora 16 e 4 minuta e 6 shkurtit 1958: një dymotorësh i kompanisë ajrore British European Airways i quajtur "Lord Burleigh", merr lejen që të ngrihet në fluturim. Fillon të rrotullohet me ngadalë, futet në pistën e ngritjes, e çon motorin në maksimum dhe fillon të lëvizë.
Megjithëse me mundim, ngrihet dhe kur është në jo më shumë se 5 metra lart nga toka merr flakë dhe shpërthen në fluturim: sipas çdo probabiliteti - do të zbulojë më pas komisioni hetimor i krijuar menjëherë nga autoritetet gjermane - karreli, jo akoma i futur plotësisht, ka prekur një pemë dhe mjeti ka shpërthyer duke u transformuar në një pishtar të madh për sarbatorët e mbushur plot me benzinë. Avioni "Lord Burleigh" pilotohej nga kapiteni James Thain, një njeri që kishte në aktivin e tij shumë orë fluturim si oficer i i Royal Air Force gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe vinte nga Beogradi: në fakt, avioni ishte marrë me qira nga Manchester United si "charter" për të transportuar skuadrën kampione të Anglisë për të luajtur me Crvena Zvezdan në Kupën e Kampionëve. Kështu, në bordin e avionit ndodheshin gazetarë, teknikë, anëtarë të stafit të klubit.
Crvena Zvezda - Manchester United një natë më parë kishte përfunduar me një rezultat spektakolar 3 me 3. Manchester United ishte një skuadër me moshë shumë të re dhe e përbërë praktikisht e gjitha në shtëpi nga ai zbulues i madh talentesh që ishte Matt Busby. Bile ai Manchester United ishte aq shumë i Busby sa që të gjithë lojtarët e tij njiheshin kudo si "Busby's Babes", "fëmijët e Busby". Megjithatë, prej tyre, 8 djem (mbrojtësit Roger Byrne e Geoff Bent; mesfushori Eddie Colman; mesfushori i qendrës Mark Jones; sulmuesit Liam Whelam, Tommy Taylor, David Pegg dhe talenti që sapo i kish mbushur të 21 vjeçët Duncan Edwards), humbën jetën. Duncan Edwards luftoi për 15 ditë të gjata në spital kundër atij fati të beftë, por fatkeqësisht dëmtimet fizike të pësuara si pasojë e incidentit qenë të tilla që ai nuk arriti t'i shpëtojë vdekjes. Të gjithë të tjerët (portierët Harry Gregg e Raymond Wood; mbrojtësi Billy Foulkes; mesfushorët Jackie Blanchflower, sulmuesit Bobby Charlton, John Burry, Ken Morgans, Dennis Viollet, Albert Scanlon) përveç vetë Busby, në mënyrë pak a shumë të rëndë, mbetën të gjithë sa qenë të plagosur. Midis të tjerëve që humbën jetën në incident qe edhe ish-portieri i kombëtares britanike që mundi Italinë 4 me 0 në Torino, Frank Swift, që tifozët e atëhershëm e kujtojnë si për pritjet e tij, ashtu dhe për bluzën e verdhë kanarinë që vishte në ndeshjet më të rëndësishme dhe që me mbarimin e karrierës futbollistike u bë gazetar sportiv.
Gregg, i cili ishte duke luajtur me letra, e kujtoi kështu disa ditë më pas në spital atë çast të tmerrshëm: "Mendova se ndoshta kishte mbërritur fundi. Kur avioni shpërtheu, humba ndjenjat dhe kur erdha në vete në kabinën e pasagjerëve të copëtuar dhe të kapërdirë nga flakët, e gjeta veten praktikisht të rrethuar nga njerëz të vdekur apo të plagosur që ankoheshin dhe ulërinin. I hapa sytë duke mos i besuar vetes dhe e vetmja gjë që bëra, pa vullnet, tamam si robot, qeshë që lashë vendin tim dhe që zbrita nga avioni duke rrëshqitur mbi një krah drejt e në tokë".
Midis skuadrave që kanë bërë historinë e futbollit modern, Manchester United i dëshiruar dhe i ndërtuar nga Matt Busby, ka vendin e tij të superioritetit absolut. I plazmuar fjalë për fjalë nga ideuesi i tij, Manchester United ishte një formacion i përbërë i gjithi nga lojtarë shumë të rinj, të cilët vetë Busby i kish peshkuar në skuadrat e të rinjve apo që i kish siguruar për pak stërlina nga skuadra të tjera. Në shkollën e tij të gjithë e kishin përmirësuar teknikën dhe lojën deri sa të bëheshin të vetmit që të respektoheshin nga kushdo, përfshi Real Madridin. Billy Foulkes, një prej të mbijetuarve, i kujton kështu ato kohëra: "Sikur të mos kish qenë tragjedia e Mynihut, Kupën e Kampionëve do ta kishim fituar ne. Pas rezultatit 3 me 3 në Beograd do të ishim ndeshur me AC Milan, por që nuk e kishim frikë dhe më pas me Real Madridin: gjë që sigurisht ishte brenda mundësive tona". Por fati kish vendosur ndryshe dhe ajo që ishte skuadra më e fortë e të gjithë Evropës në ato kohëra praktikisht ishte shfarosur në përplasjen e Mynihut.
I emëruar Kalorës dhjetë vjet pas katastrofës së Mynihut, Matt Busby e kujtonte kështu historinë e "lindjes" së skuadrës së tij të atëhershme: "Në portë luante Wood, të cilin e blemë nga Darlington për 6000 stërlina dhe të cilit i kërkonim që të bënim vetëm atë që dinte. Si mbrojtës ishte Bill Foulkes, një 'trup' që erdhi tek ne nga St. Helens dhe që formonte dyshe me aristokratin Roger Byrne, një njeri që lëvizte në fushë si balerini i mirënjohur rus Rudolf Nureyev, por kundër të cilit edhe njerëz si Finmey e Mortensen nuk qenë argëtuar kurrë. Kurse linja e mesfushorëve ishte kjo: Eddie Coiman, stilisti, nga e djathta; i forti Duncan Edwards nga e majta dhe Mark Jones, komandanti, në mes. Në vijën e dytë, Jackie Blanchflower. Kurse në sulm qenë Johnny Berry, të cilin e blemë nga Birmingham për 25000 stërlina; Billy Whelan; Tommy Taylor, i paguar 29999 stërlina nga Burnley, pasi për ne tavani prej 30000 stërlinash ishte i pakalueshëm; Dennis Viollet dhe David Pegg". E nëqoftëse kjo ishte "ajka" e atij Manchester United, nuk është se pjesa tjetër ishte shumë ndryshe: në fakt, njerëz si Bobby Charlton, Alex Dawson, Wilf McGuinness, Nobby Stiles, Nobby Lawton apo Johnny Doherty nuk kishin nevojë për prezantim!
Ai që e ka dashur Matt Busby tek Manchester United kishte qenë në fundin e vitit 1944 Louis Rocca, i cili u bë "scout"-i i preferuar i trajnerit të ri që thirri si zëvendësues të tij uellsianin Jimmy Murphy. Dhe është pikërisht kjo dyshe Busby-Murphy që qysh nga fillimi nisi të punojë në një drejtim të vetëm: atë që do të çonte në krijimin e skuadrës së madhe, e cila pothuajse u zhduk e gjitha në Mynih. Në vitet e drejtimit të Busby, Manchester United arriti disa rezultate që akoma sot janë primate, si rezultati 10 me 0 shkaktuar Anderlecht në vitin 1956; 64 pikët e realizuara në sezonin 1956 - 1957; 103 golat e shënuar në sezonet 1957 - 1958 dhe 1958 - 1959; 32 golat e Viollet (sezoni 1959 - 1960); titujt absolutë të viteve 1952, 1956, 1957, 1965, 1967. Këtyre rekordeve, duke parë që nuk është më "Busby's Babe" i të gjithëve, i duhen shtuar si 198 golat e shënuar nga Bobby Charlton me fanellën e kuqe në periudhën 1956 - 1973, ashtu dhe 106 ndeshjet e luajtura gjithsej me kombëtaren angleze nga i njëjti lojtar. I shkatërruar në Mynih, një çikë si feniksi arab, Manchester United u ngrit pak e nga pak nga mbeturinat e tij: në drejtimin e skuadrës mbeti po Busby dhe, dora dorës që të mbijetuarit e merrnin veten, Sir Matt u ndërtonte përreth një skuadër të madhe i së cilës Bobby Charlton ishte njëkohësisht drejtues dhe "yll", por në të cilën njerëz si skocezi Dennis Law dhe irlandezi George Best, integroheshin me përsosmëri. Kur në vitin 1968, dhjetë vjet pas tragjedisë së "Lord Burleigh", Manchester United siguroi fitoren e tij të parë në Kupën e Kampionëve, Busby e konsideroi të përfunduar veprën e tij: në fakt, dhjetë vjet më vonë kishte arritur të rindërtonte një skuadër të ngjashme me atë që ishte zhdukur në Mynih dhe, megjithëse me një vonesë prej dhjetë vjetësh, kishte arritur të sillte në Manchester titullin kontinental më prestigjioz. Njerëzit që morën pjesë në atë ndeshje qenë Stepney; Brennan, Dunne; Crerand, Foulknes, Stiles; Best, Kidd, Charlton, Sadler, Aston: disa të mbijetuar midis "fëmijëve të Busby" të parë dhe të tjerë (shumica prej tyre) të "rinj". Ama të gjithë të plazuar nga duart e "Plakut të Madh" të futbollit anglez, i cili atë mbrëmje në stadiumin e famshëm Wembley (29 maj 1968), me mbarimin e ndeshjes, qau...
Përgatiti
ARMIN TIRANA - RD