Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Puhizë prilli

| E marte, 02.04.2019, 06:33 PM |


Puhizë prilli

Nga Blerim Rrecaj

Edhe këtë herë e ndërruam orën. Më saktë lëvizëm akrepat.Kështu na thanë e kështu bëmë, herën tjetër kushedi se çdo të na thonë e a do t'i dëgjojmë, ndonëse e pranishme paqartësia se a është kjo hera e fundit që lëvizim shenjëtreguesit e orëve tona, herë para e herë prapa. Mirë bile që nëpër ekranet e telefonave akrepat s'po ka nevojë me i prek. Nejse njërit thanë se nuk iu kishin ndërru e ish vonu për punë, e këtë problem në mënyrë automatike ia kishte rregulluar një koleg, kuptohet nëse do ketë nevojë tjetër herë. Erdhën në prill, që u nis në të hënën këtë herë. Qoftë këmbë e faqebardhë si trung gëlqerosur e degë lulosur. Po, pra, pak më shumë po na tërheqin drunjët e pemët veshur me të bardha, ndonëse me po këtë admirim mund të afrohemi te trupa e fidane degë luleveshura ngjyrë rozë, diku diku edhe gëmusha zbukuruar me të verdhë. Nëse ndalemi pak më gjatë nëpër degë drunjësh ndonjë degë lulelulëzuar mund ta prekim e ta tundim pak, siç do bëjmë me ndonjë zile për të lajmëruar për diç me rëndësi, në stilin ajo po vjen, ajo po vjen stolishkëlqyese edhe këtë herë edhe këtë herë, pa harruar të shijojmë desert aromat e tyre. Diku, dikur e "hamë" një rrenë, pasi dikush thotë se t'u ka shqyer bluza, ndërkohë që e vërtetoj se kjo s'qenka e vërtetë edhe pse para pak ditësh kjo bluzë pranverore pat një intervenim qepjeje diku nën sqetull. "Rrenacaku" nuk e dinte këtë, kështu që çuditej me habinë e shfaqur të të gënjyerit kaq me stil, kaq pavetëdijshëm. Një rrenë tjetër të pasherr e patëm ngrënë në shkollë fillore kur njëri nga arsimtarët na pat thënë hajdeni se nga këtu, nga dritarja e katit të tretë të klasës sonë po i shoh disa bubrreca, u patëm afruar besimplotë por bubrrecat askund, po patëm parë ca mace që sipas të gjitha gjasave shkonin me ndejtë te do maca tjera, a kushedi se për ku... Po e lëmë kaq me datën e rrenave, duke patur një lloj frike se ndonëse thonë se rrena i ka këmbët e shkurtëra mos vallë do vazhdoj tradita e trendi i rrenave pas 1 prillit e për çdo ditë të vitit siç na rikujtojnë Vëllezërit Lleshi me këngën e tyre e Ferit Lamaj me ca fabula. Shembuj të tjerë siç e seç na kujtojnë shumë gjëra që jo pak na rrëqethin e drithërojnë, mos vallë do e shpallim një ditë rrenën si sport kombëtar. Eu, be u sa keq që rrena ka depërtuar gjerë e gjatë e ka lëshuar rrënjë kaq thellë. Sa keq që na ka hy rrena në mes. Atë (s')ua solla unë. Mbase as ti e as ajo. Dashtë pa dashtë dolëm te lakimi dhe zgjedhimi gramatikor. Mund të dalim dhe të llogaritë matematikore duke mbledhur, shumëzuar e pjesëtuar, a mund të ndalemi te ndonjë rrënjë katrore (a rrumbullake) e rrenës. Prej ndrrimit të orës dolëm te gënjeshtrat, e qëllimisht ndërrojmë një varg poezie kënduar nga Selami Kolonja që thotë se më gënjeve me gështenja, e prej tyre si do të dalim kur po ka kaq brum e materiale kur edhe po përtojmë të bëjmë llogari edhe me digitron. Shpeshherë edhe pse s'po du, s'po bën e s'po muj pa rrejtë, tha një ditë njëri në një ndejë. Me këtë po e mbyllim, kaloi dhe 1 prilli. Vazhdon ditë e re, edhe kjo me diell. Edhe pak do dal përjashta mbase për të sjellë ndonjë përjetim e për të vënë dhe ca shënime në ditarin e ditëve të mia. Rrugës duken lule vendosura parvazëve të dritareve që perdet pas u qëndrojnë si perde skene, ka dhe pëllumba që pranë dritareve qëndrojnë, disa nga ta kanë shfrytëzuar ndonjë hapësirë të hapur çatie dhe kanë bërë strehë nën kulmin e një shtëpie. Ka qe që flenë, koten, dremiten e rreziten edhe në bar por disa edhe në mes asfalti. Te njëri këmbëlënduar e mbase këmbëthyer janë afruar e mundohen t'i ofrojnë ndihmë fëmijët.Sa shpejt, si me pas pikë prej qielli si pika shiu kanë mbirë të shpërndara, diku tufa tufa, e diku rradhë-radhë të verdhat luleradhiqe si dëshmitare hapash të stinës e jetës së pandalshme, që na sjellim fjalë fëmijërije si: pipili, pipili a do pite a do fli, por edhe përpjekje për thurje kurorash... Luleradhiqet tash kënaqen në diell plus një puhipendël po i përkëdhel...