Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avzi Mustafa: 110 vjetori nga Klubi dhe Abeceja Shqype e Kumanovës

| E hene, 01.04.2019, 07:35 PM |


110 VJETORI NGA KLUBI  DHE ABECEJA E SHQYPE E KUMANOVËS

Nga Avzi Mustafa

Pas viteve 50 të shekullit 19, Bulgaria fillon një aktivit të gjerë të jetës shkollore në trevat Lindore sidomos kur Egzarhia bullgare doli hapëtash në skenë, kundër grekërve dhe serbëve. Meqenëse situata me shkollat greke dhe serbe nuk ishte e mirë, por edhe ato shkolla shpirtërore apo kishtare greke apo serbe që ishin të tipit të shkollave qelie nuk mund të ishin në hap me kohën, sepse ato kishin për qëllim vetëm mësimin e gjuhës kishtare dhe se nuk mund të plotësonin nevojat e kohës.
Shkollat bullgare në atë kohë ishin më të moderuara dhe ishin të tipit shkollë- klasë, që përveç shkrim- leximit elementar, nxënësit mësonin edhe lëndët natyrore dhe matematikore sipas klasave.

Bullgaria me marrjen e pavarësisë punën e shkollave e organizoj me një shpejtësi të madhe, duke hapur shkolla edhe nëpër qytete e fshatra e sidomos atje ku kishte kombësi të fesë ortodokse, gjë nuk u kursye edhe rajoni i Rekës.

Bullgaria të gjitha shkollat e vjetra i rinovoj . Në viset e Maqedonisë Verilindore sidomos atje ku kishte banorë të fesë ortodokse çonte një politikë krejt ndryshe. Që të përfshijë sa më tepër nxënës të në këto shkolla edhe të kombeve të tjerë dhe të mbizotërojë kundër grekëve dhe serbeve në viset me popullsi shqipfolëse dhe sllavomaqedone ai kërkonte që të dërgonte mësues që njohin gjuhën e vendit.

Meqenëse Kumanova më tepër se gjysma ishin shqiptar dhe gjysma tjetër siç i trajtonin bullgarë kërkonte mësues që do të njohin gjuhën e vendit.

Shkolla bullgare u riaktivizua në vitin 1908 kur Bullgaria shpall pavarësinë nga Turqia, dhe Ferninandi i I Cari si detyrë kryesore i parashtrojë Parlamentit që të angazhohen në hapjen dhe rihapjen e shkollave dhe kulturës bullgare. Kështu po në këtë vite rifillon punën edhe shkolla bullgare në Kumanovë.

Meqenëse popullata e kumanovare sllave më shumë anonin nga shkollat serbe, për të tërhequr sa më shumë nxënës edhe të nacionaliteti shqiptar, gjetën një shqiptar ortodoks nga Reka e Epërme me emrin Anasatas Arnaudovin. Ai ishte më i përshtatshmi sepse ai fliste gjuhën e nënës gjuhën shqipe dhe bullgare. Anastas Albanski (Arnaudov) në këtë shkollë emërohet si mësues në shkollën bullgare në nëntor të vitit 1908.
Ministria e arsimit Bullgarisë ishte obliguar që të gjitha librat që i botonte t’i dërgonte nëpër shkollat siç ata i quanin shkolla “ njëvëllazërore”.

Anastas Albanski gjatë punës së tij si mësues në shkollën bullgare në Kumanovë shpesh binte në konfrontim me mësuesit serb dhe me popullatën që e admironin Serbinë apo ishin serb që ishin ngulitur në Kumanovë. Ata e akuzonin te organet turke ose kur kalonte rrugës apo para dyqaneve përshpëritnin duke thënë ja po vjen “arnauti” e here edhe me fjalë fyese si: “lludak”, “ganço”, “shiftar” etj.

Kur filluan që shoqëritë shqiptare jashtë Perandorisë Osmane të organizojnë një lëvizje me synime të qarta politike e kulturore e sidomos të mbështetur mbi objektiven kryesore në idetë iluministe të projektuar që në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Shoqëritë dhe Klubet shqiptare jashtë dhe brenda atdheut tërë potencialin intelektual dhe ekonomik e kishin drejtuar në zhvillimi e arsimit dhe kulturës kombëtare, që dëshironin ta realizojnë nëpërmjet rrugës së përhapjes së arsimit dhe gjuhës amtare. Klubi shqiptar i Shkupit iu rek një aktiviteti shumë të madh në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, në ruajtjen e gjuhës dhe në mbjelljen e farës së diturisë nëpërmjet hapjeve të shkollave kombëtare.

Klubi i Shkupit të nxitur nga Qemal e Emin bej Kumbara, Rrok Berisha, Ajdin Draga, Luigj Naraçi etj. sidomos nga Bedri Pejani që ishte një ndër promotorët e mëdhenj në hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe.

Pas shpalljes së Kushtetutës  të vitit 1908 që në popull njihet si “Hyrjeti” disi u krijuan disa rrethana e sidomos haptazi tani shtroheshin kërkesat e shqiptarëve. Një ndër hapat e parë që u ndërmorën ishte hapja e klubeve në qytet e mëdha.

Këtë aktivitet patriotët e zgjeruan edhe në Kumanovë dhe nëpërmjet përkrahësve të vendit si: Galip Kumanova, Bajram Vranja. e sidomos me ardhjen e patriotit shqiptar Jashar Erebarës si një ndër organizatorët e jetës kulturore dhe arsimore në Kumanovë.

Patriotët shqiptar mbështetje të madhe gjetën edhe te kajmekami i Kumanovës , Nexhib Basha Pejani, që në të njëjtën kohë ishte ai që i mbronte veprimtarët para pushteti turk dhe shpifjet e xhonturqve dhe tradhtarëve të ndryshëm .

Ardhja e Jashar Erebarës në vjeshtë  të vitit 1908 në Kumanovë i cili emërohet nëpunës i statistikave të komunës . Ky krahas punës zyrtare ai ishte i përkushtuar në ndërgjesimin e popullatës kumanovare, Tërë energjinë e vet e drejtoj në hapjen e një klubi në këtë qytet dhe në bashkimin e shqiptarëve . Ai posedonte përvojë të madhe në hapjen e klubeve ndryshëm. Ai ishte edhe njëri ndër hartuesit dhe përgatitjen e dokumentacionin sepse ai dinte se si duhet të duket një Statut i një klubi, sepse ai ishte mësuar që kur kishte hartuar Statutin për formimin për themelimin e “Rrethit të studentëve shqiptarë” në Bukuresht më 1899., që në përbërjen e Komitetit ai ishte zgjedhur si arkëtar . Dhe dinte si ti ruaj e ku ti drejtoj, por mbi të gjitha kishte besimin tek patriotët. Angazhimi i tij pa marrë parasysh sakrificat ai që janar të vitit 1909 e formoi  klubin në Kumanovë e për kryetar u zgjodh pikërisht Jashar Erabara. Në Klubin e Kumanovës anëtarë ishin:Galip Kumanova, Ismail Çaushi, Ibrahim Tirana, Bajram Vranja, Shaqir Gjakova,Qazim Elbasani e etj.

Kumanova ishte një qytet i përbërë nga shumë etnitete për kundër shumë qyteteve të tjerë në aspektin ekonomik ishte ne gjendje të mirë. Sipas një dokumenti që e posedojmë nga Arkivi i Shtetit Shqiptar mësojmë për Kumanovën se “ Gjysma e qytetit është shqiptare e gjysma bullgare dhe të gjithë janë të pasur. Qyteti ka mbi 1.500 shtëpij, me gjitha nga zullumi i serbvet, Shqiptarët jo vetëm të qytetit, po edhe të katundeve me shum lloj mjerimi i shtërgojnë të hikin në Turqi”.

Dhe nuk ishte e rastit pse në Kumanovë filloi një aktivitet kulturor dhe arsimor sepse Kumanova ishte një qytet ku kryqëzoheshin të gjitha rrugët si në veri, lindje, perëndim e jug. Kumanova paraqite një nyje strategjike dhe ekonomike shumë të rëndësishme. Nga ky dokument mësojmë se në kohën e Turqisë shqiptarët e Kumanovës kishin hapur një klub me emrin “Bashkimi”. Kryetar i këtij klubi ishte Jashar Erebara që ishte impakti i lidhjeve me qarqet patriotike.

Anastasi çdo dite shkonte te furra për të blerë bukë dhe me furrnaxhinë bisedonin shqip dhe ky i kishte treguar Jasharit se mësuesi bullgar dinë gjuhën shqipe. Jashari shumë shpejt vuri kontaktet me Anastas Albanskin të cilin do ta bind për hapjen e një shkolle në gjuhën amtare.

Fal këtij klubi në korrik të 1909 u hap “një shkollë nate në gjuhën amtare ku mësojmë më shumë se 80 djema. Mësues ishin Jashar Erabara si dhe Anastas Arnaudovi ( Albanski) .Në vazhdim të dokumentit marrin njohuri të sakta mbi prejardhjen e Anastas Albanskit ku thuhet.:” mësues asht edhe Anastas Arnauti (Aranudov), cili ish nga Tërnica e Rekës e mësues në shkollën Bullgare në vend”.

Në faqen 2 të dokumentit shohin se si numri i nxënësve në shkollën e natës, ku mësimi zhvillohej në gjuhën amtare po rritej, dhe për një muaj numri arrin në 90 nxënës. Ky kurs nate ndikoj me të madhe që shqiptarëve të këtij vendi tu kthehet shpresa t’u forcohet shpirti e t’u ndriçohet mendja. Sepse “Shqipja filloj me u fol gjithkund nëpër qytet dhe kjo është një punë e madhe .... Me të vërtetë popullësija qytetare bullgare simpatizonte këtë lëvizje shqiptare, por serbët jo, do shkojshin se si tek me e pengue tuj u diftue autoritete turke aktivitetin e Shqiptarëve”.

Kontribut të madh në përfshirjen e nxënësve i takon po aq edhe mësuesit Anastas, i cili me fjalën e ëmbël shqipe dinte se si ti tërheq nxënësit në shkollë. Sipas J. Erebarës thuhet se ky kurs nate në gjirin e vet arriti të tubojë 130 nxënës shqiptar.

Rritja e numrit të nxënësve në këtë shkollë ishte punë e mësuesit Anastas sepse ai dinte si ti bind shqiptarët e sidomos tek ata të cilët e kishin ngarruar problemin e fesë me çështjen e kombësisë. Ai për ilustrim e merrte veten dhe thoshte “Ja unë jam i krishterë, por gjuhën e kamë si të tujën dhe ne jemi vëllezër të një gjaku”. Asnjëherë nuk hoqi dorë nga gjuha edhe pse shpesh binte në kontakt me njerëz që i kishte kapluar fanatizmi fetar, por ai bisedonte qetë dhe sepse detyrë vetes i kish dhënë se krahas shkronjave të gjuhës shqipe si tek nxënësit ashtu edhe tek qytetarët kumanovarë të ngjallë dashurinë ndaj gjuhës shqipe si dhe të ngjallë ndenjën e vëllazërimit e të bashkimit pa dalim feje e krahine.

Patrioti shqiptar Bedri Pejani në gazetën “Lirija” të Selanikut do të shkruaj “Çdo 20-25 fëmijë lexojnë shqip me rregull dhe kështu  Klubi është bërë një shkollë e vërtetë. Në Kumanovë edhe me shumë njerëz të moçëm që bisedova, pashë se kishin mendime të reja dhe të vëlefshme”

Për punën që bënte  mësuesi Anastas ra në sy të agjentëve si turq ashtu edhe serb. Atë e ndiqnin këmba –këmbës e sidomos punën e tij që bënte në shkollë për tu mësuar nxënësve gjuhën shqipe. Marimangat turke  raportonin në Stamboll se në Kumanovë“ ardhur një Gjahur e asht ba tebdil dhe miletit u mëson shkronja kaure”.

Që kur plasi Lufta e Parë Ballkanike dhe kur forcat ushtarake serbe hynë në Kumanovë, Anastas Albanski hynë në Kishën e qytetit, por agjentet serb e diktojnë dhe e nxjerrin nga kisha dhe rrugës bashkë me shumë të zënë rob e vrasin mësuesin me paramendim jo vetëm që përhapi dritën te popullsia kumanovare , por bindjet e drejta që kishte se feja nuk përcakton kombin dhe me këtë binte teza e trumbetuar si e grekëve ashtu edhe e serbëve se çdo ordodokës është grek apo serb.

Problemi kryesor i funksionimit të kësaj shkolle ishte sigurimi i teksteve shkollore e sidomos Abetarja. Kështu që arsimdashit kumanovarë u angazhuan që me mjetet vetanake të botojnë një Abetare apo siç njihet ABRCEJA SHQYPE e Kumanovës. Kjo ABC nëpërmjet Klubit Shqiptar të Kumanovës edhe u realizua. Abetarja që në faqen e parë fillon me moton: ”Në çdo moshë që të jesh, për një javë shqipen e mëson dhe e shkruan”

Kjo moto pati edhe efektin e saj psikologjik tek ata të cilët deshën të mësojnë gjuhën shqipe sepse kishte formatin e një libri xhepi dhe palohej lehtë dhe ishte botuar me germat që u përcaktuan në Kongresin e Manastirit. Kjo Abetare  kishte për qëllim që gjuha shqipe të mësohet më mënyrë të shpejtuar.

Abetarja nuk ka autor, por sipas pedagogëve të madhej shqiptar, Shefik Osmani dhe Nijazi Kazazi në bazë të analizave që kanë barë dëshmojnë se këtë  abetare e ka shkruar Jashar Erebara. Ato mendimin e mbështesin në germat që u aprovuan në Kongresin e Manastirit si dhe në analizën e saj që u botua në gazetën “Shkupi”  si shtojcë më 1911 të cilën gazetë e udhëhiqte Jashar Erebara ku teknika e të shtypurit dhe letra e përdorur  është e njëjtë. Për mua ka vetëm një dilemë e ajo është se në Abetare nuk figuron asnjë emër mysliman.

Kjo abetare i plotëson të gjitha kriteret pedagogjike-metodike jo vetëm që i përgjigjej kohës por edhe më tepër. Abetarja ka 30 njësi mësimore ku, 12 prej tyre i përkasin abetares , kurse 18 janë tekste leximi

Në tekstet e leximit mbi të gjitha dominojnë tekste që kanë të bëjnë me zhvillim e ndjenjave të atdhedashuria si dhe kultivimin e  virtyteve të larta të popullit tonë.

Shkolla në gjuhën shqipe ishte një forcë politike për të mbrojtur vatanin dhe qenien shqiptare. Shkollat në gjuhën amtare jo vetëm që realizohej detyra kombëtare, por ato ishin edhe fole e atdhetarizmit dhe djepi i zhvillimit të ndenjës kombëtare.