| E diele, 31.03.2019, 07:00 PM |
MARTIRIT
MËHILL KOLA, NGA KAJVALLI I DUZHMANIT…
-Vrarë pa gjyq, në korrik 1946-
NGA MURAT GECAJ
N’ Gur të Lekës ka dalë zani:
-Na vranë Mëhill Kolën prej Kajvalli!
Burrë dai, o hajmedet,
prej pabesisë dekën e gjet’!
Kur na erdh’, ai komunizmi,
Mëhill Kola me urrejtje e priti,
bashkë me djemtë e Duzhmanit,
që të ruanin traditat e vatanit.
Ky Gjergj Vata u paska pri,
nga Vermoshi e deri në Dri.
Ish Mëhill Kola me shok’t e tij:
Ky Ndue Mirashi e Shytan Cani,
Filip Kola e Gjergj Pali,
të gjithë trima nana i bani.
Zanat e malit u kanë dhanë gji,
ndër beteja atyne u kanë pri…
S’i merr pushka as s’i merr plumbi,
burrninë e tyne e njeh katundi.
Në tanë krahinë zani ka dalë:
Armët e brezi për me na i dhanë,
sa ma shpejt ju në postë me i dorëzue!
Ky Mëhill Kola fort asht idhnue,
kur në postë atë e kanë dërgue:
-S’ kam manxerre as s’ kam allti,
po u baj be, ju, në Perëndi!
Komandanti nuk don me ditë,
shpejt po nisë një ekspeditë…
Kanë rrethue shtëpinë e Mëhill Kolës,
shpejt ia vunë atij hekurat e dorës!
Hajmedet, nana e tij bërtiti,
gruaja e vajza sa fort klithi:
-Ku po shkon, o baba jam,
se fort zemra për ty më dhemb?!
Seç u thotë robëve të shkretë:
-Për një fjalë, kanë me na dvetë!
Fjalët s’ vonojnë e n’ oborr kanë dalë,
Mëhillin n’ arrest te e kanë marrë.
Dy ushtarë e kanë shtërngue,
drejt për rrugë e kanë fillue…
Ky Mëhill Kola po mendon:
Ky rregjim fort po na tundon!?
Fjala-fjalës, te kroni kanë mbërri:
-A po m’ leni ju, ujë me pi?
-Ec përpara, more tradhëtar,
i ka thanë Teufiku-ushtar!
Nuk të lamë na ujë me pi,
as me bukë kurrë me u ngi!...
Sa fort Mëhilli asht ngushtue,
vrik prej kronit asht fillue.
Kur ka vu buzën te kroni,
ushtoi mali e ushtoi prroni;
ka qëllue nji dorë e zezë,
ket’ Mëhill Kolën e prenë në besë!
Ajo pushkë frymën ia ndali,
medet, bani zana te mali,
te na u vra nji trim i rrallë,
me idealin e vetë, atdhetar!
Ka shkue zani në Kajvall,
lajmin e zi vesh e kanë marrë.
Ka bërtitë fort nana Kadë,
për at’ djalë që i kanë vramë!
Tri vajza t’ mituna ndien gjamën,
donë të gjallë me e pa babën;
por nuk çohet dot, o hajmedet,
e ka marrë plumbi për gazep,
përmes trupit e ujë ai tue pi!
Ky lloj krimi n’ Malësi nuk asht ndi,
nuk asht ndi as kurrë nuk asht pa,
ndërsa komunistat te e kanë ba?!
Po fara e tyne prapë nuk janë ngi,
kanë djegë stan e kanë djegë shtëpi!
Robët e shtëpisë i kanë torturue
dhe në burg ata i kanë ngujue.
Kanë kuvendë zanat në mal:
Këtë Mëhill Kolën na me e marrë,
me e ruejtë në përejetësi,
që mos ta preki ma asnjeri!
Vjersha jeme asht një kujtim,
ky Mëhill Kola në zemër na rrin;
kujtimi i tij asht një lapidar,
për te fort malli na ka marrë.
E kujtojnë gjithnjë bijat e tij,
Katrina dhe Lena përherë në zi.
Tash janë ditët tona në demokraci,
kur duhet të ngrihet lart çdo trimni,
njerëz me shpirt e atdhetari…
Po jehojnë Kajvalli e Duzhmani:
Lavdi martirëvë të këtij vatani!
Shënime:
-Për Mëhill Kolën nuk është ruajtur asnjë fotografi;
-Vjersha u shkrua, së pari, në Fano-Itali, më 19-20 tetor 1995.
Tiranë, 28 mars 2019