Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Beteja e spiunëve në rrjet

| E shtune, 27.09.2008, 12:05 AM |


Është ora 09.30 e mëngjesit e datës 10 shtator, ndërsa bota ka shtangur, pasi në Gjenevë janë duke ndezur përshpejtuesin e grimcave, i cili do të rikrijojë kushtet e universit menjëherë pas Big Bang-ut. Dhe, njëkohësisht, në faqen e internetit, ku shfaqej edhe ky eksperiment, në vend të asaj origjinales shfaqet një faqe e quajtur "The greek security team". Çfarë do të thotë kjo?

Faqja zyrtare e Cernit, po pikërisht ajo u bë shënjestër e hakerave, duke vënë në panik shkencëtarë dhe inxhinierë. Por, për fat të mirë bëhej fjalë për një gjest më së shumti simbolik se sa një sulm i vërtetë dashakeqës. Ndërsa ka pasur një natyrë krejt të ndryshme ndërhyrja vitin e shkuar në sistemin e "Best Western hotel". Hakeri arriti të marrë numrat e kartave të kreditit dhe të dhëna personale nga 8 milionë klientë, që në 12 muajt e fundit kishin prenotuar nga një dhomë në një nga 1312 hotelet e këtij zinxhiri. Interneti nuk është më i sigurt. Tashmë ai është bërë fusha e betejës për këta informatikanë, të cilët sfidojnë njëri-tjetrin, duke sulmuar faqet më të sigurta aktuale. Kështu, shpjegohet edhe shembulli i Cernit. Por, mbi të gjitha, kjo është bërë një mënyrë e mirë për të fituar para, duke u kujtuar se krimi virtual vitin e shkuar ka fituar 105 miliardë dollarë. Një shifër kjo që e kalon atë të biznesit të paligjshëm të drogës. Këto aktivitete të jashtëligjshme nuk limitohen me vjedhjen e identitetit, apo të disa kartave të kreditit. Policia braziliane kohët e fundit arrestoi plot 41 hakera, të cilët kishin vjedhur disa kode sekrete të disa llogarive të rëndësishme bankare, nga të cilat më pas do të vidhnin 4 milionë dollarë. Ndërsa në Turqi u arrestua ukrainasi Maksim Jastremski, me akuzën se kishte fituar dhjetëra milionë dollarë falë vjedhjeve të identitetit. Dhe që fenomeni nuk duhet neglizhuar, këtë e konfirmon një dokument i FBS-së, që ka dalë kohët e fundit, sipas të cilit krimi virtual, për natyrën e tij të organizuar, për zhvillimin dhe përhapjen e tij të shpejtë, zë vendin e tretë në prioritetet e drejtësisë së SHBA-së, ku përpara ka terrorizmin dhe spiunazhin.

Në fakt, kanë ardhur kohë të tjera. Kohë më parë kriminelët duhej të kërcënonin fizikisht një person, ose aktivitetin e tij për të marrë disa para, ndërsa sot do të mjaftonte një e-mail i thjeshtë në përmbajtjen e të cilit do të lexohej: "Akreditoni 50 mijë euro në llogarinë time, ose do të paralizoj faqen tuaj zyrtare të internetit". Ky mund të konsiderohej si një rrëmbim dixhital. Dhe në fakt mesazhe të tilla mbërrijnë gjithmonë e më shpesh në institutet akredituese, kompani sigurimesh, ose faqe interneti ku vihen baste online. Dhe paratë e kërkuara (që shpesh janë shuma të konsiderueshme), shpeshherë paguhen për të evituar dëmet e imazhit dhe rrjedhimisht humbjen e klientelës.

Por, nëse hakerat gjithmonë e më shumë bëhen më të zhdërvjellët dhe të zotët për të sulmuar me sukses, edhe objektivat e tyre, ose më mirë të themi edhe preja, ka filluar të pajiset me sisteme efikase mbrojtëse. Dhe nuk është rastësi, që një nga sektorët të cilët po zhvillohen më shumë në kompaninë IBM, është ai i sigurisë informatike. Inxhinierët e tyre kanë montuar një inteligjencë speciale artificiale në sistemin e identifikimit të ndërhyrjeve dhe atë të parandalimeve. Kjo do t‘u lejojë kompanive, që veç faktit se do të jenë të afta të dallojnë ndërhyrjet e hakerave, por edhe t‘i ndalojnë ato. Ky është një sistem që ka rezultuar më i miri nga 40 të tjerët, të cilët japin zgjidhje analoge. Studimet e fundit tregojnë se ky lloj sistemi, pra identifikimi dhe parandalimi i ndërhyrjeve, është i destinuar të zhvillohet akoma më shumë në shkallë globale dhe nga 392 milionë dollarë që ishin fitimet në vitin 2007, do të arrijnë në 2.7 miliardë, në pesë vitet e ardhshme.

Por edhe viruset informatike nuk janë më ato të shumë kohëve më parë. Në imagjinatën kolektive, nëse infektohesh nga një i tillë, maksimumi mund të ndodhë që të humbasësh të dhënat të cilat ndodheshin në sistem. Por nuk është më kështu. Nga shkatërrues, viruset e sotme janë transformuar në spiunë. Për këtë fakt ata sot quhen "spyware". Futen në kompjuter si agjentë sekretë, duke u manifestuar sa më pak, në mënyrë që viktima të mos kuptojë asgjë. Dhe aktivizohen menjëherë sapo shtypen numrat e kartës së kreditit, ose fjalët kyçe për të kryer akses në llogaritë personale online. Regjistrojnë atë çfarë shkruhet dhe më pas i dërgojnë të dhënat e regjistruara hakerit që e ka shpikur si virus. Dhe viktima nuk kupton asgjë nga ajo çfarë po ndodh. Hard disku mbetet i paprekur, ajo çfarë boshatiset është llogaria bankare. Gjithsesi, këto lloje virusesh janë nga më të ndryshmit dhe funksionojnë në mënyra të ndryshme. Edhe antiviruset e fundit janë përshtatur për të identifikuar të tilla fenomene.

Ndërmjet krimeve informatike më të rënda për ekonominë është edhe pirateria e programeve kompjuterike. Sipas të dhënave të nxjerra nga Aleanca Ndërkombëtare e Biznesit për këto programe, në shumë vende të botës rreth 50 për qind e programeve të instaluara në kompjuterët personalë nuk janë origjinalë. Praktikisht, një program kompjuterik në dy të tillë, është pirate. Ky fenomen vetëm vitin e shkuar i shkaktoi industrisë informatike të këtyre programeve një humbje prej 1150 miliardë eurosh. Dhe specialistët paralajmërojnë se shumica e këtyre programeve jo të ligjshme mbartin në më të shumtën e rasteve viruset më të këqij spiunë, për të cilët folëm më sipër. Në përgjithësi këto programe blihen të modifikuara në dyqane, të cilat nuk e kanë të drejtën e shitjes, ose më së shumti shkarkohen nga interneti me anë të programeve "direct connect". Dhe një nga vendet më problematike në Evropë është fqinji ynë, Italia. Në Itali, 23 për qind e kompjuterëve janë të infektuar, ose të paktën kështu pretendon policia postale. Por, kjo është një mesatare që Italinë e rendit në vendin e tretë në Evropë për nga vendet më të goditura nga viruset dhe në vendin e dhjetë në shkallë planetare. Në bazë të llogarive, një kompjuter në katër, është i goditur nga krimi informatik i organizuar.

Ndërsa një raport i publikuar së fundmi nga kompania "McAfee", tregon se kërcënimi më i madh në rrjet vjen nga kompjuterët e ashtuquajtur "zombie". Këta kompjuterë janë totalisht jashtë kontrollit të përdoruesit, pasi infektohen nga viruse të quajtur "Trojan". Një virus ky që sillet pikërisht si Kali i Trojës, prej të cilit ka marrë edhe emrin. Ai hyn në kompjuter dhe hap portat që i nevojiten një hakeri. Infektojnë kompjuterët, që janë të lidhur me të në formën e rrjetit, ose sulmojnë ata të pambrojturit kur lidhen në internet. Këta kompjuterë përdoren në distancë nga hakerat, të cilët mbrojnë identifikimin e tyre dhe në përgjithësi gjatë sulmeve përdorin qendrat e internetit publik. Ky lloj virusi përbëhet nga dy pjesë. Kemi serverin, pra "Trojani", i cili duhet të përfundojë në kompjuterin e viktimës dhe telekomanda në qoftë se mund ta quajmë kështu, të cilën e përdor hakeri për të marrë nën kontroll kompjuterin e infektuar. Në këtë mënyrë hakeri mund ta marrë gati kontrollin e plotë në kompjuterin e infektuar. Më pas rrjeti i kompjuterëve, me një infeksion të tillë, përdoret për të sulmuar faqe të ndryshme interneti, për të dërguar miliona mesazhe "spam", ose për çfarëdolloj tjetër synimi që mund të kenë hakerat. Madje janë vetë këta kompjuterë të cilët ndihmojnë edhe në shpërndarjen e viruseve.

Një nga sulmet më të frikshme, sipas një kërkimi që është bërë nga "Sophos", një shoqëri e specializuar në këtë sektor, ka qenë dërgimi i miliona mesazheve e-mail me titullin "Shiko Anzheli Zholi nudo". Ky mesazh ka mbërritur në pjesën më të madhe të kompjuterëve që përdorin internetin në të gjithë botën. Është një truk i vjetër, por, duke parë rezultatet, ka qenë shumë efikas. Dhe të gjithë ata që nuk i rezistuan dot premtimit për të parë imazhe të tilla të aktores së famshme, u transformuan me pa vetëdije në "zombie".

Përgatiti: Endrit Veleshnja

Krimi në rrjet, më fitimprurës se droga

105 miliardë dollarë është shuma të cilën mund të përfitojë krimi në internet në vitin 2008, shumë e cila e kalon atë të përfitimeve që vijnë nga trafiku botëror i drogës

23 për qind e kompjuterëve italianë janë të infektuar (1 në 4), sipas disa analizave të cilat e rendisin Italinë në vendin e tretë më të goditur në Evropë dhe në atë të dhjetin në shkallë botërore

60 milionë janë kompjuterët në të gjithë botën të infektuar me viruse "Trojanë", të cilët i kthejnë ato në "zombie", thënë ndryshe, makina të cilat mund të përdoren gati totalisht në distancë

27 e-mail-e komerciale në 28 të tilla klasifikohen si "spam", ose thënë ndryshe si mesazhe të padëshiruara, por që dërgohen gjithsesi nga persona të panjohur

50 për qind e programeve kompjuterike që përdoren në shumë vende të botës nuk janë origjinale

8 dollarë kushtojnë të dhënat e një karte krediti të vlefshme (të cilat janë vjedhur) dhe që mund t‘i prokurosh në tregun e zi të internetit

Fjalët që duhen njohur

"Spyware"

Ose ndryshe një program spiun, i cili instalohet automatikisht dhe mund të marrë të dhëna personale të rëndësishme (si informacionet e kartës së kreditit)

"Phishing"

Mesazhe të cilat stimulojnë grafikën dhe përmbajtjen e mesazheve e-mail që dërgojnë bankat, kompanitë e sigurimeve, ose kompani të tjera të respektuara. Në këtë mënyrë informacionet e fshehura jepen nga vetë viktima, i cili nuk e ka kuptuar trukun

"Vishing"

Ky lloj sulmi është evoucioni i "phishing" dhe godet ata të cilët e përdorin internetin për të telefonuar me "Voip" (si për shembull skype)

"Zombie"

Është Kali i Trojës (Trojani) që vë në dispozicion të plotë për hakerin, kompjuterin e infektuar, të quajtur ndryshe "zombie". Falë miliona kompjuterëve të tillë, hakerat mund të paralizojnë faqe të ndryshme interneti

G. Shqip