Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: Zemër e dëshpëruar

| E merkure, 27.03.2019, 06:12 PM |


Reshat Kripa

ZEMËR E DËSHPËRUAR

O moj zemra ime, zemër pikëlluar,

Çfarë ke pse rënkon, zemër dëshpëruar?

Unë po  vajtoj, kohën e kaluar,

Kohën e rinisë, kohë hidhëruar.

Atë kohë mizore që ne e jetuam,

Kjo rini e sotme, nuk e ka menduar,

Nuk e ka menduar dhe as e mendon,

Se dikur dhe jeta, varej nga një fron.

Dhe ky fron i lartë,  fron prej perandori,

Ishte nën sundimin vetëm të një horri,

Turma hipokritësh, bënin hosana,

Që të gjithë thërrisnin, rrofsh o Baraba!

Si nuk kishit turp, s’kishit as moral,

Ju, o deputetë, ju intelektualë!

Vallë a s’kishit seder, s’kishit vetëdije?

Jeta njëherë vjen dhe njëherë bie.

Por morali rron, do të rrojë për jetë,

Vetëm kjo dallon, njerëzit e vërtetë,

Atë  po e  humbe, humbur ke gjithçka,

Për ty më nuk mbetet, nuk mbetet asgja.

Ndaj kjo zemra ime, zemër e lënduar,

Gjithë këto kujton, ndaj rri dëshpëruar.

Rri e dëshpëruar, zemër në lëngatë,

Qan edhe vajton, Shqipërinë e ngratë!

Tiranë,  korrik 2004

Dhimbje

Vargu im një pikë loti,

Që kullon nga zemra ime,

Jeta ime kot së koti,

Brenga, dhimbje dhe mjerime.

Dashurova plot pasion,

Me zjarr zemre përvëluar,

Shpirti im sot po kërkon,

Lumturinë e ëndërruar.

Seç luftova për liri,

Desha jetë më të bukur,

Të mos ketë robëri,

Desha të jetoj i lumtur.

Porse rruga ish mbuluar,

Plot ,e hithrra edhe gjëmba,

Mos e prek, është e ndaluar,

Mos e lyp si ta ka ënda.

Ndaj dhe vargu im i ngratë,

Ropanisur, sëkëlldisur,

Mbeti në rrugën e gjatë,

Kur akoma s’kishte nisur.

Dhe kështu vargjet e mia,

Lulëzuan në rini,

Priasnin të lindte liria,

Të shpërthenin përsëri

Tash ajo po lulëzon,

Në çdo skaj për bukuri,

Zemra ime belbëzon,

Për liri për dashuri!

Tiranë, nëntor 2010