| E enjte, 28.02.2019, 08:08 PM |
Atdhe Geci
NJË ÇAST ME TË VËRTETËN
Poet, është koha të kalosh zbrazëtisë
gjithsecili në jetë i njeh të vetët e tij
lojërat mes besimit dhe të vërtetave
i nxjerrin në sipërfaqe dallgët boshe
Figura të liga shtetin po e udhëheqin
me dorën e tyre ata po e shkretojnë
brezi ynë s´mund të jetë më i lumtur,
kur tanët na shkulin e na mërgojnë
Të jemi më mirë unë e kam kërkuar,
idea m´erdhi nga muza dhe realiteti
nga pamundësia për të jetuar në
vendin tim, unë e zgjodha mërgimin
I ndiejë hijet e natës tek shtijnë në
njëra tjetrën, tek vrasin për vrasje dhe
vriten pë të vrarë! Në këtë rrethim
atdheu është humbësi dhe i plagosuri!
Bijë të atdheut të ndarë e të copëtuar
në çdo ditë të vitit tuajtë të detyrojnë
të ikësh e t´mërgohesh nga atdheu yt
mungesa e parasë për bukën e gojës
liderrët në shtet i bënë dhe pushtues!...
Mos qaj vendi im, luftë do të ketë
lirinë ta ka nxirë krimi dhe hajnia
nderin tënd shqiptarë e ke në pazar;
njëri shet Detin e tjetri Çamërinë,
një tradhëti e re po bëhet n´Kosovë!
Atdheu im i nderuar! Unë tani nuk
t´i them të tëra! Por asnjë këngë e
imja nuk shpie kah vdekja. Atdhe,
gjyko dhe zgjidh! Luftë do të ketë!
Është koha, të marrësh një drejtim
ti je Skënderbeu dhe Adem Jashari
je autori që e vetëshkruan historinë!
Do të ketë luftë, dhe do të luftojmë!
me fqinjët që vrasjen e kanë mësim
Por ne do ta mbrojmë vendin tonë
E kemi trashëgimi nga të parët tanë!
Atdhe, kemi shumë mëkate ndaj teje
dhimbjn tënde të heshtur nuk e
kemi lexuar si duhet dhe në kohën e
duhur. Heshtja fjalën na e ka ngrënë
Munguar kemi edhe tek sheshi ynë!
Tek ne nuk pikon vetëm çati e shtetit
tek ne të mbytë zbrazëtia e një dite
pa bukë, pamundësia e shërimit dhe
shkollimit, dhe poshtërimet në vazhdim!...
Dortmund, 2019
P R E S I D E N T I T
Frika më e madhe më vjen nga tanët
Nga të urtët dhe të mirët e armikut
Edhe pse të gjithë jemi bij të zotit,
mbi tradhëti Kosova kullon gjak, për
aq sa tradhëtia palët i ka të trasha
Hej, kush qenke ti që je aq Orakull
dhe në emër të popullit tënd, veten e
quan kryepopull, kërkon publikisht;
Një pjesë e Kosovës t´i jepet Serbisë
Ti o i pa flamur, o i pa himn, o i pa
atdhe, kush je ti që të falësh tokën e
stërgjyshërve, Trepçën Dardane të
Ilirisë, Majën e Malit nga ku i ka
sytë Kosova! Bjeri mendjes faqe zi
dil nga pengu ku e ke futur veten
Kosova s´është tokë e presidentëve,
As e lakejve të tu. Ndërroje adresën
Kosova mallkimin e ka të rëndë!...
Në Serbi Kosova i ka 22 mijë kilometra
katrorë tokë, e jo Gjysmë Presheve,
pak Bujanoc, pa Medvegjë e përtej!
President, mashtrimin tënd se ha as
varri.Janë mijëra këmisha të rënësh
që e mbulojnë Kosovën, President,
ke harruar si puthet kalliri i grurit,
dhe ç´flamur bart kjo fushë e bukës!...
Dortmund, 2019