| E marte, 26.02.2019, 08:05 PM |
Fjala e z. Julian Çefa:
Në Kishen e Shën Palit Michigan, me rastin e vorrimit të Kolec Pikolinit
Zonja dhe Zotnijë, miq dhe dashamirë të Familjes Pikolini !
N’ emen të vllaut Ernestit, djalit Tonit, bashkshortes zonjës File dhe bijave të dashtuna Liljanës dhe Kristinës me familje, Ju falnderojmë përzemersisht per ngushllimet Tueja të sinqerta me rastin e vdekjes së Vllaut, bashkshortit, babës, gjyshit e stergjyshit tonë Kolecit, që aq shumë e deshti jeten, familjen dhe vendlindjen e Tij, të dashtun dhe të paharrueshmen Shkoder Locen tonë.
Ishte viti 1923, pikrisht me 23 Dhjetor kur Nana loke Luçija, leu djalin e dytë Kolecin, I cili bashkë me vllaznit Paloken, Ernestin , motrat Gjyljana e Madalena u rritën me nji edukatë e kulturë katolike qytetare të qytetit vjeter të Shkodres.
Ngjarjet ecnin me shpejtsi të jashtzakonshme: Me 1939 Shqipnia okupohet nga Italia fashiste e mbas saj, nga Gjermania naziste. Ndersa në 1944, Shqipnia e Gencit e Teutës dhe e të Madhit Gjergj Kastrioti, pushtohet nga kthetrat gjakatare komuniste, që mbrenda pak kohe e ktheu Atdheun tonë aq të dashtun në nji kamp perqendrimi të rrethuem me tela me ferra e perde të hekurta tue, i mohue Popullit Shqiptar liridashës lirinë e Atdheut dhe të Fesë, e tue e shpallë Shqipninë tonë: “Shteti i parë ateist në Botë”. Komunizmi shkatrroi Kisha, Xhamija e Teqe, burgosi klerikë të tre besimeve dhe pushkatoi nji numur të madh Klerikësh Katolik, të cilët punuen aq shumë per Fe e Atdhe, dhe mbushi kampet e shfarosjes dhe të perqendrimit me qinda e mija Atdhetarë të pafajshem.
Qeveria komuniste filloi vrasjet dhe arrestimet në masë. Familja e Kolecit si shumë familje të tjera shkodrane e perjetoi kalvarin komunist. Në vitin 1945 i arrestojnë vllaun e madh Paloken, dhe e pushkatojnë vet’ i teti para Bashkisë së qytetit të Shkodres. Nji plagë e pasherueshme u hap në zemren e Nanës Luçia… Baba Marku, vdiq në spitalin e burgut, ndersa vllau i vogel Ernesti, u dënue me 10 vjet burg i pafajshem. Koleci u dënue edhe Ky me 20 vjet burg dhe, mbas pak kohe u dergue në burgun e mnershem të Tiranës komuniste.
Vetvetiu vjen pyetja, pse gjithë kjo urrejtje kunder Popullit të pafajshem?! – Pergjegja asht e thjeshtë: Sepse, Populli Shqiptar kerkonte liri dhe demokraci, të cilen nuk e gëzoi asnjëherë per njigjysë shekulli robni.
Fati I Kolecit ishte i lidhun ngusht me gjithë Shpirtë e me gjithë zemer me Kishen e famshme të Zojës së Shkodres, brij Kështjellës së lashtë Rozafat, e cila e udhëheqë në rrugen drejtë Lirisë në shpetimin e jetës së Tij… Gjatë gjithë kohës, Koleci bante plane dhe mendonte si me ikë nga burgu. Njiditë para se të zbardhte drita shef nji anderr shumë interesante dhe domethanëse të cilen dishroj t’a ndaj me Ju: “Shef anderr se dikush po e ndiqte prej mbrapa dhe, Ky po vraponte neper disa livadhe të pambarim. Ma në fund Koleci mërrijti në disa kodra shkambore të papyllzueme, dhe tue kalue neper nji shteg ku kishte nji kapercyell, pau se toka ishte mbushë me qinda gjarpijsh. Nuk shikonte mbrapa se per Te nuk kishte kthim… Në këte moment Koleci bertiti me za të naltë: “O Zoja e Bekueme, ku je sot per mue?!” Pertej gardhit disa metra mbi tokë, Ju duk nji Grue me t’ bardha tue buzqeshë… “Kaloje gardhin !” I thotë Ajo, dhe Koleci i trishtuem mendonte se mos po e kafshojnë gjarpijtë… “Nuk të hanë, kalo!” I thotë, Ajo persëri… Kur kaloi pertej Koleci, shkeli mbi gjarpij sepse kishte besim tek Ajo Nanë. Kaloi pertej gardhit dhe shikoi mbrapa, gjarpijtë ishin zhdukë!.. Kjau me za sepse Nana Loke, gjithë jeten i kishte folë per Zojen e Bekueme!”
Shpjegimi i “andrres” asht shumë i lehtë: Kur Koleci iku prej burgut, focat e ndjekjes apo gjarpijtë që kemi permendë ma naltë, n’ atë anderr, e ndoqën gjatë gjithë rrugës prej Tirane në Shkoder, derisa ata i humben gjurmët. Mbas shumë vuejtjesh gjatë udhtimit, prej mungesës ushqimit, ujit dhe netëve pagjum, Ai vazhdoi rrugen drejtë Urës së Bahçallekut. Drini kishte shterrë dhe tri shtyllat e urës ishin në zall.
Nepermjet mrinave mërrijti tek shtylla e tretë. Ajo Ju duk shumë e naltë dhe capi nuk mërrinte as sesi në platformen e urës. Vuni kamben mbi dru dhe capi mërrijti tek hekuri mbi shtyllen e urës.
U mundue me gjithë fuqinë që i kishte mbetë, po nji zhurmë misterioze u ndigjue bum, bum, bum…
Në këte moment u ul shpejt perdhe dhe, shikoi rretherrotull po, nuk pau njeri… Në fakt ishte zemra e Kolecit që rrahte aqsa e ndigjonte me veshët e vet. Në këte moment solli kryet nga qielli dhe me za t’ ultë filloi lutjen: “O Zoja e Shkodres, që je pertej kësaj urë n’ Atë Kishë të Kalasë, o më merr n’ atë anë, ose më mbyt në Dri, e vullneti i Yt u baftë!...”
Mbas pak kohe u ngrit dhe afrohet e holli capin mbi hekurin e shtyllës dhe u mundue që të kacaviret, por kot… Koleci kishte dy javë pa bukë as ujë, pra nuk kishte ma forcë… Në këte moment, sjelli sytë nga Kalaja e Shkodres me thirrë në ndihmë Zojen e Bekueme, por Ai.., kishte mërrijtë mbi shtyllen e urës…”
Në librin e Tij “Rregjimi I Hijenave” Koleci, shkruen: “Lexuesi mund të komentojë si të duen, por per mue ishte nji mbrekulli! Ishte pikrisht Zoja e Shkodres që më dha doren per me u ngjitë mbi shtyllë të Urës…” Me vështirsi Koleci mërrijti tek Kisha e Zojës, ku nepermjet nji grues shkodrane e Motra, i pruni teshat e Nanës së vet, brandavekët dhe çarqafin shkodranë dhe me ata hyni në Shkoder i veshun si grue, po i armatosun me livore dhe dinamit. Mbas 31 ditëve udhtim nder male e shkrepa ma në fund e kaloi kufinin dhe doli në Mal të Zi…
Prej natyre Koleci ishte puntor i fortë, dhe punoi elektriçist. Mbas pak kohe mori veten nga arratisja e tij legjendare dhe u njoh me arsimtaren e parë në Malësi, Zonjen File, me të cilen lidhi Kunoren Shenjte. Prej Jugosllavije emigruen bashkë në Belgjikë, mandej në Kanada dhe ma në fund në vitin 1967 në SHBA, në qytetin e njohun Firmington Hills të Michiganit ku, u njohëm bashkë perherë të parë me Kolecin familjarisht… Fëmijët tonë që nga mosha e brishtë u rritën bashkë me nji dashni dhe harmoni të jashtzakonshme, derisa krijuen familjet e veta. Sot Ata janë gjysha e gjyshe me nipa e mesa…
Gjatë kohës që jetoi në Michigan Koleci, ishte shumë aktiv në Komunitetin Shqiptar, e sidomos, Ai kje nji nder nisiatorët e parë per ndertimin e Kishës Katolike Shqiptare të Shën Palit, në Michigan që u ngrit në vitin 1981.
Koleci jetoi jetë të gjatë e të shndetëshme aqsa, të lumtun dhe në mesin e Familjes vet. Bijat e Tij Liljana dhe Kristina i sherbyen me dinjitet Babës së vet të dashtun deri në momentet e fundit të jetës.
Kjofsh mirë n’ Atë jetë të Pasosun, Shok e Mik i dashtun!
Shpirti Yt o Shkodran i Nderuem, pushoftë në Paqen e Perjetëshme dhe të kjoftë i lehtë Dheu i Amerikës!
22 Shkurt 2019.