Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: Hamdi V. Thaçi - Ilir Durmishi – dëshmor i kombit

| E marte, 26.02.2019, 07:29 PM |


NË LLAP NË ÇDO KOHË PATI PËRPJEKJE, SAKRIFICA DHE BETEJA TË PARESHTURA PËR LIRI

Hamdi V. Thaçi “ Ilir Durmishi – dëshmor i kombit- Printing press, Prishtinë, 2019

Nga Milazim F. KADRIU

Historia e Llapit është historia e një krahine shqiptare, e cila tradicionalisht ishte një krahinë kryengritëse. Këtë krahinë, përveç se karakterizohet me trimërinë e burrave të kësaj ane në luftë për t`u çliruar nga zgjedha e robërisë shekullore, e karakterizon edhe trashëgimia kulturore historike në mënyrë të pashkëputur, nga koha më e lashtë e deri më sot.

Kështu e nis autori Hamdi Thaçi monografinë për dëshmorin Ilir Durmishi, të cilën  e ka konceptuar në 16 kapituj (LLAPI GJATË HISTORISË, LËVIZJA ILEGALE NË LLAP , 1945-1990, SHAJKOCI (ALBANIKU)VENDLINDJA E FAMILJES DURMISHI, FAMILJA DURMISHI, GJENEALOGJIA E TRUNGUT FAMILJAR, ILIR HILMI DURMISHI- DËSHMOR I KOMBIT (21 QERSHOR 1967- 02. 12. 1998), ILIRI DHE ILEGALJA, ILIRI NË SHËRBIMIN USHTARAK, HISTORIA E UÇK-SË, UÇK NË LLAP, ILIRI DHE UÇK, RËNIA E ILIR DURMISHIT, DOKUMENTE DHE DËSHMI, BASHKËLUFTËTARËT E ILIR DURMISHIT, DËSHMORËT E LLAPIT, KRIJIMTARIA PËR ILIRIN DHE ALBUM ME FOTO TË DËSHMORIT,FAMILJARËVE … )

Përpjekjet e shqiptarëve  për liri e pavarësi s’kanë pushuar kurrë. Këto përpjekje  u bënë në të gjitha trojet shqiptare, e që Llapi në këtë drejtim u shqua në çdo kohë dhe llapjanët gjithherë  kanë  rezistuar me armë në dorë duke ju dal në ndihmë  edhe krahinave  tjera shqiptare.

Në të gjitha periudhat e vëlimeve dhe trazirave  kombëtare që ishin përpjekje  e gjakime  për çlirim, Llapi ishte gjithmonë aktiv. Andaj me të drejtë thuhet se Llapi gjithherë e mbajti ndezur flakën e lirisë.

Ndjenja e krenarisë kombëtare, shpirti i pa përkulur i njerëzve të Llapit, qëndresa dhe rezistenca e pathyeshme  e tyre ndaj dhunës  së ushtruar nga regjimet antishqiptare nëpër histori na vijnë të prezantuara në këtë monografi kushtuar dëshmorit Ilir Durmishi, të autorit Hamdi Thaçi.

Përkalimet historike nuk vijnë e ikin vetëm duke lënë hijen e pranisë së tyre për një kohë, por lënë dhe gjurmë mbi ngjarje të shënuara, heronj e individualitete që rrezatojnë lavdinë e kohës së vet. Asgjë më mirë se libri nuk e shënon këtë kujtesë vlerash, veçmas kur vepra është ngjizur në ngjarje reale, me një spektër të tërë nuancash emocionale mbi atdhetarizmin e kombit, të cilit i përket.

“ Llapi gjatë historisë “ është kapitulli i parë i këtij libri ku autori lexuesit i sjell një histori të begat për krahinën e Llapit, ku si thotë ai kjo krahinë ka qenë gjithmonë  krahinë kryengritëse. Po ashtu në këtë kapitull flet edhe për periudhën  e viteve 1875-1878 që njihet si KrizaLindore, pastaj për Llapin dhe Muhaxhirët, ku përshkruhet tragjedia e shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit që filloi në dimrin e ashpër të vitit 1877 dhe zgjati deri në fund të vitit 1878, ishte përjetësuar rëndë edhe në krahinën e Llapit. Pastaj këtu bëhet fjalë edhe për  rolin e Llapit në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Në kapitullin e dytë të kësaj monografie bëhet fjalë për Lëvizjen  ilegale në Llap(1945-1990), ku lexuesi ka mundësinë që të njihet me të gjitha lëvizjet atdhetare dhe personalitetet të ndryshme që u angazhuan në këto lëvizje përfshirë këtu edhe demonstratat e vitit 1968, 1981 dhe lëvizje tjera ku rinia dhe popullsia e kësaj krahine gjithnjë ishin të gatshëm për t`i dalë zot atdheut. Aty flitet edhe për Çetën e Llapit të formuar më 26 mars 1989 dhe prijësin e saj Ali Ajeti që ishte formacioni i parë  i armatosur që u përlesh me forcat e okupatorit serbo sllav e që shënonte fillimin e një epoke të re, ku problemi i Kosovës do të zgjidhej me pushkë në dorë.

Në kapitullin e tretë dhe të katërt jepet një letërnjoftim për fshatin Albanik (Shajkofc) dhe për familjen Durmishi, në të cilën familje lindi e u rrit dëshmori  Ilir Durmishi.

Ndërkaq në të gjithë kapitujt tjerë bëhet fjalë për jetën dhe veprën e dëshmorit dhe historikun e UÇK-së, aktivitetin e Ilirit në ilegale dhe inkuadrimin e tij në radhët e UÇK-së në ZOLL.

Siç shihet edhe në këtë libër në periudha të ndryshme  pati një varg aktivitetesh, përpjekje, sakrifica dhe beteja të pareshtura, por sërish në Kosovë  liria mungonte. Dhe kështu liria na mungoi deri në luftën e fundit, luftën e lavdishme  të UÇK-së, kur djemtë më të mirë  të këtij vendi rrokën  armët dhe i dolën në ballë armikut dhe zhvilluan një luftë të drejtë çlirimtare. Se trimat e UÇK-së  bënë luftë të drejtë  e pa edhe bota demokratike  dhe doli në krahun e UÇK-së. Falë luftës heroike të trimave të UÇK-së (pjesë e së cilës ishte edhe  dëshmori Ilir Durmishi) dhe ndihmës së NATO-s sot e gëzojmë  këtë liri. Pra pas një shekulli nënë okupimin serbo sllav, Kosova fitoi lirinë  e shumë pritur e më pas edhe  pavarësinë  me shpresën se një ditë  do të realizohet edhe amaneti i dëshmorëve të rënë për liri, pra të ndodh ribashkimi kombëtar.

Të shkruash për dëshmorët në fakt nuk do të thotë asgjë tjetër, veçse të përkulesh para veprës së tyre monumentale, që është bërë për ne  dhe kështu do të jetë edhe për brezat e ardhshëm shqiptarë.

Dëshmorët e kombit ishin rreze dielli, në qiellin e errët shqiptar. Ata ishin bijtë dhe  bijat e kësaj toke që me heroizmin e vet shkruan faqen më të ndritshme të historisë sonë dhe janë më meritorët që ne sot jetojmë të lirë në Republikën e Kosovës.

Qëndresa, rezistenca dhe lufta e dëshmorëve është artikulimi më i mirë i patriotëve sypatrembur që ruajtën traditën e pushkës nga stërgjyshërit e tyre, duke u bërë vetë vazhdimësia fisnike e dëshmorëve të parë.

Dëshmorët simbolizojnë feniksin e lirisë, që rilind dhe do të rilind nga hiri i tij i shenjtë, në çdo kohë e në çdo cep të Shqipërisë Etnike. Dëshmorët në përgjithësi jo vetëm të luftës së fundit janë dëshmia, krenaria e vula historike e lirisë së Kosovës që na frymëzon për vepra të mrekullueshme historike e letrare.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar një luftë të pabarabartë me një pushtues terrorist e kanibalist, i cili e ka sulmuar Kosovën dhe shqiptarët, me terror e krime në vepër si dhe me urrejtje patologjike në shpirt.

Në raport me të ardhmen, dëshmorët  janë kujtesa më e ndritur e jetës njerëzore, jo vetëm shqiptare ngase liria nganjëherë shprehet si parim universal i jetës njerëzore, që s’do të shlyhet nga qenia kombëtare asnjëherë, janë subjekti i falënderuar fuqishëm në faqet e kohës, janë ditari i së djeshmes, i lexuar me respekt dhe janë bardhësia shpirtërore, morale dhe njerëzore të cilët gjithmonë do të kujtohen me respektin më të madh.

Dëshmorët e UÇK-së në mesin e tyre edhe Ilir Durmishi, i përkasin kësaj kohe të lindur për mundime, heroizëm e mos përkulje. E patën fatin të përgjaken, sepse nuk e pranuan nënshtrimin, tjetërsimin as asimilimin.

Autori në këtë monografi ka pas për ide  që të përjetësoi personalitetin e Ilir Durmishit, ta nderoj veprën e tij dhe ta ndriçoj atë për brezat e ardhshëm që edhe ata ta dinë  sakrificën e popullit që kaloi në këto kohë  deri në arritjen  e lirisë, që nuk ishte aspak periudhë  e lehtë,pa i lënë anash edhe bashkëluftëtarët e tij të luftës e të idealit.

Autori ka arritur që me sukses  të prezantojë një pamje realiste  për dëshmorin Ilir Durmishi, por edhe të dëshmorëve tjerë  jo vetëm të luftës së fundit në Llap e më gjerë.

Portreti i dëshmorit që i kushtohet  kjo monografi përshkruhet fuqishëm me tiparet dhe gjithë  veprimtarinë atdhetare  të tij që deri tani nuk njihej si dhe sa duhet.

Në këtë libër përjetësohet kujtimi për dëshmorin Ilir Durmishi dhe një pjesë e historisë së lavdishme  të Llapit nëpër periudha  të ndryshme  nëpër të cilat kaluam ne si popull, por njëherësh libri ndihmon për të ruajtur energjinë tonë memorizuese  për Krahinën e Llapit e sidomos  për periudhën historike, luftën e UÇK-së që u kurorëzua më lirinë e Kosovës.

Libri i autorit Hamdi Thaçi, kushtuar Dëshmorit të kombit është thurur i bazuar në burime të shumta arkivore, historike si dhe në literaturën e historike për të gjitha periudhat historike nëpër të cilat ka kaluar Llapi . Lidhur me veprën jetësore dhe ushtarake të Ilirit autori, përveç një sëri dokumentesh të periudhës luftarake, deklarata e dëshmi të bashkëluftëtarëve dhe eprorëve të UÇK-së, sjell edhe kujtimet nga familjarët e tij, përmes të cilave zbardhët qëndrimi i vendosur i Ilirit , për luftë deri në fitore ose deri në vdekje. “Tash e kam Orgesin, edhe nëse vritem, nuk është me rëndësi, dikush duhet të vdes!” Në këtë citat pasqyrohet flijimi i vullnetshëm i dëshmorit të lirisë, i cili nuk është personazh letrar, i imagjinuar, ai është personalitet historik, që flijimin e bënë me shumë vetëdije, vetëm e vetëm brezat e rinj të rritën në liri.

Në libër autori sjell edhe një varg dëshmish,faksimile dhe rrëfime të familjarëve  të dëshmorit. Andaj rrëfimet e familjarëve të dëshmorit janë rrëfime që flasin me gjuhën e shpirtit dhe që këto rrëfime  e ndriçojnë  në masë të madhe  jetën dhe veprën e dëshmorit. Ja dy rrëfimet e fëmijëve të dëshmorit :

Dea Durmishi. “Kur dikush me flet për babin, thotë Dea Ilir Durmishi, mundohem ta imagjinoj si do të ishte ai tash. Si do të ishte jeta jonë me të? Sa më të lehtë do ta kishim pasur jetën po të ishte edhe ai me ne?

Orges Durmishi, Të gjithë me thonë i ngjaj atij, babait tim Ilirit. Kur ma thonë këtë fjalë, shumë emocionohem, sepse të gjithë kanë shumë kujtime prej tij, unë –jo.

Rrëfimet dhe dëshmitë e shkruara  dhe ato gojore  e kompletojnë  dhe e fuqizojnë  në masë të madhe  monografinë  për dëshmorin Ilir Durmishi, ndërsa personaliteti i Dëshmorit të Kombit, në këtë rast pra i Ilir Durmishit del i skalitur, ashtu edhe siç ishte , si personalitet historik, tipik luftëtarë i UÇK-së. Ushtarët e UÇK-së kishin një ideal tek i cili  ishte i sublimuar i gjithë guximi , trimëria dhe vendosmëria e luftëtarëve të lirisë gjatë historisë sonë krenare e të përgjakur. Ushtari i UÇK-së është personalitet i ngitur, i vetëdijshëm se robëria në fund të shekullit XX, filli i shek. XXI më nuk durohej, prandaj duhej të luftohej per lirinë si e drejtë e natyrshme e një populli, nëse është nevoja edhe të flijohej, ashtu si thuhej në tekstin e Betimit. Siç shihet në këtë monografi Iliri do ta mbaj betimin e dhënë dhe do të flijohet për lirinë e kombit të vet.

Një histori e shkurtër por e pasur është paraqitur nga autori edhe për dy bashkëpunëtorët e rinisë së Ilirit, Hyzri Talla dhe Afrim Maliqi. Autori , me kujdes u len vendin meritor këtyre dy bashkëluftëtarëve të Iliri, me të cilët Ilir Durmishi , pjesën më të mirë të jetës e bëri bashkë me ta, duke bërë edhe vdekjen bashkërisht. Pra , edhe pse monografia i dedikohet dëshmorit të kombit Ilir Durmishi, portreti i eprorit të UÇK-së, Hyzri Tallës dhe bashkëluftëtarit Afrim Maliqi, treshes së ilegales, dalin si të plotë dhe të fuqishëm ashtu real si ishin. Autori nuk i ka vënë pikën e fundit përshkrimit të  jetës dhe veprës së këtyre luftëtarëve.  Ai vetëm e ka hapë rrugën për një studim më të gjerë për ta.

Dëshmorët vijnë në të sotmen dhe do të kujtohen në të nesërmen. Nderimi është për të kaluarën, respekti për të sotmen dhe të ardhmen.

Libri ofron edhe dëshmi për mbrojtjen e vlerave të luftës së drejtë çlirimtare, të luftës të cilën e imponoi dhuna shekullore që u ushtrua mbi këtë popull.

Se dëshmorët janë burim i krenarisë dhe i lavdisë kombëtare, realitet madhështor dhe inspirim për krijuesit e ndryshëm, kjo dëshmohet edhe me këtë rast ku një kapitull i librit përfshin  krijime letrare përkushtuese kushtuar Ilir Durmishit nga autor të ndryshëm. Në këto krijime sajohen  imazhe artistike, artikulohet me mjeshtëri përshkrimi i figurës së dëshmorit, nga secili nga autorët në mënyrën dhe mundësinë  e tij krijuese.

Librat e tillë e mundin harresën për të kaluarën, e sidomos për luftën e lavdishme të UÇK-së. Librat e shkruar për dëshmorët   ua sigurojnë atyre dëshminë e përjetësisë së tyre e me këtë rast ky libër këtë ia siguron dëshmorit Ilir Durmishi.

Me leximin e këtij libri  krijohet përfytyrimi për heroizmin, atdhedashurinë, virtytet, trimëritë e dëshmorit Ilir Durmishi por edhe të shumë dëshmorëve tjerë dhe atdhetarëve  me përmasa kombëtare  të Llapit e më gjerë.

Autori në këtë libër ka përdorur  një gjuhë të kuptueshme për lexuesin, ka ruajtur  origjinalitetin e rrëfimtarëve  dhe burimeve tjera  ku e ka vjelur materialin e që kanë një rëndësi  historike. Libri është i pajisur me një akribi të bollshme burimore shkencore të evidentuar  me referenca si dëshmi autentike për një libër shkencor.

Andaj kjo monografi e Hamdi Thaçit, kushtuar dëshmorit Ilir Durmishi, u bashkohet librave tjerë të historisë së UÇK-së që janë thesar i Luftës Çlirimtare të Kosovës.