Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: N'tregun e së dielës

| E hene, 25.02.2019, 09:14 PM |


N'tregun e së dielës

Nga Blerim Rrecaj

Tregu i automjeteve ose ai që njihet me emrin "pazari i kerreve" gjendet në zonën e ashtuquajtur industriale në mes kryeqytezës dhe kryeqytetit, zonë kjo e kontestuar për shkak se secila nga këto dy vendbanime që kanë ngritur kryet përpjetë pretendojnë se kjo pjesë u përket atyre. E, ja kështu fjalët e lartpërmendura mund ta vënë në pah një temë "shumë të rëndësishme", për të përhumbur sadopak shkaqet e pasojat e moszhvillimit ekonomik, e derivateve tjera të mjera që rrjedhin nga kjo. Sidoqoftë do flasim paksa se si e pamë funksionimin e këtij tregu, në të cilin pos veturave të ekspozuara ka dhe ekspozime të gjërave të ndryshme. Dikush para një kamionete ka "hedhur" mobilje e kuzhina në trotuar, një tjetër thasë me drithëra, si misër, grurë, thekër e tërshërë dhe këta janë para udhëkryqit të rrugës ku fillon kjo lloj hapësire tregtare, në zonën e kalamend industriale. Më pas në dy anët e rrugës drejtvizore ka arra, fara, kikirikë, qe e këlyshë, papagaj e zogj nëpër kafazë, peshq, pula e knojsi, qura e qurana, pata, çajra, djathra, të veshura e të mbathura e fidane pemësh a drunjësh zbukurues, punime druri e gjëra të tjera. Sot, ditë e kthjellët por e ftohtë, plus po fryen era. Pas rrugës së asfaltuar tregu është i sheshtë, me ca udhë si dhiare nëpër të cilat ecin vizitorët e këtij tregu nën qiellin e hapur të kësaj të diele e cila më pas do ta presë të dielën tjetër. Vështrimet vërejnë telefona të vjetër shtëpikakë, kasetofona të kushedi e sa dekadave më parë, monedha të vjetra të artificiales famëkeqe ish-Jugosllave, disqe e zëra e tinguj të muzikës folklorike, disa gjëra duket se presin ndonjë regjisor a skenograf për ta ilustruar ndonjë pamje të një kohe të shkuar, me anë të këtyre mjeteve që mund të na zhysin në të ashtuquajturën makinë e kujtesës. Nëpër tokë a nëpër tezga ka lloj-lloj xhingla-minglash, të stërvjetëruara, zinxhirë të tejndryshkur që kushedi se për çka mund të hyjnë më në punë. Ka këpucë, biçikleta e goma biçikletash, vegla pune e aparate e rraqe e rraqe e rraqe. Ka libra nëpër paketa e të ekspozuara, të puthitura përtokë, të mbuluara jo vetëm nga pluhuri i shkuar por dhe nga pluhuri i kësaj kohe. Diku do tenda ku piqen produkte skare e para tyre disa pula i rrotullon një i ri, duke i pjekur në hell. Vazhdojmë të endemi të habitur e të çuditur nga ky ambient, që herë-herë i ngjan ndonjë kampi a tregu refugjatësh, nga ata që kemi parë, a na ka rënë për të lexuar. Ndonjëri nga fëmijët del i përlotur nga ky treg, pasi kërkon ndonjë pëllumb, papagall, zog e këlysh, e prindi i përgjigjet, ec, more ec, po ku mbahen shpezë e kafshë në banesë. Dhe vazhdon bashkëbisedimi me dozë kundërshtimi derisa përhumbet nëpër turmën e njerëzve tjerë, ca me qese nëpër duar e të tjerë duke folur e kuvenduar. Duke parë bashkëveprimet mes shitësve e blerësve, e edhe gjëra të tjera, si një konflikt të shkurtër gjelash, e duke ndjerë erën e rëndë të pulave të therrura, dalim nga ky treg, sikur të dalim në një tjetër jetë, në një tjetër kohë, në një tjetër botë...