| E diele, 24.02.2019, 03:36 PM |
Kujdesi me fjalët dhe mendimet e kompresuara në poezitë e shkurtra karakterizojnë “Në secilën dritë pak hije’’
Pasthënie për përmbledhjen me poezi “Në secilën dritë pak hije’’ të Anton Markut (IWA Bogdani, 2019, Prishtinë)
Nga Prof. Dr. Jeton Kelmendi
Arti në përgjithësi, e veçanërisht arti poetik paraqet primesa elitash, prandaj ka shumë persona që shkruajnë poezi, ndoshta është fusha që më së shumti ka konkurrencë. Anton Marku e ka para sysh këtë çështje, prandaj e mendon mirë shkrimin e tij, e mat me kujdes dhe e thotë me konsideratë. Thjeshtë është i kujdesshëm me secilën fjalë, me secilën poezi, ndërsa ndërton fjali të shkurtra me mendime të kompresuara. Kësi soji mund të konsiderohet se hyn në grupin e poetëve që përpiqen të shkruajnë pak dhe të thonë shumë. Në letërsinë shqipe kemi disa autorë, të cilët e kishin dhe e kanë ketë formë të shkrimit si model dhe këtu duhet potencuar se Ali Podrimja ishte ai që shkruante shkurt dhe thoshte shumë. Poeti Marku mbi këtë koncept nxjerr nga vetja e tij unin e vet dhe origjinalitetin poetik, duke shkruar shkurt, madje me një pedanteri dhe pa e tepruar me shprehje dhe fraza patetike siç bëjnë disa militantë që duan me zor ta shkruajnë poezinë.
Tematologjia e Anton Markut
Është një larmi temash me të cilat krijon botën e tij poetike, teksa dominojnë temat përkushtuese ndaj personaliteteve të kulturës dhe historisë kombëtare, gjë që dëshmon se poeti është person i dashur dhe i afërt me të tjerët. Ai din ta do vendin e tij, ngase vërehet se ka një përkushtim suptil dhe me kujdes shkruan, për t’i sjellë ‘pranë’ vetës dhe lexueseve të tij vendin e vet me begatitë që ka atdheu. Tek poezitë përkushtim për personalitetet kombëtare, Poeti Marku shfaq një talent ndoshta më të madh dhe atë duke krijuar personifikime për personazhet, me qasjen që kishin ata në fushat e tyre të veprimit dhe duke ju dhënë fuqi drithëruese, gjithnjë me fjalë të zgjedhura dhe kujdes në shprehjen e tyre. Anton Marku është ndër ata krijues që nuk shkruan shumë në sasi dhe as në fjali nuk ndërton mendime të gjata dhe kjo nuk e bënë autorin më të pasigurt, për rrugën e tij, por i jep atij vizionin, ndjenjë dhe mendim. Jeta e secilit njeri ka kuptim nëse ajo jetohet sipas asaj që e donë njeriu, dhe kur bije fjala për jetën, nuk mund të i iket as kësaj teme. Ai i shkruan jetës, madje jo vetëm tek poezitë dedikuar drejtpërdrejtë dashurisë dhe segmenteve që ngërthen jeta, por edhe tek shumica e poezive, me tematikë të ndryshme, sepse hapërojnë nëpër vargjet e tij elemente që sendërtojnë jetën në forma dhe parametra të qasjes mbi parimin e asaj që poeti e do, ose do të donte ta kishte sipas një dëshire të caktuar. E meqenëse poezia është art që dinë dhe mundet t’i shpërfill rregullat dhe kodet e shkrimit, edhe leximi i poezisë për mua është i kësaj natyre, prandaj unë kështu e lexoj poezinë e Anton Markut, i cili ka krijuar një nivel dhe qasje të konsoliduar në ketë gjini letrare.
Duke pasur në duar dhe lexuar edhe librin paraprak të Anton Markut, e kisha pak a shumë idenë se për çfarë niveli të poezisë bëhet fjalë, prandaj edhe pranova që edicioni i botimeve ndërkombëtare “IWA BOGDANI”, ta botoj këtë libër me poezi, dhe kritika të merret me këtë autor, sepse paraqet vlera letrare dhe artistike. Disa nga krijuesit, sot përpiqen të shkruajnë me një qasje osciluese temash dhe konstruktesh poetike, të cilat konsiderohen si pos-moderniste, me çka jo rrallë herë arti në poezi nuk po na sjellë vlera të mirëfillta. Poeti Marku për mua mbetet poet modern, për çka i mjafton të jetë poet i mirë, mbase edhe këto duket të jenë ambiciet e autorit.