| E diele, 24.02.2019, 02:16 PM |
Faqeziu
I ziu faqeziu, ngërdheshej në errësirë,
Nesër kur të zbardhë, do të dukem më mirë.
Mikut dhe shokut, faqen i kam nxirë.
Sa munda shpifje, kam thënë që pa gdhirë.
Se ndër më të mirët, unë jam më i miri.
Paqe po kërkoj, me një degë ulliri,
Në kokë më takon kurorë floriri.
Nuk më besoni? Jam “shejtan mulliri”!
Ç’po vuan çdo ditë, e ngrata pasqyrë.
Kot lodhet të zbardhë, të zezën fytyrë,
Se thellë në shpirt e keqja ka hyrë,
Ç’sapun e pastron, surratin me ngjyrë?
Ç’është kjo sëmundje, e ndyrë dëshirë,
Ndër veset e njeriut, ves i pështirë.
Kur e ke përballë, lëvdata kanë mbirë.
Pas shpine sharjet, janë mall i lirë.
I ziu faqezi, e vret të vërtetën,
Me ujë të fëlliqur, e ndot dhe kënetën.
Nuk e le dot huqin, kështu e gris jetën,
Me blozë qymyri, e ka nxirë fletën.
Kadri Tarelli
Durrës më: 22, të shkurtit, 2019