| E enjte, 25.09.2008, 07:51 PM |
Një letër e papublikuar e Don Mikel Tarabulluzit
Sarë Gjergji
Çka i shkruan ai Konsulatës Austro-Hungareze në Shkup, me datë 22 prill 1912?
(botohet për herë të parë, në vigjilie të manifestimit “Takimet e Don Mikelit 2008)
Nga Sarë GJERGJI
Janë qindra dokumente të ruajtura në arkivat e Vjenës, që botohen në vigjilie të manifestimit “Takimet e Don Mikelit” e, që flasin jo vetëm për funksionimin e shkollës në Stubëll, por edhe për situatën e përgjithshme politike e sociale në Kosovë. Më këtë rast po publikojmë një letër të Don Mikelt Tarabulluzit, drejtuar Konsulatës Austro-Hungareze në Shkup, datë 22 prill 1912.
Në këtë letër pasi që shpreh keqardhjen për transferimin e tij nga Stublla në Prizren, pas shtatë vite e dy muaj shërbim në këtë fshat, Don Mikeli, me fjalë shumë miradije flet për konsulin Para, i cili me aktivitetin e tij gjithnjë operativ dhe me një zell të flakët e me një simpati të veçantë për këtë komunitet shqiptar (stubllasit, vër. S.Gj.), jo vetëm që kishte ideuar, por edhe i kishte propozuar të nderuarit Kuria, pranë Ministrisë së Arsimit e të Kulturës të qeverisë Austro-Hungareze, të gjitha nevojat e shkollës së Stubllës, duke e mbështetur atë në vazhdimësi edhe me mjete financiare. Dyzet nxënësit e kësaj shkolle, falë mbështetjes austro-hungareze, sot vazhdojnë arsimimin e nevojshëm për një jetë të denjë shoqërore, shkruan Don Mikeli. Siç shihet në këtë letër, Don Mikeli, si të thuash ishte i dashuruar në Stubllën, prandaj dhe shkruan se me vullnetin e Zotit po niset nga Stublla, por që aty i mbetet tërë afekti i tij, zemra e tij: “Nuk mund të harroj, nëse kështu mund të shprehem, bijësinë e parë të dashurisë sime. Është ky vend ku kam vuajtur shumë, ku kam derdhur shumë djersë dhe kam shpenzuar vitet më të bukura të jetës sime. Prandaj është më se e arsyshme që unë të jem kaq i lidhur me këtë famulli time të dashur, që në një kuptim mund ta quaj e tëra e imja e, që kurrë nuk do ndalet në rrugën e progresit. C’mendoj për të është se edhe nga larg përpiqem për të mirën dhe favorizimin e progresit”, shkruan Don Mikeli. Pasi që i lutet kësaj konsulate për ndihmë të mëtjeme për shkollën dhe famullinë e Stubllës, në mënyrë që famullia-shkolla të mos mbetet pa prift (mësues, S.Gj.) e nxënës, ai shprehet i bindur dhe i sigurt që Stublla do kalojë e qetë e do rritet fuqishëm dhe me lavdi do ta arrijë cakun më të lartë.
Në një letër tjetër, drejtuar Konsulit Bohumil Para, datë 29.01.1906, Don Mikeli, pasi që i shtron atij listën e nevoja për shkollën e Stubllës (si: një hartë gjeografike, një makinë shkrimi me letra shtypi, një numratore, fotografi të kafshëve shtëpiake, 50 tabela me vija për të shkruar etj.etj.), ai flet edhe për mbarëvajtjen e kësaj shkolle. “Me shumë kënaqësi ju njoftoj se progresi i përditshëm i kësaj shkolle (në Stubëll, S.Gj.) është gjithnjë e më i dukshëm dhe nuk le asgjë për të dëshiruar; gjithçka shkon më së miri. Frekuentimi i shkollarëve që mbërrin në nr. 42 (25 meshkuj dhe 17 femra) është i përditshëm dhe i rregullt dhe rrugëtimi i tyre për arsimim është i tillë, një mrekulli, çfarë rrallë mund të shihet gjetiu. Prandaj mund të konfirmoj se shkolla e përmendur e Stubllës, e bërë me shumë dashuri të kultivuar, me vullnet dhe durim në kohën e saj, them se do të japë fryte të mëdha”, shkruan ndër të tjera Don Mikel Mësues Tarabulluzi.
Janë dhe shumë e shumë dokumente të tjera që flasin për funksionim e kësaj shkolle, për mbështetjen nga Austro-Hungaria, me mjete mësimore, libra, inventar e mjete financiare.
Prandaj, unë sot si një qytetar i padenjë i Stubllës i shpreh mirënjohjen më të thellë, shteteve trashëguese të Austro-Hungarisë dhe mësuesit të zellshëm e patriotit të madh Don Mikel Tarabulluzit, përndryshe bashkëpunëtori më i ngushtë i Idriz Seferit.