| E merkure, 23.01.2019, 08:35 PM |
Vëllezërit Demaj: Mentori, Osmani, Emini
NË HEILBRONN U MBAJT - E PAMJA - PËR HEROIN IZET DEMAJ
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Familja Demaj, në bashkëpunim me Bashkësinë Gjithëshqiptare në Heilbronn të Gjermanisë, organizuan - Të Pame -, në përkujtim e nderim të Izet Demaj, Hero i Kosovës, i flijuar në krye të detyrës policore, në Istog.
Është në traditën gjithëshqiptare nderimi i atyre që rrezikohen dhe flijohen në mbrojtje të rendit, të ligjit, të qytetarëve, të pronës shtetërore, shoqërore e private. Këtë e dëshmoi edhe - E Pamja -, e policit të vrarë, në krye të detyrës të heroit Izet Demaj. Fluksi i njerëzve ngushëllues, ishte numerikë dhe unik, duke filluar nga mëngjesi e deri në buzëmbremje. Salla e madhe pritëse, gjithnjë e mbushur, veçsa bëhej ndërrimi i njerëzve, i bashkatdhetarëve tanë, të cilët e përjetuan rëndë vrasjen e policit Izet Dermaj, Hero i Kosovës.
Në ballorën - Pamore -, vëllezërit Emini, Mentori dhe familjari i tyre Osman Demaj. Djathtas tyre, menaxhuesit -e Pamjes -, veprimtarët e Mërgatës Idriz Zeqiraj dhe Cenë Berisha. Në një kënd të sallës, një tavolinë, me fotografinë e Izet Demaj dhe libri i përkujtimeve.
Pamje nga salla, Hafiz Gagica me shokë
Në dy anësorët e sallës kishin zënë vend pritësit. Këshilli i Qendrës Kulturore në Heilbronn, me kryetar Abaz Imerin, i cili, njëherësh është edhe ushtrues i detyrës të kryetarit të Degës të LDK-së, në Gjermani, Skënder Alimetaj, Bedri Kryeziu, Shkëlzen Gashi; nëpunësi komunal në Heilbronn dhe veprimtar i komunitetit shqiptar, Isuf Fetahaj; veteranët ushtarë të Jusuf Gervallës: Mehmet Kokaj, Ahmet Kolgeci, Sefer Zeqiraj; vëllai dhe djali i heroit Sali Çekaj, përkatësisht, Smajli dhe Hyseni; djali i heroit Smajl Hajdaraj, Blerimi; kryesia e Shoqatës "Atdheu" në Schabischhall: Tahir Buçolli, Halil Zemaj, Ibrahim Ukhaxhaj me shokë.
Në pjesën e pasme të sallës ishin disa dhjetra mërgimtarë, nga të gjitha trevat e Kosovës. Ndërsa në koridorin dhe pritjen e jashtme, dominonin familjarët dhe vrellarët e shumtë.
Moti i përkeqësuar në Gjermani, me borë dhe diku me shi të vazhdueshëm, nuk pengoi mërgimtarët, për të bërë udhëtime të gjata, deri në 1.000 kilometra, ardhje-kthyese. Të largëtit, të nisur në agun e ditës, për t`u kthyer në muzgun e dimrit. Ende më larg, kishin ardhur nga shtetet fqinjë me Gjermaninë, për ta nderuar aktin trimëror të heroit Izet Demaj si dhe për të ndarë dhimbjen me familjen Demaj.
Kryesia e Shoqatës "Sali Çekaj", në Bavarinë gjermane, e prirë nga kryetari Osman Ferizi, me anëtarët e kryesisë Shemsi Haziri, Ardian Ndreka nga Zadrima e Lezhës, Afrim Mulaj, me shokë, ishin ndër të parët, të cilët ngushëlluan Familjen Demaj, për ushtarin e Kosharës, më vonë policin e Istogut, Izet Demaj. "Kur është fjala për djemë, si Izeti, largësitë shkurtohen e afrohen. Rënien në krye të detyrës të Izetit, e kemi përjetuar rëndë, si të një anëtari të familjes, sepse ishte një rënie trimërore, në përballje me krimin. Pra, ishte rënie heroike",- tha Osman Ferizi, shoku i armëve të heroit Sali Çekaj.
Nga e majta: Haxhi Rrahman Lajçi me shokë
Mërgata shqiptare udhëhiqet nga shprehja-porosi e Presidentit Rugova se "shtëpia pa miq nuk mbahet". Andaj, kryesitë e Shoqatave apo të subjekteve politike, janë pjesë aktive në -Pamjet -, të cilat i hapin anëtarët e tyre, për familjarët e humbur. Ata qëndrojnë përgjatë tërë ditës në pritjet-ngushëlluese.
Edhe këtë herë, nderuan me praninë e tyre kryetari i parë i LDK-së në Gjermani dhe Diasporë, Hafiz Gagica me shokë, si: profesor Emrush Lokaj, Emrush Çeku, poeti Mentor Thaçi, Nezir Fejzaj, gazetari dhe mjeshtri i kudondodhur i kamerës, Halil Rrustemaj, fotografi i talentuar Reshat Murati dhe të tjerë. Zotëri Gagica, mik i Familjes Demaj, në mes tjerash, tha se " e kam njohur Izetin, në raste ngushëllimi në famijle në Vrellë. Aty i kam dëgjuar edhe vlerësimet e komandantëve elitë të Kosharës, për trimërinë e IzetIt në luftë. Dhe, titulli suprem, - Hero i Kosovës -, i akorduar nga Presidenti i vendit, për Izet Demaj, e bën atë pjesë të historisë kombëtare, madje, në përjetësi".
Shoqatat shqiptare, që veprojnë në Republikën e Baden Würtenbergut, vinin me shumësinë e anëtarëve të tyre, të prira nga kryesitë përkatëse, Xhafer Leci, Taxhedin Bakiu, Selami Morina, të Shoqatës "Kadri Zeka", në Kirchheim Tek. "Reagimet, qasjet ndaj vdekjeve ndryshojnë. Masiviteti, shprehja e dhimbjes kolektive, për heroin Izet Demaj, flet shumë. Kjo është vet lavdia e tij", - tha, veç tjerash, Xhafer Leci, nga oxhaku i familjes pleqnare të Gëmicës së Dardanës. Shoqata "Bardhosh Gërvalla" në Ludwigsburg, e kryesuar nga Bedrush Nezaj; klubi futbollistik "Drita", i kryesuar nga Enver Musliukaj, Xhevdet Pajaziti, Afrim Sylejmani, Nazim Bajraktari; udhëheqësi i grupit valltar, Arsim Lokaj; Qani Rexhepi drejtor i Radio-Drita; Nazim Bajrami nga Shoqata në Sinsheim.
Nga e majta: Xhafer Leci, Taxhedin Baholli me shokë
Mërgimtarët vinin për ngushëllime në grupe të mëdha. Nga Drenica Fahri Dervishi me shokë; grupi tjetër nga Llapi, i kryesuar nga Rexhep Muçolli, nipi i luftëtarit të njohur Mustafë Hoxha; grupi nga Mitrovica i kryesuar nga Shaqir Imeri, nga Shala e Bajgorës me Bali Imerin; nga Presheva Fadil Hasani, nga Gjakova Isuf Deliaj, invalid, nga Shtutgarti Isa Turkaj.
Nga LDK-ja e Rheinland Pfalzit Lush Cana e Ibrahim Rexhaj me shokë; tri grupet e madha nga Ludwigshafeni e Mannheimi, të prirë nga Metë Krasniqi, Fazli Ahmetaj e Elez Bicaj; grupe mërgimtarësh të prira nga veprimtarët, si ish i burgosuri politik profesor Hasan Ukhaxha, juristi Elez Berishaj, Sadri Lata, Zekë Maçi, Avdyl Ismaili, Maliq Berisha, Musli Syla, Tahir Halilaj, Ramadan Latifi, Hasan Alihajdaraj, Bekim Imeraj, Faik Fekaj, Hajdar Alihajdaraj si dhe shumë grupe tjera, të cilët u fiksuan nga kamera e Gani Kryeziut, por, që nuk arritëm t`i shënojmë emrat e tyre. Rast i rrallë, kur grupi prej një duzinë njerëzish, të gjithë të panjohur nga pritësit! Hapësirë e madhe Gjermania.
Pleqnari i njohur në të gjithë hapësirën shqiptare, Haxhi Rrahman Lajçi, i ardhur nga Kosova, krenar për jetën e veprën e heroi Izet Demaj dhe solidaritetin shqiptar, dha mesazhin e paqes ngushëlluese.
Rrjedhimisht, në të - Pamen -, e organizuar në Heilbronn të Gjermanisë, për policin e vrarë në krye të detyrës, Izet Demaj, Hero i Kosovës, u përfaqësua i gjithë kombi shqiptar: Dukagjin, Drenicë, Llap e Gollak, Anamoravë e Karadak, Preshevë e Iliridë, Shqipëri, Malësi e Sanxhak.
Nga e majta: Cenë Berisha, Abaz Imeri, Emin Demaj, Bedri Kryeziu
Bashkëluftëtarët e Izetit, oficer Shpend Shala, Isuf Qetaj, Fahri Dervishi dhe të tjerë, evokuan kujtimet nga lufta në Koshare; të tjerët rrëfyen për përballjen me bandat e haraçit, së bashku me Kosovë Zeqiraj dhe djemë të tjerë. Bandat e pas luftës, nën maskën e "çlirimtarëve", filluan zhvatjen e dhunshme të bizneseve në Kosovë dhe sidomos në Dukagjin.
Idriz Zeqiraj, në emër të Familjes Demaj, falenderoi mërgimtarët në Evropë dhe Amerikë, për gadishmërinë e shprehur, për ta ndihmuar Familjen e ngushtë: nusen Arditë dhe vajzat njomëzake: Erza dhe Valza të Izet Demaj. Por, Familja e gjerë Demaj, apeloi, madje, publikisht, se mërgimtarët duhet të mjaftohen me solidarizimin në dhimbjen tonë, sepse Institucionet shtetërore kanë marrë përsipër përkujdesjen financiare për Familjen.
Në përmbyllje të - Pames -, vëllai Emin Demaj, "në emër të familjes, falenderoi dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë ata, që na ngushëlluan me praninë fizike; ata që na shprehen ngushëllime përmes mjeteve elektronike; si dhe të gjithë ata, që u bënë pjesë e dhimbjes të Familjes tonë. Në gëzime jua kthefshim!"
Lavdi jetës dhe veprës të heroit Izet Demaj!