| E marte, 23.09.2008, 08:44 PM |
Futbolli dhe tanket e verës së Pragës 1968
Nga Giovanni Armillotta, “Affari Esteri”
Në verën 1968 futbolli duhej të përballonte një krizë tingëlluese ndërevropiane, së cilës diplomacitë e kontinentit do t’i blatonin disa rrotullime valceri, që sot, për shkak të kohës që ka kaluar, askush nuk i kujton më, por që dje në mënyrë patetike përpiqeshin të fshihnin shumë prej vetëdijes së përbashkët mass-mediatike.
Pushtimi i Çekosllovakisë prej forcave të Paktit të Varshavës përfaqësonte qartë shkallën e gjërë të zbatimit praktik të teorisë brezhnieviane të “sovranitetit të kufizuar”. Perëndimi në operacionet ushtarake të ditëve që do të vinin, do të merrte qëndrime jo gjithmonë të njëzëshme.
Por përtej komunikatave zyrtare të diplomacive, të qëndrimeve qeveritare, të manifestimeve dënuese (në thelb të vetë mëdyshjeve të llogaritura të partive komuniste të Perëndimit) dhe të pafuqishmërisë së organizatave ndërkombëtare, një aspekt i vetëm i detyroi vendet e kontinentit të mbajnë qëndrim, dashtë ose padashtë, në ngjarjen e rëndë në mënyrë formale dhe stacionare: gjurmimi midis politikës dhe sportit.
Qysh në vitet ’30 ky gjurmim ka krijuar situata objektive të një mospërputhjeje (Austria e pushtuar nga Gjermania më 1938 në prag të Kupës së Botës), por të një zgjidhjeje të shpejtë në krahasim me kohët e zgjatura të diplomacive dhe zyrave ministeriale kompetente. Rasti në fjalë, përkundrazi, është i veçantë në krahasim jo me çështjen e ngjarjes politiko– sportive të kontekstit të dhënë, por me vlerësimin e vetë tre kupave të mirënjohura për të gjithë Shtetet evropiane: Kupa e Kampioneve, Kupa e Kupave dhe Kupa e Qyteteve Panaire (sot UEFA), sepse edicioni 1968-69 përzihesh krejtësisht me tanket e Pragës.
Dhe vërejmë se diplomacia italiane, edhe në këte rast përshtat një qëndrim të qartë, absolutisht pa oportunizma dhe takticizma, në kundërshtim nga ai i kancelerive të Shteteve të tjera të kontinentit.
Për shkak të pushtimit të Çekosllovakisë prej ushtrive të Paktit të Varshavës më 20 gusht 1968, UEFA parapëlqeu të anulojë shortin e kryer më 10 korrik dhe të pilotojë më 30 gusht një short të dytë, duke sajuar dyshe në 1/16-tat pothuajse të të gjitha skuadrave të Evropës Lindore, me përjashtim të shteteve që do ta dënonin pushtimin (Shqipëria dhe Jugosllavia) ose të atyre që nuk bënin pjesë (Rumania) në qerthullin sovjetik.
Dinakja Albione
Reagimi i parë në kuadrin sportiv shënohet me nismën e Danimarkës, Norvegjisë dhe të Suedisë, të cilat më 22 gusht informojnë për “tërheqjen prej të gjithë garave olimpike në të cilat sportistëve të tyre do tu duhej të matnin forcat me ata sovjetikë”.
Ishte fjala për manifestimin e madh të Lojërave XIX Olimpike në Meksiko, që do të zhvilloheshin në tetor 1968, ndonëse më mbas, të tre këto shtete do ta tërhiqnin kërcënimin e tyre.
Njëzetekatër orë më vonë e kishte rradhën Britania e Madhe. Celtic Glasgow, një prej dhjetë skuadrave të NATO-s, të cilën shorti i parë e kishte caktuar të luante me pushtuesit e Traktatit të Varshavës – i telegrafon UEFA-s kërkesën për të anuluar takimin me Ferencvarosh të Budapestit “për shkak të sulmimit të Çekosllovakisë nga ana e trupave sovjetike, hungareze, gjermanolindore, bullgare e polake”, dhe se “Celtic nuk pranon që skuadrat e Evropës Perëndimore të ndeshen me skuadra të cilat i përkasin pesë shteteve pushtuese”.
Në të njëjtën ditë Leeds United - i cili duhej të luante ndeshjen fundore të kthimit të Kupës së Panireve kundër Ferencvarosh - kërkon vetëm moszhvillimin e ndeshjes në Hungari (kishte fituar në fushën e vet 1-0) dhe natyrisht jo (me kupën tashmâ në dorë) – një tërheqje për solidaritet.
Manovra dinake britanike – bën të caktohet një kundërshtar më i pranueshëm për Celtic (skuadra jo e fuqishme e asokohe, ajo e francezëve të Saint Etienne, të mposhtur në Skoci 4-0) dhe fitimin e Kupës së Panaireve 1967 (11 shtator) prej Leeds-it, mbas një barazimi pa gola në kryeqytetin e njërit prej pesë “të këqijve” (Leed United - Ferencvarosh Budapest, 1-0 dhe 0-0 në kryeqytetin hungarez). Një mësim i bukur realizmi, karshi botës dhe vetëdijës së pafajshme të secilit.
Përsa i përket qëndrimit politik të skuadrave të veçanta, detajuar prej qeverive përkatëse, vjen dëshmia e nënpresidentit të asokohe të UEFA-s, Artemio Franchi, i cili më 31 gusht 1968, të nesërmen e shortit të ri, konfirmon se: “Norvegjia, Danimarka, Suedia, Holanda dhe Belgjika kishin deklaruar që për shkak të qëndrimit qeveritar nuk do të mund të zhvillonin ndeshje me Shtetet e Lindjes evropiane”.
Franchi nuk saktëson ndërkaq, se një qëndrim i tillë kishte të bënte me garat zyrtare, sepse në ato jozyrtare skuadrat ishin të lira që të vepronin ashtu siç mund të ishte më mirë për ta.
Në të vërtetë, Kupa e Panaireve 1968-69 dha një fytyrim (imazh) të përsosur të skemës së dy peshave dhe të dy masave të ndryshme. (Komiteti organizator i Kupës së Panaireve konfirmoi shortin e mëparshëm, në kundërshtim me vendimin e UEFA-s). Ajo i dha rrugë më 10 shtator 1968 dhe u kështu u pa të luanin midis tyre skocezët kundër bullgarëve, gjermanolindorët kundër skocezëve dhe belgët kundër polakëve.
U regjistrua madje edhe dueli i pamungueshëm anglo-hungarez, i fituar prej hungarezëve në një të katërtat, por që mandej trofeu iu dha përfundimisht një skuadre britanike në kthimin e ndeshjes fundore të 11 qershorit 1969, ndaj një tjetre skuadre të kryeqytetit hungarez (Newcastle United – Ujpest 3-0, 2-3).
Ndodh ndërkohë që midis dorëheqësve të dukshëm, përjashto nderin e Danimarkës, e cila e dorëhoqi skuadrën e saj nga gara, të bashkohet me gjestin danez edhe Luksemburgu.
Qëndrimi italian për këto zhvillime
Mbas dorëheqjes formale të Danimarkës dhe të Luksemburgut bashkohet me ta edhe Zvicra, e cila deri në atë çast kishte mbajtë një qëndrim të baraspeshuar si vend rezidencial i UEFA-s. Por aderon edhe ajo, sepse FC Zurich duhej të ndeshej as më pak dhe as më shumë por mu me kampionët e Bashkimit Sovjetik, Dinamo Kiev. Përkundrazi, vendi ynë – me një maturi të skajshme – diti të qëndrojë në një farë mënyre jashtë ngjarjes. E tregon këte vendimi i Milanit për t’u ndeshur me bullgarët e Levskit, ripohuar më mbas prej Presidentit Franco Carraro: “Në thelb, për ne një kundërshtar vlen sa dhe tjetri”. E tregon këte qëndrim edhe fakti se në të njëjtin sezon, skuadra të tjera italiane shkojnë në Çekosllovaki dhe RDGJ, duke përçmuar çdo hipokrizi midis zyrtarëve dhe jozyrtarëve.
Ishim ndër të paktët që vepruam në mënyrë kësisoj koherente. Edhe Austria e cila kishte përzier tezat zvicerane, ndërmerr anën e qëndrimit britanik: i thotë jo garave zyrtare, por merr pjesë në Mitropa Cup duke u ndeshur me hungarezët.
Më 30 gusht, ndërsa përfaqësuesit e emergjencës së UEFA-s, ishin mbledhur në Zurich për të diskutuar kërkesën e Celtic, një deklarim i Associated Press informonte: “Lëvizje të mëdha trupash ruse dhe bullgare janë parë në kufirin e Rumanisë, dhe po flitet për një pushtim të mundshëm të shpejtë të këtij Vendi. Simbas informacioneve të kundërspiunazhit rumun, pesëmbëdhjetë deri në njëzet divizione të koracuara ruse janë thuajse në kufi”.
Ky lajm ndihmoi tejet për t’i nxitur drejtuesit e futbollit evropian që të pranojnë propozimin skocez, të parashtruar një javë më parë, dhe që të riformulojnë një tabelë tjetër të shortit për të gjashtëmbëdhjetat e fundoreve, duke i vendosur njërin kundër tjetrit aleatët e Lindjes dhe duke konfirmuar ndeshjen Carl Zeiss Jena e RDGJ me Crvena Zvezda të Beogradit, doemos mbas pranimit nga ana e kësaj fundit.
Për protestë skuadrat e Paktit të Varshavës dorhiqen nga turnetë (me përjashtim të Çekosllovakisë dhe natyrisht, të neutrales Rumani). Ndërkaq, gazetat jugosllave nuk e japin lajmin e shortit të ndryshuar, për të mos iu dhënë shumë shpjegime lexuesve për heshtjen ndaj Moskës.
Edhe më parë UEFA, për shkak të thyerjes diplomatike midis Greqisë dhe Turqisë për çështjen e Qipros, kishte përdorur një short të pilotuar. (Kurr nuk do të veprohej në rastin kur shorti caktonte skuadra sovjetike kundër atyre shqiptare, të cilat nuk kishin mbrojtës në kontinent, ndonse mesa dukej kishin ndonjë miqësi jashtëevropiane, siç e ka treguar më mbas se të gjithë këte e kuptonte shumë mirë Joa Havelange: takim i Havelange me nomenklaturën partiake dhe qeveritare shqiptare në Tiranë më 13 dhe 14 prill 1983, por dhe me Besnik Dizdarin, dekani aktual i Jurisë Ndërkombëtare të France Football, që përcakton Topin e Artë. Sot, për sezonin e trishtueshëm 1968-69, amatorët e sportit kujtojnë vetëm Kupën e Kupave të fituar prej Slovan Bratislava në Bazel më 21 maj 1969, duke mposhtur me një 3-2 Barcelonën.
Më parë dhe më mbas asnjë skuadër çeke ose sllovake nuk kishte fituar dhe as nuk do të fitonte një Kupë të Evropës. Mos kishim të bënim me një pranim diplomatik të konceptit të sferave të influencës? Mirëpo, ia vlen të kujtoni se Hungarisë nuk iu lejua asgjë më 1956…