| E shtune, 05.01.2019, 10:46 AM |
TËRBIMI I DETIT
Kushtuar ngjarjes tragjike të
9 janarit 2004 ku 27 persona humbën
jetën për indiferencën e autoriteteve shtetërore.
O mor det, det i tërbuar,
Çfarë ke që je harbuar?
Zemëruar Posejdoni *,
Mbretin ** do rrëzojë nga froni.
Polifemin *** ma qorruan,
Edhe mua zemëruan,
Në mes detit do ndezë zjarr,
Nuk do le njeri të gjallë.
Po me ne çfarë ke vallë?
Se nga Troja s’kemi dalë.
Jemi njerëz hallexhi,
Nuk jetojmë dot në Shqipëri.
Ndaj e nisëm këtë rrugë,
Duam bukë, duam punë,
Duam të jetojmë të lirë,
Duam të jetojmë më mirë.
Alo, alo, na shpëtoni!
Ç’po buçet ky telefoni,
Jemi gra, jemi fëmijë,
Duam ndihmë të na vijë!
Por posejdonët e rinj,
Me ata shpirtrat e zinj,
ngrohen me kondicionerë,
S’mendojnë për shpirtrat e mjerë.
Zërin lart televizioni,
Ngrehuni dhe i ndihmoni!
Porse zërat nuk dëgjohen,
Qytetarët po dënohen.
Atë natë, natë janari,
Atë natë, natë acari,
Nëntëmbëdhjet humbën jetë,
Tetë u zhdukën nëpër det.
Kjo paria kot më kot,
Krokodili po derdh lot,
Derdhi lot dhe psherëtiu,
Me vaje familjet nxiu.
Porse Zoti nuk harron,
Ai rri edhe përgjon,
Shkaktarët e vërtetë,
Qofshin mallkuar përjetë!
Tiranë, janar 2004
* Sipas grekëve të vjetër ishte perëndia e detrave. Kur zemërohe,j shkaktonte stuhi në det.
** Uliksi, mbreti i Itakës.
*** Qikllopi Polifem ishte i biri i Posejdonit, që Uliksi i qorroi syrin