Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: 'Idil' në këtë fund vjetor

| E hene, 31.12.2018, 11:56 AM |


Sejdi BERISHA:

“IDIL” NË KËTË FUND VJETOR

Janë këto vargje

Jo se i desha unë

Por m’u imponuan

Vargjeve të Migjenit u ngjajnë

Në këtë shekull mjeran:

Një vajzë filiz

Me rroba zdralë

Edhe të leckosura

Përbri qebaptores kaloi

U ndal për disa qaste

Në xham hante mish edhe qebapë

Që piqeshin në skarë

Se aroma e tyre

Ia pikaste birat e hundës

Lëngun e gojës ia provokonte

Nuk ia ç’kapa shikimin

Se më dhembte diçka

Atje thellë përbrenda vetvetes

Më vonë hyri

Edhe në restorantin kur rri

Kisha dëshirë të vinte

Aty pranë meje

Dhe ashtu ndodhi

Ishte një filiz

Që rritej shëndosh

Por me zemër të thyer

Fytyra e saj i ngjante

Një qershie nuk di se ç’fare

Ma zgjati dorën

Por unë i thashë

Të më afrohej

Por ishte si zog i trembur

Nuk merrte guximin

Të më avitej

Derisa e luta se do t’i them

Diçka të mirë

M’u afrua ai fidan i njomë

Dhe i thash:

A shkon në shkollë

Jo më tha

Se nuk jam e regjistruar

I shpjegova për shkollën

Edhe për jetën

Ajo vetëm më shikonte

E putha në të dy faqet

Si fëmijën tim

I thash mos i harro

Dhe kujtoji fjalët e mia

Ajo lozi kokën

Në dorë ia lëshova

Një euro jo si lëmoshë

Por si shenjë që më premtoi

Iku dika

Kurse mua m’u dogjën buzët

Nga faqet kuqaloshe të saj

Pas pak

Nuk vonoi dhe me mua

U ul një mik

Që tani e sa kohë nuk e shijon

Madhështinë as dhembjen

E vendlindjes as të atdheut

Më përqafoi

Dhe pas shumë bisedave

Për kurbetin më tha:

Unë e kam “tradhtuar” atdheun

Se tash jam në kurbet

Iu rrokullisen lotët faqeve

Më përcëlluan edhe mua lotët

Heshtëm dhe heshtëm

Me këtë

Nuk di se a thamë shumëçka

Iku edhe ai

Kurse mua në këtë fundvit

M’u shtua edhe një rreckë

Në rrugëtimin hidhërak

Çfarë “idili”  në këtë fund vjetor...

(©S. B.)

(E shtunë, 29 dhjetor 2018)