Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mevlud Buci: Ruzhdi Lata, dritë e shqiptarisë

| E enjte, 27.12.2018, 11:04 AM |


RUZHDI LATA, DRITË E SHQIPTARISË…

Nga MEVLUD BUCI

Ruzhdi Lata ishte një burrë i ndritur, ai gjithë jetën luftoi për shqiparinë dhe për fenë.Si njeri me fjalë të matur prej diplomat, me mendje të urtë prej filozofi, ai e kishte përsosur veten në rrugën e studimeve;kështu ka studiuar veprimtarinë e Anton Çetës, ka drejtuar Dibrën e Madhe si kryetar komune dhe Myftininë e saj.Në librin tim:”Myftinia e Dibrës dhe Ruzhdi Lata”i cili , në vitin 2009 , mori çmim të parë nga Akademia Islame  në konkursin mbarëkombëtar  të krijuesve të diasporës, në mënyrë modeste kam paraqitur punën e këtij njeriu, vështirësitë, pengesat dhe kapërcimet që ai u ka bërë atyre.Si mësues dhe drejtues arsimi në Dibër dhe bashkëpunëtor i shtypit,  gjithnjë kam pasë parasysh fjalën e njerëzve të mençur dhe të korifejve të kulturës dibrane;dhe Ruzhdi Lata është njëri nga ata, edhe pse e njoha me vonesë,  por,  gjatë kontakteve me të,  më duket vetja se duhej ta kisha njohur shumë kohë më parë.Në fillim të dhjetorit , këtu rrëzë Rrunjës sime,  dëgjova se Ruzhdi Lata kishte ndërruar jetë në nëntor 20018.Si ndodh me njeriun, nuk më besohej, ndërsa herën e fundit kisha pasur fatin të bëja foto me të,  në zyrën e tij , në Dibër të Madhe,  duke ndjerë nga afër fjalët e tij, si njeriu i dashur popullor, punëtor i penës dhe i përkushtuar i besimit, e besues në vlerat fetare e njerëzore.Bir i thjeshtw i Dibrës dhe predikues i palodhur i vëllazërimit midis njerëzve, fjalëmbël e i sinqeërtë, njeri korrekt dhe  me  gjithë cilsitë që dallojnë një shqiptar të vërtetë që,  meritueshëm, ngrihet në ato nivele.Ndaj sa dëgjova lajmin,  kohën nuk e shava , po thellë në vetvete psherëtiva dhe ndjeva dhimbje dhe u ula të shkruaj këto vargje:

Atë mëngjes marsi të vitit 2018

Me të shtrenjtin vëlla bëmë fotografi,

Tani shkove në parajsë , ndërrove jetë

Zemër behar me shpirt dëlirësi.

U rrite në Hamje,  rrëzë Kërçinit

Mes vuajtjeve nga klikë e Serbisë,

Përqafove dallgët e Drinit

Besimtar i rrallë i shqiptarisë.

Korbi i lartë i puthi retë

Runja lëshoi shtërngata,

Një misionar ndërroi jetë,

I shtrenjti,  i thjeshti Ruzhdi Lata.

Në shtigje jete me prushe malli,

Kalove vëlla,  zë shenjtëri,

Shpirti yt në dritë altari

Prijës i rrallë për myftini.

Sa herë më flisje me urtësi

Mendje, zemër m`i dritësoje,

Ruzhdi Lata mal për dibrani,

Besimtar, me hov shqiponje.

Shati yt,  lis ndër livadhe,

Shpirti yt,  shkulme Drini,

Lum çfarë ke moj Dibër e Madhe

Një Anton Çetë,  vigan paqtimi.

Dhe kur thoje jam çidhnak

Se ç`na ndahu koha,  epoka,

Gen mençurie fjalurtë në konak

Gen dibrani nga Grykë Noka.

Dhe le pas gjurmë trimnie

Gjurmë besimi e durimi,

Prijs i rrallë i myftinisë

Shpirt binjak me Murrën e Drinin.

Dibra këndej me gjelbërim e hijeshi

Përkulet shkrepbardha Runja

Zëbilbil për fe e vllazni

Si Omer kur qan Ajkuna…

Djep i nënës që të përkundi

Ndrit në simbol të krenarisë,

Ruzhdi Lata, jo nuk humbi

Rron në dritë të  shqiptarisë…