| E merkure, 26.12.2018, 11:18 AM |
Sejdi BERISHA:
KËNDIMI POETIK QË KA PESHËN E HISTORISË DHE NGROHTËSINË E DASHURISË SHPIRTËRORE NDAJ ATDHEUT DHE NJERIUT...!
(Lulzim LOGU: “Akoma hiri im”, poezi botuar në shqip, anglisht, italisht dhe në greqisht-2018)
“Akoma hiri im”, është një hartë të veçantë të jetës së njeriut të madhështuar përmes vargut poetik.
Nuk është lehtë, por është edhe përgjegjësi që ndijimin shpirtëror ta transmetosh si këngë, si dhembje e dashuri, si idil dhe si panoramë të vendlindjes, të tokës ku je lind, të vendit, ku historia dhe buka e kësaj toke janë të pandara në mes vete.
____________
Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri, “Akoma hiri im” i krijuesit, Lulzim Logu, i cili jeton dhe vepron në Bajram Curri. Kjo vepër e cila përbrenda ka mbërthyer zjarrminë e autorit por edhe madhështinë poetike përmes vargjeve jo vetëm karakteristik në të kënduar, por edhe me një qasje aq temperamente, skofiare, njerëzore dhe plot dashuri, sa që kur njeriu i lexon poezitë e këtij krijuesi, krijon përshtypjen se jo vetëm që je duke udhëtuar me autorin, por gjithnjë je duke u bërë pjesë e pandarë e historikut të vargut, të peshës dhe mesazhit të tij krijues.
Poezitë në këtë vepër, nuk janë vargje vetëm sa për t’u shkruar, por e kanë atë dashurinë e veçantë krijuese dhe njerëzore, e cila i ngjanë një mëlmese që vargun nuk e lë të rrëshqas pa e studiuar, përjetuar mbase edhe pa e përqafuar mirë.
Këndimi poetik i Lulzim Logut në “Akoma hiri im”, e transmeton tërë atë bagazhin krijues, sa që këndimi poetik shndërrohet edhe në histori, edhe në pikturë bukurie, edhe në dashuri, edhe përjetësinë e tokës arbërore, në kulturën dhe detyrimin e trajtesës për ta dashur jetën, për ta mos harruar rrugëtimin e njeriut, gjë e cila është aq e dhembshme dhe aq krenare. Dhe, duke e shkruar këtë fragment studimi për librin më të ri të Lulzim Logut, “Akoma hiri im”, më bëhet se pranë kam një hartë të veçantë të jetës së njeriut të madhështuar përmes vargut poetik.
Nuk është lehtë, por është edhe përgjegjësi që ndijimin shpirtëror ta transmetosh si këngë, si dhembje e dashuri, si idil dhe si panoramë të vendlindjes, të tokës ku je lind, të vendit, ku historia dhe buka e kësaj toke janë të pandara në mes vete. Pra, këtu qëndron edhe madhështia e poezisë së Lulzim Logut, që kësaj radhe vjen me librin “Akoma hiri im”, që vetë titulli provokon për filozofinë e të kënduarit.
Pra, nuk është e kot kur edhe prof. Kristaq E. Shabani, shkrimtar, studiues dhe estet, për poezinë e L. Logut, në mes tjerash thotë: “Duhet të nënvizoj se, poeti, në kuptesën e vërtetë të kësaj fjale, mendohet para se të shkruajë, spontaniteti i tij arrin të ndërtojë maja të anës së tij kreative. Një pikë e fortë e tij është përdorimi dinamik i simbolizmit, i gjetjes së beftë si dhe i përkufizimit figurativ... Poeti Logu beftësinë e ka modul, të papriturën këndshmëri”.
Ndërsa, krijuesi Shpend Topallaj, thotë: “Duke qenë poet, asgjë nuk i shpëton syrit të tij, në këtë larushi ngjyrash, si një piktor i vërtetë ka ditur ta ruajë harmoninë, si një mozaik pa titull... i bashkon një dhimbje e brendshme, një farë trishtimi i egër,... Gurët e mozaikut poetik të tij janë njerëzit, prindërit, gruaja dhe fëmijët, stinët, malet, lulet, legjendat, Kosova me gulshet e saj, e ardhmja, fluturat, gështenjat, shpirti,...
Kam bindjen se një vend që lind pareshtur poetë, me gacat poetike që ruan poshtë hirit, si Lulzim Logu, do të rindezë vazhdueshëm zjarrin e jetës, poezia e mençur dhe e ndjerë, do e gjejë rrugën për të depërtuar në shpirtrat e pastër njerëzor!...”.
Vepra më të re të Lulzim Logut bëhet edhe më me peshë, sepse, ajo njëherësh është e përkthyer-stolisur edhe në gjuhën angleze, italiane dhe atë greke.
Përndryshe, krijuesi, atdhetari, pishtari i arsimit dhe i kulturës dhe kryetari i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë, Lulzim Logu, deri me tani ka botuar trembëdhjetë vepra nga fusha të ndryshme.