| E hene, 22.09.2008, 06:32 PM |
Si u torturuan në punë dhe jetë gratë Blloshmi
Ledia LLESHI
Historia e Blloshmëve të Elbasanit dhe persekutimi në komunizëm i patriotëve që shënuan emrin në histori. Flet Yllka Joldashi Blloshmi
“Nëna ime, Safete Blloshmi, votoi kundër regjimit dhe u dënua të punonte gjithë jetën në punë krahu”
Yllka i ka ndjerë vetë pasojat si pasardhëse e një prej degëve të trungut të madh të familjes Blloshmi. Ajo ka qenë e vogël kur në ditën e çlirimit të Tiranës më 17 nëntor, babai i saj do të pushkatohej pa gjyq. Gjatë 50 vjetëve, familja nuk do të mësonte të vërtetën e pushkatimit të Shahin Blloshmit, i cili kishte qenë një ushtarak i lartë, por do t’i priste edhe një përndjekje dhe një jetë e vështirë. Gjyshja dhe nëna e saj nuk do të fitonin të drejtën e një pune tjetër veç lopatës, kanaleve, kazmës dhe punëve nga më të vështirat që të kishin mundësi të paktën të ushqenin dy fëmijët e vegjël të mbetur jetim. Ajo çfarë iu tha familjes për Shahin Blloshmin ishte arratisja e tij dhe jo pushkatimi. Vetëm pas viteve ’90-ë vajza e tij Yllka mëson se babai ishte pushkatuar, ndërsa vendi dhe eshtrat e tij nuk u gjetën asnjëherë. Historinë e përndjekjeve, vuajtjeve, persekutimit dhe vështirësitë tek pasardhësit e Blloshmëve i tregon Yllka që edhe pse u martua me një njeri me biografi të pastër u pushua dy herë nga puna si mësuese dhe këtij profesioni do t’i kthehej vetëm në demokraci. Për të gjithë historinë e vuajtjes së familjes Blloshmi flet Yllka, pinjolle e saj.
Cili qe fati i Blloshmëve?
“Gjyshi im u pushkatua së bashku me patriotë të tjerë Blloshmi në ngjarjet e Dunicës në vitin 1943. Babai im Shahin Blloshmi mbaroi në Athinë shkollën e mesme, ndërsa akademinë ushtarake e vazhdoi në Torino. Doli me nota të shkëlqyera dhe zotëronte 3 gjuhë të huaja. Me kthimin në Shqipëri fillimisht u aktivizua në ushtri ku mori gradën kapiten. Shërbeu në Shkodër, Tiranë dhe së fundi në Elbasan. Në kohën e Selaudin Blloshmit, i cili ishte ushtarak i lartë në periudhën e Zogut, shërbeu në Ushtrinë Kombëtare. Në vitin 1944 më 17 nëntor, babai im ishte në Tiranë ku edhe u pushkatua së bashku me shumë ushtarakë të tjerë. Nga ajo ditë ne nuk mësuam asgjë dhe na kishin thënë se ishte arratisur, por babanë e kishin vrarë pa gjyq komunistët në të njëjtën ditë me çlirimin e Tiranës. Ushtarakët ishin viktimat e para të komunistëve. Në të njëjtën kohë u pushkatua edhe Haziz Selman Blloshmi, një tjetër ushtarak. Të gjithë Blloshmët u përndoqën dhe u vranë. Ata kishin mbaruar studimet në Perëndim dhe nuk mund të pranonin devijimin komunist duke hedhur poshtë idetë demokratike. Vrasjen e babait e mësuam vetëm pas ardhjes së demokracisë, pasi për komunistët ai ishte arratisur.
Si reagoi nëna juaj në votimet e para në sistemin komunist?
Gjyshe Makja dhe nëna ime, Safetja shkuan për të votuar dhe ne si fëmijë i ndiqnim duke lodruar pasi zgjedhjet u shoqëruan me festë. Ishin zgjedhjet e para pas çlirimit, në vitin 1946 dhe sistemi i zgjedhur ishte nëpërmjet goglave me qëllim që të dalloheshin të gjithë ata që ishin kundër regjimit. Në shtëpinë ku bëheshin votimet ishin vendosur dy kuti një e kuqe që përfaqësonte Frontin dhe tjetra e zezë ku votohej kundër. Ndërsa në kutinë e kuqe ishte vendosur pambuk, në arkën e zezë qëllimisht nuk ishte vendosur dhe goglat kërcisnin. Nëna ime votoi kundër pasi lëshoi goglën në kutinë e zezë. Ndërsa ishim vënë në shënjestër për shkak të babait, kjo mjaftoi që familja të vihej nën vëzhgimin e armiqve të popullit.
Si jetuan pas kësaj ngjarjeje dy gratë Blloshmi?
Gjyshja ime dhe nëna, e cila pas pushkatimit të babait mbeti e ve në moshën 22 vjeçe me dy foshnje u mbështetën tek njëra-tjetra duke punuar në punë nga më të vështirat që nuk i bënin as burrat. Nëna ime vinte nga familja Agolli e Pogradecit, e cila gjithashtu pati të njëjtin fat duke u përndjekur nga komunizmi. Nëna ime punoi gjatë gjithë jetës në ullishte, në kanale, në digat e Shkumbinit dhe në punë të tjera shkatërruese. Teksa ndërtonte një pritë në ujin e Shkumbinit është marrë nga uji dhe vetëm një elbasanas i mirë e ka shpëtuar. Derisa doli në pension ajo u kujdes që ne të rriteshim mirë dhe pse jetoi vështirësi ekstreme, nuk e humbi dinjitetin dhe vlerat e familjes ku jetoi dhe nga e kishte prejardhjen.
Po ju si ju pushuan nga puna?
Unë mbarova shkollën në vitin 1958 dhe u emërova në rrethin e Fierit. Pasi u fejova erdha në Elbasan. Më 1966 u pushova për herë të parë nga arsimi me motivin “e padëshirueshme” për arsimin. Mbeta pa punë për gjashtë vjet dhe më drejtuan në fermë. Kjo ka qenë një periudhë mjaft e vështirë për mua, por vlerësoj shumë bashkëshortin tim, i cili më thoshte gjithmonë që të mos e ulja kokën, pasi nuk kisha bërë asgjë të keqe. Pushimi i dytë erdhi pasi munda të rikthehem dhe arsyeja e shkruar në biografi ishte “e pasinqertë”. Në fakt në dokumente kisha shkruar që babai im ishte arratisur siç edhe na kishin thënë, por kjo nuk mjaftoi që të mos merrej vendimi i pushimit bashkë me disa kolegë të tjerë që patën të njëjtin fat. Edhe fëmijët e mi nuk i shpëtuan përndjekjen. Mbaj mend një rast kur vajza ishte në shkollë u përzgjodh për të nderuar në 5 maj, dhe babai i saj bëri një buqetë, të cilën e ruajtëm gjatë gjithë natës. Në mëngjes ajo mori buqetën dhe niset, por rrugës një mësues i kishte thënë të kthehej pasi nuk ishte e nevojshme. Fëmijët e mi nuk mundën të vazhdojnë studimet e larta. Vetëm në demokraci ata arritën të studiojnë dhe të diplomohen. Edhe unë u riktheva në profesionin e mësueses në demokraci dhe vetëm në vitin 1997 munda të dal në pension. Si ne u përndoqën edhe shumë pasardhës të tjerë Blloshmi. Do të kujtoja Genc Blloshmin, që u pushkatua në vitin 1979. Si pjesë e trungut Blloshmi ai u vu në shënjestër dhe poezitë e tij u analizuan thellë pasi kishte një biografi të keqe.
Përfaqësuesi i Pogradecit
Hajdar Blloshmi, i vetmi delegat në Kuvendin e Vlorës
Në procesverbalin e Kuvendit Kombëtar, të botuar në gazetën (“Përlindja e Shqipërisë”, Viti i II, Nr. 10, datë 14 shkurt 1914 dhe sipas “Dokumente Historike” të Lef Nosit, Nr. 4, faqe 119-125, qershor 1924, dhe Nr. 5, faqe 152-157, korrik 1924, Elbasan, si dhe të materialeve të Arkivit të Shtetit), shkruhet se në Kuvendin e Vlorës morën pjesë shumë delegatë nga të gjithë rrethet e vendit. Procesverbali përmban emra të shquar të historisë shqiptare. Ndër to Pogradecin në një ngjarjet jubile të vendit ka qenë Hajdar Blloshmi, pinjoll i familjes së madhe të Blloshmëve.
Shaban Blloshmi, historia e mikut të ngushtë të vëllezërve Frashëri
Mësuesi kaçak që luftoi maleve për liri dhe gjuhën shqipe
Gjatë periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare, në trevat e Elbasanit, Strugës, Ohrit, Dibrës, Manastirit, Pogradecit dhe Korçës spikati figura e atdhetarit të shquar Shaban Blloshmi nga Bërzeshta e Librazhdit. Patriot dhe demokrat konsekuent, që shkriu gjithçka, duke flijuar edhe jetën e tij, për lirinë dhe përparimin e Atdheut. Shaban Blloshmi u lind në vitin 1882 në fshatin Bërzeshtë në një familje të dëgjuar dhe me emër. Mësimet e para Shabani i mori në qytetin e Ohrit dhe më tej i vijoi në kryeqytetin e perandorisë turke, në Stamboll. Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll, nëpërmjet dy bashkëfshatarëve të tij shquar, që ishin miq të vëllezërve Frashëri (Naimit e Samiut), i riu Shaban Blloshmi lidhet me rrethet patriotike, ku mësoi të shkruajë e të lexojë gjuhën e bukur shqipe. Pas kthimit në atdhe, Shabani merret me vendosmëri me aktivitete patriotike, duke u përkushtuar në zbatimin e Programit të Rilindjes Kombëtare. Shaban Blloshmi punoi me vendosmëri për përhapjen e arsimit shqip në të gjitha trevat e Elbasanit, Pogradecit, Strugës dhe të Korçës. Në bashkëpunim me patriotin Dervish Hima hapën të parën shkollë shqipe në fshatin e Bërzeshtës, në ambientet e shtëpisë së Shabanit. Patriotëve shqiptarë të Manastirit vazhdimisht u kërkonte abetare dhe libra shqip për shkollat e fshatrave të krahinave të Çermenikës, Qukësit, Mokrës, Strugës etj. Shaban Blloshmi ngriti një çetë komitësh të armatosur, e cila zhvilloi shumë aksione luftarake. Gjatë kohës që ishte kaçak, komit, siç quheshin në atë kohë, dhe kryetar çete atdhetare, ai interesohej vazhdimisht edhe për përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe. Duke qenë edhe kaçak edhe mësues njëkohësisht, Shabanin e patën thirrur “mësuesi kaçak” (Intelektuali i njohur elbasanas Lef Nosi, duke përkujtuar figurën e Shaban Blloshmit, do të shkruante në kujtimet e tij: “Veprat e këtij patrioti nuk i përkasin ndonjë historie a përmendore, po janë nga ato që i din kushdo që asht marrë me idenë e punët e shenjta kombëtare... Në vitin 1913 komandant çete në Elbasan kundër rebelëve esadistë, më 1914 komandant çete kundër rebelëve në Qafë Thanë, po në këtë vit ka luftue kundër epirotëve grekë në Arrëz të Korçës e të tjera... Në vitin 1916 komandant çete shqiptarësh kundër Austro-Hungarezëve... AQSH, Fondi 32, Dosja 50). Në vitin 1920 zgjidhet delegat për në Kongresin e Lushnjës, duke përfaqësuar rrethin e Starovës (Pogradec), ku bënte pjesë edhe Qukësi e Bërzeshta. Për të zbatuar vendimet e Kongresit të Lushnjës, Shaban Blloshmi kthehet në Starovë, Qukës e Bërzeshtë dhe organizon popullin e këtyre anëve, duke dërguar vullnetarë për të luftuar kundër imperializmit italian që kishin pushtuar Vlorën. Në vitet ‘20 të shekullit të kaluar Shaban Blloshmi u aktivizua me lëvizjet demokratike të vendit. Lidhet me rrethet e inteligjencës më përparimtare të qytetit të Elbasanit duke krijuar grupin “As e pashës dhe as e beut”, ku bënin pjesë Aleksandër Xhuvani, Sali Ceka, Ibrahim Dedei, Qazim Dyrmishi, Kostaq Cipo etj. Në vitin 1924 Shaban Blloshmi përkrahu lëvizjen antizogiste të udhëhequr e të drejtuar nga Fan Nolin. Gjatë kohës së lëvizjes fanoliste Shaban Blloshmi kishte bërë shumë kundërshtarë dhe armiq, disa prej të cilëve ishin edhe në sferat e larta të pushtetit të asaj kohe. Në një letër që u dërgonte miqve të tij elbasanas, Lef Nosi dhe Ahmet Dakli, Shaban Blloshmi do të shkruante: “Kanë kohë që punojnë nën dhe me çdo mjet e mënyrë të më zhdukin nga faqja e dheut...”. Armiqtë e Shaban Blloshmit i zunë pritë pranë shtëpisë së tij dhe e vranë më 5 nëntor 1929.
Selaudin Blloshmi, ushtaraku më i besueshëm i mbretit Zog
Selaudin Blloshmi ishte një ndër ushtarakët më të besuar të Mbretit Zog. Më 14 dhjetor të vitit 1923 forcat ushtarake të komanduara nga Koço Kotta, sulmuan dhe hynë në Kapshticë. Forcat e drejtuara nga Myfit bej Libohova sulmuan nga Kakavija, ndërsa ato të drejtuara nga Selahudin Blloshmi sulmuan nga Qafë-Thana. Nëpërmjet një marshimi të shpejtë, tri kolonat, pas një rezistence të dobët, marshuan në drejtim të Tiranës duke sjellë në krye Zogun. Selaudin Blloshmi ishte i martuar për herë të dytë me mbesën e Ismail Qemalit, Sara. Sarën ai e njohu kur ishte me studime në Egjipt. Ishte një ndër djemtë më të pashëm dhe dashuria mes tyre mori vëmendjen edhe të vetë mbretit, i cili i afroi në oborrin mbretëror. Nga kjo martesë lindi Vera Blloshmi. Në prag të çlirimit familja e tij vendoset në Angli. Vetëm në demokraci vajza e Sarës dhe Selaudinit kthehet në Shqipëri. Një piktore e shquar tashmë, Vera ka takuar gjithashtu motrat e saj në Elbasan. Një ndër pasardhëset e familjes së Ismail Qemalit dhe të Blloshmëve të Elbasanit ajo ndërroi jetë në vitin 1998.
Të pushkatuar në Dunicë 1943
Shefqet Blloshmi
Bajram Blloshmi
Selman Blloshmi
Sabri Blloshmi
Haki Blloshmi
Hazis Blloshmi
I vrarë më 17 nëntor 1944
Shahin Blloshmi