| E premte, 21.12.2018, 06:55 PM |
NEVIANA SHEHI
QYTETI IM MBJELL DRITA NË DET
Në vendin tim… atje përtej
detit tek ato drita mbjellë në det-
qyteti im mbjell drita në det-
Kanë ngelur lëndinat e trishta
Rrethuar me dimra gri.
Malet kane heshtur.
Deti mban në gji brengat tona
netët me Hënë… me shpresa
në trastë krahut.
Ku vamë o Zot ?
Ku jemi ?
Nga erdhëm ?
Deti kërkon shpirtin tonë… të valëzojë
Malet duan mallin e largët… të gjëmojnë
Lëndinat nuk lulëzojnë pa buzëqeshje
Pa vashat e djemtë
që përtej bregut vështrojnë
dheun tonë si vjeshtë.
Janë me kokën prapa
E di…
Do të vijë ajo ditë patjetër
Kur blerimi të mbulojë Atdheun tim
Do të vijë…