| E merkure, 12.12.2018, 08:44 PM |
Sh p ër p u th j e
Sejdi BERISHA:
PERSONAZHI I MIGJENIT, SHARJA SHQIP OSE RRUGA E TREMBJES SË ZOGJVE...!
E fillova këtë shkrim me këtë titull, të cilin e nxora nga një shkrim imi i moçëm, i cili kur përcjellët me kujdes, përveç që ta kënaq shpirtin, ta thellon përjetimin dhe disi ta fisnikëron mendjen, ta përkujton një histori të tërë të njeriut tonë, i cili është pedatur, pedatet dhe me siguri do të pedatet edhe nesër me dhembjen më të madhe dhe karakteristikën që ka njeriu në raport me atdheun, me vendin ku për herë të parë sheh dritën, me vendin që të mbanë valë shpirtin e mendjen, të cilat gjëra i bën madhështi malli e nostalgjie.
Kjo dhembje është si kurbeti, mërgimi, kjo pjesë e pashmangshme e popullit, i cili sikur ka ngelur feniks por me helmimin dhe etjen e tmerrshme për dheun e tokën, era e së cilës dot nuk huqet por është thellë e çelikosur, thellë në mendjen, ndërgjegjen dhe në shpirt. Për këtë arsye, ja, mu kujtua kënga: “Oh, kah po shkojnë këta djem të rinj, moj nënë?!”. Këngë kjo që është një lloj “embleme ogurzezë” e pasqyrës së rrugëtimit të tillë që ka ndodhur, po ndodhë dhe me siguri do të ndodhë edhe nesër-mërgimi, shpërngulja, shkapërderdhja...!
Turravrap, më kujtohet thyerja e vazos dhe sharja shqip aq e ëmbël në një dyqan në Turqi. Kjo nuk është vetëm këngë që këndohet me zjarrmi malli, por është mesazh unikat dhe ekzemplar i veçantë i vërejtjes për ruajtjen dhe zbatimin për jetë pa brenga të njeriut në vendin e vet.
Pse është kështu?! Në këtë pyetje, përgjigjen mund ta kërkojmë edhe në punën, sjelljen, përgjegjësinë dhe në ndërgjegjen tonë. Me siguri se është kështu. Po, po! Kjo, është kështu, bile nëpër decenie e shekuj...!
1.
Ndoshta, edhe ky rrugëtim, ose ndoshta, ky paradoks i kohës koincidon me atë që u tha më lartë! Një kasolle e shekullit XXI-të(!). Përbrenda saj ngrohtësi dhe një grimë shpresë e jetës së lumtur. Disa enë dhe pak miell, disa mollë gjysmë të kalbura dhe një sitë për miell misri, janë pamje që mund të kompletojnë ndonjë pikturë, por edhe janë pjesë e përditshmërisë së gjashtë anëtarëve flokëgështenjë të një familjeje. Babai me sy të zgrofulluar dhe me mjekër të parruar, nuk është personazh i Migjenit as i Hygos, por është një njeri i cili sikur do t’i thotë të gjitha brengat dhe dëshirat përnjëherë, dhe, sikur sërish ngelet i pangopur me dëshirë për të thënë edhe diçka, se çfarë, nuk di as vetë. Po, mirë de! E tillë është jeta e tij. Kurse, nëna e katër fëmijëve si katër lule, sikur ia shikon me llupë gojën për t’ia lexuar mendimin burrit të saj se çfarë do të thotë, dhe a do të ketë efekt mesazhi i tij nga kasollja, nga e cila vjell tym i dendur dhe i zi si simbol i jetës por edhe i hidhërimit.
Tri vajzat, si drita e dritës dhe djali i ledhatuar, qëndrojnë pip në këmbë. Si ushtarë, gatitur, por shpresën e mbajnë kujdestare për lumturinë dhe bukurinë, për lojën dhe mësimin të cilat u mungojnë. Dhe, edhe kjo është kështu! Kështu dhe kështu! Por, çfarë do të thotë kjo?! Asgjë. Ama, bash asgjë, përpos që mund të jetë ironi e naivitet. Edhe pse etja e tyre ka peshë dhe forcë, e cila sjell termet në zemrat dhe shpirtin e tyre, të cilët lehtë mund të tremben mu si drenushat dhe të ikin apo t’i dorëzohen rrugëtimit gjithfarë dhe të turbullt, që së bashku mallkojnë jetën. Por,... nuk dua të flas më gjatë për këtë “lumturi” të njeriut, e cila vranë, lëndon, dergjë, fisnikëron, trimëron, por edhe plandos.
E,... në këtë kasolle shekulli, brenda saj mbretëron qetësia, edhe ngrohtësia, por edhe një varg qepësh, disa hudhra e,... edhe një varg specash të djegës “pelin”, që e kompletojnë mesazhin e pikturës së jetës familjare, e cila në vetvete përmban një klithmë, që dëgjohet vetëm përbrenda kësaj familjeje, përbrenda këngës së ndrydhur e të mbyllur në dhomë, përbrenda tymit që villet dhe zhduket, hajt, të themi, përhapet si polen në hapësirat e gjëra të qiellit të kaltër.
Ndërsa, deriçka e oborrit, e cila gjithmonë rri hapur me një dorezë të ndryshkur metali të lëvarur, dhe rruga nga kasollja deri tek kjo derë, me hithra për anash si gjelbërim shumë i preferuar, sikur ngelin dhe janë rrugë e rrugës,... rrugë e trembjes së zogjve, të cilët, nëse vetëm njëherë hidhërohen me folenë e tyre, ata kurrë nuk do të kthehen më. Kush e di se kah shkojnë, dhe,...
2.
Nga shumë të rinj, ka edhe të atillë të cilët përpiqen ta fitojnë kafshatën e bukës edhe me shitjen e shkrepsave. Një djalosh, për çdo ditë i bezdis mysafirët e kafeterive dhe të restoranteve duke i lutur ata që të blejnë shkrepsa. Kjo kishte ndodhur para katër-pesë vitesh, në këtë kohën tonë.
-Ju lutëm i bleni! Pesë shkrepsa, vetëm për një euro!-nuk ç’kapet djaloshi pa t’i “lënë” në dorë të pesë shkrepsat.
E shikoj këtë djalosh me zhvillim fillak të rritës, si fieri! Herë pas here i ndezë shkrepsat që nxjerrin flakë, e herë-herë, ndezja e tyre nuk hetohet, dhe ajo flakë e fshehur të përcëllon të tërin! Tani, kujtoj kompjuterin dhe jetën dinamike të elektronikës, kurse ky djalosh merret me shitjen e shkrepsave të cilat nxjerrin flakë, e flaka ndezë shpirt, shtëpi, lagje, fshat, qytet, mal e bjeshkë...! Sa rrotulla të pakripë janë këto?!
E pyes djaloshin se pse insiston aq shumë për t’ua shitur shkrepsat qytetarëve. Ai, vetëm më shikon, dhe me atë shikim sikur heshtas ma mbërthen kallon m’kallon!
Po, edhe pse mos t’i blejnë. Ato kanë edhe bateri. Natën kur të zë terri, vetës ia bën dritë rrugën. Insistoi, edhe mua disi si paqare m’i la në dorë. Atëherë nxora nga xhepi një euro dhe ia lëshova në dorë bashkë me shkrepsat. E përcolla se si do të reagojë.
-Hë, pse më shikon?!- i thash.
-Pse s’i merr shkrepsat?...-m’u përgjigj.
-Kësaj radhe nuk po i marr. Le të qëndrojnë tek ti... -i thash dhe sikur më nuk isha i interesuar se çfarë kishte ndodhur.
-Të faleminderit! -ma drodhi duke shtrënguar paranë prej metalit dhe shtoi:
-Qenka e nxehtë, valë,... si flaka e shkrepsës!- dhe iku duke qeshur.
Kush e di se ç’deshi të thotë me këtë. Edhe ai i ka “rrotullat” dhe meseletë e veta. Po, po. Me siguri, kështu është...!
Një ditë tjetër, sërish më ra ndërmend ky djalosh. Kishte kohë që nuk e kisha takuar as nuk e kisha parë. Dikush më tha se ka ikur diku, jashtë... Sërish më imponohet “sëmundja” e kurbetit... Kurrsesi ta gjej përgjigjen adekuate. Ama, më kuptoni, dot nuk e gjeja përgjigjen për këtë ilet shekullor...!
3.
Gjithnjë trembem, gëzohem dhe mburrem në të njëjtën kohë, kur i shoh të rinjtë në kafeteritë e qytetit. Plotë e përplot të rinj...! Sa mirë?! Po xhanëm, çfarë bëjnë gjithë ata nëpër këto lokale...?! Lokalet e tilla janë edhe të rrezikshme për shumë çka. O, Zot! Plotë të rinj në dymbëdhjetë të drekës,... shumë të rinj në dhjetë të darkës,... edhe më vonë, po ashtu. Por, dikush më pëshpërit: çdo ditë, nga dy-tre nuk duken më,... sikur humben pa gjurmë. Iu koptisën rrugëve të kurbetit! Dhe, çfarë s’më sillet pastaj në mendjen e në kokën time; shteti i ri i Kosovës, kujdesi e moskujdesi, puna e papunësia, korrupsioni e hajdutëria, perspektiva dhe pa perspektiva, shkolla e mësimi, pusi e drini...!
Sa rrugëtim me peshë, o Zot! Dhe, sërish: ”Oh, kah po shkojnë këta djem të rinj, moj nënë?!”...
4.
Më kujtohen vitet e 90-ta të shekullit kaluar, kur rinia për çdo ditë “ikte” nga atdheu, e cila me vete merrte dhe rriste dhembjet e plagët për vendlindje. Lumi i tyre, shtonte atë sëmundjen e kamotshme, kurbetin, të cilën, shqiptarët e kishin bukë pothuaj të përditshme dhe aq të hidhur me decenie e periudha historike, si ato të viteve të 20-ta, të 30-ta, të 40-ta, të 50-ta e të 90-ta të shekullit që kanë ikur. Kjo braktisje e atdheut arsyetohej disi me rrjedhat politike dhe me trusnitë armiqësore ndaj popullit. Vërtetë, ishte një tragjedi dhe dyndje e dhembje me ankth, e cila, për shumëkënd ishte e pa kthim. Kështu, vendlindja dhe atdheu mbeteshin vetëm kujtime dhe ëndrra të mbarësuara me vuajtje dhe thyerje zemre e shpirti. Ndoshta edhe tash është kështu, bile, dhembje edhe më paradoksale e kohës!
Kishte kapluar gëzimi me pavarësinë, me lirinë, u gëzuam për shumë gjëra. Edhe për fundin apo zvogëlimin e kurbetit, të mërgimit. Por, nuk doli ashtu. Si duket, kjo dukuri vetëm sa u mbulua me vellon e heshtjes, të moskujdesit dhe të papërgjegjësisë, sepse, sërish me dhjetëra e qindra të rinj, kohë pas kohe po e braktisin atdheun dhe po ua mbathin për në vendet e largëta, dikur të ëndrrave. Bile, vendlindjet e tyre, qytetet, atdheun, po e braktisin edhe shumë mjekë dhe kuadro të tjera... Ky eksod po ripërtërinë dhe riformon plagët e rënda të kombit.
Më kujtohet rrëfimi i një të riu, i cili kishte përjetuar peripeci ndër më të llahtarshmet për të arritur deri tek “caku”, duke kaluar ujëra, male, lumenj, maja e brigje, duke u përballur me urinë e vdekjen, duke u përplasur me ëndrrat, premtimet dhe me rrenat,...edhe me pabesinë. Të gjitha këto, këtij djaloshi shtathedhur e bukurosh, ia kishin rrënuar shëndetin, ëndrrat për jetë të lumtur, ia kishin varrosur perspektiven, dhe tani sërish është në atdhe, por duke i shëruar plagët e trupit, mendjes dhe të shpirtit, duke u përpjekur për ta pajtuar e bindur vetveten...
Dhe, kur më kujtohet ky djalosh, më shumëfishohen rastet. Sërish, shoh lumenj të rinjsh duke u strukur e duke u tkurrur nëpër vija kufitare të perëndimit, duke e përplasur mendjen dhe ëndrrat nëpër ato rrugë shpesh të shndërruara në terr e ferr. E, çfarë pas kësaj?! Pas kësaj, po zbrazet atdheu, o vëllaçko...! Po, ç’është kështu ore?! Kush di të ma arsyetojë këtë dhembje, le të më rrëfejë, le të më bind. Do t’ia di shumë për faleminderit...!
5.
E shikoj TV emisionin kushtuar shqiptarëve të shpërngulur në Turqi, dhe deshe apo s’deshe, të kujtohen dhembjet dhe shembjet e tyre në periudhat e “ikjes”. Bijtë dhe nipat e tyre, tani përpiqen ta ruajnë traditën, mallin, lëngun e trungut, të mendjes dhe të gjakut të stërgjyshërve, gjyshërve, por asnjëherë nuk kursehen nga lotët, të cilët janë dhembje historie të kombit...! Turravrap, më kujtohet thyerja e vazos dhe sharja shqip aq e ëmbël në një dyqan në Turqi. Kjo nuk është vetëm këngë që këndohet me zjarrmi malli, por është mesazh unikat dhe ekzemplar i veçantë i vërejtjes për ruajtjen dhe zbatimin për jetë pa brenga të njeriut në vendin e vet.
Rrëfimi për djegien e shpirtit nga malli për vendlindje, është i rëndë dhe aq i gjatë e i pakëputshëm, që nganjëherë na shpie në zemërime e pa shpjegime ndaj atdheut dhe historisë. Pse, kaq e gjatë kjo sëmundje që i është vardisur njeriut tanë?! Padyshim, për shumë arsye,... për shumë shkase dhe për fajin shumë të madh, që, të themi se është jetim!
Por, barra diku bie, pse të rinjtë në moshën më të mirë, në vlugun e ëndrrave më të bukura të tyre të digjen, të rritën me plagë jete,...të rritën e mplakën mbase edhe mund të vdesin larg atdheut, apo, në vendlindje u kthehen eshtrat e tyre për t’u përcëlluar apo për t’u prehur, nuk dihet. Të pushojnë tërë jetën e jetës në këtë vend kaq të ngrohtë, e që dikush më pat thënë, në këtë vend kaq të truar, të mallkuar e të nëmur...!
Në fund. Nëse pajtoheni, ose, nëse doni, ta përjetojmë me zemër e me shpirt, edhe tash, këtë dyndje njerëzish që gjithnjë ka trazuar tokën, dete, male, trena e binarë, që ka trazuar lule e gjemba, që ka trazuar rrugët e botës, a mund ta shpjegojmë, apo dot nuk shpjegohet kjo llahtari... Ta mundojmë mendjen e kokën që këtë “formulë” të re të çmendurisë së dyndjeve e të ekzilit, ta shtrojmë e studiojmë, nëse mundemi drejtë e mirë dhe në të gjitha rrafshet. E. nuk mundemi, sepse, trembja e zogjve i ngjanë mallkimit më të madh në këtë botë.
Sa shkrim i thjeshtë e me telashe për ta kapur...! S’mund të shkruaj më. Vazhdojeni Ju...!