| E marte, 11.12.2018, 09:00 PM |
Sejdi BERISHA:
Edhe në këtë fundvit bisedë me Nënën...!
MBI VARR TË NËNËS
Pak behar pati kësaj vere
Të gjitha lulet i mblodha
I hodha mbi Ty
Si për inat
Natyra ndërroi pamjen
Edhe gjethet u zverdhuan
Diçka e tmerrshme më kaploi
Prej sot jam i vetmuar
Tamam qyqekall vetëm
Nënë moj
Sot mbi Ty solla
Tërë frymëmarrjen e stinëve
Edhe të motmoteve të mia
Edhe hënën dritë të bëjë këtu
Si ajo që di kur është vetmi
Kërkoj fjalën tënde
Por heshtja ngulfatë
Lulet veniten bëhen shkrumb
Heu more Zot
Edhe hëna sikur nuk bën dritë
E këto fusha
Sikur terri i kapërdinë
Tamam prej sot
Jam kalorës i vonë
Që kot vrapon
Pas fluturave të bardha
Që kurrë nuk u ngop
Me lojëra fëmijërore
Sonte kur ta kthej shpinën
Hapat tunxh më bëhen
Këmbët dot nuk ecin
Për në shtëpi
Ku tash në mur
Rri fotografia jote
E, po shumë kam humbur
Atje në shtëpi
Nuk ka kush më thotë:
Ah, biri im
Edhe çatia gëzohet
Kur të shoh Ty
Sa shumë vaje e përmallim
Një jetë histori
Gati njëshekullore
Mbëltoi dheun e kësaj toke
Histori e gjatë nëna ime
Edhe nga varri
Ajo m’i fshinë lotët
Qepallat m’i ledhaton
Heu more Zot
Kudo që preku tokën
Shoh nënën time
Jetë e ndrydhur
Por amshim