| E marte, 04.12.2018, 08:48 PM |
KUR ZOGUT I THYEN KRAHËT
POEZI NGA PËLLUMB GORICA
KUR ZOGUT I THYEN KRAHËT
Shpesh më mbulon një tis heshtje
Pa ditur për menunë e buzëqeshjes
Të tret sytë në hone të një endje
Pas paqes i dashuruari si ters!
Mjegullës, pritja i lagu mungesën
Që i jep kumte qiellit të sfilitur
Kur zogut i thyen krahët
Rrezuar nga një rreze papritur.
Mes hapave ku rruga ngushtohet
Sa herë e prek humbas aty
E shoh nga larg se si qielli lartësohet
Fjalën ethshëm e dërgoj për ty.
MË RRËMBËJNË VARGJET
Më rëmbejnë vargjet e një poeti
Dhe kthehen në klithma që më hyjnë në shpirt
Vargjet herë janë si dallgë deti
Herë janë të brishta dhe buisin dritë.
Këto vargje herë më japin dhimbje
Herë më prangosin më mbyllin në "qeli"
Dhimbje më japin kur flasin për ikje
Ç'është ky mërgim kaq i gjatë, Shqipëri?
Më rrëmbyen vargjet e poetit
Se këto vargje për mua bëhen ballsam
Me këto vargje shëroj plagët e kurbetit
Që më shkaktojnë dhimbje, sa fle si në alarm.
REVOLTA E LUMENJVE
Lumenjtë ushtijnë kur dalin nga shtrati
Një forcë e madhe i shtynë të shpërthejnë
Kur zgjasin britmën u shtrihet shtati
Në shtratin e tyre përsëri flejnë?
Në brigje e zbrazin tërbim urrejtjen
Si krah i shtrirë që s’merr urdhëra
Ndofta rrëshqasin të harrojnë vetveten
Por është e vështirë revolta.
E nëse lumenjtë kanë sy burues
I ndjekin ujërat kur shkëputen
Veç mos të turbullojnë ty frymëzues
Se s'ka më mirë se shtrati ku futen.