Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Me fjalë nuk bëhet ura

| E hene, 26.11.2018, 08:20 PM |


ME FJALË NUK BËHET URA

Një histori e vjetër me mesazh aktual

Nga Pëllumb Gorica

Thonë se Haxhi Bej Përrenjasi i Sulovës nga ligësitë e shumta që kishte bërë filloi të kishte shqetësime nervore dhe nuk flinte dot. Për këtë arsye ai shkoi tek një hoxhë i njohur, i cili i thotë, se mënyra e vetme e shërimit të tij ishte të bënte për banorët e Sulovës vepra bamirësie dhe nuk duhet që të merrte asnjë përfitim nga ndërtimi i tyre. Kështu një ditë në Kadipashaj të Sulovës, aty ku Devolli edhe në verë nuk kalohej, ai vendosi të ndërtonte një urë.

Kur u bë gati t’i hynte punës, dërgoi agallarët e tij në Opar, që t’i sillnin ustallarë të zgjedhur, më të mirët që ishin asaj kohe në punimin e gurit dhe ndërtimet e urave e rrugëve. Beu i shoqëroi vetë ustallarët në bërrylin e lumit.

-Filloni nga të doni, vetëm urën e dua të fortë dhe sa më shpejt!- u tha ai atyre.

-Është e pamundur!- ia kthyen ata,-nuk e shihni sa i thellë dhe i rrëmbyer është lumi?!

Beu e kuptoi menjëherë se vetëm me fjalë nuk bëhej ura, ndaj nxori një qese me monedha flori dhe i zbrazi në ujë. Kur panë verdhushkat tringëllinin mbi valët e ujit, ustallarët i thanë me përunjësi:

-Kështu, po, o bej! Nuk thonë më kot se, leku, bën jo vetëm urën që kërkon zotëria juaj, por e çon edhe ujin përpjetë! Dhe shpejt-shpejt ia filluan punës”.

Mjeshtërit ndërtues oparakë, pasi gërmuan në dy brigjet e lumit, nisën plot merak gdhendjen e gurëve të ashpër nga shkëmbijt e Goricës së Çalës. Ngritën këmbët e forta të urës dhe mbi to shtruan trasenë me pllaka guri të gdhendura si pasqyrë.

Një ditë pasi kishte mbaruar së ndërtuari ura, beu bëri një festë të madhe dhe theri qindra kokë bagëti. Dhjetra kokët e bagëtive i futi në themelet e urës për kurban. Lëkurët e bagëtive i shiti në pazar të Beratit.

Ura nisi të ushtronte ndikimin e vet mbi lëvizjet e rrugës së karvaneve Elbasan- Berat. Mijra e mijëra kalimtarë, karvanë, ushtri do të kalonin mbi atë urë në zheg vere, në shi e në rrebesh dimri, duke ecur drejt gëzimit ose fatkeqësisë së tyre në shekuj. Historitë gojore rrëfejnë për prishjen e urës. “Një herë ra një shi shumë i madh, aq sa lumi solli sasi të mëdha uji dhe bashkë me të edhe drurë, ku mes tyre edhe një trung të madh i cili zuri tej e tej këmbët e urës duke mos e lejuar ujin të kalonte nga poshtë. Për pasojë, niveli i ujit u rrit deri pranë dyshemesë kaluese dhe në një moment, presioni i fuqishëm i ujit të mbledhur e këputi urën në mes.

Ajo u shemb sepse beu nuk e mbajti premtimin që kishte dhënë dikur, për të mos përfituar asgjë nga mirësitë e tij. Se sa e vërtetë është historia e treguar na bënë të mendojmë se kjo ishte fryt i fantazisë së banorëve dhe besytnive të asaj kohe, por më shumë një filozofi e urtësisë popullore.