| E diele, 04.11.2018, 11:19 AM |
Loti
i poetit djeg më shumë se dielli
Nga Xhevahir Cirongu
Nesër do jem më mirë! Kështu e nis thirrjen e tij poeti me anën e fjalës të derdhur në vargjet poetike tek poezia me të njëjtin titull. Kjo thirrje nuk është vetiake e që shpreh vetëm atë ndjenjë të brendshme thirrse të poetit, por një domosdoshmëri sa vetiake aq edhe për mbarë shoqërinë njerëzore. Sytë e poetit shikojnë shumë larg, deri aty sa me dritën ndriçuese, rrezet depërojnë në hapësirën kozmike të shpirtit njerëzor. Është kjo ndjesi dhe dritë e mendimit filozofik,e cila zbulon të fshehtat e jetës sonë , që me steriogypin kozmik të mendimit e të fjalës së shprehur artistikisht te poezitë e këtij libri me titullin ‘’Loti yt digjte atë ditë’’, mesazhet janë larë me lotin e ngrohtë, e si rrjedhojë ato na bëjnë thirrjen sublime se, nesër do jemi më mirë!Pra,shpresat vrapojnë diku në kërkim të jetës së bukur, ato hedhin shtatin e tyre të së ardhmes me ëndrrat që zgjohen si gonxhe ma aromën e trëndafilave jetëdhënse.Në korpusin e këtij vëllimi poetik, po ta lexosh me kujdes, dalngadalë do zbulosh se autori e ndan në disa plane krijimet e këtij vëllimi. Vërejmë që vendin kryesor e zënë poezitë lirike. Pas tyre vijnë poezitë e dhimbjes,poezia retorike, poezia sociale, poezia shoqërore- politike etj.Poeti lëndën e parë frymëzuese e ka marrë nga realiteti jetësor, ku edhe vetë qenia e tij është e pa shkëputur,ai jeton së bashku me këto përjetime, me gëzimet apo hidhërimet e sajë. Poeti Mehmet Rrema është në kërkim të vazhdueshëm drejtë koherencës të së bukurës Nga ky realitet, ai s’mundet të anashkalojë lehtë, por gjendet aty dhe reflekton me prezencën e tij me anën e fjalës artistike dhe e shkruan atë me fines, u jep mesazhe jete të cilat i paraqet ëmbëlsisht para lexuesit.Te poezia ‘’E dua një botë’’ poeti na e jep qartë këtë realitet jetësor, dhe kërkon me ngulëm e vendosmëri se si duhet ta duam këtë botë.Ky reflektim metaforik nëpërmjet vargut poetik na zgjon atë ndjenjë të brendshme thirrëse që ta duam këtë botë, sepse jemi pjesë e këtij realitet botëjetësor. Poezia është me pak vargje, por brendia e mesazhet janë një thirrje e fuqishme.Ja si e shpreh me varg:
‘’ Pa skllevër e padronë.
E dua një botë
me shtatë ngjyrat e ylberit,
pa lakmi e mëri
pa gjak e uri.
Po nëse do të vijë
kush do ta gëzoi?!’’
Ndërsa te poezia ‘’Unë’’ poeti udhëton me vjeshtën shumëngjyrshe të gjetheve, por qëndresa e shpresa nëpër udhëkryqet e saj ku fryn acari, qëndron si një lis, i cili u bën ballë erës të dimrit zemërak , ndalet aty në pritje të pranverës për të dëgjuar këngët e shpendëve, e sidomos këngën e qyqes që pret me padurim stinën e pranverës.Ai na jep këto vargje:
‘’ Fishkur si gjethet e vjeshtës
këputen shpresat e mia,
dhe unë,
një lis i thatë në udhëkryqet
e jetës,
vallë;
do të rrëzohem nga erërat e dhjetorit
apo,
do të pres qyqen e pranverës?’’
Poetët janë si shpendët që fluturojnë shumë gjatë bashkë me mendimet e ëndrrat e tyre.Shiprti u gjendet kudo, ndaj u del e pastër fjala e vargu që shkruajnë në libra.Te vargu është kënga e poetëve. Ajo është ‘’zog bilbili pranveror’’ që këndohet në shekuj. Edhe poeti Mehmet Rrema na e sjell të gdhendur bukur artistikisht në vargje te poezia ‘’Unë dhe zogu’’.Më konkretisht:
‘’ E kapa një zog, kur këndonte në degë
Në grusht e shtrëngova fort,
Por ai nga bishti këputi një pendë
Mbaje këtë,se mua nuk më zen’ dot.
Nuk di nga doli, nuk di nga shkoi
Fluturoi lart e shkoi e zuri në degë;
U shkund i qetë, prap këngën mori
Shpejt aty erdhën dhe ca të tjerë
Këndonte zogu lart në pemë
Ishte i lirë pa pranga e zinxhirë ‘’.
Kur lexon poezinë ‘’Vaj i qiellit’’ të shpaloset si një qilim gjithë ndjenjat e shpirtit duke kërkuar të fshehtat e kësaj bote nëpër qiell; të kapsh një yll, një meteor, të prekësh hënën e bukur rreze artë, por edhe shiun e vetëtimat.Shpresat e jetës sonë marrin udhën bashkë me vetëtimat, çajnë errësirën e kohëve intriguese.
Te poezia me titull ‘’Udhëtojmë me vetëtimat’’, mesazhet janë të bardha si retë e qiellit, por ato zbresin edhe pranë vatrës në kullë, e prapë largohen nga kanë ardhur për t’ja lënë vendin rrezeve të ngrohta të diellit. Metforat janë shprehur fuqishëm, sa ato ngrihen deri në qiellin e shpirtit njerëzor. Dhimbjes i jep ilaçin e shpresave.
‘’ Ah këto mendime shpirtin na e grijnë
Thonë se rrufetë zënë vetëm majat,
Po në majë s’kemi dalë asnjëherë,
Por më të frikëshme janë humnerat
Ata të thithin e nuk del po re thellë
Kjo errësirë gojën e mban të hapur,
Dhe mezi pret të na gllabëroi
Mbahemi te njëri - tjetri, zinxhirë të lidhur,
Ku të lamë, pse të lamë e ngrohta vatër
Ikëm se reja s’na la të na ngrohë dielli’’.
Loti i poetit djeg e përvëlon më shumë se dielli. Ai lot ka dhimbjen e vendlindjes së tij të dashur Rrazë të Krujës. Prandaj poeti ngado që shkon, ai fle bashkë me lotin e ngrohtë që i djeg shpirtin plot mall e dhimbje, nën kokë vendos jastëkun e ëndrrave të vendlindjes së dashur . Dashuritë e jetës janë stolitë më të bukura e kësaj bote të dlirë, por edhe me tallaze. Poeti Mehmet Rrema na e konkretizon edhe me vargje te poezia ‘’Loti yt digjte atë ditë’’, nga ku ka marrë edhe titullin libri, i cili shpalos para lexuesit botën e madhe shpirtërore të këtij poeti qëndistar si me fije mëndafshi gjithë poezitë, që lexuesi do i gjejë pasi të shfletojë fletët e këtij libri.
‘’ Kalova një ditë tek ura mbi kanalin e fshatit
Asgjë nuk ka mbetur siç ishte më parë,
Aty ku i thonim ne të dy, “Ura e Zafiratit”
Përveç kujtimit që m’përvëlon e djeg si zjarr’’.
E gjithë zanafilla e krijimeve të krijuesve dhe sidomos e poetëve, rrënja magjike e atij korpusi krijues të vargut poetik, në thelb qëndron ‘’statuaja’’ e sharmit të mendimet e lidhur ngusht me vendlindjen e tyre.Aty merrin oksigjenin e frymëzimit krijuesit, pikërisht është kjo shtysë e vetëdijes krijuese edhe e poetit tonë tshmë të afrimuar në fushën e letërsisë shqipe, poeti Krutan, Mehmet Rrema .
Te poezitë lirike të dhimbjes ‘’Sikur të bëhem kafaz’’,’’Një shoku’’,’’Më i ra botës anë e mbanë’’,’’Kujtimeve nuk mund t’ju iki’’etj, shprehin qartë atë plagë të shoqërisë sonë e cila kërkon shërim, sepse ajo ka trazuar ‘’detin’’ shpirtëror të njerëzve.Pikërisht, poetit i dhemb fort shpirti për gjithë fenomenet negative që vrasin qoftë edhe me heshtjen e tyre shpirtin tonë njerëzor.Për ta konkretizuar po sjellim vargjet e poezisë ‘’Më i ra botës anë e mbanë’’:
‘’ Nuk gjen tjetër veç një nanë,
Veç një nanë që më ka dhënë gjirin
Veç një nanë që më ka fal syrin
Hapma zemrën dhe më shiko
Gjak nga malli më pikon.
Pikon loti, çahet guri
Prej mallëngjimi qaka burri,
Kush nuk di se çfarë dhimbje ka nëna
S’e ngroh dielli s’e ndrit hana
Është si krimbi që rri nën gur
Nuk ka nder e as flamur’’.
Një tjetër fenomen tronditës për poetin është edhe plaga e emigacionit, e cila po gërryen shoqërinë njerëzore, e në veçanti shoqërinë tone shqiptare. Kjo epidemi e shekullit i duhet gjetur medikameni për ta shëruar një herë e mirë, ndryshe popujt e kombet do gjenden para rrëziqeve e katastrofave të mëdha shoqërore.Si tek poezia’’Mërgimi’’, ‘’Më fal ndonjë send’’,’’Të jesh E..’, ‘’Një fadexhiu’’ etj. Më konkretisht shkëputëm këto vargje nga poezia ‘’Më fal ndonjë send’’:
‘’ Ajo më fali shpirtin e djallit...!
Dhe në shpirtin tim ndjeva neveri
Mua lëmoshtarit endacak
Më erdhi keq për ty,
Dhe në zjarr e dogja
Lëmoshën tënde , o fatkeqi njeri!’’.
Një vend të vaçant lexuesi ynë do gjejë nëpër faqet e këtij libri edhe poazi retorike, që për autorin janë një gjetje e spikatur, e që ka ditur ti përshkruaj me tone e muzikalitet prekëse vargu retorik letrar, por tashmë me një pjekuri të arrirë aristikisht.Pyetjet retorike janë mbështur fort te trungu i mirëfilltë letrar, e si të tilla ato janë gjithmonë në lëvizje në kërkim të së bukurës. Vargu është i thjesht, pa ngarkesa të teprta në lexushmëri, por trajtat thirrëse për jetën janë formëzuar qartë në mesazhet letrare që na jep poeti tek poezitë në përgjithësi, e në veçanti te poezitë retorike të këtij libri.si:’’E dua një botë’’, A ka të varfër’’, ‘’Me kë është
Perëndia’’etj.
Edhe poezitë me karakter politiko-shoqërore, në këtë vëllim zënë një vend tjetër aq shumë të domosdoshëm për kohën tranzitore që jetojmë si shoqëri. Politika e gjithë shoqëria duhet të jetë më e ndërgjegjshme për të sjellë sot e brezave civilizim e përparim shoqëror në rritje. Pa këto , s’mund të kemi zhvillim shoqëror e ekonomik, rritje të jetesës sonë. E kundrta, sjell çekulibrim të jetës shoqërore! Ndaj edhe poeti bën thirrjen e tij që politika e shoqëria në tërësinë e saj të angazhohet më shumë me inteligjencë për të dhënë kapacitetet e tyre në dobi të zhvillimit e civilizimit ekonomiko - shoqëror të shoqërisë.I gjejmë te poezitë ‘’Salla e madhe’’,’’Analistët’’,’’Mjaftë me premtime’’,’’Politikan në popull’’ etj.
Lexuesi do befasohet kur të shfletojë e lexojë këto poezi që ne përmendëm në këndvështrimin tonë letrar, por duke cekur në vazhdishmëri leximin e poezive të librit me titullin ‘’Loti yt digjte atë ditë’’ , do zbuloj të tjera po aq vargje të bukura të shkruara me mjeshtëri letrare e artistike nga poeti Mehmet Rrema.
Na mbete për t’i thënë :Udhë të mbarë librit!
Durrës, 1 Nëntor 2018