Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: Jeta ime

| E enjte, 01.11.2018, 07:22 PM |


Reshat Kripa

JETA IME

Jeta ime pikë loti, pikë loti e mbuluar,

Gjithë brenga, gjithë plagë, plot me ëndrra e kapluar,

Sa kam dashur, sa kam vuajtur, jetën time ta ndërtoj,

Një demon më thosh gjithmonë, unë do të shkatërroj!

Kur i vogël isha unë, ndonjëherë luaja  teatër,

Ish pasioni im i parë, pasion si një qiell i kaltër,

Por në qiell qëlloi rrufeja, nxiu tokë e nxiu det,

Seç më mbylli në kafaz, shkatërroi, më nxiu  jetë.

Kur u bëra djalë i rritur. prap fillova me tregime,

Shkrova disa poezi, shkrova edhe jetën time,

Por demoni prapë u shfaq, si një gjëmë e mallkuar,

Më sulmoi si përbindësh, ëndrrën për ta shkatërruar.

Çfarë të bëja unë i ngrati, s’mund të rrija duarlidhur,

Zemra ime flakë e zjarrtë, zemra ime  çoroditur,

Seç më shtynte drejt  përpara, thoshte asgjë mos të ndali,

Dua që të jesh  në ballë, dua që  të jesh i pari!

E dëgjova zemrën time, bëra si më tha ajo,

Ferra, gjëmba para rrugës dhe të tjera si këto,

I vërvita në humnerë dhe demonin tim të zi,

E përplasa  në skëterrë, prap u bëra djalë i ri.

Dhe tani që jam i thinjur, luftën nuk e kam pushuar,

Kundër çdo padrejtësie, dita ditës kam luftuar,

Dita ditës kam luftuar, do luftoj unë ditë e natë,

Të fitojë drejtësia, brenga ime më e gjatë!

Tiranë, nëntor 2004