| E marte, 30.10.2018, 08:44 PM |
Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 21
Fshehtësia e varrit të zbrazët
“Ju e dinit fshehtësinë e varrit të zbrazët”, ishte mendimi akuzë, që më drejtohej mua. Nuk më hiqej nga mendja derisa më zuri gjumi. Ndërkaq, ky mendim i dikujt tjetër se unë e dija fshehtësinë më të madhe të mijëvjeçarit, më tmerronte. Ky mendim mund të më kushtonte me jetë. Qindra njerëz prisnin me veshët e ngritur si kafsha kur e pret gjahun, që të më hidheshin në grykë e të më bënin copë e grimë për ta mësuar të fshehtën. Ai që më sfidonte me këtë dyshim, ishte toger Hansi, e megjithatë letra që ma drejtonte tingëllonte më paqësore, sesa që mund ta bënte nga posti dhe fuqia ushtarake, prapa së cilës qëndronte.
“A mund të takohemi për disa sqarime?" më shkroi të nesërmen një pusullë të cilën e solli në famulli tetari Stipe. Ndihmësi im, Nika, i cili përkujdesej rreth famullisë e kopshtit, më tregoi se ushtaraku u interesua për mua, duke pyetur, në emër të togerit. se kur do të kthehesha. Sipas porosisë sime ua ktheu përgjigjen: ”E thirrën në Malësi për një mort a dasmë, nuk e dinte me saktësi”. “Në cilin katund? Nuk e përcaktonte dot, sepse pastaj do të bëja një rrugëtim deri në Dardani”.
“Mbase”, i tha Nika “atë Gjergji do të shkonte në kujtim të përvjetorit të Kalvarit të shqiptarëve të Karadakut”, duke e ngatërruar edhe më keq ushtarakun e bëshëm, që nuk imponohej as me epoleta, as me shpatën që e mbante. Ai nuk e dinte se ku gjendej Kukësi e lëre Karadaku i Gjilanit, ku do të mbahej përvjetori i Kalvarit. Nuk ua dhashë asnjë porosi për kthimin tim. Nuk u ktheva as të nesërmen a të pasnesërmen. Prita ditë më të mira.
Kur dështoi përfundimisht gjetja e kryevarrit, togeri dërgoi ushtarë të më thërrisnin në Kuvendin e Françeskanëve. Aty rrudhën supet. Me të marrë vesh ndonjë kumt do t'i kthenin përgjigje, ia kthyen në Kancelarinë e Kuvendit . Thonë se ushtarët u kthyen të zemëruar, sepse togeri u kishte dhënë urdhër të më kthenin me çdo kusht: gjallë a vdekur.
Nuk u përmbajta pa ia dërguar një pusullë pas disa javësh: "Gërmuan para jush e nuk gjetën asgjë, do të gërmojnë prapë pas jush, por varri i zbrazët do t’i presë”.
Dy ditë më vonë toger Hansi shkoi në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, por nuk ditën t’i thonë asnjë fjalë. Rrudhnin supet dhe vazhdonin punën e tyre. Ushtaraku mbeti i hutuar, sikur talleshin me të, apo i fshihnin diçka, mirëpo dyshimet nuk mund t’i bënte publike, as mund të përdorte metoda detyruese që të merrte vesh më shumë. E dija se më gjykonte nga qasja e tij. Sipas tij ia hodha, e spiunova gjatë gjithë kohës, i tregova rrëfenja të ndryshme, por asnjëherë nuk ia thashë asnjë imtësi të fshehtësisë së varrimit. Edhe kur i flisja për ditën e vdekjes së Skënderbeut, zinë që e pllakosi Arbërinë, u shmangesha, sipas tij, detajeve të varrimit. Nuk m’u paska kujtuar asgjë për ceremoninë mortore, kush qe i fundit që ia mbylli kapakun e arkëmortit e shumë pyetje të tjera.
Ndërkaq, mua nuk më hiqej nga mendja rrëfimi epik i malësorit të Gjakovës: Shtatë ditë e shtatë net e kërkuan turqit e pabesë varrin e Zotit tonë. Iu sulën Lezhjës, hapën varre njëri pas tjetrit në qytetin e vjetër, pastaj në kështjellë. Thuhet se hapën treqind varre, të reja e të vjetra.
Në legjendë më tutje thuhej se nga nxitimi a nga zemërimi që nuk po gjenin asgjë, varret e hapura i lanë si gojë kuçedre. Natën ato varre, me kufomat jashtë, dukeshin të frikshme. Askush nuk kaloi me ditë atypari. Një françeskan i moçëm mblodhi disa argatë jevgë dhe i mbylli varret natën, që të mos e tmerronin botën.
“Varret e hapura sjellin kob e murtajë”, u thoshte qytetarëve. Ai e shpëtoi qytetin nga sëmundjet, ndërsa hordhitë turke shkonin e vinin me mortjen që mbillnin kudo”.
Plaku që i rrëfente, më tregonte ushtaraku austriak, ia rrihte supet, i thoshte sikur të qe i pranishëm në kohën kur ndodhnin gjerat. “Turqit e Stamollës nuk gjeten asgja. Vorri i madh i Gjergjit, që e ngatërruen me nji tjetër, u doli i zbrazët. E mbulun marren e tyne me shpejtësi dhe ikën me të katrat”.
Plaku kishte rrëfyer edhe një detaj si fat thënat, gjë që i kishte bërë përshtypje togerit. “Ata që e prekin vorrin e shenjt do t'i gjejë e liga. Maje n’men këtë që ta thotë plaku”, ia vinte në pah plaku thatim me mustaqe të dredhura nga njëri vesh në tjetrin, me fytyrë të vyshkur e rrudha të thella. Plisin e bardhë nuk e hiqte as në vapën më të madhe.
Ato ditë shpesh e kujtonim edhe këtë episod. Togeri më dukej paksa besëtytë.
Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 22
Legjenda për zhvarrimin
"Herën e dytë kur e hapën varrin, në të kthyer, në Qafë të Thanës, ekspeditës së zhvarrimit i doli prita. Mbeti gjallë sa për të dëshmuar lemeri një ushtar turk. Kur sosi në Stamboll, nisi të fliste përçart, gjithnjë duke e përsëritur frazën për varrin e madh të zbrazët që ua hante kokat njerëzve”.
Toger Hansi ma përmendte shpesh këtë rrëfim, sikur të ndiente ndonjë paralajmërim kobzi.
Në letrën tjetër e shtronte mëdyshjen: "Po Kruja? Pse askush nuk e përmend këtë qytet për varrin e Gjergj Kastriotit? Aty ia bëri rezistencën më të madhe Perandorisë Turke. Aty bëri famë, ishte kryeqyteti i tij dhe i tërë mbretërisë shqiptare. Pse të mos e kenë varrosur, pikërisht aty, në fshehtësi të plotë bashkëluftëtarët dhe princërit e Arbërisë? Apo nuk e ka një ambient të tmerrshëm të shkrepave e gurëve që mund të fshehin çdo gjë, madje edhe një emër kaq të madh, sikurse ky i heroit tuaj. Lezha ishte tepër e rrafshët e në aspektin strategjik e pambrojtur që ta varrosnin mbretin më të madh që e patët ndonjëherë”.
Por, pavarësisht hamendësimit të ri të arkeologut vjenez, kronikat e thoshin pikërisht faktin kokëfortë: mbretin e shqiptarëve e varrosën në Lezhë. Turq e arbërorë shkruanin në të njëjtën mënyrë. Vetëm në këtë rast pajtoheshin në mes vete në pesëqind vjetët e luftës së pafund në mes vete.
Ndërkaq, me hamendësimin që ma tha ai donte t’u kundërvihej nga shtrati fushor kronistëve të kohës: pse të mos e provojmë të kundërtën e asaj që shkruani ju: ta kërkojmë varrin e mbretit të Arbërisë, në kështjellën më të pamposhtur të Gadishullit Ilirik? Varri i tij në Krujë? Atje ku nuk e thoshte asnjë kronikë e kohës!
Pa përgjigje isha unë, pa përgjigje do të mbeste edhe toger Hansi, sepse asnjëherë nuk lexova, apo nuk dëgjova ta kenë varrosur në kështjellën të cilën e mbrojti me aq sukses.
Papritmas më doli pyetje: “Pse nuk e varrosën aty ku pritej, por aty ku nuk pritej?”
Kur i kthehesha së sotmes, u kthehesha etheve të kërkimeve. Si nuk pushuan asnjëherë? Athua patën aq shumë interesim për varrin e tij? Ata nuk kërkuan vetëm t'ia gjenin varrin, ata donin ta zhvarrosnin, ta fshinin kujtimin për të. Qindra vjet ia kërkuan varrin, qindra vjet nuk gjetën asgjë, as në shekujt e ardhshëm asgjë nuk do të gjejnë, por kurrë s’do të reshtin së kërkuari. Ata e dinë se legjenda për zhvarrosjen e heroit ka marrë dheun, e dinë se qarkullon edhe legjenda tjetër më tronditëse sesa e para, për trupin që kurrë nuk u gjet në varrin e kërkuar e të supozuar, por duan pikërisht që me një trup a kafkë të godasin në dy legjendat për varrimin e zhvarrimin, për varrin e mistershëm në fund të shkrepave, në katakombet e katedrales, për varrin e fshehtë që u lirua nga trupi qysh në natën e dytë.
Dhe të tretët, kërkues të varrit më të famshëm e më të mistershëm, duan ta shpallin një varr të paqenë. U mjaftojnë një grumbull armësh - trofe gjetjesh arkeologjike, eshtrat nuk i duan. Natyrisht duan ta përkëdhelin sedrën e tyre se s'ka gjë që e duan e që s'mund ta kenë, ashtu sikurse s'ka margaritar që s’mund ta ketë në kurorë perandori i tyre.
Athua ishte i tillë arkeologu ushtarak, Hansi? Ndryshonte nga të gjithë ata që erdhën në Shqipëri në kërkim të varrit e të aventurave, por edhe ai është eksplorues.
“Janë dy kategori hulumtuesish, të cilët nuk i zë gjumi natë e ditë”, më thoshte togeri, i cili duket ishte marrë shumë me aventurierët e zbulimeve arkeologjike. “Të parët i provokonte fakti se është fshehtësia më e madhe në pesëqind vjetët e fundit. Për adrenalinë sfidë më të madhe nuk ka në kontinentin e vjetër. Të dytët, rrinin pa gjumë, sepse çdo gjë e mbuloi koraca e pazbërthyeshme: pati a s’pati varr? U shpërnda trupi i tij në tërë kontinentin, duke u zgjeruar në disa kontinente pluhuri i eshtrave të kryeheroit të Arbërisë, për t’u shndërruar në grimca kozmike. Atë e ndjek miti i hapësirës së pakufishme. Ishte aq i madh, saqë nuk i mjaftoi një varr!
Ka disa hamendje e asnjë fakt real. Imagjinata pastaj në këtë pështjellim është e paskajshme, të rrëmben e të lë pa gjumë: njërën palë e bën të rrijë zgjuar, duke shikuar yjet, thuajse ajo do t’ua kthejë përgjigjen, do t’ua zbërthejë fshehtësinë. Palën tjetër e nxit të bëjnë hamendësime nga më fantastiket, gjithnjë në kufijtë e së pabesueshmes, sepse s’kanë si e shpjegojnë ndryshe. Ata e kërkojnë varrin, por shumë herë nuk duan ta gjejnë, ata dridhen kur e mendojnë se mund të hasin në eshtra, por prapë për asnjë çmim nuk do të donin të ballafaqoheshin me një grumbull eshtrash, sepse imagjinata e tyre do të bëhej copë e grimë, do të thyhej si pasqyra shkëlqyese në dritën e hënës. Kërkojnë nishane të mbretit tonë: shpatë, përkrenare, veshje metali, parzmore, ndonjë mburojë me iniciale e stemë, heshtën e gjatë me majë të mprehtë. Ata duan të eksplorojnë diçka që nuk e kanë të tjerët, të shpallin se e gjetën shpatën legjendare të Skënderbeut, jo atë që është në Muzeun e Vjenës, por një tjetër shpatë kalorësiake, të përdorur e të konsumuar, të ndryshkur, me njolla të gjakut të mpiksur, shpatën e rëndë e të gjatë, që nuk arriti askush ta vërë në përdorim pos Atij.
-Shpata e mbretit tuaj, sipas eksploruesve të mesjetës, duhet të jetë e ngjashme me shpatën e mbretit Artur, prijësit të legjendave britanike, për të cilin nuk ka fakte që ekzistoi, por ka legjenda që luftoi. Britanikët e ndërtuan kombin mbi këtë mit. Gjatë historisë besoj se shumë prijës tuaj që luftuan kundër turkut e gjakuan shpatën e tij, e imagjinuan ta bënin simbol kryesor të rezistencës, - më shpjegonte ai arsyen e preokupimit të të gjithë eksploruesve dhe arkeologëve profesionistë.
Shpatën legjendare të mbretit Artur nga ishulli britanik, që e krahasonte me shpatën reale të mbretit të arbërorëve, sikur e përziente. Ndonjëherë më dukej togeri e kërkonte shpatën imagjinare, atë të legjendave të malësorëve, shpatën magjike.
Togeri vjenez, duke e kërkuar varrin e mbretit tonë, nuk pretendonte as nuk dëshironte t’i gjente eshtrat, megjithëse një gjë e tillë do të qe sensacion për Vjenën aristokratike, por më shumë donte të bëhej zbulues i ndonjë nishani me shenjat mbretërore. Me emociononte kjo gjë, por kurrë nuk do të doja që ai të zbulonte gjërat e shenjta, të cilat na takonin neve.
Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 23
Fundi i kështjellës - 1479 vjet pas Krishtit
Nuk ia thashë asnjëherë togerit, dyshimet për mosqenien e varrit, sepse druaja që do të më bindte në qafë, do të më kërkonte informacione të tjera. Por edhe sikur t’ia thosha, nuk do ta zbythja nga kërkimet.
Në një letër më shkruante se do të shikonte terrenin e Krujës sipër Kështjellës, pastaj poshtë murit rrethues, në humnerë. Ai niste letra sa herë e ndiente nevojën të më thoshte diçka, pavarësisht se kurrë nuk ia ktheva përgjigjen. Ai e dinte që isha afër, besonte që ia përgjoja lëvizjet, prandaj në një mënyrë apo tjetër donte të më sfidonte, sikur përpiqej të më thoshte, ja pa ndihmën tënde do të bëj zbulime epokale, të njëjta me zbulimet e Shlimanit. Këtë eksplorues ma përmendte shpesh. Nuk doja t’ia prishja imazhin e idhullit të tij, i cili gjatë hulumtimeve në shekullin e kaluar bëri dëme në shtresa të tëra arkeologjike.
Për fillimin e gërmimeve afër Kështjellës së Krujë më treguan besimtarët që kaluan nga famullia. Ata habiteshin me hapjen e sondave, gropave katrore, ashtu sikurse habiteshin me gjakftohtësinë time. Vinin të mbushur frymë, kërkonin ndërhyrjen time, ndërsa unë rrudhja supet, isha i pafuqishëm të pengoja çka do qoftë.
Në këtë kohë të shqetësimeve kontinentale asgjë nuk më qetësonte sesa kronikat e vëllezërve të mi françeskanë.
“Imazhi i pushtimit të kështjellës më mbërthente si makth. Më fanitej natën. Kërceja nga shtrati i trembur si të më ndiqnin lukuni ujqish. Të njëjtat pamje më përsëriteshin shpesh, të njëjtat klithma më ushtonin në vesh, më bëhej se m’u kishin futur në rrashtën e kokës. Imazhet më përsëriteshin. Mure gjysmë të rrënuara, tymi që dilte nga shtëpitë, trupa të gjymtuar nga gjylja e topit, ushtarë të shkalafitur nga betejat tremujore që s’reshtën ditë as natë. Banorëve të drobitur e të uritur mund t’ua numëroje brinjët nën këmishët dikur të bardha që nuk u dihej ngjyra nga zhgjyri e pluhuri. Qyteti nuk i ngjante vetes. Përtej bedenave vëreheshin lëvizje të armikut. Trupat e tyre përtëriteshin. Kështjellarët me buzët shkrumb nga vapa shihnin e prisnin, duke shtrënguar nofullat. Ishte vështirë të mbrohej kështjella, uji shteroi, pasi u prenë burimet nga jashtë, rezerva të ushqimit s’kishte tash disa javë.
Dikush tha se kreu i kështjellarëve dërgoi delegacionin të merreshin vesh me rrethuesit për kushtet e dorëzimit. Athua çfarë kushtesh? Qe vështirë të diktonim kushte, sepse s’paraqitnim forcë rezistuese. Trupat elite ranë në dy përpjekjet e fundit, kur e sprapsën mësymjen e ushtrisë turke. Por se kush e tha, kjo ishte fitore e Pirros. Një mësymje të re s’do ta përballonim. Delegacioni u kthye me lajmin që nuk e inkurajoi askënd: komandanti i trupave turke premtoi se të gjithë ata që do të dorëzoheshin gjatë ditës së sotme, do të faleshin. Pra, do të kurseheshin gratë e fëmijët. Të tjerët nuk shpresonin në falje. Disa u panë me dyshim, nisën të mblidhnin plaçkat. Shumë prej tyre u gëzuan që do të iknin nga ky varr, sepse kështjella u bë varri i tyre dhe i familjeve të tyre.
“Ma merr Zot shpirtin e m’i mbyll sytë përgjithmonë, të mos e shoh këtë mner!”, dëgjoheshin lutjet si të qenë grahmat e fundit. Dikush përpiqej t’u jepte zemër, t’ua ngjallte shpresat se do të bëhej mirë, por askush nuk e besonte këtë gjë.
Kolona e dërmuar me ngathtësi të zombit ecte drejt portës kryesore së kështjellës. Asnjëri nuk e ktheu kokën prapa, si të turpëroheshin që po e braktisnin qytetin e rrethuar. Disa druanin se me t’u kthyer do t’i braktiste atomi i fundit i energjisë, do të binin shakull në vend. Grupi i parë ia behu në hyrje të portës kryesore të kështjellës. Dukej kortezhi i gjatë, i përmotshëm. Dyshimi i brente të gjithë.
“Je i sigurt që ata do t’i përmbahen marrëveshjes?!”, i tha njëri nga kështjellarët Lajmëtarit, sepse delegacioni i bisedimeve u shkri në turmën e shkalafitur.
“Ashtu më thanë, ashtu ua dhashë kumtin”, - ia priti i zymtuar Lajmëtari. “Se mos patën rrugë tjetër? Mbase mund të shpëtojnë gratë e fëmijët. Për ta kërkuam mëshirë. Por atyre asnjëherë nuk u dihet, ndryshe të thonë e ndryshe bëjnë... ”, e paraqiste Lajmëtari mëdyshjen e vet.
Nuk e përfundoi fjalinë, kur një shigjetë ia përshkoi qafën, duke ia lanë fjalën në gjysmë. Ai që e pyeti pak më parë, pa me frikë Lajmëtarin, që mbulohej në gjak, në pamundësi të ngopej me ajër. Shoku i tij nxori shpatën, mori pozicion mbrojtje, ndërsa lukunia e ushtarëve armiq që pak më parë rrinin në të dyja anët e rrugicës në dalje të Kështjellës së Krujës, mësynë me një britmë ngjethëse. U bë rrëmujë. Klithma, britma luftarake.
“Kujdes gratë e kalamajtë, gratë e kalamajtë...! ”, -mbaja në mend fjalët e fundit të dikujt që ende jepte urdhra.
Klithmat e tmerrit ma çanin timpanin e veshit. Koka më ushtonte, ndjeva goditje të shurdhër, nuk e di në cilën pjesë të trupit as me çfarë arme.
M’u errësua çdo gjë...”
Më ngjethi përjetimi i kronistit. Dikush do të ketë mbetur gjallë, përveç tij, nisa ta ngushëlloja veten.
Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 24
Ringjallja!
(Nga kronika: Viti 1487 pas Krishtit)
“Vetëm njëri -biri i Zotit- lëvizi nga varri. Vetëm atë nuk e gjetën në shpellën ku e varrosën. Perandoria Romake prej asaj dite mori rrokullimën, u gremis”, dilnin me zemërim shkronjat nga letra që i drejtohej për herë të dytë padër Antonit.
“Çdo mendim ndryshe është blasfemi, është kundër përcaktimit të kishës. Të jesh i kujdesshëm edhe në kërkimin e varrit. Pelegrinazhe mund të bëjnë besimtarët në ato vende që i shpall të shenjta kisha e jo famullitarët”.
“ Nuk druaja nga letra kërcënuese. Fryma ndëshkuese e kishës nuk kaloi asnjëherë në Gadishullin Ilirik që nga koha e ndjekjes së bogumilëve. Kamxhiku i bizantinëve u shua, kamxhiku i hordhive islame tepronte. Më pengonte frika e qendrës që i druante mosqenies së varrit, aq sa i druante qenies së tij. Prandaj, pavarësisht nga letra, unë vendosa të veproja: Me një grup malësorësh nisa kërkimet e para të një varri të pazakonshëm. Kërkimet i bënim natën në fshehtësi. Më shumë donim të përcaktonim një varr të veçantë, por jo ta hapnim. Trupat turke, sipër qytetit, e braktisën kështjellën, ditën kur u tha se malësorët e çliruan Pejën, Gjakovën e Prizrenin.
Pritej mësymja e kryengritësve këndej Alpeve. Forcat turke e tartare nuk guxonin të ktheheshin. Vendësve u dukej i pazakonshëm qyteti pa pushtet e pa ushtarë. Ikja e turqve u shkonte për voli, megjithëse të gjithë druanin nga ndonjë joshje e grupeve të pakontrolluara, të cilat mund të terrorizonin qytetin, apo të nisnin sërish hapjen e varreve. Sidomos hapnin varret katolike, ku ua thoshte mendja se mund të gjenin flori a gjëra të çmuara. Dhe të vrisnin pa një pa dy, po u shkoi mendja se mund të përfitonin. Askush s’do t’i ndëshkonte.
Pas disa përpjekjeve varrin e fiksova, sepse mendoja se duhej të caktohej një vend pelegrinazhi, ku njerëzit do të shkonin, të faleshin e të luteshin, të shtronin kërkesa, po edhe të bënin betime. Ata kishin nevojë për shenjtorë. Kohë të gjatë më bëhej se ishin pa Zot e pa frymën e shenjtë, shpresat i borën, kështu që një vend i shenjtë do t’u bënte mirë.
Më thanë se afër katedrales grupe njerëzish në dritën e hënës, apo në natën pa yje luteshin fshehurazi, të krishterë e myslimanë. Të gjithë e dinin se aty duhej të qe varrosur mbreti i Arbërisë, prandaj i luteshin t’u ndihmonte, të ndërmjetësonte e t’ua lehtësonte vuajtjet e fatkeqësitë, sepse fatkeqësitë nuk iu ndanë që nga koha kur ai ndërroi jetë.
Lexova kronika të fretërve. Ato nuk e thoshin me saktësi ku duhej të ishte varri. Dyshoja se mund të gjeja diçka aty ku e futën kazmën llazët e Detit të Zi. të cilët u bënë të njohur në perandori për zhvarrime të personaliteteve a nishaneve të njohura me gurë të çmuar. Koha nuk priste. Kërkoja shenjat e varrit të zbrazët. Pra, i mata pikat, u tërhoqa nga qendra, sepse kronikat thoshin se qendra e qyteti që bërë pre e kërkimeve të organizuara të aventurierëve. Periferia mund të ofronte më shumë.
Megjithëse kërkimet dolën shterpë, nuk u befasova, më shumë doja ta vërtetoja një teori në të cilën u binda më herët. Hamendësimi me brente kohë të gjatë, nuk më zinte gjumi. Publikisht nuk mora guximin t’ia thosha askujt, nuk ia pëshpërita as priftit në rrëfimore.
T’i flisje hamendësime që s’t’i kapte mendja, ishte vështirë, do të më merrte të shkalluar, apo të frymëzuar nga qoftëlargu. Ndërkaq, kjo më bindi më shumë sesa kronikat e mëparshme të vëllezërve françeskanë, të cilët deri në një e kishin këtë dyshim. Dyshimin që i brente herë e shprehnin më me guxim, herë e nxirrnin ndonjë pikëpyetje, kur u mungonte guximi.
Në një qarkore të fshehtë, që më kishte rënë në dorë, thuhej se besimtarëve të Arbërisë duhej t’u bini vijë, t’i shlyenin nga regjistri i të krishterëve. Ata po bëheshin të rrezikshëm si për Perandorinë Osmane, ashtu dhe për krishterimin, ata po e krijonin një Zot të ri. Mbreti i tyre vdiq një herë, ndërsa tash përhapen zëra sikur është ringjallur...
Sërish u vumë në mes të kudhrës e çekanit: Perëndimi na braktisi, Lindja na rrihte pa mëshirë nën kudhër.
Në Ipeshkvinë e Tivarit, nga kalova para se të dilja majave të rrëpinjta të Dardanisë, më pyetën: a është e vërtetë se e kanë parë hijen e Skënderbeut, t’u printe kryengritësve? Ishin thurur legjenda që s’t’i kapte mendja. Rrudha krahët, sepse nuk e kisha dëgjuar.
Prifti i Shasit, ku e kalova natën, ma tërhoqi vëmendjen me pëshpërimë: “Kujdes nga turqit! Por kujdes edhe nga të dërguarit e përtej detit. Ata nuk e pranojnë se mund të lëvizte nga varri dikush që kishte vdekur një herë”.
Turqit më ndiqnin këmba-këmbës për lëvizjet e mia të shpeshta. Përtej detit kishin dyshimin tjetër, sikur unë i vija në lëvizje besimtarët me hijen e Skënderbeut. Ata nuk donin trazira.
Ipeshkvi i Tivarit nuk pati kohë të më pranonte. Të kërkosh trupin e varrit të braktisur është punë me rrezik. Lajmi se dikush e kërkonte varrin e Gjergjit u përhap shpejt. Lajmi ishte aq më i habitshëm, kur flitej se varrin e kërkonte shërbëtori i Zotit. Njerëzit rrëqetheshin me habi të dyfishtë. Njëra palë, ata më të rinjtë, i përshkonte një ndjenjë e veçantë e entuziazmit, më të moçmit ofshanin me pikëllim. Por disa edhe më të vjetër, me të dëgjuar kumtin disi të pabesueshëm, lëviznin kokën e frikësoheshin: një varr ka njeriu, qoftë mbret a malësor. Në mendjen e pleqve, që po e gllabëronte errësira, u dilte turbullt një varr i zbrazët dhe një njeri në qiell. Trupi i atij që e braktiste varrin u ngatërrohej, fytyra një herë u dukej e qetë, me qetësinë qiellore, por me plagë në kokë e gjak në fytyrë, herë u dukej më egërshane me shpatë në dorë që lëshonte zë kushtrimi”.
Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 25
Tokat e Arbërisë ishin qendra e rezistencës
“Varrin nisëm ta kërkonin sivëllezërit e mi qysh pas rënies së Krujës. Një herë ishim të zënë me luftëra të përgjakshme. Me t’u pushtuar Kështjella e Shkodrës, qyteti i fundit i madh i Arbërisë, që i bëri ballë turkut, sikur u bindëm: vështirë ta luftonim armikun pa ndihmën e Skënderbeut.
”Hija e tij duhej të na ndihte, emri duhej të bëhej burim frymëzimi”, na tha komandanti i çetës që qëndroi i fundit në mbrojtje. Ndryshe arbrit do të mbaronin. Hijen e tij duhej ta ndillnim, në mënyrë që të na rrinte mbi kokë si engjëll mbrojtës. Nuk e di kujt i shkoi në mendje të parit, por dikush propozoi të kërkonim varrin e prijësit tonë. Arma e tij ishte çudibërëse, tha një tjetër. Nga çeta e panë me dyshim: tallej a e kishte me gjithë mend.
Prifti i famullisë hodhi dyshimin: çfarë të bëjmë po të mos jetë varri, atje ku thuhet se është varrosur, më mirë aty ku është zhvarrosur. Të gjithë e panë me habi. Por prifti, i cili e mbështeti propozimin i pari, nuk tallej asnjëherë. Disa shprehën dyshimin se varrimi është bërë gjetiu, varri në Lezhë qe vetëm mashtrim, tullumbace për armikun e hafijet. Sepse, shumë spiunë u mblodhën ato ditë në Lezhë e në Krujë, madje në të gjithë Arbërinë. Lezha u bë qendra e spiunazhit nga Lindja e nga Perëndimi. Secili donte të mësonte për zhvillimet në Arbëri. Tokat e Arbërisë ishin qendra e rezistencës.
Dikur u pajtuam heshtazi se nuk bëhej fjalë për kërkim varri, as të eshtrave, duhej të viheshim në kërkim të një vendi pelegrinazhi. Secili dha propozimin e vet. Dikush ngulte këmbë se më mirë sesa Kruja askush tjetër s’mund ta kryente vendin e pelegrinazhit. Tjetri propozoi Shkodrën, qytetin e fundit të madh që i bëri ballë pushtuesit. Por së fundi askush nuk i bëri ballë propozimit se Lezha ishte qyteti ku vdiq mbreti, ku iu bë varrimi madhështor. Lezha ishte qyteti i Kuvendit të Arbrit, prandaj nuk mund të zëvendësohej me një tjetër.
Por gjërat shkuan ndryshe nga vullneti ynë. Përtej detit nuk mendonin si ne. Në letrën që më erdhi nga Roma, më urdhëronin të mos vazhdoja kërkimin e varrit. Nuk është punë për ty as e grupit të priftërinjve të Arbërisë, më thanë në mënyrë të prerë. Më mbërtheu dëshpërimi. Në letër më tutje më shkruanin: të mos flisja, të mos ndihmoja në përhapjen e thashethemnajës sikur trupi i heroit të arbërve nuk u gjet në varrin, ku e futën me ceremoni madhështore e pikëllim të thellë, sepse u kishin thënë sikur unë dyshoja që ai nuk ka varrë fare.
“Po ku është pra?”, më shpëtoi nga goja pyetja e vetvetishme, sikur t’i drejtohesha letërshkruesit. Këtë pyetje priste letërshkruesi, pyetje që do të shtrohet, besoj, edhe qindra vjet më vonë. Letra nga Selia e Shenjtë vazhdonte:
” Dihet se varrin e dhunuan, eshtrat i morën, i shpërndanë përmes ushtarëve e hajmalive të tyre në Evropë, në Azi dhe në shkretëtirat arabe. Këtë e thonë të gjithë, s’ke pse dyshon në vërtetësinë e dëshmive. Këtë e ka besuar edhe Ati i Shenjtë, prandaj mos e vër në dyshim besimin e tij dhe, mos e vër në dyshim besimin në Krishtin, sepse vetëm i biri i Zotit nuk ka varr, vetëm i biri i Zotit u ngrit në qiell. Tjetër nuk pati dhe nuk do të ketë përjetë e mot. Amen!”
Amen! e përsërita vetvetiu. Por kjo letër e lutja e përsëritur nuk më pengonte të nisja pyetjet e mëdyshjet e mia. Asnjë letër nuk ma hiqte dyshimin. Ai e pati një varr, por nuk e kishte më, ai udhëhoqi një mbretëri që u shua, familja e tij e gjeneralët kaptuan detin, princat njëri pas tjetrit ranë në beteja apo kaluan në Itali, Spanjë e Francë. Disa u tërhoqën prapa bjeshkëve të mjegullta. Aty e ndienin veten më të sigurt sesa në kështjellat që binin njëra pas tjetrës.
Prapë i kthehesha letrës autoritare. Pyetjet më vinin vetvetiu: Ç’ishte ky varr që shkaktonte aq shumë tronditje? Hutimi e mbështillte mendjen njerëzore: të ithtarëve e të kundërshtarëve.
“Me vënien në pikëpyetje të varrit, do të thoshte të bëje edhe një legjendë tjetër të ringjalljes”, m’u kujtuan fjalët e ipeshkvit kohë më parë. Dhe bota s’do të lejonte një ringjallje të dytë, një i mjaftoi. Kjo të ngjethë shtatin, ta bën trupin kokrriza-kokrriza. Ende më silleshin nëpër kokë fjalët që ndërruam me superiorin tim.
Mbaja në mend se ballafaqimi me ipeshkvin ishte i rëndë, rrezatonte tension e mosbesim. E nisa me armët e Skënderbeut, sepse armët u bënë objekt thashethemnaje. Secili i imagjinonte. Armët: shpata, përkrenarja, parzmorja, u bënë hyrje në një temë që dridhesha kur e mendoja, ndërsa doja t’ia hapja ipeshkvit. Druaja se fjalët e mia mund ta çmerisnin. Nuk e di as vetë sesi i rashë në fund, duke e frenuar veten që të mos kaloja në delir.
“Imzot! E di që Vatikani nuk do të pranojë kurrë dyzimin”, - vazhdova i shqetësuar. “Por të gjithë e thonë se trupi i tij nuk u gjet as nga turqit dhe as nga arbrit. Të dyja palët e kërkuan, secili për llogarinë e vet.
“Me varr a pa varr, hija e tij do t’i mbrojë të vetët!”, më kujtoheshin fjalët e kapedanit të Mirditës.
Ipeshkvi qe luhatur disa herë. Edhe më parë më thoshte fjalë me dy kuptime, ku përvijoheshin shenjat e blasfemisë. Ta thoshte se prijësi nuk ka varr, blasfemonte; ta shpallte varrin e tij, atje ku kishte qenë, ai tashmë ishte i zbrazët; të shpallte një vend pelegrinazhi, nuk qe në përgjegjësinë ipeshkvore. Shenjtorët caktoheshin gjetiu.
Ipeshkvi u ngrit në këmbë nga karrigia e tij e lartë në kancelarinë e Ipeshkvisë së Shkupit. Prita të më qortonte rëndë, mund të më shpallte heretik, por ma ktheu shpinën, eci ngadalë nëpër hapësirën e qetë të kishës, për një çast ktheu kokën me një rrotullim harkor dhe më pyeti: Pse duhet të gjendet trupi i tij? E ka kërkuar kush varrin e Krishtit që ta dëshmojë vërtetësinë e besimit të krishterë pas dhjetë, njëzet apo një mijë vjetësh?
Ai vazhdoi tutje, hapat i kumbonin në qetësinë e hapësirës së katedrales. Me gumëzhinte diçka në kokë. Para sysh me dilnin shajnitë.