Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjirokastra

| E premte, 18.02.2005, 11:52 PM |


Gurë, gurë bëhet Gjirokastra

Linja ndarëse mes dy botëve është pjesa ku mbaron asfalti dhe fillon rruga me kalldrëm: ndahet pjesa e vjetër e Gjirokastrës dhe ajo e reja. Duken si një qenie e vetme prej guri ato shtëpi të vendosura sipër njëra-tjetrës, me dritare të ngushta me kanata druri; dyer shtëpish të prodhuara si dikur, të rënda dhe të forta. Në Gjirokastër nuk ecën, por “ngjitesh” sepse rrugët marrin gjithmonë të tatëpjetën: kështu, duhet të ngjitesh disa metra derisa të arrish te qendra në sheshin “Çerçiz Topulli”. Në pjesën e vjetër janë disa lagje karakteristike, secila ka një histori të vetën: Dunavat, Cfakë, Pllakë, Pazari i Vjetër, Palorto, Manalat dhe Varosh. Mënyra më e mirë e lëvizjes është shëtitja në këmbë, për të njohur qytetin do t'ju duhen të paktën dy ditë, por nata është e gjallë në Gjirokastër, ndaj do të gjeni argëtim edhe në orët e vona. Shumica e ndërtesave të rëndësishme për t'u parë shtrihen poshtë kështjellës, si: Muzeu Etnografik (në lagjen Palorto), Xhamia (në Mexhite) dhe pjesa e Pazarit (në lagjen e Pazarit). Rrugët e kalldrëmta janë të ngushta dhe të papërshtatshme për makinat, edhe pse lëvizja e tyre brenda qytetit të vjetër është diçka normale. Nëse jeni të uritur, do ta keni pak problem në fillim, sepse nga rruga lokalet dhe baret kanë pamjen e pijetoreve të papërshtatshme; në fakt pamja e tyre të bën të mendosh se vitet '90 dhe urbanizimi nuk janë dukur andej këto vitet e fundit. Eshtë pothuaj magjike ndjesia e të rikthyerit mbrapa në kohë, sidomos për ata që nuk e kanë jetuar asnjëherë: do t'u duket sikur kanë hyrë brenda një filmi të vjetër. Gjithsesi, duhet t'i besoni instinktit dhe banorëve të kulturuar gjirokastritë; në lokalet e tyre mund të gjeni mish dhe gatime të shijshme tradicionale. Një nga këto është edhe pijetorja e Kujtim Dumit; në fakt, ai është punonjës në Qendrën e Monumenteve të Kulturës, por e ka blerë këtë qoshe (pjesë e kalasë) që 10 vjet përpara. Ai vend ka ekzistuar si lokal që në vitet 20 - në mes të rrugës së Pazarit të Vjetër, përballë Klubit të Gjuetisë. Aty gatuhen shumë mirë bretkosat, gjithashtu edhe mezet me mëlçi dhe sallatra të freskëta. Djathi është meraku i pronarit dhe ai nuk përton të kërkojë gjithë Gjirokastrën për djathë të mirë deleje (nëse nuk ka klientë të tjerë, t'ju tregojë një histori të këndshme se si e gjeti djathin më të mirë të qytetit vetëm për klientët e tij).

Paraditja (nëse ju ndihmon koha) do të jetë e këndshme vetëm duke vizituar qytetin; pasdite vonë mund të zbrisni poshtë në qytet. Ka dy rrugë: njëra të nxjerr menjëherë në rrugën kryesore të pjesës moderne të Gjirokastrës, ndërsa tjetra do t'ju sjellë rrumbullak. Gjithsesi, është bukur: këtë shëtitje mund ta përjetoni me emocion nëse ecni lirshëm, shijoni perëndimin dhe erën e lehtë që fryn nga lugina.

Jeta e natës
Gjirokastra është një nga qytet e pakta në Shqipëri që ka jetë nate. Kjo sepse universiteti mbledh të rinj nga i gjithë Jugu dhe ata e mbajnë gjallë qytetin. Natën mund të pihet një makiato e këndshme në klubin “The First”, një ndërtesë dykatëshe: kati i parë është piceri, ndërsa i dyti është bar. Duke iu ngjitur së njëjtës rrugë, mund të gjeni hapur dy-tre pub-e ose disko, ku buçet muzika deri në orët e vona (në qoftë se studentët nuk kanë shumë për të mësuar); nëse ju merr uria papritur - pa problem- edhe pas orës 12 mund të gjeni fast-food-e hapur.
Mulliri i Babës
Rreth 20 minuta me makinë larg qytetit ndodhet një pikë turistike tepër e veçantë. Në Virua mund të kalohet gjithashtu një ditë (ose natë) pasi natyra është shumë e qetë dhe ajri i pastër. Nata është një mrekulli aty: mund të kaloni natën në hotelet aty pranë duke shijuar natyrën e paprekur dhe pamjen mbi liqen. Pak më poshtë ndodhet “Mulliri”, një nga vendet për t'u vizituar para se të vazhdoni në rrugën e kthimit.
Është një si shtëpi e vjetër dykatëshe prej guri, sipër janë disa dhoma për natën, ndërsa kati i parë është restorant. Karakterizohet nga një ambient rustik - duket si shtëpi e madhe fshati: dekori është një fantazi e vërtetë dhe ushqimi i mirë gjithashtu. Kjo zonë dallohet për mishin e shijshëm të qengjit (të rritur në kullotat me trëndelinë), ndaj ju këshillojmë një pjatë me paidhaqe dhe një gotë raki fshati.
Menu
Paidhaqe 600 lekë
Sallata 150 lekë
Gotë me raki 100 lekë
Shtëpia gjirokastrite
Është një labirint dhomash, korridoresh dhe hyrjesh të fshehta: zakonisht është 3- ose 4-katëshe. Kati i parë është i pabanueshëm (zahire) dhe përdorej si depo ushqimesh. Gjëja e gjallë (bagëtia) nuk strehohej aty për shkak të temperaturave të ulta; mund ta krahasoni me një frigorifer gjigant, ku pjesëtarët e familjes si bletët ruanin ushqimin e dimrit.

Në katin e dytë ishin të ashtuquajturat “dhomat e dimrit”, ku familjarët kalonin muajt e ftohtë. Ky kat është më i ulët se të tjerët dhe dritaret janë më të ngushta: oxhaku i dhomës së ndenjjes në këtë kat është më i madhi dhe më i bukuri i gjithë shtëpisë. Po këtu ndodhet edhe kuzhina, ose qilari në gjuhën popullore, ndërsa ngjitur saj është dhoma e ngrënies. Familjet aristokrate të Gjirokastrës kanë qenë tepër të pasura, ndaj kishin të zhvilluar kulturën e të jetuarit mirë dhe të të ngrënit mirë. Dëshira Tena, punonjëse në Muzeun Etnografik, tregon se gjatë kërkimeve në shtëpitë e pasura të Gjirokastrës janë gjetur edhe qypa me flori, “madje edhe lugët dhe pirunët me të cilët hanin ishin prej floriri”, thotë ajo. Dhoma e gatimit është e gjitha prej guri, në krahasim me dhomat e tjera ku mbizotërojnë punimet në dru, për të shmangur zjarret. Gjithçka është e menduar mirë në këto shtëpi: vendi ku laheshin enët (nekrolit) dhe ku vendosej hapësira e gatimit.

Në katin e tretë janë dhomat e miqve: të mëdha dhe plot dritë. Çdo dhomë ka nga katër dritare, të mbuluara me perde të punuara me dorë dhe qëndisma të rralla. E veçantë është dhoma e grave - vendi ku mblidheshin gratë dhe fëmijët kur kishte të huaj në shtëpi - pasi atyre nuk u lejohej të dilnin kur vinin miqtë. Secila dhomë, në çdo kat, është e pajisur me 3 ndarje të tjera: musandër (për të vendosur dyshekë, mbulesa), hamali (dhoma e larjes) dhe banja.

Dëshira tregon se shtëpitë e mëdha ishin plot hyrje dhe dalje të fshehta, porta që ngjanin me dollapë të futur në mur, por po t'i përshkoje, mund të të nxirrnin edhe përjashta mureve të shtëpisë.
Ushqimet tradicionale të qytetit
Gjirokastra shquhet për kulturën e sofrës, ndaj kuzhina e qytetit është e pasur më receta të veçanta dhe të shijshme. Përgjithësisht janë receta turke, por të mbrujtura në kulturën gjirokastrite, marrin një tipar të veçantë. Një nga pjatat më të njohura është pashaqofte (quhet kështu sepse gatuhej për Ali Pashë Tepelenën) dhe përbërja është: qofte orizi me mish, të gatuara në salcë të bardhë ose të kuqe.

Shapkat gatuhen në tepsi: është lloj byreku me miell misri dhe spinaq. Në vend të lyrës përdoret gjalpi, i cili i jep përzierjes një shije të veçantë.

Qifaitë kanë veçanti sidomos mënyrën e gatimit - tigani në të cilin skuqen është me 10 gropa, ku vendosen 10 qofte me oriz, mish dhe erëza. Ky tigan është një nga enët e kuzhinës tradicionale gjirokastrite dhe mund të gjendet e ekspozuar në Muzeun Etnografik.

Për t'u ëmbëlsuar, frutat e thara janë karakteristike e kuzhinës shqiptare, por në këtë zonë preferohen fiqtë e tharë (oshafka).
Kalaja e Argjirosë
Kalaja të zotëron menjëherë, sidomos kur gjendesh poshtë këmbëve të saj: shtrihet e gjatë dhe e lartë. Në cepin jugperëndimor dallon një kullë, në formë katrore dhe sahati që ngrihet përmbi të. Ndërsa në skajin e kundërt gjendet kulla e dytë - brenda saj gjenden pjesë muzeale. Në pjesën ballore, nëpër gurët e murit që lidh dy skajet, janë strehuar qindra zogj (janë sorra, por i shtojnë kalasë hijen e legjendës) dhe lule kacavjerrëse u janë ngjitur mureve të vjetra. Ngjitesh në një rrugët e kalldrëmta, të cilat rrotullohen si spirale nëpër kodër dhe më në fund arrin tek porta kryesore - aty duhet të paguash biletën - një shumë modeste 200 lekë.
Brenda kalasë bie shi
Hyrja e gurtë ka formën e një tuneli dhe nga muret pikon ujë, aq shumë sa duket si shi. Zhurma bëhet e mbytur dhe dëgjohet pikat e ujit që bien; tuneli zgjatet, në të janë vendosur një ekspozitë armësh nga Lufta e Parë dhe e Dytë - përgjithësisht topa artilerie. Nga të çarat në mur drita hyn e fortë dhe çan errësirën, që duket se banon aty prej shekujsh. Fundi i tunelit të nxjerr në tarracën e hapur, ku shpalosen pamje të mrekullueshme mbi luginën e Drinosit drejt veriut. Prej andej mund të dallosh qartësisht gjithë lagjet e vjetra. Në mes të tarracës janë vendosur tre gryka topash dhe në fund një gjuajtës i vjetër amerikan Lockhedd; rrethuar nga mure guri tashmë gjysmë të rrëzuara, ai vend është ideal për të organizuar koncerte apo festivale. Skena është e gatshme sepse mirëpret çdo katër vjet Festivalin Folkloristik. Djathtas, poshtë disa shkallëve, gjendet një kafene e vogël në një galeri të nëndheshme me harqe. Klientët e zakonshëm janë burra, por paraditeve me diell, poshtë të fshehur mes gurëve shkojnë çifte gjimnazistësh të dashuruar. Mund të kalosh orë duke vizituar kalanë - gjatë gjithë atyre ecejakeve unë vrava mendjen se nga cili shkëmb është hedhur princesha Argjiro kur mori vesh se turqit kishin pushtuar kalanë…
Historiku i kalasë
Bërthama e Kalasë së Gjirokastrës daton që nga shekujt 4-3 (para Krishtit). Rrethohet me mure ilire rreth shekullit të 6-të (pas Krishtit) duke hedhur themelet e para të kalasë së sotme. Ndërtimi i mureve zgjati me shekuj dhe mendohet që kalaja ka marrë formën përfundimtare rreth shek. 12, duke strehuar brenda saj pothuaj 200 familje. Lagjet e para jashtë kalasë datojnë një shekull më vonë - duke treguar për rritjen e vazhdueshme të popullsisë dhe qytetit antik. Në shekullin e 15-të, pas pushtimit turk kalaja zgjerohet edhe më shumë me depo uji, furra buke, burgje (të cilat ndodhet në pjesën e nëndheshme, ende sot të papastruara) dhe hapësira qëndrimi për ushtarët. Në vitin 1812, Ali Pashë Tepelena i shton kalasë pjesën e saj jugperëndimore dhe një ujësjellës të gjatë 12 km, i cili sillte ujin nga mali i Sopotit në brendësi të saj. Në vitin 1928 Ahmet Zogu e prish këtë ujësjellës dhe me gurët e tij ndërton burgun e kalasë, i cili ka funksionuar si i tillë deri në 1968-ën. Në vitin 1971 brenda kalasë hapet Muzeu i Armëve, sot në këtë muze kanë mbetur vetëm armë nga luftërat botërore, pasi të gjitha punimet antike shqiptare nga epokat e gurit, bronzit dhe mesjetës janë vjedhur gjatë trazirave të '97-tës.

Ku të zini vend dhe të hani
Hotel “Çajupi”

Një udhëtim në kohë: të fjeturit është i sigurt pasi disponon 50 dhoma- të cilat kanë çmime të ndryshme: nga 400 deri në 3000 lekë, në varësi të sezonit. Dhomat e kompletuara me dush dhe ngrohje janë më të shtrenjtat; nëse prenotoni vetëm krevatin, është më lirë, por do t'ju duhet ta ndani dhomën me ndonjë udhëtar të rastit.
Hotel “Kotoni”
Me fjetje dhe mëngjes në rrugën “Bashkim Kokona” është një nga hotelet më të mira. Në fakt, janë vetëm disa dhoma në dispozicion, por brenda tyre mund të gjesh një komoditet që nuk e ofron hotel në Gjirokastër.
Hotel “Vëllezërit Hajdari”
Ndodhet përballë hotel “Çajupi”, por ndërtesa është tepër e amortizuar dhe kushtet janë nga më modestet. Gjithsesi, mund të gjeni një shtrat të pastër për pak para.

Bar-restorant “Fantazia” ndodhet afër sheshit “Çerçiz Topulli”. Ofron ushqim të mirë dhe pamje të bukur.

Pak më poshtë ndodhet Klubi i Gjahut dhe përballë tij një bar tepër i thjeshtë. Është ndërtuar nën muret e kalasë dhe brenda ngjan si bunker. Pronari është shumë i sjellshëm dhe ushqimi është i freskët dhe i lirë.

Poshtë në qytet ka gjithashtu bar- restorante dhe fast-food-e që i gjen hapur deri vonë: ju këshillojmë të provoni ëmbëltoret, nëse ju pëlqejnë pastat e freskëta.