| E merkure, 17.10.2018, 06:21 PM |
NEBI DRAGOTI
FABULAT E VERËS
FABULA
Ah, fabula, ah, fabula…
Flasin mace e qenë,
flet guri, gjarpri, druja.
Gozhda thotë:- Ta ngula…
-Te këpucari ma mbyll gojën,
-thotë këpuca…
Në fabul flaska çdo send…
-Jam fabul regjur në shëllirë,
në shëllirë dhe…alegori,
më kupto, njeri i mirë!
Ah, fabula, ah, fabula…
BODECI
Eh, ç’e gjeti kaun në brazdë,
(kau i lodhur gjithë shkumë goja):
-Bodec,
ç’më shpon orë e çast?
-Brazdën çaje drejt, or mik!
Unë komandën nga bujku e marr,
në majë hosteni shpoj e nxit…
E bëj punën si kritik…
DEBAT VERE
-Milingonë moj, pse xhepat i ke plot!?
Ah, unë e mjera, i kam fare bosh!
-Debaton me mua pa mend në kokë:
ti në majë peme, unë këtu në tokë…
Tërë verën ti gëzh, gëzh nëpër degë,
në tokë unë, milingona, mbledh bereqet!...
BRESHKA INSPEKTORE
Doli breshka nga ugari
për inspektim:
-Dal të shoh ç’ka kopështari!?
Domatet jashtë kuqkuq,
i nguli dhëmbët për analizë:
-Bobo, tuli qënka i drunjtë…
E paskan bastarduar shkencën fare,
pa le, kanë edhe Ministri Bujqësie,
që rrika si burrat e Çajupit në hije(…)
pika që s’u bie!
Degjeneruar speci, trangulli,
pa ëmbëlsi shalqini, bostani…
Breshka inspektore
jep recetë për kurim:
-…U marrtë lumi
me gjithë Ministrinë!
LARASKA MBURRAVECE
Hop, në degë lejthate
goxha zhurmë laraske,
tundëte, shkunte atë bisht:
“Unë o bëj, o s’ bëj muzikë!
Për besë qesh me ca “talente”,
që s’ njohin figurat letrare,
mbahen për poete si derdimene
e më imitojnë në degë lejthate….
…Për pentagram kam drizat,
për glasat kam ferrat;
çerrat duartrokasin nga frika,
përbuzin mëllenjat, sqepverdhat…
Muzikë, de, hej, ç’ muzikë,
e kam fyllin me një vrimë.
Sa kot e ka bilbili kritik,
arti im eshtë i paarrirë”.
“Degë më degë lejthate,
e pështirë dhe krejt bajate,
je stan pa bylmet e hirrë,
zëçjerr, vjen era shëllirë”.
Kështu ia përplasi bilbili
kësaj mburrje mburracake,
sa laraskës iu mpi bishti
e u mek në degë lejthate…
CIGARISHTJA ELEKTRONIKE
-Cigare elektronike, de, për mashtrim,
-macja po i thoshte maçokut trim,
-mos e merr, mos, shpirti im, miku im,
veç për lekë i prodhon dhelpra firmë…
Qeshi maçoku dhe nxorri llapën,
i përgjigjet firmës me plot sarkzëm:
-Përdore vetë me gojën që ke pas,
vetëm aty cigarishtja jep rezultat…
E kishin provuar dhe dhjetra të tjerë,
pëfundimi zero, po ky muhabet.
Ka prodhime firmash, që janë rreng,
bëjnë reklamë, hedhin shurrën përpjet…
-Duhet vullnet dhe vetëm vullnet,
lihet duhani helm,o njerëz, o njerëz:
mashtrimet janë bërë moda e kohës;
kujdes, mashtrimet të qëllojnë kokës!