| E diele, 14.10.2018, 02:51 PM |
TI MË PYET Ç'JAM UNË PËR TY
Ti je dashuria ime me mot të kaltër e të vrerët,
lumturia më e madhe larë në diamantet dritë,
Je vuajtja më e madhe si një muzg vjollc i errët,
që më mban në majën e një shkëmbi në zgrip...
Ti më fluturon në qiellin më të lartë, në parajsë,
ti me dhimbjen që më shkakton, më fut në ferrin e shtatë,
je instrumenti i himnit të zemrës time, që më këndon,
je melodi e trishtimit, më zhyt në humnerë, më zemëron.
Je zgjimi me rrezen e artë, ku jetoj plot ngrohtësi,
je peizazhi, ku sodis momente, me mjaft ftohtësi,
je univers trëndafilash, që më bën të qesh, por pastaj,
kur nuk je imi, je univers me gjemba, më shpon të qaj.
Jetoj me ty dashuri, sepse tjetër si ty nuk gjej,
pavarësisht se ti më vdes, me asgjë s’të këmbej.
Vdes, po buzëqeshja e puthja jote përsëri më ringjall,
kush mund të dojë në botë, më shumë se unë vallë?...
Vjollca Tiku Pasku