| E premte, 19.09.2008, 11:53 AM |
35-vjet nga Festivalit i 11-të i Këngës në RTVSH
Agim Krajka dhe Vace Zela
Plot 35 vjet më parë (22-25 Dhjetor 1972), në Tiranë u zhvillua Festival i 11-të i Këngës në RTVSH
Festival i 11-të
Nr.1
Dhjetor 1972 - Dhjetor 2007
Plot 35 vjet më parë (22-25 Dhjetor 1972), në Tiranë u zhvillua Festival i 11-të i Këngës në RTVSH, festivali që shënoi nisjen e një fushate të egër të Partisë së Punës e regjimit të kohës ndaj kulturës e njerëzve të artit, deri në denigrimin e tyre moral e fizik, si përkrahës e përhapës së ideologjisë së huaj, në kundërshtim me normat e Partisë e moralin komunist.
Shkrimtari, publicisti dhe komentatori sportiv, Skifter Këlliçi, që ka botuar në faqet e gazetës sonë një numër shkrimesh me temë historike, letrare dhe sportive, si: "Dy martirë të Radio Tiranës" (kushtuar Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, gazetarë të këtij institucioni që u pushkatuan, pasi kishin kaluar 16 vjet në burgjet komuniste); "Të shtënat që tronditën Parisin", kushtuar aktit heroik të atdhetarit të madh, Avni Rustemi, që vrau tradhtarin me damkë, Esat Toptani"; "Ditët tragjike të Konferencës së Tiranës, (në të cilën Enver Hoxha mbyti me zjarr dhe hekur, elementët që kërkonin zhvillime demokratike në Parti); "Ndodhi gazmore nga historia e Radio-Tiranës"; "Duke rikujtuar Festivalin e 11-të të Këngës në RTVSH", etj., sjell përsëri dokumente, dëshmi e përjetime të këtij aktiviteti artistik që u kthye në një ngjarje të rëndë me pasoja të dhimbshme.
K. Boriçi
ENVER HOXHA PËRBALLË NJË FESTIVALI
Nga Skifter Këlliçi
Prolog
Kur po i vija titullin këtij cikli, m'u ndërmend heroi i Mitologjisë, Davidi, i përjetësuar nga dalta magjike e Mikelanxhelos, që u vu përballë gjigantit filistin, Goliath, personifikim i së keqes, dhe e vrau me gjuajtjen e një hobeje. Por, në këtë rast, ndodh e kundërta. Enver Hoxha, personifikimi i njërës prej më të këqijave të popullit shqiptar gjatë tërë historisë së tij, goditi për vdekje jo një hero, por një ferishte të brishtë, një shfaqje artistike, asgjë më shumë, sepse, sipas tij, ajo shënonte një njollë të zezë "në artin tonë të mbrujtur më mësimet e Partisë…". Jo vetëm kaq, ai pastaj goditi dhe vetë artin, letërsinë, artistë e shkrimtarë, e më pas hobeja në duart e tij u vërtit po aq vdekjeprurëse në fushën e ushtrisë, ekonomisë, duke bërë kurban anëtarë të Byrosë Politike, të Komitetit Qendror, komunistë të thjeshtë, duke mbjellë tmerr te njerëzit e thjeshtë, me burgosje e internime ose me të ashtuquajturin qarkullim kuadri. Dhe të gjitha këto, e kanë zanafillën te Festivali i 11-të…
Nën dritën e disa fakteve…
Një pasdite shkurti të vitit 1964, kur po futesha në Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë, hasa shkrimtarin tonë të njohur, Naum Prifti. Sapo kishte ardhur nga Korça. Një hije mërzie kishte mbuluar fytyrën e tij. E pyeta si po shkonte shfaqja e dramës së tij, "Rrethimi i bardhë", të cilën regjisori i ri, atëherë dhe i talentuar, Pirro Mani e kishte vënë në skenë në Teatrin "Çajupi". Pas kësaj pyetjeje, mërzia u shfaq edhe më këmbëngulëse, sidomos në sytë që iu rrudhën trishtueshëm.
"Në shfaqjen që u dha mbrëmë,- zuri të më shpjegonte ai,- ishte edhe shoku Enver.- Isha edhe unë në sallën e Teatrit. Gjatë shfaqjes ai duartrokiti, sa zemra m'u ngrit peshë nga gëzimi, por kur doli në sallon, ai kishte pamje të ngrysur. Duke biseduar me shokët e Komitetit të Partisë që e rrethonin, u tha atyre se drama kishte të meta të mëdha ideore, ndaj nuk duhej të shfaqej më. Veç kësaj,- shtoi ai,- edhe kritika duhej të mbante qëndrim ndaj autorit".
Dhe kështu ndodhi me të vërtetë. Kjo shfaqje u ndalua dhe kritikat në shtypin letrar e ndoqën të ziun Naum për vite më radhë.
Pasdite, fillim nëntori i vitit 1969. Çuditërisht, përsëri në hyrje të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve u takova me regjisorin e shquar, Mihal Luarasi, që me dramën "Njollat e murrme" të dramaturgut Minush Jero, të vënë si për ironi të fatit sërishmi në teatrin korçar, kishte fituar Çmimin e Parë në Festivalin Kombëtar të Teatrove Profesioniste që kishte përfunduar para disa ditësh. Madje vetë kryeministri, Mehmet Shehu i kishte dhënë flamurin Teatrit "Çajupi", duke e cilësuar këtë dramë me vlera të mëdha ideoartistike.
"Drama nuk do të shfaqet më,- më tha ai, po aq trishtueshëm sa ç'më kishte shpjeguar Naum Prifti më shumë se pesë vjet më parë.- Enver Hoxha e pa mbrëmë dhe tha se ajo ka të meta të theksuara, të cilat shtrembërojnë realitetin tonë socialist".
Ja si e përshkruan këtë ngjarje poeti, Fatos Arapi, në librin e tij "Kur kujtohem që jam", (1997): "Kryeministri, Mehmet Shehu, ngriti dollinë, por më parë falënderoi autorin, Minush Jeron, që kishte pranë, lavdëroi dramën… me dorën e djathtë vizatoi një hark nëpër ajër". Kjo është mjeshtëria e shkrimtarit. Ai ka ditur të kapë esencialen…". Dhe foli gjatë e lirshëm. Në numrin e saj të 9 nëntorit të viti 1969, gazeta "Drita" dilte me një artikull të shkruar nga vetë kryeredaktori, "Një njollë e zezë", dhe për ne ishte fare e kuptueshme se më shumë sesa për autorin e dramës, goditja e fyerja publike i bëhej kryeministrit, Mehmet Shehu, të cilit nuk i lejohej të hynte "aq thellë "në rrethet e botës artistike…".
Të vijmë tani te 25 dhjetori i vitit 1975. Në kanalin e parë të RAI-t, që lihej i lirë vetëm për lajmet, (telexhornale), në edicionin e mbrëmjes së orës 20.00 në ekran shfaqet Papa, i cili përshëndet me rastin e Krishtlindjeve.
Ja si e përshkruan Marash Hajati, aso kohe Drejtor i TVSH-së këtë ngjarje, që unë e kam vetë në ekran atë natë.
"Enver Hoxha i mbërthyer te ky informacion, priste që figura të ndërpritej. Kaloi një minutë, dy, pesë, hiç. Vetë ai personalisht, por edhe të tjerë pas tij, kërkuan në fillim Drejtorin e Përgjithshëm, pastaj të tjerë me radhë. Kur nuk u doli njeri, zumë telefonatat e tjera… Por, sikur të kishte rënë zjarri, askush nuk përgjigjej. Vetëm vonë "kryesori" u lidh më një numër në studion e lajmeve të Televizionit, ku po bëhej gati transmetimi i ngjarjeve kryesore të ditës.
"Jam Enver Hoxha,- kishte nisur ai ligjëratën me nerva e thirrje. Fjala nuk zinte fjalën.-Si guxoni të lini Papën të hapur? Ka mbi njëzet minuta që flet e bën propagandë në kryeqytet për Krishtlindje. Ku janë drejtorët tuaj? Cili jeni ju? Tani, menjëherë, të mbyllet linja e Dajtit!".
…Kjo ngjarje nuk kaloi pa pasoja. Drejtorit të Përgjithshëm iu dha paralajmërim serioz… tekniku, mbasi iu shqyrtua prejardhja e rrethit familjar, kaloi drejtpërdrejtë në prodhim". (Marash Hajati, "Dera e prapme e shtypit", faqe 112, 1998)
Por, përse atëherë Enver Hoxha nuk veproi në të njëjtën mënyrë me Festivalin e 11-të, të cilin edhe atë, ai po e ndiqte atë natë të 22 dhjetorit të vitit 1972, në vilën e tij komode në Vlorë? Po përpiqemi ta rindërtojmë këtë skenë të hamendësuar, të cilën edhe unë e kam përshkruar në romanin tim "Festivali i Njëmbëdhjetë", botuar më 2003.
Enver Hoxha ndjek me vëmendje natën e parë të festivalit. Pranë duhet të këtë pasur patjetër të shoqen dhe bashkëpunëtoren e tij më të ngushtë për të gjitha problemet, Nexhmijen. Në ekran shfaqen dy drejtuesit e festivalit, Bujar Kapexhiu dhe Edi Luarasi, e shoqja e Mihalit, që është edhe regjisori i këtij festivali. Pastaj, në skenë dalin këngëtarë e këngëtare të veshura disi ndryshe, me fustane të gjata, unaza e byzylykë nëpër duar e vathë të mëdhenj në veshë. Pjesa e mirë e këngëve përshkohen nga ritme të gjalla. Këngëtarët, gjithashtu, përpiqen t'u përshtaten më së miri këtyre ritmeve.
Befas Enver Hoxha, i vrenjtur i drejtohet Nexhmijes, edhe ajo e mvrenjtur, si dy vëllezër siamezë:
-Ç'janë këto veshje, këto bizhuteri, ç'janë këto këngë?
-Vërtet, ç'po ndodh kështu në këtë festival!- befasohet Nexhmija.
Logjikisht kështu duhet të këtë ndodhur, përderisa më pas u mor vesh se udhëheqësi i madh nuk e kishte pëlqyer festivalin.
Atëherë, me të drejtë lind pyetja: Përse ai nuk veproi si në dy rastet, kur me të parë dramat "Rrethimi i bardhë" e "Njollat e murrme" dha urdhër që ato të mos shfaqeshin për arsyet që përmendëm, ndonëse dramën e dytë e kishte pëlqyer vetë krahu i tij i djathtë, Mehmet Shehu? Përse, pas përfundimit të natës së parë të Festivalit të 11-të nuk mori menjëherë në telefon Ramiz Alinë, që ishte shefi i Propagandës në Komitetin Qendror e nuk i tha:
-Ramiz, i ke parë provat e këtij festivali?
Pas përgjigjes së tij pohuese, ai do të vazhdonte:
-Po si e ke lejuar këtë hata të zezë! Që nesër, të tërë këngëtarët të dalin me veshje të thjeshta e ritmet e këngëve të bëhet ç'është e mundur që të zbuten?
A kishte mundësi ta bënte diktatori këtë veprim? Përse jo, kur e kishte bërë në rastin e shfaqjes së Papës në TV.
Ç'do të kishte ndodhur më këtë rast?
Sigurisht, Ramiz Alia do të kishte njoftuar menjëherë Todi Lubonjën, Drejtorin e Përgjithshëm të RTVSH-së në atë periudhë, shokun e tij të ngushtë që në vitet e fëmijërisë, që të merreshin masat e mësipërme. Si pasojë, që të nesërmen në mëngjes, Drejtori Artistik i Festivalit të 11-të, Nikolla Zoraqi, regjisori, Mihal Luarasi dhe organizuesit e tjerë, me Todi Lubonjën dhe Nefo Myftiun, Drejtoreshë e Radios dhe e shoqja e Manush Myftiut, anëtar i Byrosë Politike, do të kishin marrë masat më të mundshme, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej në tri netët e tjera të Festivalit të 11-të.
Atëherë, pas mbledhjesh e diskutimesh, që do të nisnin nga organizatat bazë të partisë, të Komitetit të Partisë së Tiranës e më lart, për drejtuesit t RTVSH-së do të merreshim disa masa e me kaq çdo gjë do të merrte fund. Cilat mund të ishin këto masa? E shumta, Todi Lubonjës mund t'i jepej një vërejtje e rëndë, ose mund të transferohej të punonte diku në një sektor tjetër. E njëjta gjë mund të ndodhte me Nefo Myftiun, Drejtoreshë e Radio Tiranës, Mihal Luarasin, regjisor i festivalit… Vetëm kaq.
Për të mos prishur atmosferën, kjo nuk do të ndodhte para Vitit të Ri, por, menjëherë pas tij. Mirëpo nuk ndodhi kështu…
Festivali i 11-të nuk ishte shkreptimë në qiell të kthjellët
Me fjalë të tjera, festivali nuk ishte një "bum" i papritur, ose, për të vazhduar më tej me krahasime, nuk ishte si një marsian që na habit me zbritjen e tij në tokë. Ai ishte vazhdë e një klime që kishte nisur të mbizotëronte që nga fundi i viteve '60-të në jetën tonë e sidomos në letërsi dhe arte.
Dihet se prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, solli afrimin e Enver Hoxhës me Kinën. Në të gjitha drejtimet. Doemos edhe në art. Ja përse ekranet e kinemave dhe të TV-së, ndonëse ende qendër eksperimentale në ato vite u përmbytën nga filma kinezë. Po ashtu edhe botimet tona, për të mos thënë tekstet e leximit, ku do të shihje pjesë autorësh kinezë, midis të cilave, veçanërisht, ato kushtuar edhe Lej Fenit, heroit popullor kinez. Nga letërsia e huaj nisën të botoheshin kryesisht vepra me përmbajtje revolucionare.
Në Plenumin e 15-të KQ të PPSH-së, mbajtur më 25-26 tetor 1965, i hovëzuar nga ndikimi kinez që kërkonte që krijimtaria letrare dhe artistike të bëhej pronë e popullit, Mehmet Shehu arriti të shprehej në këtë mënyrë: "...Mua më duket se krijimtaria artistike në fushë e letërsisë nuk duhet të mbetet pothuajse monopol i vetëm i shkrimtarëve. Pse të mos u hapim dyert masave të gjera punonjëse, që të shkruajnë vjersha, tregime, novela, kritika?…".
Mbi të gjitha, Letra e Hapur e Komitetit Qendror të PPSh-së, fjalimi i Enver Hoxhës i 7 shkurtit të vitit 1967, që ishte thirrje monstruoze për shkatërrimin e kishave dhe xhamive dhe shpallja e Shqipërisë vend afetar, pasuar edhe me të ashtuquajturin qarkullim kuadri, sollën një tronditje të madhe shpirtërore të popullit të sfilitur shqiptar. Kjo goditje ra edhe mbi shkrimtarët dhe artistët, që u degdisën deri në fshatrat më të largëta, për të jetuar gju më gju me popullin dhe të frymëzuar prej tij të shkruanin vepra pa… shpërblim.
Letërsia dhe artet u orientuan edhe më shumë në luftë luftës kundër ndikimeve të artit borgjezo-revizionist. U hoqën nga qarkullimi shumë vepra të Letërsisë Klasike perëndimore. Për shembull, më 1966 në Teatrin e Operas dhe Baletit u përgatitën por nuk u shfaqën, opera "Dasma e Figaros" e Mozartit dhe baleti "Paganiniada" e koreografit të njohur Panajot Kanaçi sepse ato shkonin ndesh me… "frymën revolucionare të kohës".
"Jetojmë në kushtet e rrethimit borgjezo-revizionist". Kjo parullë filloi tashmë të përshkonte veprat letraro-artistike, natyrisht, dhe festivalet e këngëve ku nisën të mbizotëronin këngë kushtuar punës vetëmohuese të popullit dhe fshatarësisë kooperativiste e, doemos, Partisë.
Mirëpo, nga fundi i viteve '60-të dhe fillimi i viteve '70-të në letërsi dhe arte zunë dalëngadalë të frynin erëra të tjera. Nëpër librari filluan të dukeshin vepra të reja nga letërsia e huaj. Në ekranet e kinemave dhe të Televizioni Shqiptar, të përuruar më 1 nëntor të vitit 1971, nisën të shfaqeshin filma, jo vetëm perëndimorë, por, madje edhe nga vende të ashtuquajtura revizioniste, duke përjashtuar Bashkimin Sovjetik.
Pasi më 1969 ishin dërguar për specializim në Itali dy punonjës, njëri nga sektori artistik dhe tjetri nga sektori teknik, në vende lindore, si në Bullgari, Çekosllovaki, Rumani u dërguan ekipe për blerje filmash, në Rumani edhe për marrëveshje të ndërsjella, pa përjashtuar punonjës të tjerë të sektorit teknik, që shkuan në Francë dhe Itali për specializim. Veç kësaj, me urdhër të kryeministrit Mehmet Shehu u dha porosi që UEM-i, i cili prodhonte televizorë, të mos e mbyllte kanalin e dytë, që lejonte të shiheshin programe dhe nga kanale televizive italiane e madje jugosllave. Madje meqë numri i televizorëve ishte ende i pakët u rekomandua që në qendra pune ku kishte televizorë, punonjësit mund të ndiqnin Festivalin e Sanremos dhe shfaqje të tjera të RAI-t së bashku me familjarët e tyre.
Shihej, pra, një tjetër konceptim më i gjerë, që u pasqyrua edhe në ecurinë e letërsisë dhe arteve tona, i cili, ndonëse nuk u shpreh hapur nga drejtuesit e lartë partiakë, të paktën u nënkuptua se duheshin hapur shtigje të reja. Në këtë frymë, që RTVSH-ja të kishte përmirësime më të ndjeshme, u pa e arsyeshme që Thanas Nano, që më 1961 ishte emëruar Drejtor i Radio Tiranës e pastaj i RTVSH-së, të zëvendësohej nga Todi Lubonja, në atë kohë Sekretar i Komitetit të Partisë të Rrethit të Korçës. Vetë fakti që në mbledhjen e organizuar në 28 janar të viti 1972, (për arsye pune, unë nuk u ndodha atje), ku, për të paraqitur drejtorin e ri para punonjësve të RTVSH-së, erdhën Manush Myftiu, anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Tiranës, së bashku me Xhaferr Spahiun, kandidat i Byrosë Politike dhe zv.kryetar i Këshillit të Ministrave, dëshmonte rëndësinë që i jepej këtij ndryshimi në drejtimin e RTVSH-së. Këtë e provoi edhe fakti tjetër se Manush Myftiu, në fjalën e rastit tha, pak a shumë ftohtë, (mbase edhe sepse e shoqja e tij, Nefoja, grua e fisme, e dashur dhe e arsyeshme, drejtoreshë e Radio Tiranës, kishte pasur fërkime me të), se Thanas Nano kishte punuar, "por edhe gabime kishte bërë" dhe se Todi Lubonja ishte njeri me koncepte të avancuara, që do t'i hapte horizonte të reja RTVSH-s, duke lënë të kuptohej se tashmë drejtori i mëparshëm zëvendësohej edhe për prirjet e tij konservatore, fakt që, siç do ta shohim edhe më poshtë, ishte plotësisht i vërtetë, po të kemi parasysh se ai ishte edhe pedant në mënyrën e drejtimit dhe komunikimit me vartësit.
Të nesërmen në mëngjes, Thanas Nano bëri një akt fisnik. I veshur me kostumin e tij më të mirë, për të dhënë lamtumirën e fundit, shkoi në çdo zyrë dhe u përshëndet me punonjësit. Atë ditë, isha rastësisht në zyrën e Redaksisë së Fëmijëve të Radios, kur ai na përshëndeti dhe tha, me ton prekës, pak a shumë, këto fjalë. "Jam përpjekur të punoj mirë, por megjithatë, më falni për gabimet që mund të kem bërë". Është e kuptueshme, që nuk i vinte mirë që largohej nga një institucion ku kishte punuar për plot 11 vjet. U caktua të punonte këshilltar në Kryeministri pranë Xhaferr Spahiut, e pastaj, drejtor i Drejtorisë së Shtypit në Ministrinë e Jashtme.
Sigurisht që, në zëvendësimin e Thanas Nanos me Todi Lubonjën ka ndikuar drejtpërdrejt Ramiz Alia. Këtë ma pati pohuar vetë Todi, pas lirimit të tij nga burgu, aty nga fillimi i viti 1990. Pas një farë ngurrimi, (isha komentator i jashtëm sportiv i RTVSH-së dhe, gjithsesi, ishte ende me rrezik të takoje një njeri të cilësuar armik të egër të popullit dhe partisë nga diktatori Hoxha), vendosa t'i bëj një vizitë. Pa plang e pa shtëpi, ishte strehuar, së bashku me të shoqen, Lirinë, në një dhomë të shtëpisë së prindërve.
Veç kësaj, gjatë këtij takimi e të tjerave që bëra më pas, kisha dëshirë që të mësoja edhe ngjarje të tjera pas Festivalit të 11-të, sido që një pjesë i kisha përjetuar si ish-gazetar i TVSH-së së atyre viteve, ngjarje që do të shërbenin për të shkruar romanin "Festival i Njëmbëdhjetë", që u botua më 2003. E gjeta tek po lexonte në… bodrumin e shtëpisë, ngaqë në të vetmen dhomë që kishte, ndihej me të vërtetë shumë ngushtë.
Për disa nga pikat kulmore të kujtimeve që ruaj gjatë atyre takimeve me Todi Lubonjën, do të flas edhe në pjesët e tjera të këtij cikli, por, kur erdhi fjala për emërimin e tij si Drejtor i Përgjithshëm i RTVSH-së, i thashë:
-Sikur të ishe emëruar kryetar i Komitetit Shtetëror të Kulturës Fizike, ashtu siç u fol atëherë, në mjediset sportive, nuk do të kishin ndodhur ato që ndodhën.
- Ishte Ramiz Alia, shoku im që në vitet e vegjëlisë,- më sqaroi ai, -që nguli këmbë se më mirë do të ishte që të vija në RTVSH. Unë, të them të vërtetën, nuk doja. Do të isha kështu përsëri nën mbikëqyrjen e afërt të Enver Hoxhës, për të cilin kisha krijuar bindje se nuk më donte, sidoqë njohja ime me të ka filluar që më 1938, kur e kisha pasur për tre muaj profesor të Frëngjishtes në Gjimnazin e Tiranës. Atëherë, madje, edhe më pati lëvduar për zellin që kisha treguar në mësimin e kësaj gjuhe. Jo vetëm kaq, por më 1942, kur tashmë isha lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe isha hedhur në ilegalitet, jam takuar me të në një shtëpi të vogël tiranase, bazë e luftës, që ndodhej në rrugën "Isa Boletini". Më njohu, mua ish-studentin e tij dhe madje edhe më ngarkoi që të shpija një dokument me rëndësi, në një bazë tjetër ilegale. Mirëpo, më pas punët ndryshuan.
Todi, pas këtyre fjalëve, nënqeshi dhe vazhdoi:
-Në verë të vitit 1958, kur isha Sekretar i Komitetit Qendror të Rinisë, së bashku më një delegacion të rinjsh, Enver Hoxha, tashmë udhëheqës legjendar, na priti në zyrën e tij. Këtu më duket se bëra një gabim. Duhej të kisha qenë unë, pas takimit, që t'i kisha kërkuar atij të bënim një foto bashkërisht me të rinjtë, gjë që e bëri ai. Veç kësaj, duhej të isha treguar edhe më i qeshur në ato çaste. M'u duk se atij nuk i erdhi mirë. Në nëntor të viti 1960, bëja pjesë në grupin e punës që po redaktonte Rezolutën për Mbledhjen e Moskës, ku do të merrnin pjesë së bashku me delegacionin tonë, edhe delegacione të 80 partive komuniste. Edhe këtu, gjatë redaktimit, duhej të isha treguar më entuziast para Enver Hoxhës për aktin e madh të Partisë sonë, (kupto, të tij), që po ndahej përfundimisht nga diktati sovjetik. Më 1967 nuk duhej kurrsesi që të bëja një faqosje të re të "Zërit të Popullit", që u quajt nga Enver Hoxha "si e gazetave perëndimore" dhe solli si pasojë që të transferohesha, me urdhër të tij, Sekretar Partie në Korçë. Po atje, më 1969, nuk duhej të kisha lejuar që të vihej në skenë drama "Njollat e murrme", të cilën ai e pa në Tiranë dhe vendosi të mos shfaqej më, edhe pse kishte fituar Çmimin e Parë në Festivalin Kombëtar.
Te libri me kujtime "Dera e prapme e shtypit" publicist i njohur, Marash Hajati, shkruan: "Ne të sektorit të shtypit, jemi dëshmitarë të këmbënguljes së Ramiz Alisë që Todi Lubonja të vihej në krye të RTVSH-së" (faqe 80).
Pra, ishte dëshira dhe këmbëngulja e Ramiz Alisë që e bindi diktatorin që Todi Lubonja të bëhej Drejtor i Përgjithshëm i RTVSH-së. Siç duket, në një çast euforie ka miratuar propozimin e Ramiz Alisë, që, tashmë, "i kishte shlyer gabimet që kishte bërë".
Sidoqoftë, Todi Lubonja, duke pasur mbështetjen e Ramiz Alisë, nisi të punonte me pasion në RTVSH. Njeri me kulturë dhe shije të holla, (jo më kot Kadareja i famshëm, para botimit, herë pas here, i jepte vepra të tij për lexim dhe vlerësonte mendimet e tij), ai, ndonëse nuk i njihte nga afër veçoritë e gazetarisë radiotelevizive, u përpoq të sillte të reja në këtë fushë. Në mbledhjet tepër të çiltra që organizoi me redaktorë të Radios dhe TV-së, kërkoi që ata të mos ngurronin në gjetjen dhe përdorimin e formave të reja të emisioneve, gjë që, natyrisht, nuk ishte kërkesë e re. Por ai dha dhe shembuj praktikë rreth këtyre formave.
Veç të tjerash, Todi Lubonja krijoi një atmosferë të ngrohtë me punonjësit. Nuk priste që gjithçka ta diskutonte dhe ta zgjidhte në zyrë e tij, por shkonte ai nëpër zyrat tona dhe studiot, ku fliste me përzemërsi me ne, teknikët, ishte kureshtar të njihte proceset teknike, sidomos të regjistrimeve a transmetimeve të drejtpërdrejta, dëgjonte mendimet e sugjerimet që i jepnim ne gazetarët dhe personeli teknik, përgëzonte ata që bënin emisione të mira, madje, jo rrallë, me të mbaruar emisioni, e bënte këtë edhe me telefon. Shkonte edhe në kafenenë e Radiotelevizionit, pinte kafe me këdo që gjente atje, bënte edhe shakara. Ishte një qëndrim thuajse krejt i kundërt me qëndrimin e drejtorit të mëparshëm, Thanas Nano, që kurrë nuk veproi kështu, që qëndronte, edhe në të tilla raste "mbi" kolektivin, që nuk mori pjesë kurrë në një mbrëmje vallëzimi, vajtje në kinema, muze a teatër me punonjës të Radiotelevizionit, a në ekskursione që organizoheshin herë pas here.
Ndonëse vëmendjen kryesore Byroja Politike e kishte përqendruar te TV-ja, kur Radio Tirana transmetonte 17 orë program në ditë dhe TV-ja vetëm 5 orë, Todi Lubonja, një herë në një mbledhje me redaktorët kërkoi, veç të tjerash, që programet e Radios të kishin një regji, ku personazhe të shquara në fushën e artit, mundësisht gojëtarë të shkathët, me paraqitjen e programeve, ndërhyrjet dhe bisedat me të ftuar të tjerë, të krijonin lidhje organike të emisioneve që pasonin njeri-tjetrin dhe, më pas, që redaksitë e lajmeve të Radios dhe TV-së të bashkoheshin, që të ndihmonin kështu më mirë njëra-tjetrën, përvojë që ishte zbatuar edhe nga RAI.
Për t'i pasuruar lajmet e jashtme, menjëherë u nënshkrua një marrëveshje me kompaninë "Visnjuz" që siguronte kronika televizive nga bota. Për herë të parë në emisionet muzikore të Radios, u transmetuan këngët e Festivalit Evropian, që sapo kishte përfunduar, (maj të 1972), që për Thanas Nanon do të kishte qenë skandal. (E të mendosh se 32 vjet më pas, më 2004 Shqipëria do të merrte pjesë për herë të parë, por jo të fundit, në një veprimtari të tillë dhe kënga shqiptare do të arrinte në vendin e gjashtë!)
Që në maj të vitit 1970, kur në Meksikë do të fillonte Botërori i 9-të i Futbollit, u kisha propozuar inxhinierëve të sektorit teknik, që në rast se realizohej kalimi i figurës së stacioneve të huaja që shiheshin në TVSH në kanalin e TV-së, atëherë ende eksperimental, unë isha gati që të komentoja ndeshjet e futbollit dhe më pas veprimtari të tjera sportive. Por këtë propozim Thanas Nano e kishte hedhur poshtë kategorikisht. Dhe ja, më 25 prill të vitit 1972, Todi Lubonja më ndali në korridoret TVSH-së dhe më pyeti: "Hë, a je në gjendje të komentosh ndeshje futbolli nga televizionet e huaja?".
I befasuar, se këtë radhë nuk isha unë, por ai që ma bënte këtë propozim, iu përgjigja "Po!". Por, jo pa ngurrim. Dhe kështu të nesërmen, në orën 17.00, TVSH-ja transmetoi nga RAI ndeshjen Itali-Belgjikë, që luhej në Milano, me rezultat (0-0) dhe në orën 20.30 nga TV Beogradi ndeshjen Agli-RF Gjermane, rezultati (1-3) që luhej në Londër.
Jehona qe e jashtëzakonshme, madje edhe nga kupola e kuqe.
Pas një muaji, më kujtohet se nga Elbasani erdhi profesori i nderuar i kulturës fizike, Besim Qorri, dhe solli në Drejtorinë e RTVSH-së një letër falënderimi për këtë institucion, që po u jepte mundësi edhe sportdashësve të shumtë elbasanas të shihnin në TV veprimtari të tilla sportive edhe në qytetin e tyre, madje edhe në tërë Shqipërinë. Natyrisht, më falënderoi edhe mua.
Një mëngjes qershori të vitit 1972, Todi Lubonja më ftoi me ngut në zyrë dhe më tha se shoku Enver ishte i kënaqur me të rejat që kishte parë në TV dhe kishte shtuar që të vazhdohej në këtë rrugë. Më pyeti se ç'mund të bënim tjetër në fushën e sportit. Iu përgjigja se mund të transmetonim lojërat olimpike, që në Gusht-Shtator zhvilloheshin në Mynih të RF Gjermane. "Patjetër",- më tha ai. Dhe kështu ndodhi.
Mbase u teprua që, me disa përjashtime, prej orës 14.00-23.00, madje edhe më vonë, nga TVSH-ja, duke u kombinuar me emisionet lajmeve të orës 18.00 dhe 20.00 dhe me emisionin e fëmijëve të orës 18.30, u transmetuan tërë llojet e sportit të Olimpiadës Gjermane. Mirëpo jehona kudo në Shqipëri qe e madhe.
Më kujtohet se në një takim që Pirro Kondi, aso kohe Drejtor i Drejtorisë së Propagandës në KQ, në tetor të vitit 1972 pati me gazetarët sportivë, ku merrja pjesë edhe unë, vlerësoi transmetimin e këtyre lojërave nga TVSH-ja.
Dhe ja, me ardhjen e Todi Lubonjës në RTVSH, në vazhdën e këtyre dukurive të reja që kishin filluar në emisionet radio-televizive, në letërsi dhe arte, madje, edhe një jetën tonë të varfër shpirtërore, u përgatit edhe Festivali i 11-të i Këngës. Regjia e tij iu besua të talentuarit Mihal Luarasit, që edhe ai, si Todi Lubonja, ishte transferuar nga Korça në Institutin e Lartë të Arteve dhe ishte tërhequr menjëherë prej tij në TVSH, si udhëheqës artistik.
Pra, siç e pamë nga faktet dhe argumentet e mësipërme, ai nuk ishte rrufe në një qiell të kthjellët.