| E hene, 13.08.2018, 06:46 PM |
NDERIM
PËR SHPIRTIN E LIRË TË POETIT HAVZI NELA!
Nga Lule Nela
Më 10 gusht 2018, me rastin e 30- vjetorit të ekzekutimit të Martirit, Poetit dhe Desidentit Havzi Nela, Bashkia Kukës ngre pranë shkollës së mesme me po të njejtin emer, bustin e tij dhe gjithashtu përuron shtëpinë muze në fshatin Kollovoz, në vendlindjen e tij. Në këtë jubile morën pjesë figura të larta të vendit, deputet, ish ministra, shkrimtarë, bashkëvuajtës të poetit, të cilët rrëfyen të mallëngjyer por edhe të gëzuar njëkohësisht për figurën e këtij intelektuali. Ndër të tjera bashkangjitur po paraqes edhe fjalën time. "Përshëndetje për të gjithë pjesëmarrësit e këtij eventi, për të qenë prezent në lartësimin dhe përndritjen e figurës së Martirit të Demokracisë, poetit dhe desidentit Havzi Nela.
Duke qenë se vetë vij nga një familje të presekutuarisht ku shumë pjestarë të familjes time u shuan nëpër burgje e internime. Gjyshi im Bajram Nela, i njohur ndryshe si (Ber Avdullahu) i ndjekur këmba-këmbës nga rregjimi totalitar komunist, i cili u spiunua nga agjentet sekret të partisë (të cilët nuk ishin edhe aq sekret për familjen tonë), e dogjën dhe e internuan familjarisht me meshkuj e femra. Halla e internuar vdiq në moshën 18-vjeçe në burgun e Tepelenës, ndaj sot si asnjëherë tjetër e ndjej si detyrim moral të shpreh edhe unë qëndrimin dhe indinjatën time.
Në emër të familjes time, në emër të fisit Nela dhe në emër të fshatit tim Kollovoz, falenderoj përzemërsisht Bashkinë Kukës, Kryetarin e saj Z. Bashkim Shehu, nënkryetarin Dilaman Nela, dhe gjithë strukturën e saj që u aktivizuan në procesin e ngritjes së bustit në mes të qytetit Kukës aty ku i takon, si dhe rindërtimit të shtëpise muze të Havzi Nelës.
Një falenderim i veçantë edhe për Nënkryetarin e partisë Demokratike, Z. Edi Paloka, shkrimëtarëve, profesorit tim dhe shkrimtarit Agron Tufa për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në nderim të figurës së birit të fshatit tonë, i cili ishte i fundit i varur në europën lindore. Jam thellësisht mirënjohëse që më në fund u vu në vend edhe ky amanet, për të mos përbaltur e për të mos ridënuar këtë figurë, e këtë shpirtë të lirë poetik, për së dyti. E kam fjalën për kohën që në mënyrë makabre ekzekutoi poetin dhe talentin gjenial, siç bënte dhe me figura të tilla si kjo, por më e keqja, po ato mbeturina vazhdojnë të dënojnë për së dyti me dekorimet e ekzekutoreve të asaj kohe.
Me shumë të drejtë bashkëvuajtesi i tij Visar Zhiti thoshte: Nëse poetët e tjerë kanë një studio, kanë një penë, kanë shpërblime të tjera, kanë rroga, kanë çmime, kanë shtetin nga mbrapa, ai i kishte të gjithë kundra, as penë, as bojë, por me kujtesë e shpesh me gjakun e tij. Këto janë poezitë më të mira në botë, këto janë poezitë më të bukura në botë. A vritet një poet o njerez, a vriten vargjet e lirisë? Ai nuk ishte një poet dosido, ai i krijoi në memorjen e tij sa e sa vargje të cilat kur gjente mundësinë i hidhte në fletore, e më pas për t'ja dhënë vëllait të vet Z. Shukri Nelës. Ky gjeni kishte krijuar një poezi me 1000 vargje të cilat i kishte rimuar në mendje, por që fatkeqësisht nuk arriti kurrë ti hidhte në letër duke i marrë përjetësisht më vete atje ku sot prehet. Martirët e demokracisë e kanë të sigurtë tashmë qetësinë e lavdinë e tyre atje ku sot pushojnë. Eshtë shoqëria jonë shqiptare ajo që nuk e ka, për këtë duhet të luftojmë të gjithë. LAVDI PËR POETIN DHE SHPIRTIN E TIJ TË LIRË!