| E diele, 08.07.2018, 09:44 PM |
MEDALJONET ME PORTRETIN E GJERGJ KASTRIOTIT NË SHEKULLIN XV.
Nga Lutfi ALIA
Në shekujt e mesjetës, populli ynë përjetoi qyteterimin perëndimor, respiroi kulturën europiane dhe ishte e mbetet pjesë integrale e Europës. Eqerem Çabej shkruan: “Dalmacia dhe Albania e me pas ishujt Jonik, janë vendet, që u hapën direkt e më tepër ndaj influencës kulturore të perëndimit”.
Aleks Buda theksonte: “Në mesjetë, Albania ishte e zhvilluar në nivele me vendet më të përparuara të Europës”.
Krahas rolit të fisnikëve arbëror, në lidhjen e Albanisë me perëndimin, luajti rol dhe kisha katolike, si thotë M. Šufflai: “Me ndihmën e Selisë së Shenjtë, Tivari dhe më pas e gjitha Albania, u shndërruan në bazat operative të perëndimit, kundër ortodoksisë dhe kunder sllavizimit”; ndersa L. Thallòczy shkruante: “Fran-çeskanët ishin e vetmja rezervë e perëndimit, që qëndroj në Shqipëri dhe kur interesat e Europës për këto vise u shterën krejtësisht”.
Si rezulton në dokumentat e shekullit XV, Gjergj Kastrioti, Princi i Matit, Zoti i Dibrës dhe i Krujës, nga viti 1443 Dominus Albaniae – Zoti i Albanisë, ashtu si gjithë fisnikët e asaj kohe, kishte stemën heraldike me shqiponjën dykrenore, sipër yllin me gjashtë cepa; kishte flamurin e kuq me shqiponjë, si e përshkruan Marin Barleci, kishte vulën zyrtare dhe atë sekrete, që i përdorte në letrat derguar miqëve të shumtë, Papëve, në letrat kredenciale me mbretërit, princat, me fisnikët europianë dhe në letrat dërguar sulltan Mehmetit II.
Stemat heraldike të dinastive fisnike dhe të shteteve arbërore, shfaqen në fillimet e shekullit XII me princat Progonë të Shtetit të Arbërit, nee shekullin XIII me Mbretërinë e Albanisë të Karlit I Anzhu dhe më pas në vazhdimësi në të gjitha familjet patronomike arbërore: Arianiti, Balsha, Topia, Kastrioti, Dukagjini, Muzaka, Engjëlli, Gazuli, Golemi, Gropa, Jonima, Maneshi, Martaseos, Matranga, Shpata, Skura, Spani, Vrana, Zaharia, Zenebishti etj. Heraldika albanese ishte origjinale dhe pjesë përbërëse e heraldikës evropiane, me të gjitha karakteristikat, zhvillimet, ndryshimet dhe arritjet.
Krahas stemave heraldike dhe flamujve, fisnikëria europiane përdorte dhe medaljone, të prodhuara për të prezantuar origjinen fisnike, pozicionet sociale, poltike, ekonomike dhe ushtarake, ashtu si i përdornin dhe për qëllime komemorative, murale, honorifike.
Medaljone kishin dhe fisnikët arbëror, disa prej tyre janë ruajtur, si ato të dinastisë të Kastriotëve, por shumica e të tjerëve kanë humbur. Këto medaljone ishin shprehje artistike e binomit personazh – imazh, ishin vepra arti plastik, të cilat në formën më të zakonëshme pasqyronin aspektet sociale dhe historike të personazhit të realizuar në ikonografi. Këto dy elemente, kombinoheshin sipas qëllimit, që kishte porositësi dhe artisti prodhues, ose si ia kishin kërkuar, apo diktuar protagonistët.
Fillimisht, medaljonet kishin karakterin privat, për përdorim personal dhe prodhoheshin me një estetikë të pëlqyeshme. Në vitet e me vonëshme, për vlerat artistike dhe historike që morën, përfunduan në muzeume dhe në koleksione private, kësisoj u bënë pjesë e historisë zyrtare të shteteve.
Krahas koleksioneve të pasura private, muzeumet europiane kanë pavione, ose seksione ku ekspozohen medaljone. Shumë historianë, studiues të medaljonistikës dhe numimastikës, kanë realizuar studime dhe kanë botuar vepra të shumta, duke evidencuar velerat e këtyre medaljoneve.
Një ndër punimet me vlera të mëdha historike dhe artistike për medaljonet, është vepra e studiuesit venecian Piero Voltolina: “Storia della Repubblica di Venezia attraverso le medaglie”, botuar ne vitin 1988 në Milano.
Në vëllimin e parë të kësaj vepre, që përfshinë shekujt XIV – XVI, autori ka prezantuar një koleksion të pasur, me 840 medaljone mbretërish, princash, papësh, klerikësh, fisnikësh, kondotierësh ushtarakë dhe të institu-cioneve të shquara të asaj kohe, duke filluar nga Venecia e ne vazhdim Roma, Vatikani, Firence, Bergamo, Milano, Torino, Padova, Raguza, Albania, ishujt Jonikë e deri ne Qipro; nga kufiri me Austrinë në Dalmaci e deri në Kretë, ku shtriheshin zoterimet e Venedikut, madje ka prezantuar dhe medaljone të personazheve të Perandorisë Osmane.
Autori Piero Voltolina, me këtë koleksioni medaljonesh, ka paqyruar historinë e Venecias, me prestigjin, kulturën, artin, potencën politike, ekonomike, tregëtare dhe ushtarake të Serenissimës, pra ekspozon një histori në këndvështrim të gjërë dhe specifik, nëpërmjet prezantimit të medaljoneve me imazhe të protagonistëve të kohës, të plotësuara me informacione sintetike, duke dhënë dëshmi interesante të shumë figurave të shquara jo vetëm të Venecies, por dhe të vendeve të tjera fqinje dhe të aleatëve të largët.
Kjo vepër madhore i dhuron lexuesve njohuri kulturore, artistike dhe historike, por edhe emocione e krenari, sepse njihen me figura historike të vendit dhe trevave të tyre, si ndodh me ne shqiptarët, kur në brendësi të kësaj vepre gjejmë dhe medaljonet me portretin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, të cilat autori i ka rradhitur në kapitullin dedikuar medaljeve të shekullit XV, pra të periudhës kohore, kur jetoi Gjergj Kastrioti dhe kur janë prodhuar medaljonet.
Përfshirja e medaljoneve në këtë vepër madhore, nuk lidhet vetëm me rrethanën se janë prodhuar në Itali, por dhe me faktin historik, se familja Kastrioti bënte pjesë ne klasën e fisnikëve venedikas.
Princi Gjon Kastrioti, në fillimet e shekullit XV ishte miku besnik dhe aleati i Venecias e bashkë me djemtë,
kishte nënshkruar marrëveshje miqësie dhe bashkpunimi me Serenissimën.
Në vitin 1413, Senati i Republikës së Venecias i dha princit Gjon Kastrioti titullin e trashëgueshëm “Qytetar Nderi i Veneto”, titull që e gëzonin dhe djemtë e tij. Dorit Raines, në veprën “Storia di Venezia Cooptazione, aggregazione e presenza al Maggior Consiglio: le case del patriziato veneziano, 1297-1797, thekson se në vitin 1416, familja Casteroti – Kastrioti ishte në listen e patricëve të Venecias, pra Gjon Kastrioti gëzonte nderimet dhe të drejtat e patricit venedikas.
Në nje dokument te vitit 1417, Gjon Kastrioti rezulton vasal i Republikës së Venedikut.
Pas vdekjes të Princit Gjon Kastrioti më 1442, Principata e Arbërit ra nën pushtimin ottoman.
Në vitin 1443, Gjergj Kastrioti u kthye në Krujë dhe rimori zotrimet e principatës të Arbërit.
Tre nga djemtë e Gjonit, vdiqën në mosh të re.
- Reposhi, murg në manastirin Hilanderit në Malin të Shenjtë pranë Selanikut, kishte vdekur në vitin 1431.
- Stanisha vdiq në vitin 1446 dhe u varros në Manastirin e Shen Merisë Hyjlindëse në Martanesh (Arbanashki
Pirg. të P. Petkoviç, faqe 196-197)
- Kostandini e humbi jetën në rrethana të panjohura, madje nuk dihet viti i saktë, por sigurisht para 1443.[1]
Në 2 mars 1444, në qytetin e Lezhës, që aso kohe ishte në zotërim të Venedikut, u mblodh kuvendi i prijsave të Albanisë, të cilët krijuan aleancën politike - ushtarake për t’u mbrojtur atdheun ndaj sulmeve të hordhive otomane. Në krye të Lidhjes, princat arbërorë zgjodhën Gjergj Kastriotin Zoti i Albanisë dhe kryekomandant i ushtrisë arbërore.
Për kontributet e shquara në rezistencën dhe luftimet kundër pushtuesve otomanë, në vitin 1445, Senati i Serenisima, e shpalli Gjergj Kastriotin “Qytetar Nderi i Veneto”.
Në listën e vitit 1463,“Le famiglie ammesse al Maggior Consiglio a titolo onorifico”, në Librin e Artë të patricëve të Serenissima, përsëri rezulton e regjistruar familja Castriotto - Kastrioti.
Më 25 shtator 1463, Senati Venecian, ia njohu këto privilegje Princit Gjergj Kastrioti dhe të birit Gjon II Kastrioti, të shoqëruara me diplomën e firmousr nga Dozha i Venedikut Kristoforo Moro.
Më 13 dhjetor 1463, ambasadori i Albanisë në Venecia Pal Gaxulli, firmosi marrëveshjen me Keshillin e të Mençurve të Senatit Venecian, sipas të cilës, në rast se Albania pushtohej nga turqit dhe Gjergj me familjen e tij, detyroheshin të braktisnin atdheun, Serenissima i garantonte pension vjetor prej 500 dukate, mbrojtjen dhe jetesën e lirë në trojet e Venedikut: “Scanderbeg, cum uxore, liberi set famiglia honorifice vivere poterit”, me të drejtë të zgjidhte banimin në një nga ishujt, ose në vend që deshironte.
Patricet e fundit te dinastisë Kastrioti, i regjistruar në Librin e Artë të Republikes së Venedikut, rezulton Antonio Alfonso Kastrioti Granai, markezi i Atripalda, të cilin e vranë në fund të vitit 1549, pas një festë në Murano – Venecia dhee Kostaandin Arianiti, i vellai i Andronika Kastrioti Arianiti Komnena.
E prezantova këtë aspekt të shkurtër e të njohur të jetës dhe të bemave të princit Gjergj Kastriotit, për të konfirmuar se nuk është rastësi, që medaljonet me portretin e tij u përfshinë në katalogun voluminoz të Piero Voltolina, sepse Gjergj Kastrioti është pjesë e historisë së Italisë dhe e historisë të Serenissima, andaj e ka renditur, në grupin e personaliteteve të shquar të Venecias në shekullin XV.
Medaljonet me portretin e Gjergj Kastriotit, autori Voltolina i prezanton me numërat rendor 65, 66, 67 (faqe 85 - 87), me fotografi të origjinaleve dhe me informacionet më të domozdoshme, të përmbledhura në mënyrë sintetike në skedën historike dhe në skedën teknike (metalet dhe teknika e prodhimit), të kompletuara me burimet bibliografike.
Krahas medaljoneve të Gjergj Kastriotit në koleksionin e Voltolina janë dhe dy medaljona të tjere dhe ato te prodhuara në shekullin XV, pra ekzistonin pesë medaljone.
Prodhimi i medaljoneve, realizohej nga artizanë të kualifikuar dhe me disa proçedura teknike delikate dhe të njëpasnjëshme.
1. Fillimisht piktori skiconte portretin sipas një pikture të mëparëshme, ose në prezencë të personazhit.
2. Piktori ose skulptori e gdhendëte portretin në mermer, ose e plastifikonte në allçi, ose në argjilë, ndërsa
artizani, me këtë model përgatiste formën (kallepin) e derdhjes të metalit të shkrirë.
3. Në varësi të porosisë, artizani përgatiste metalin ose aliazhin e metaleve, kryesisht argjend, baker, bronx,
por me shpesh perzierje metalesh (argjend, bakër, kallaj, plumb), rrallë praktikohej derdhja dhe larja me ar.
4. Metalin e shkrirë e derdhnin ne format e parapërgatitura.
5. Faza e fundit ishte patrimi dhe rifinitura e medaljonit.
Prodhimi i medaljoneve kërkonte aftësi të larta teknike dhe mjeshtëri në artin plastik, pra metalpunuesi
duhej të ishte dhe artist.
Mungojnë informacionet per këta mjeshtera mesjetar, shumë kanë mbetur anonima. Në shumicen e rasteve nuk njihen emërat e piktoreve, që i vizatuan portretet dhe as emërat e artistave që i kanë prodhuar, kësisoj dhe për medaljonet e Gjergj Kastriotit, ashtu si e thekson Piero Voltolina, nuk kemi të dhëna të plota kush ishin piktorët, kush ishin modeluesit e portretit në riliev, nuk dimë as emrat e mjeshtrave që i prodhuan.
Medaljonet me portretin e Gjergj Kastriotit janë renditur sipas kohës të prodhimit dhe të tria janë shoqëruar me skedën teknike dhe me një skedë historike, ku në mënyrë sintetike janë prezantuar të dhëna të shkurtëra bibliografike mbi jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit.
Të dhënat për Gjergj Kastriotin, autori Piero Voltolina i ka marrë nga Enciklopedia Italiana Treccani, botim i vitit 1929 dhe nga vepra e Fan S. Noli: Scanderbeg, Lecce 1993.
Vlen të preçizoj një pasaktësi të autorit Piero Voltolina, i cili shkruan Fan Sotir Noli, por në fakt emëri i të atit të Nolit është Stilian.
Kur u prodhua medaljoni i parë i Gjergj Kastriotit ?
Në periudhën e Rilindjes italiane, veprat e artit, sidomos portretet, gravurat, tabllotë, afresket, akuarelet, skicat, medaljonet apo miniaturat e kodikëve, realizoheshin nga artistë me porosi të veçantë e me pagesë.
Në shekullin e XV, mori zhvillim arti i prodhimit të medaljoneve, të destinuar për të nderuar personalitetet e kohës dhe figurat historike. Këto vepra artistike i dekoheshin mbretërve e mbrtereshave, princave, dozhëve, kondotierëve ushtarak, funksionarëve, fisnikëve dhe perdoreshin si element heraldik, por edhe si dhurata dhe nderime të protagonisteve. Medaljonet iu dorëzoheshin personave me ceremoni, ose i dërgoheshin dhuratë, të shoqëruar me letër-kredenciale, ose me diploma, ose me ndihmat materiale e financiare.
Në kronikat dhe në dokumentat e asaj kohe, nuk është gjetur informacion i saktë dhe i plotë për medaljonet me portretin e kryetrimit Gjergj Kastrioti, nuk dime kush e pikturoi imazhin dhe kush i prodhoi.
Medaljoni i parë me portretin e Gjergj Kastriotit daton në vitin 1449 dhe i dyti në vitin 1450 - 1451.
Pas Kuvendit dhe Beselidhjes së Lezhës, emëri i Skënderbeut ishte bërë i njohur në Europë për fitoret e korrura ndaj osmanëve në betejen e Torviollit të vitit 1444, i betejës më 1446 dhe luftës së Sfetigradit më 1448. Olivier de la Marche në kronikën “Notice historique sur la Maison de Saint-Mauris”, tregon se në vitin 1448, njëra nga kështjellat në Savojë të Francës quhej “Fort de Scanderberg - Fortesa e Skënderbeut”, madje dhe “Tour de Scanderberg - Kulla e Skënderbeut”. Pra, luftimet heroike të arbërorëve me në krye Skenderbeun kundër hordhive turke, për popujt europian ishin simbol i qëndreses dhe i lirisë, madje dhe ne shekujt e më vonshëm, udhëheqës te levizjeve çlirimtare bënin thirrje: “Immitez Scanderbeg – te imitojme Skenderbeun”. Olivier de la Marche, historian, diplomat, kapiten dhe kronikan i kohës, e përmend këtë fortesë më 1448, në kulmin e luftërave civile në Francë, kur Filipi i Mirë, i dërgonte Skënderbeut ambasadorët me përgezimet për fitoren kundër hordhive osmane në Krujë.
Ishte periudha kur pas Traktatit të Paqes me Venedikun në vitin 1448, dhe fitores historike kundër turqëve në rrethimin e parë të Krujës në vitin 1450, Skenderbeu u bë i njohur në Itali dhe në të gjithë Europën.
Aleati natyral, historik dhe besnik i arbërorëve, aso kohe ishte mbretëria e Napolit e Alfonsit V Aragona. Gjatë rrethimit të parë të Krujës nga ushtria otomane e sulltan Muratit II, mbreti Alfonsi V Aragona, i dërgoi Gjergj Kastriotit ndihma me forca ushtarake dhe artileri. Raportet e miqësisë dhe të bashkpunimit në planin politik dhe ushtarak, shprehen qartë në letërkembimet e shpeshta te Alfonsit V me Gjergj Kastriotin dhe në veçanti me aktin e 26 marsit te vitit 1451, kur u nënshkrua ne Gaeta, traktati i miqësisë dhe i bashkëpunimit të Albanisë me Mbreterinë Aragonese të Napolit.
Alfonsin V Aragona, duke e ndjerë rrezikun turk në portat e mbretërisë së tij, u angazhua t’i dërgoi ndihma ushtarake dhe financiar Skenderbeut dhe në rastet në se rrezikohej froni i Alfonsit V, priste ndihmat ushtarake arbërore, ashtu si veproi Gjergj Kastrioti në vitin 1461, kur erdhi me 3000 kalorës në ndihmë të Ferdinandit II.
Per te nderuar bashkpunimin dhe miqesine me Gjergj Kastriotin, Alfonsi V Aragona, ne vitin 1449 i dhuroi medaljonin e fisnikerise. Duke iu referuar viteve 1448 - 1451, bazuar dhe në hipotezën e Leonardo de Martino, At Vinçens Malaj thotë, se autori i skicës dhe i medaljonit me portretin më te hershëmi te Gjergj Kastriotit eshte Pisanello (Antonio di Puccio Pisano, 1390 - 1455).
Ky opinion është i pranueshëm, pasi dihet se në vitet 1448 – 1451, Pisanello ndodhej pikërisht në Napoli. Pisanello, piktor i famshëm, eksponent i stilit gotik italian, medaljonpunues dhe miniaturist kodikësh, është i pari që shpiku llojin e medaljoneve me portretin në faqen e parë dhe tekstin simbolik në faqen e pasme. (Giorgio Vasari, Adolfo Venturi, Gentile da Fabriano e il Pisanello, Firenze 1896).
Në rastin konkret, medaljonet me portretin e Skënderbeut, mund të jenë porositur nga Alfonsi V Aragon, i cili ia kërkoi t’i prodhonte Pisanello. Kur ishte në Napoli, Pisanello kishte realizuar 4 medaljone me portretin e mbretit Alfonsi V Aragon, çka na nxit të hamendësojmë, se nga raportet që kishte krijuar me artistin toskan,
Alfonsi V i kërkoi të prodhonte dhe medaljonet për Gjergj Kastriotin, mikun e tij të shquar.
Ky opinion është bindës, por problemi shtrohet: Kush është piktori që vizatoi portretin e Gjergj Kastriotit?
Pisanello nuk e kishte takuar Gjergjin, por dhe nga të dhënat historike të atyre viteve, nuk rezulton që Gjergj
Kastrioti të kishte vizituar Mbretërinë e Napolit, madje nuk kishte shkuar as në Vatikan dhe as në Venecia.
Medaljoni nuk mund të prodhohej pa skicën e portretit, atëhere shtrohet pyetja kush ishte piktori ??
Pa abuzuar në interpretimet, duke arsyetuar, mund të them se nuk përjashtohet mundesia, që skica e parë e portretit të Gjergj Kastriotit të jetë bërë në Arbëri, ndofta vepër e ndonjë kleriku piktor, i cili gjatë udhëtimeve në Napoli, ose me ambasadorin e Albanisë në oborrin e Aragoneve, në vitet 1448 - 1449, i dorëzuan përfaqë-
suesve të Alfonsit V, skicën e portretit të Gjergjit, që Pisanello e përdori për prodhimin e dy medaljoneve.
Ky mendim është sugjestionues, sepse kjo skicë ka shërbyer për modelimin dhe plastifikimin e imazhit të Gjergj Kastriotit për tre medaljonet, që kane të njejtin portret dhe qe janë prodhuara në vitet 1449 – 1463.
Nuk duhet të mohojmë dhe faktet, se asikohe kishte dhe piktor arbëror të talentuar, si autori i tabllos së famëshme “Zonja e Këshillës së Mirë e Shkodrës”, të cilën dy murgj shkodranë e sollën në Itali në vitin 1467, për ta shpëtuar nga barbarët turqë, që i digjnin ikonat dhe shkatërronin kishat. Mos të harrojmë se kishte dhe piktor vendas, që pikturonin ikona të shumta, që arbereshët i shpëtuan, duke i prurë në Itali gjatë eksodeve.
Nga rrethanat historike, mund të hamendësojmë se Alfonsi V Aragon (Shpirtëmiri), medaljoniet e viteve 1449 - 1450, ia dërgoi dhuratë mikut të tij Gjergj Kastriotit, për ta nderuar në ragun si fisnik – Princi dhe Zoti i Albanise (Dominus Albaniae), por edhe në mirënjohje për bashkpunimin dhe marrëveshjen e Gaetës.
Këto tre medaljone dhe të tjerët, padyshim ishin në pronësi të Gjergj Kastriotit dhe pas vdekjes së tij, ishin në koleksionin e familjarëve, por gjatë shekullit XVII, pasardhësit e tij, të detyruar nga veshtirësite ekonomike filluan t’i shesin koleksionistëve, muzeologëve të medaljonistikës dhe të numizmatikës.
Për kohë të gjatë, medaljonet e Gjergj Kastriotit, të princit Gjoni II Kastrioti, te princit Kostantin Arianiti Komneni (vëllai i Andronika Kastrioti), të markezit Antonio Alfonso Kastrioti Granai, ishin pjesë e koleksionit të medaljonistikës në Muzeun e Paolo Xhiovio. Në vitin 1613, muzeu i Paolo Xhiovio u shpërbë, u mbyll. Shumë piktura, artefakte, arme, monedha dhe medaljone u shitën privatëve, një pjesë u morën nga muzeumet e vendeve të ndryshme europiane, një pjesë u vodhën.
Në dizaventurën e këtij muzeu të famshëm që mbijetoi rreth 100 vjet, u përfshinë dhe medaljonet e Gjergj Kastriotit, kësisoj njeri përfundoi në Muzeun e Zagrebit, tjetri në Muzeun Numismatik të Berlinit dhe të tjerët në Romë dhe Venecia, në koleksionin e Piero Voltolina.
Ndërmjet pesë medaljoneve prodhuara në vitet 1449 - 1466, tre prej tyre kanë të njëjtin portret të Gjergj Kastriotit, janë me përmasa të barabarta, kanë të njëjtën grafikë, por shprehin edhe disa diferenca në plastikë dhe në teknikën e prodhimit.
1. Medaljoni i Gjergj Kastriotit i vitit 1449 (?), në Muzeun e Zagrebit.
Në kornizën rrethore është gdhendur emri:
GEORGIVS CASTRIOTT: DE SCANDERBEG · INVICTISS ·
GJERGJ KASTRIOTI : SKENDERBEU · I PATHYESHMI ·
Vendi i prodhimit: Napoli
Autori: Pisanello
Viti i prodhimit: 1449 (?)
Diametri: 98 mm
Forma e rrumbullakët.
Prodhuar me derdhje.
Metali: Aliazh metalesh (bronx dhe argjend).
Medaljoni ka formë rrumbullake, me diametër 98 mm, portreti i Gjergj Kastriotit është punuar me profil nga e djathta, i vendosur në qendër, brenda një kronize rrethore.
Si portrerti, korniza dhe sfondi i medaljonit, janë realizuar me plastikë dhe rifiniturë të dobët.
Tiparet fizionomike të fytyres nuk janë të spikatura, kësisoj sytë nuk evidencohen qartë, hundashkabë e shprehur, mollëzat e faqeve jane pak preominente, berreta alla-Karamagnola është e lartë, mustaqet dhe mjekra e gjatë ondulante. Autori ka realizuar veshje me mantel me supiera, pa jakën e lartë, që ekspozon qafën e lirë. Portreti qarkohet me kornizë me riliev, ku është gdhendur emëri GEORGIVS dhe mbiemëri me mungesë të prapashtesës “US”, pasi në gjuhën latine shkruhet CASTRIOTTUS.
Tesksti është realizuar me germa të sfumuara në buzët dhe të ngjeshura në emrin GEORGIVS dhe në fjalën përfundimtare INVICTISS, që sipas rregullave të drejtshkrimit latinisht, duhej shkruar INVICTISSIMVS. Gjithashtu, sfondi i kornizës rrethuese, emri në brendësi dhe sfondi i medaljonit, janë me riliev të ashpër, çka tregojne për punim jo cilësor. Retro - faqia e pasme është e sheshtë.
2. Medaljoni i Gjergj Kastriotit i vitit 1451 (?), në Muzeun e Berlinit.
Medaljoni në Muzeun Numizmatik të Berlinit, prodhim i vitit 1451.
Vendi i prodhimit: Napoli
Autori: Pisanello
Viti i prodhimit: 1451 (?)
Ddiametër 98 mm.
Forma e rrumbullakët, me kufirun skajor të jashtëm jo të rregullt.
Prodhuar me derdhje.
Metali: Bakër.
Në kornizën rrethore është gdhendur emëri:
GEORGIVS CASTRIOTT : DE SCANDERBEG · INVICTISS ·
GJERGJ KASTRIOTI : SKENDERBEU · I PATHYESHMI ·
Portreti është realizuar me profil nga e djathta, i vendosur në qendër të kronizës rrethore, ku është emri: GEORGIVS CASTRIOTT : DE SCANDERBEG . INVICTISS.
Forma, plastifikimi i portretit, korniza rrethuese, teksti dhe sfondi i medaljonit, janë njelloj si ne medaljonin e Zagrebit, por ndryshojnë nga përberja metalit, pasi ky i Berlinit është prej bakëri dhe i realizuar teknikisht me cilësi më të mirë.
Tiparet e fytyrës janë prezantuar të spikatura, sytë evidencohen qartë, mollëzat e faqeve preominente, mustaqet dhe mjekra e gjatë ondulante. Në kokë ka berretë alla-Karamagnola, me tre pjesët të niveluara; veshur me mantel me supiera, pa jakën e lartë, çka e ekspozon qafën e lirë, paraqitje jo e zakonëshme për një fisnik.
Karakteristike dallues e këtij medaljoni, është se portreti i Gjergjit prezantohet me hundën të modifikuar, pasi nga hundëshkabë në medaljonin e Zagrebit, në këtë të Berlinit, hunda është me majë, e formës me çip (kurriz shtypur). Nuk mund te thuhet në se ky është difekt i modelit, është krijuar gjatë derdhjes në formë, apo
gabim gjatë plastifikimit dhe rifiniturës të imazhit.
Portreti qarkohet me kornizë me riliev, ku është gdhendur emëri GEORGIVS dhe mbiemëri me mungesë të prapashtesës “US”, pasi në gjuhë latine shkruhet CASTRIOTTUS. Teksti është me germa në riliev dhe
është i realizuar teknikisht mirë, por fjala përfundimtare INVICTISS, sipas rregullave të drejtshkrimit ne gjuhe
latine, duhej shkruar INVICTISSIMVS.
Në pjesën e sipërme dhe qendrore të kornizës rrethuese, në vendin ku është shenja me dy pika, që ndanë mbiemrin CASTRIOTT me nyjen “DE”, është hapur një vrimë, çka dëshmon se dikush nga poseduesit e më vonshëm e kishte përdorur medaljonin të varur në qafë.
Medaljonet e Zagrebit dhe të Berlinit jo vetëm janë të ngjashëm mes tyre, por ato kanë ngjashmeri dhe me
medaljonin e Venecias, madje duket sikur i ka punuar i njejti mjeshtër artizan, me të njëjtën formë dhe me të njejtën teknikë derdhje dhe plastifikimi.
Me gjithë ngjashmëritë, medaljoni i Venecias ka disa diferenca artistike dhe teknike si në prezantimin plastik të portretit të Gjergj Kastriotit, ashtu dhe në teknikën e derdhjes dhe të perpunimit.
3. Medaljoni i Gjergj Kastriotit, i renditur me Nr. 65 në koleksionin e Piero Voltolina.
Medalja e parë në rradhën e katalogut, në koleksionin personal të autorit Piero Voltolina, eshte prezantuar me numër rendor 65 dhe rezulton i prodhuar në Venecia.
Në skedën historike, autori shkruan:
GIORGIO CASTRIOTA SCANDERBEG (1403 – 1468)
CONDOTTIERO (prijës, udhëheqës, komandant, kapedan, kryetrim).
EROE NAZIONALE ALBANESE
(Hero kombëtar albanez).
Vitin 1403 të lindjes të Gjergj Kastriotit, autori Piero Voltolina, e ka marrë në Enciklopedinë Treccani (Trekani), botim i vitit 1929, ndërsa shumica e historianëve shkruajnë se ishte lindur në vitin 1405. Mendoj se ky aspekt, nuk ka rëndësi të veçantë, përderisa nuk është gjetur ndonjë dokument, që të dëshmoi vitin e saktë të lindjes dhe as datën e pagëzimit të Gjergj Kastriotit.
Pjesa e pasme e medaljes është lisho.
Mungon emëri i mjeshtërit që e ka prodhuar medaljonin.
Skeda e medaljes N. 65
GEORGIVS CASTRIOTT (VS) : DE SCANDERBEG · INVICTISS (IMUS) ·
GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU · I PATHYESHMI ·
Busti eshte plastifikuar me fytyrën me profil djathtas, me berretën rrumbullake, me buzë të palosura në pjesën e sipërme dhe të poshtëme, me mjekër të gjatë – e pa prerë dhe i veshur me mantel pa jakë.
Autori: Anonim
Vendi i prodhimit: Venecia.
Armand, III, p 165. E
Diemtri: 98 mm
Prodhuar me derdhje. Metali: AE (Argjendi)
Bibliografia e medaljonit. Koleksion i Piero Voltolina.
Bibliografia e subjektit: Enciklopedia Trekani, f. 1001
Fan S. Noli, Scanderbeg, Lecce 1993.
Medaljoni ka formë rrumbullake, me diametër 98 mm, me portretin në qendër, me profil nga e djathta, me
tipare fizionomike të spikatura, mustaqe dhe mjekër të gjate, me berretë rrumbullake alla Karamagnola, veshur me mantel me supiera, por pa jakën.
Portreti qarkohet me kornizë me riliev, ku është gdhendur emëri GEORGIVS dhe mbiemëri me mungesë të prapashtesës “US”, pasi në gjuhë latine shkruhet CASTRIOTTUS. Mbiemëri në medaljon është në formë të shkurtuar CASTRIOTT, si praktikohej nga autorët e mesjetës, ndërsa në skedën shoqëruese te katalogut, Voltolina e plotëson, duke i shtuar germën A në kllapa: CASTRIOTT(A), ashtu si plotëson dhe cilësimin
INVICTISS, që duhej të ishte shkruar ne superlativ INVICTISSIMUS.
Për emrin e Gjergj Kastriotit në kornizën e medaljes, artisti nuk e ka shfrytëzuar tërë hapsirën e rrethit qarkues, por e ka lënë bosh në pjesën bazale të bustit, njëlloj se në medaljen e Zagrebit dhe të Berlinit.
Medalja është e argjendët, e derdhur në formën e riprodhuar sipas portretit të një pikture ekzistuese.
Ndonëse Voltolina thotë se autori është anonim, të gjitha gjasat, pa asnjë ekuivok, të bindin se ky medaljon është impresionisht i ngjashëm me medaljonet e Zagrebit dhe të Berlinit, që konsiderohen vepra të Pisanello. Ndryshimi mes tyre është se dy të parët janë prodhuar nga artizanët napolitanë, që kanë perdorur aliazh argjendi me bronx dhe i dyti derdhje me bakër, ndersa mjeshtri venecian ka perdorur metal argjendi, si dhe e ka punuar dhe plastifikuar teknikisht më mirë.
Këto të dhëna sugjerojnë se medaljoni me nr. 65 i koleksionit Voltolina eshte prodhuar para vitit 1463 dhe sipas modelit te Napolit, të realizuar nga Pisanello, çka e deshmon ngjashmeria impresionuese.
Si ka arrijt forma napolitane e medaljonit në Venecia, nuk ka rëndësi, pasi dihet se artizanët medaljonista italianë, bashkëpunonin mes tyre, shkëmbenin eksperiencë dhe materiale.
Emrin, mbiemërin dhe cilësimin INVICTUS, mjeshtëri i ka gdhendur në reliev, me germa të mëdha në gjuhën latine. Autori i medaljes, mbiemërin Kastrioti e shkruan me dy T, por në fakt ky nuk është gabim, pasi sipas rregullave të gjuhës latine, që të shqiptohej saktë duhen dy germa T, pasi Kastrioti me një T para germës I, në latinisht shqiptohet Kastrioci. Ndofta mjeshtëri metalpunues e dinte se mbiemëri i Gjergjit ishte Kastrioti, andaj per te mos krijuar konfuzion në shqiptim, e gedhendi me dy germa T, ndërsa Piero Voltolina, ne pershkrimin e tij, ka ndjekur rrugën e autorëve italianë, që e shkruajnë Castriota - Kastriota.
Ky medaljon është riprodhuar në vitin 1463, sipas formës të Pisanello. Medaljoni u prodhuar me kërkesën Dozhes te Venedikut, per te nderuar Gjergj Kastriotin, te cilit i kishte akorduar titullin “Qytetar Nderi”
Më 25 shtator 1463, Senati i Venedikut, me një ceremoni solemne në Pallatin Dukal, i dorezoi Gjergj Kastriotit titullin “Qytetar nderi”, të shoqeruar me diplomën e firmousr nga Dozha Kristoforo Moro, si dhe me dhurata e mes tyre dhe me medaljonin e argjendët.
4. Medaljoni i Gjergj Kastriotit, i renditur me Nr. 66 në koleksionin e Piero Voltolina.
Medaljoni i dytë i Gjergj Kastriotit, i renditur me numër 66 në veprën e Piero Voltolina, është e prodhuar në Romë.
Në skedën historike Nr. 66 autori Piero Voltolina shkruan:
GIORGIO CASTRIOTA SCANDERBEGVS
(1403 – 1468)
CONDOTTIERO.
EROE NAZIONALE ALBANESE.
Medaljoni Nr. 66
D/GEORGIVS CASTRIOTA SCANDERBERGVS
GJERGJ KASTRIOTA SKENDERBERGUS
Për medaljonin Nr. 66, Voltolina bën këtë pershkrim: “Busti në profil nga e majta, me mjekër të gjatë,
mbanë berreten të ulur përpara mbi ballë, është veshur me mantel i prodhuar me stofë të shtrenjtë”.
Portreti i Gjergj Kastriotit është punuar pa delikatese, evidencohet profili i fytyrës, hundashkabë, lehtësisht spikasin buzët, veshi dhe sytë, ndërsa mustaqet dhe mjekra janë punuar ne bllok kompakt, pa ondulacionet, që kishin tre medaljonet e mëparshëm.
Në skedën historike Nr. 66 autori Piero Voltolina shkruan:
Autori: Anonim
Vendi i prodhimit: Roma.
Armand, III, p 165. E
Diametri: 46, 3 mm
Prodhuar me derdhje.
Metali: AE – C. R. N Milano: përzierje argjendi, kallaj dhe bakri.
Bibliografia e medaljonit: Koleksion i Piero Voltolina.
Bibliografia e subjektit: Enciklopedia Trekani, f. 1001
Fan Sotir Noli, Scanderbeg, Lecce 1993.
Në faqen e pasme të medaljonit është mbishkrimi i shkruar në tetë rradhë dhe i kufizuar me kurorë rrethore me gjethe dafine:
FI DEI DEFEN-NSOR INDOMITVS ET T-HRACVM DO-MI (NA) TOR INDO-MABILI-S
(MBROJTËSI I PANËNSHTRUESHËM I FESË, TRIUMFUESI I PAMPOSHTUR I THRAKËVE).
Metali i prodhimit te medaljonit është marrë në Milano dhe përbëhet nga përzierje argjendi, kallaj dhe bakri, me mbizotërim të argjendit. Teknika e prodhimit është me shkrirje dhe derdhjen e metalit, në formen sipas modelit te parapergatitur.
Medalja është rrumbullake, me diametër 46, 3 cm, me portretin në qendër në profil nga e majta, me mjekër të gjatë dhe i veshur me mantel.
Në periferi, portreti qarkohet nga korniza në riliev, me emrin dhe mbiemërin në brendësi:
GEORGIVS CASTRIOTA SCANDERBERGVS.
Mbishkrimi është në gjuhën latine, i realizuar me teknikë jo fine, me mbiemërin të shkruar me gabim orthografik – SKANDERBERGUS -, pra piktori i ka shtuar dhe një germë R. Ndërmjet kornizës rrethuese dhe buzës periferike të sfondit të medaljes, mjeshtëri ka realizuar një qark me granula të imëta dekorative.
Ky medaljon ndryshon nga i mëparëshmi i prodhuar në Venecia, madje ka diferenca të dukëshme, sepse ka përmasa dy herë më të vogla, metali është më pak i çmueshëm, pasi është përzierje me disa metale dhe teknika e punimit është me pak cilësore.
Ky medaljon në ndryshim nga tre të parët, në faqen e pasme ka një mbishkrim, me tekstin në tetë rradhë në gjuhë latine, me fjalë të shkurtuara, që në tekst, Voltolina i plotëson me prapshtesat e duhura:
FI DEI DEFENNSOR INDOMITVS ET THRACVM DOMINATOR INDOMABILIS
MBROJTËSI I PANËNSHTRUESHËM I FESË, TRIUMFUESI I PAMPOSHTUR I THRAKËVE
Teksti është i rrethuar me kurorë gjethesh dafine, pra autori ka përdorur “Corona triumphalis – kurorën e triumfit”, për të shprehur fitoret me nder dhe lavdi te Gjergj Kastriotit, kundër invazorëve turqë.
Ky teksti shpreh vlerësime për kontributin e Gjergjit si mbrojtës i krishtërimit dhe për rolin e tij si strateg dhe komandant i shquar në luftimet kundër hordhive barbare turke.
Nga mënyra e formulimit të tekstit, ky medaljon duket se ishte i porositur nga Vatikani, pikërisht në vitin 1461, kur Gjergj Kastrioti shkoi në Romë dhe takoi Papën Pio II, të cilit i kërkoi ndihma për vazhdimin e luftës kundër turqëve, që po sulmonin egërsisht trojet arbërore.
Kontributi i Gjergj Kastriotit në luftën kundër hordhive turke, është vlerësuar nga të pesë Papët, me të cilët bashkëpunoi dhe e mbështetën në luftë kundër hordhive turke.
Papa Calixtus III në vitin 1457 e quan Gjergj Kastriotin Difensor della Fede dhe e shpalli Kapiteni Gjeneral i Kuria dhe Kapiteni Gjeneral i Selisë së Shenjtë dhe i dha titullin Athleta Christi.
Papa Eugenio IV i dha titullin: “Difensore impavido della civiltà occidentale.
Papa Pio II, në vitet 1461 - 1462 theksoi disa herë: “Të marrim shembull nga vepra e Zotit të Albanisë (dalla gesta del Signore dell’Albania), ushtarit trim të Krishtit (Christi Miles Intrepidus).
Papa Pali II e shpalli “Gentium Armorum Capitaneus”.
Teksti në faqen e pasme të medaljes shpreh dy aspekte thelbësore të kontributit të Skenderbeut:
Mbrojtia e rrënjeve kristiane të Europës - Europei, aut qui domine cristiano consentur.
Fitoret e Gjergj Kastriotit dhe te popullit shqiptar në luften kunder sulmeve barbare turke.
Nuk duhet të çuditemi pse autori i medaljes ka shkruar “triumfuesi i pamposhtur i thrakëve”. Në kronikat e kohës dhe në shumë vepra të mesjetës, Gjergj Kastrioti njihej si Dominus Albaniae - Zot i Albanisë, por dhe princi i Albania, princi i Epirit, princi i Maqedonisë, andaj në medalje shkruhet “Triumfuesi i pamposhtur i thrakëve”, pra i banorëve të Maqedonise të Aleksandrit të Madh, si shkruan Volterrano: “Skenderbeu ishte një burrë, pa pikë dyshimi pasardhës i denjë i Pirros dhe mbante me të drejtë emërin Aleksander”.
Ndonëse, medalja nuk ka vitin e prodhimit, të dhënat teknike, rrethanat historike dhe ato dokumentare, sugjerojnë se është prodhuar në vitin 1461, i porositur nga Vatikani.
5. Medaljoni i Gjergj Kastriotit, i renditur me Nr. 67 në koleksionin e Piero Voltolina.
GIORGIO CASTRIOTA SCANDERBEGVS
(1403 – 1468)
CONDOTTIERO.
EROE NAZIONALE ALBANESE.
Skeda e medaljes Nr 67
D/GEORGIVS CASTRIOTA SCANDERBERGVS
GJERGJ KASTRIOTA SKENDERBERGUS.
Për medaljonin Nr. 67, Voltolina bën këtë pershkrim: Busti nga e majta, me mjekër të gjatë, me berretën të ulur përpara, i veshur me mantel të prodhuar me stofë të shtrenjtë.
Autori: Anonim
Vendi i prodhimit: Roma.
Diemtri: 37, 4 mm
Prodhuar me derdhje.
Metali: AE – MC Venecia
Faqia e pasme: lishio
Bibliografia e medaljes. Koleksion i Piero Voltolina.
Bibliografia e subjektit: Enciklopedia Trekani, f. 1001
Fan Sotir Noli, Scanderbeg, Lecce 1993.
Medaljoni është prodhuar në një punishte argjendarie në Romë. Metali i prodhimit është marrë në Venecia dhe përbëhet nga përzierje metalesh, me mbizotërim të argjendit. Teknika e prodhimit është me shkrirje dhe derdhje, në formën sipas modelit të parapërgatitur.
Medaljoni është rrumbullak, me diametër 37, 4 mm, me bustin në qendër në profil nga e majta, me mjekër të gjatë, me berretën të ulur përpara (mbi sy) dhe i veshur me mantel. Konturet periferike të medaljonit, janë zbukuruar me granula të imëta, ne formën e një kurore elegante kufizuese.
Portreti është punuar me plastikë të spikatur, me shprehje të tipareve të fizionomisë të Gjergjit.
Busti shtrihet deri në buzën e poshtëme te medaljes, i rrethuar me shkrimin kontinua në latinisht:
GEORGVS CASTRIOTA SCANDERBERGVS
i vendosur ne brendesi te bordit rrethues, ne ndryshim nga medaljonet e tjere, me tekstin ne kornizen rrethuese.
Si shihet mbiemëri është shkruar me gabim orthografik Skanderbergus, piktori ka shtuar germën R, njëlloj si në medaljen Nr 66, çka sugjeron se artisti i punimit të skicës të portretit te Gjergj Kastriotit, është i njëjti, që ka prodhuar dhe medaljen Nr 66.
Megjithë ngjashmeritë, medaljoni Nr 67 ka disa veçori dalluese: metali i përdorur është më cilësor, pasi ka
përmbajtje të lartë argjendi. Medaljoni ka diametër rreth 1 cm më të vogël se ai me numër 66, por teknikisht
është më cilësore në evidencimin e tipareve fizionomike të portretit të Skenderbeut.
Kurora me granula dekorative është në periferi të kornizës, ndryshe nga medaljonin e më parëshme, që e ka
në brendësi të mbishkrimit. Busti i Gjergjit është pak më i madh dhe shtrihet deri ne buzën e poshtëme te medaljonit, në ndryshim nga i mëparëshmi, që e ka me vendosje qendrore, të kufizuar me kornizën rrethore.
Faqia e pasme e medaljonit është e lirë, pra nuk ka tekst si medalja e mëparëshme Nr 66.
Nga prezantimi i këtyre karakteristikave teknike dhe artistike, mendoj se forma e medaljes është punuar nga i njëjti artist dhe është derdhur në të njëjtën punishte argjendarie të Romës, ndofta është riprodhim, për të korigjuar difektet e medaljes Nr 66, për ta prodhuar me cilësi më të lartë.
Portreti i Gjergjit në medaljen Nr 67, ka ngjashmëri të dukëshme me miniaturën e doreshkrimit të Fioccho.
Medaljoni numer 66 ështe prodhuar ne vitin 1466, me porosi të Vatikanit. Më 12 dhjetor Gjergj Kastrioti, i ftuar nga Papa Pali II, vizitoi Vatikanin dhe së bashku festuan Krishtlindjen.
Ne takimet me Papa Pali II dhe kardinalët, Gjergji iu kërkoi, ndihma financiare, mbështetje me forca dhe armë, për të përballuar turqit, që sulmonin parreshtur trojet arbërore, ashtu si kërcënonin Italinë dhe vendet e tjera europiane.
Rreth ketyre takimeve kronisti L. Pastori shkruan: “Gjatë koncistorit sekret të 7 janarit 1467, nëpërmjet kardinalit Gonzaga, papa Pali II i dha Gjergj Kastriotit një ndihmë financiare prej 5000 dukate, tituj honorifikë, medaljonin dhe një relike të shenjtë “.
Më 14 shkurt 1467, Gjergji u kthye në atdhe, për të përballuar sulmet e hordhive turke.
Literatura
01. Marin Barleti: Historia de Vita et Gestis Scanderbegi. Epirotum Principis. Botues Bernardino Vitali.
Roma. 1510
02. Rizzoli L.: L’opera di G. H. Hill sulle medaglie italiane del Rinascimento e l’origine Padovana della
medaglia”. Istituto Italiano di Numismatica. Vol VII. 1932, faqe 128 – 141.
03. Voltolin Piero: La Storia di Venezia attraverso le Medaglie. Volum I. Milano 1988. f. 85 – 87
04. Clement Clarke Moore: George Castriot, Surnam Scanderbeg, King of Albania, New York: 1850
05. Enciclopedia Italiana – Treccani: Roma 1929.
06. Giorgio Vasari, Adolfo Venturi, Gentile da Fabriano e il Pisanello, Firenze 1896.
07. Giuseppe Bettinelli: Dizionario storico – portatile di tutte le venette patrizie famiglie. Venezia, 1780, f. 48
08. Tommaso Indelli. Gli Aragonesi nel Mezzogiorno d’Italia. Università degli Studi di Salerno. 20. 07. 2016
09. Frederick Kenner: Vjetari i koleksionit te arkidukes Ferdinand i Tirolit. Viena: vellimi XIX. viti 1898,
10. Fan S. Noli: Scanderbeg. Argo - Lecce 1993.
11. Giovannni Musachi: La storia e l‘eredità da generazione a generazione della famiglia dei Muzaka.
Napoli, 1510.
12. Dorit Raines. “Storia di Venezia Cooptazione, aggregazione e presenza al Maggior Consiglio: le case del
patriziato veneziano, 1297 – 1797. In Storia di Venezia, I, 2003
13. Ilia S. Karanxha. Skenderbeu autentik dhe modeli i Romes (De Romanorum Magistratibus)
Zemrashqiptare.net: Nentor 2014.
14. Karanxha Ilia S. Barleti apo Biçikemi: Një pështjellim në shkencën shqiptare. Bot. Kumi. Tiranë 2010.
15. Andrea Fotaq. Skënderbeu, Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës.
Album – Antologji. Zenit Editions, Tiranë 2017.
16. Andrea Fotaq Kodiku i katërt në bibliotekën kastriotase me portretin origjinal të Skënderbeut
Shqiptaria.com. 24 qershor 2018
17. Davis & Orioll: 20 New. End London. N.W.3 – 1962 . Printed in Egland by Robert Stockwell.
L.T.D, 5 – 13 Baden Place. London S.E.I.
18. Micol Bruni. La voce di Maruggio. Il Regno di Napoli, degli Italo -Albanesi di Scanderbeg. Luglio 2015
19. Federico Barbierato, Giuseppe Del Torre, Dorit Raines, Walter Panciera, Anastasia Stouraiti, Alfredo
Viggiano, Andrea Zannini. Storia di Vneziia. 1. 2003.
20. Petta P: Despoti d’Epiro e principi di Macedoinia. Esuli albanesi in Italia del Rinascimento.
Lecce, Ediz. Argo, 2000