| E premte, 29.06.2018, 08:05 PM |
Takimi me deputet e veprimtarë rreth kanalit televiziv për diasporë
do mbahet të shtunën në Dyseldorf
Të shtunën, më 30 qershor do mbahet në Düseldorf (D) takimi i radhës me temë: Kanali Televiziv për Diasporë, siç njoftohet nga grupi nismëtar nga përfaqësuesit të disa vendeve i cili do të mbahet me Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media i Parlamentit të Republikës së Kosovës i përfaqësuar Nait Hasani, kryetar dhe deputetet Milaim Zeka dhe Drita Morina. (Ad: Blumenstrasse 14, Dü. 15:00)
Grupi nismëtar ditë më parë kishte takime edhe me Kryeministrin z. Ramush Haradinaj i cili e mirëpriti kërkesën e dorëzuar nga grupi nismëtar i kryesuar nga Ragip Rama. Kryeministri e mbështeti kërkesën dhe ishte i gatshëm ta dërgon në komisionet për media dhe publik pranë dikasterit të tij. Grupi Nismëtar u takua edhe me Ministrin për Diasporë, Dardan Gashi, deputet dhe përfaqësues të mediave.
Nga kontaktet e dy ministrave Gashi dhe Majko, sipas ministrit Dardan Gashi, lidhur me kërkesën, u arrit pajtimi për themelimin të një kanali televiziv të përbashkët brenda TV publike (RTK dhe TVSH) i cili do mbulonte gjithë diasporën nga territoret etnike shqiptare në botë.
Takimi i radhës,
do përqendrohet në konkretizimin e nismës dhe hapja e horizonteve gjithëpërfshirëse në përkrahjen dhe realizim nga shoqatat, bizneset, veprimtarët.
Veprimtaritë e shumta në mërgatë kanë nevojë t’i ofrohen publikut saktë e shpejtë si në diasporë ashtu dhe në trevat shqiptare. Të shuhet hendeku i krijuar mes diasporës dhe rrjedhave atje me vendlindje dhe rrjedhat aktuale atje.
Kanali televiziv mbi të gjitha përmes emisioneve përkatëse do ndihmonte mësimin e gjuhës, njohjen me vendlindjen nga gjeneratat e reja që po lindin në diasporë. Kjo do ndihmonte progresin gjithëkombëtar dhe forcimin e kombit në planin global.
Kanali televiziv do jetë i gjithë shqiptarëve kudo, jo i një lokaliteti, jo i një partie apo besimi, por i gjithë shqiptarëve.
Përmes tij do afirmoheshin miqtë e shumtë të shqiptarëve nga e gjithë bota, vlerat kulturore, artistike e sportive.
Do forcohet mundësia e njohjeve mes tjerash, e bizneseve, rrjeteve të tyre nga e gjithë bota, bashkërendimi në projekte të caktuara, pse jo edhe në projekte strategjike kombëtare.
Formimi i lidhjeve gjithë shqiptare është i domosdoshëm, kjo ka munguar dhe mungon akoma, kanali televiziv për diasporë do e jetësonte lidhjen si asnjëherë më parë.
Përse të mos e kemi, përse të mos e përkrahim, përse mos ta provojmë!
Pa humbur kohë!
Diaspora e meriton, është pjesë e trupit kombëtar.
Nga grupi nismëtar: Lazim Destani (D),Ragip Rama (D),Hazir Mehmeti (A),Dr. Eduart Kaca (D),Sebastian Nuiqi (D),Ilir Seferi (D),Skënder Karaçica (SHBA),Murat Koci (S),Agush Buja (CH),Talat Pllana (GB), Iliaz Bobaj (GR),Ibrahim Xhemajli (DK), Nazmi Jakurti (CH). Për grupin: Hazir M.)