Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Një panair i paepur

| E enjte, 14.06.2018, 08:40 PM |


Një panair i paepur

Nga Elvi Sidheri

Kur të qëllon të jesh i pranishëm në Panairin i Librit të Prishtinës, çdo vit nuk mungon të vëresh pasionin dhe përkushtimin për ta mbajtur në jetë këtë veprimtari që letërsisë shqipe dhe librin shqip, të shkruar nga autorët shqiptarë apo përkthim nga gjuhët e huaja, që ofron frymëmarrjen e nevojshme për të vijuar të gjallojë së paku gjer në Panairin binjak të Tiranës, në këtë duologji të pandashme që shoqëron letrat shqipe tashmë prej njëzet vitesh.

Ky në fakt, ishte panairi i XX Jubilar i Librit i Prishtinës, dhe si i tillë, organizatorët qenë kujdesur për një mishërim edhe më bashkëkohor, pamor e përmbajtësor të këtij eventi kaq të rëndësishëm letrar.

Pamja e jashtme e panairit, qe kuruar me shije dhe një finesë të dukshme në prekje, qysh nga vendosja e stendave, për të kaluar nga panelet që promovonin panairin në hapësirat e zhvillimit të tij, por veçanërisht me spostimin e ambientit të promovimeve të librave dhe autorëve të ndryshëm (vërtet të shumta) të librave, në hollin qëndror të panairit, ngjitur me stendat kryesore, në mjedis të freskët e të ajrisur, duke ofruar mundësinë që blerësit e frekuentuesit e panairit, të përfshiheshin në çdo promovim, thjesht duke kaluar nga njëra stendë në tjetrën.

Një gjetje e mençur e organizatorëve, që ia dolën kështu me sukses, t’i shndërrojnë promovimet e librave, në ngjarje me pjesëmarrjen jo vetëm të shkrimtarëve, panelit vlerësues dhe të ftuarve të tyre, por edhe të vetë lexuesve rastësorë, që me ëndje u bënë pjesë e thuajse çdo promovimi, me kërshërinë, vëmendjen dhe kujdesin e tyre ndaj librave të promovuar në këtë hapësirë.

Pa u marrë me shifrat përkatëse të shtëpive botuese pjesëmarrëse (padyshim nga Shqipëria, Kosova e tërë trevat shqiptare), librat e shitur dhe numrin e vizitorëve (gjithmonë në rritje në krahasim me vitet e mëparshme), do vënë theksi pikërisht kujdesit të shtuar ndaj nevojave të vizitorëve dhe lexuesve në këtë panair të sivjetshëm.

Mënjanë promovime të arrira në hapësirën e re të kushtuar për këtë qëllim, shumë autorë qenë vazhdimisht të pranishëm nëpër stendat e shtëpive të ndryshme botuese, nga i ftuari i nderit (dhe fituesi i çmimit të Panairit si Shkrimtari i Huaj i Vitit), francezi i talentuar François-Henry Désérable, me librin e tij “Njëfarë Z. Piekyelny” (botimet Buzuku) kandidat për çmimin madhor frëng Goncourt që iu ofrua me plot çiltërsi lexuesit prishtinas gjatë ditëve të pranisë së tij në Kosovë, deri te autori i librit më të shitur në këtë Panair, Albatros Rexhaj, me librin e tij të fundit “Kthimi” (botimet Pema), si gjithnjë i rrethuar nga fansat dhe lexueset e shumta të tij.

Çmimi i autorit të vitit ndërkaq do t’i takonte me plot meritë shkrimtarit dhe poetit Adem Gashi me librin “Drenusha e trembur dimrash”.

Përmbledhtas, panairet e librit, veçanërisht për botën shqiptare, përbëjnë ngaherë një mundësi më unike se të rrallë që shkrimtarët, lexuesit, të apasionuarit pas librit, kritikët letrarë, mediat e interesuara dhe gjithkush që ka të bëjë me letërsinë, të kenë një pikëtakimi ku të rrahin ide, të bisedojnë, të ngjizin bashkëpunime të reja dhe ku libri të gjejë parajsën e vet të munguar pjesën tjetër të vitit.

Kjo është arsyeja kryesore përse dy panairet kryesore shqiptare të librit, i Prishtinës dhe Tiranës, nevojitet të vlerësohen, çmohen e mundësisht mbështeten sa më shumë të jetë e mundur.

Lexuesi shqiptar besnikërinë e vet ndaj librit shqip rreket ta tregojë në çdo rast. Është kënaqësi të shohësh në Prishtinë si vizitorë të të gjitha moshave, nga shkollarët deri te të moshuarit, mësynin stendat dhe hapësirat e ngushta të panairit duke gjëmuar librat, dhe sipas shkallës së mirëqenies së tyre financiare, prapëseprapë gjithësecili do të dilte me së paku një libër të blerë, e shumë të shfletuar nga ky panair.

Edhe vëmendja institucionale nuk do të mungonte, me praninë e kryeministrit Haradinaj dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës Ahmeti në hapjen e panairit.

Por, nëse dy gjëra spikatën në këtë edicion, ishte pikërisht pjesëmarrja masive e lexuesve dhe kujdesi i shtuar i organizatorëve për t’i dhënë një prekje moderne e përmirësuese pamjes së jashtme dhe kushteve të panairit, pavarësisht ambienteve të mangëta të zhvillimit të tij, vapës së fillim-qershorit dhe vogëlsirave të tjera të papërfillshme.

Takimi pra, në nëntor në Panairin e Tiranës, për të tjera lexime, botime e letërsi shqipe në vjeshtën 2018.