| E hene, 15.09.2008, 11:07 AM |
Sipas dokumenteve zyrtare të kohës, fillimi i shekullit të XX-të shënon një përshkallëzim tjetër të persekucionit grek ndaj popullsisë çame në trojet e veta. Objekti
Ekskluzive/ Në vazhdim, jepen pjesë nga dëshmi e dokumente arkivore të studiuesit, Hajredin Isufi, lidhur me lashtësinë e popullsisë çame në trojet e veta, zakonet, mënyra e jetesës, traditat, ndryshimi i dhunshëm i besimit fetar, toleranca fetare, shfarosja shoviniste e deri tek kalvari i largimit të dhunshëm nga tokat e tyre.
Nga Hajredin Isufi
Nga viti 1900 e më pas, për popullsinë shqiptare të Çamërisë në trojet autoktone nisin vitet e vështira të mbijetesës. Kështu që, siç del dhe nga dokumentet e shumta të arkivave vendase e të huaja, përballë këtij persekucioni, banorët u detyruan të forconin lidhjet e miqësinë, të ruanin gjuhën, traditat, të jenë më kompakt, duke filluar që nga organizimi fisnor.
"Organizimi fisnor tek shqiptarët e Shqipërisë së Poshtme, ishte i njëjtë me atë të viseve të tjera shqiptare. Pukëvili, ndarjen e shqiptarëve të Sulit në fise e vlerësonte si një traditë mbarëkombëtare. "Organizimi fisnor i çamëve është një traditë mbarëshqiptare me origjinë të vjetër (Pounqueville, "Vepra e përmbledhje", Vëll.2, faqe 211). Mendim të njëjtë me historianin francez ndanë edhe studiuesi i njohur, Milto Kurtinianni, në veprën e tij (Milto Kurtinianni, "To pasaliki tou Joaninou stin epohi tou Ali Tepelena", (1788-1822), f.112)
Remerand thotë se Çamëria, megjithëse ra nën sundimin osman, ajo nuk ndryshoi asgjë nga organizimi fisnor i saj i mëparshëm. Feudalët e rinj të islamizuar, ecën në traditën e paraardhësve të tyre të krishterë, të cilët jetonin si sovranë të vegjël e të pavarur. Ata nuk njihnin autoritetin e pashallarëve të emëruar prej Portës së Lartë, por nga ana tjetër, për sa kohë që nuk kishin prej tyre ngacmime, nuk shfaqnin ndonjë qëndresë armiqësie. Por kur pashai ngatërrohej në punët e tyre, të gjithë këta të fundit formonin një front të përbashkët kundër të njëjtit armik. Kështu formohej ajo që quhej "Lidhja Çame", (G.Remerand, "Les grandes figuresde lorient", Tom II, Paris).
Milto Kurtinianni kur ndalet tek organizimi fisnor në Çamëri, thekson se komuniteti ishte i ndarë në fise, por udhëheqësit e tyre nuk mungonin të bashkoheshin me të tjerë të jashtëm, për fuqizimin e pozitës së tyre dhe për të rritur influencën në zonën e tyre . Fiset në Çamëri, si në mbarë viset shqiptare, ishin të lidhur me njëri-tjetrin. Çdo familje mbronte shtëpinë dhe pronën e tij. "Në Paramithi, çdo fis ka juridiksionin e tij. Fiset e mëdha kanë dhe influencë më të madhe në çështjet publike, (Bartholdy, Voyage... vep.e përm., f.245).
Familja ishte baza e shoqërisë. Kryetari i familjes ishte burri. Ai drejtonte familjen e vendoste për çdo gjë. Ai mbronte jetën, nderin dhe pasurinë e familjes. Gruaja kishte pozitë inferiore. Ajo lindte fëmijë, merrej me rritjen dhe edukimin e tyre e me punët e shtëpisë. Gruaja ishte nën urdhrat e dyfishtë të burrit dhe të vjehrrës. Kjo dukuri transmetohej nga brezi në brez.
Klasat në Çamëri
Sistemi i klasave ekzistonte kudo në Shqipëri, por në Çamëri kishte dukuritë e veta karakteristike. Në Çamëri, klasa më e lartë ishte ajo e ushtarakëve dhe e pronarëve të mëdhenj të tokave, që pasuroheshin jo vetëm nga trofetë e luftërave dhe dhuratat që u ofronte Porta e Lartë, siç i vumë re edhe në kapitullin e mëparshëm, por pasurohej edhe nga pjesa që i përkiste nga prodhimet e çifligut të tij, si dhe nga shitja e prodhimeve të çifligjeve ose dhënia me qira e kullotave. Çifligarët më të mëdhenj të Çamërisë, sipas dokumenteve zyrtare të kohës, ishin Dinenjtë dhe Pronjatët e Paramithisë, Çaparenjtë e Luaratit, Dematët e Sejkatët e Filatit, Daljanenjtë e Konispolit. Pas tyre vinin pronarët e mesëm. Në Çamëri kishte dhe pronarë të vegjël që punonin vetëm tokat tyre, ndërsa të tjerët kombinonin tregtinë me punët e bujqësisë.
Shumica e barinjve dhe e bujqve, kur i mobilizonin bejlerët e Çamërisë, ishin të prirur të linin mënjanë kërrabën e parmendën dhe të rrëmbenin pushkën e shigjetën. Kjo kategori e kësaj shtrese përbënte kontigjentet e luftëtarëve të Çaparenjve, të Dinenjve e të Daljanenjve që në çdo rast, secili prej tyre mund të vinte nën komandën e vet rreth 2000 forca të armatosura.
Arsyeja kryesore e ekzistencës së këtij dallimi të fortë klasor, ishte se pronësia në Shqipëri ishte e trashëgueshme. Djemtë e çifligarit i trashëgonin çifligjet e tyre. Në Çamëri nëse çifligari nuk kishte as djalë e as nip, atëherë i trashëgonte dhëndëri i vajzës së madhe. Në qoftë se nuk kishte as vajzë e as mbesë femër, atë e trashëgonte një mashkull i farefisit.
Lidhjet martesore
Ashtu si në viset shqiptare, edhe në Çamëri, i biri i një çifligari martohej me bijën e çifligarit. Ai kurrsesi nuk mund të martohej me bijën e një zejtari. Edhe një bari a bujk, nuk mund të martohej me bijën e një çifligari. Ky ligj, i pashkruar, ishte i prerë. Asnjë nuk mund të vepronte ndryshe. Ky ligj ishte vendosur në shekuj dhe nuk kërkonte aprovim tjetër. Po të vëmë re lidhjet martesore në Çamëri, ato bëheshin brendapërbrenda klasave që përfaqësonin. Kështu p.sh., familja e madhe çifligare e Dinenjve të Paramithisë, kanë dhënë e marrë tek familja e madhe e Dematëve në Filat. Ndërkohë Dematët krijuan lidhje martesore duke marrë tek familja e madhe e Daljanenjve të Konispolit. Lidhje martesore Dematët krijuan gjithashtu edhe me dy familje bejlerësh dhe me të Delvinës: me Kokët dhe Kallapodhët. Këto lidhje familjare mes dyerve të mëdha në Çamëri i bënin edhe më të qëndrueshme e më të forta aleancat e tyre nw "Lidhjen Çame".
Vëllamëria
Në Çamëri, fisi nuk ishte krejt i mbyllur për anëtarët e fiseve të tjerë. Ata pranonin anëtarë nëpërmjet vëllamërisë. Vëllamëria, shkruan Edit`h Durham, ishte zakon shumë i vjetër i përhapur gjerësisht në Shqipërinë e Veriut e të Jugut, (E.Durham, "Brenga Ballkanike dhe vepra të tjera për Shqipërinë", Tiranë 1990, f.155) .
Vëllamëria në Çamër ishte shumë e përhapur edhe mes myslimanëve e të krishterëve çamë. Bëheshin dy vëllemër, kur kishin të njëjtën moshë, kishin qenë më parë shumë miq dhe mbi të gjitha e çmonin shumë njëri-tjetrin, (K.Kritovasili, "Souliotes kai Labides", Athinë 1905, f.11). Pasi plotësoheshin këto kushte, si dhe dëshira e të dy palëve për t'u bërë vëllemër, duhej marrë dhe miratimi i kryetarëve të familjes, plakut të shtëpisë. Kur këto formalitete mbaronin, vinte çasti i ceremonisë: Dy vëllezërit lidhnin gishtin e vogël të dorës me spango derisa të ënjtej paksa, e shponin pakëz mollëzën e gishtit, e linin të kullonte gjaku, pastaj merrnin pak sheqer, lyhej me gjakun e njërit prej vëllemërve dhe hahej me lugë kafeje. Vëllemërit, pasi merrnin pak gjak nga gishtat e njëri-tjetrit dhe e hanin me sheqer, betoheshin: "Zemra ime, është zemra jote, jeta ime, është jeta jote". Më pas përqafoheshin me njëri-tjetrin, shtrëngoheshin fort e putheshin. Edhe pjesëtarët e dy familjeve të vëllemërve, që ishin prezent, përqafoheshin dhe putheshin dhe uronin njeri-tjetrin me shtrëngime duarsh e fjalët "Për hajër na kloftë" e më pas zbraznin pushkë në ajër. Në atë ceremoni të improvizuar, vëllemërit shkëmbenin dhurata simbolike ndërmjet tyre, si çorape e triko, të punuara me mjeshtëri nga nënat e motrat e tyre. Që nga ky çast vëllemërit konsideroheshin të një gjaku dhe familjet e tyre këto lidhje të reja gjaku i festonin me këngë e vallë e mishra të pjekur, të shoqëruara me pije. Gostia mes vëllemërve e të afërmve të tyre vazhdonte tre ditë. Mes dy familjeve e fisit të vëllemërve nuk mund të bëheshin krushqi.
Vëllamëria midis myslimanëve e të krishterëve në Çamëri, shkruan Niko Zhango, ishte shumë e përhapur, (Niko G.Ziagkos, "I antistasi ton Soulioton kai o Llambro Xhavellas", Athinë, 1968, f.28). Ai tregon se një mysliman në Margëlliç, i quajtur Omer Velija, ishte vëllam me një suljot nga një fis i shquar. Në kujtesën e popullit çam ruhen lidhjet vëllamërore e pjesëtarëve të familjeve të mëdha të parisë së Çamërisë: të Pronjatëve, të Çaparenjve, Dematëve e Sejkatëve, Daljanenjve të Konispolit, Kleftateve të Varfanjit, Hidret e Gardhiqit të Paramithisë, Gërret e Vrohonjatëve, Husot, Haxhinjtë e Kasëmet e Margëlliçit dhe shumë familje të përmendura çame, që kishin vëllemërit e tyre të krishterë jo vetëm në fshatrat e qytetet e tyre, por edhe në zonat e thella, si në Sul e gjetkë. Kështu p.sh., Pantazenjtë e Sulit ishin në lidhje vëllamërie me fisin e madh të Xhematëve myslimanë në Sollopi të Filatit. Vëllamë me të krishterë ishte dhe Avdulla Kasemi nga Margëlliçi, me një të krishterë nga Shenica, Jasin Sadiku (Haxhiu) me Nikollë Manon nga fshati Rrapes, Teofik Qemali nga Karbunari, ishte vëllam me Andon Naçon, Abedin Kupe Xhemali me bashkëfshatarin e tij, Vangjel Kaçilin nga Shulashi etj. (Sp.Melas, "To lintari...", vep.e përm., f.73-97).
Çamët në beteja
Studiuesit e huaj kanë vënë re një dukuri interesante të shqiptarëve çamë në veprimet luftarake. Ishte zakon që kur shkoje në luftë kundër armikut, në më të shumtën e rasteve vihej re një grupim në bazë të lidhjeve familjare e fisnore, që qëndronin pranë njeri-tjetrit në beteja. Bartholdy është një ndër studiuesit e parë që na e përcjell të konkretizuar këtë dukuri. Ai thotë se në mbrojtjen e Artës dhe rrethinave e saj, ishte caktuar Sulejman Çapari, një burrë 85-vjeçar me shtat të lartë, gjigant, që nuk kishte asnjë shenjë tjetër të pleqërisë, veçse mjekrën e bardhë si dëbora.
Bartholdy më tej dokumenton: "Sulejman Çapari shoqërohej nga 12 djemtë e tij, që ishin nga 30 deri në 60-vjeç dhe që shquheshin të gjithë për shtatin e lartë, sikur i ati, dhe po ashtu shquheshin për kurajon dhe forcën e tyre të jashtëzakonshme. Këta, vazhdon më tej Bartholdy, në luftë qëndronin gjithnjë pranë njeri-tjetrit, zakon ky që ishte i përgjithshëm tek ky popull, me qëllim që nëse njeri prej tyre vritej, të tjerët të kishin mundësi t'ia merrnin hakun e ta tërhiqnin të mos e zinte armiku" . Ata edhe në sulm, edhe në tërheqje ishin pranë njeri-tjetrit", ( Bartholdy, vep.e përm., f.243).
Një dukuri e tillë, si ajo që pamë tek Çaparenjtë e Luaratit, ishte e njëjtë edhe tek Daljanenjtë e Konispolit. Mehmet Bej Daljani, nga paria e Konispolit, në mbrojtjen e Prevezës nga forcat e Ali Pashës, mbështetës kryesorë të tij besnikë e që kishte vendosur në pozicionet kyçe, kishte vëllain e vet, Mehmet Bej Daljanin me njerëzit e tij .
I njëjti zakon ishte edhe tek luftëtarët shqiptarë suliotë. Historiani grek i fundit të shek.XIX, Kr.Kristovasilis në veprën e tij (K.Kristovasilis, "The Eroika thainata ton Soulioten kai Souliotidhen", London, 1887), tregon se forcat suliote sa herë që përballeshin me forcat e Ali Pashës, pjesëtarët me lidhje gjaku qëndronin pranë njëri-tjetrit. Historiani grek përshkruan një rast se si njeri nga kapedanët e Sulit, Diamanti Mallami, përzgjodhi 100 trima suliotë nga të vetët dhe i vendosi në pararojë të suliotëve, që vinin nga Parga të ngarkuar me ushqime e armatime për të siguruar mbrojtjen e tyre nga forcat e Ali Pashës, që u kishin zënë të gjitha shtigjet nga mund të hyhej në Sul".
Çamët, pas betejave të suksesshme, kishin për zakon ta festonin fitoren mbi armikun me këngë e valle. Valltar të parë, për të hedhur valle, luftëtarët përzgjidhnin më trimin. Ai jo vetëm hiqte vallen çame, por ia thoshte edhe këngës. Trimi që këndonte kishte një zë të fuqishëm si një britmë luani, e jo si zë njeriu (K.Kristovasilis).
Veshja
Kur flasim për veshjen shqiptare, thotë Faik Konica, ka aq kostume shqiptare sa ka edhe krahina. Vizitorët e huaj, që e kanë shëtitur Shqipërinë e Poshtme, kanë vërejtur se kostumet popullore shqiptare janë të bukura e befasuese. Nuk mund të flitet për kostumet shqiptare në Çamëri, pa përmendur Çajrëllin. Ai ka qenë mes çamëve të krahinës së Margelliçit, në vitin 1880. Ai përshkruan një veshje festive të çamëve, parë në një manifestim të madh popullor, që organizohej në fshatin Mazerrek. Ai në librin e tij shkruan për kostumin kombëtar çam, kontrastin e ngjyrave, që e bënte veshjen çame të bukur dhe madhështore. Lidhur me këtë Çajrëll shkruan: "Grupet piktoreske të malësorëve, kësulat e fustanellat e tyre, bënin kontrast me livadhin e gjelbër e me armët e tyre të çuditshme, që vezullonin në diell... Shqiptarët dalloheshin vetëm nga këmishat e kollarisura, nga shkëlqimi i xhaketave dhe madhështia e brezave, në të cilat kamat e pistoletat ishin të vëna në një nemur të madh, që nuk dalloheshin dot", (V.Chirol, vep.e përm., f.231-250).
Me interes është dhe përshkrimin që i bën Pukëvili veshjes çame dhe elegancën që u jep ajo banorëve të asaj krahine: "...Udhëtari që do të shikojë ata çamë, që do të kenë shpëtuar nga sundimi feudal i sovranit të Janinës dhe një rënie mortaje , do të njohë me vështirësi ata burra të bukur, me ato qëndisma të bukura lara-lara të veshur me kostume të shkëlqyer dhe të ngarkuar me ar të çmueshëm, që ngjasin sikur të ishin një koloni ushtarësh të Pirros, të pasur me plaçka të Trojës, që kanë zbarkuar sërish në Epir...", (Pouqueville, "Voyage...", vep.e përm., vëll.I, f.530).
Kostumi kombëtar çam ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të studiuesve të huaj, por edhe të historianëve grekë. Njëri prej tyre, Spiro Mela, në njërin nga librat e tij shkruan: "Çamët me rrobat e tyre elegante e luksoze, këmisha të bardha të gjata, të qëndisura anash me ar dhe fermeletë, xhamadanët të shkurtër bojë vishnje me shirita të qëndisura me ar e të përpunuar me shije të hollë, me pistoleta të lara me argjend dhe thika të ngjeshura në brez e me guna të gjata...", ( Sp.Mela, "To lintari...", vep.e përm., f.274).
Historiani çam Jani Sharra, kur flet për kostumin karakteristik çam, ndalet edhe në disa detaje më të hollësishme:
"Veshja tradicionale çame, thotë autori, ishte kostumi kombëtar: fustanellat e bardha, kalcat e bukura dyngjyrëshe lidhur me fjongo me xhufkat e mëdha me ngjyrë të zezë, me këmisha të bardha e me mëngë të gjëra, me jelek të zi ose blu... të qëndisur me gajtan, me brezin në mes, ku vendosnin edhe koburen. Në kokë mbanin feste me xhufkë...", (J.Sarras, vep.e përm.).
Përfaqësuesit e krahinës së Çamërisë e kishin për krenari të përfaqësonin atë krahinë në forumet më të larta të kohës. Kështu p.sh., dy nga figurat më të njohura të Çamërisë, Vejsel Bej Dino dhe Abedin Pashë Dino kishin shkuar në Kostandinopojë me kostumet e tyre kombëtare të qëndisur me ar .
Veshja shqiptare në Çamëri, ashtu si në mbarë viset shqiptare, nuk ishte gjithnjë një veshje uniformë. Kostumet kombëtare, që kërkonin copa të shtrenjta dhe punim të hollë artistik, për shkak të gjendjes ekonomike, ishin në gjendje t'i përballonin vetëm klasat e pasura, bejlerët dhe agallarët e Paramithisë, të Margëlliçit, të Filatit, të Luaratit, të Konispolit, Delvinës, Prevezës, Pargës etj. Shtresat e ulëta nuk mund të përballonin një veshje të kushtueshme.
Heinrri Mercey në fillim të shekullit XX (1907) vuri re në Çamëri se, në disa zona, larmia shumëngjyrëshe e veshjeve kombëtare shqiptare dalëngadalë po tjetërsohej për shkak të civilizimit. Tek banorët e Pargës, thotë ai, veshja e tyre ndryshonte nga fqinjët e tyre shqiptarë: "Veshjen pjesërisht shqiptare e ruanin gratë çame vetëm në fshatin Rrapëz dhe Aija, ndërsa fustanella shqiptare vazhdonte të ruhej vetëm tek parganjotët e pasur. Ata që e ruanin veshjen tradicionale, theksonte autori, ishin me prejardhje nga Suli, Paramithia ose Arpica, ndërsa burrat shqiptarë të shtresave të ulëta i kishin qëndruar besnikë veshjes së thjeshtë shqiptare, (Heinrry Mercy, Sohn Verlang, Pragë 1907, f.18-22).