Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bardhyl Maliqi: Muharrem Rushiti - përmendore e bardhë

| E merkure, 23.05.2018, 07:24 PM |


MUHARREM RUSHITI - NJË PËRMENDORE E BARDHË

(Parathënia e librit monografik  “Muharrem Rushiti” të Halil Shabanit, botuar në Tetovë më 1996)

Nga Dr. sc. Bardhyl Maliqi

Për njeriun shqiptar, pavarësisht nga personaliteti i tij në fusha të tjera, paçka se ai mund të qe i varfër e i pashkollë apo i pasur dhe i kulturuar, qëndrimi ndaj atdheut ka qenë gjithmoë kriter vlerësimi: Kështu, varësisht nga fryma heroike e epokës, ai mund të ngrihej në rangun e figurës historike, të idhullit dhe heroit, nëse me jetën apo me vdekjen e tij  i kishte shërbyer çështjes kombëtare, lirisë dhe mëvetësisë së atdheut të tij.  Nëse e kishte këtë meritë, ai ishte si dielli pa hije. Vetëm kështu emri i tij mund të përkundej përjetësisht në djepin e këngës apo të prehej qetësisht në shtratin e legjendës:

“Mbahu, mbahu, Kurvelesh,

Se të vjen ndihmë Petriti,

Vjen mbi turkun shesh për shesh,

Plaku Muharrem Rushiti!”

Jo vetëm për ne shqiptarët, po për krejt traditën ballkanike ky mbetet një qëndrim i ngulitur. Kalini, një nga poetët e parë lirikë të botës, shkruan kështu:  “Për një burrë është nder dhe lavdi, / kur për Atdhe, për grua dhe fëmijë / lufton kundër armikut.” Në thelb kjo është edhe arsyeja që në epitafin e Eskilit, tragjikut  të madh të poezisë greke, nuk thuhet asgjë për vlerën e veprës së tij letrare, por theksohet se pylli i Maratonës dhe Mediani flokëgjatë që e njohën mund të dëshmojnë  për heroizmin e tij të lavdishëm.

Në psiqikën e njeriut ballkanas një kriter i tillë është diktuar prej tharmit të ekzistencës dhe hymnizimit të lirisë si kusht i saj.   Në një trevë kaq të ngushtë gëlojnë aq popuj, kombe, raca dhe fe; sa do të mjaftonin përtë ndërtuar mozaikun më të larmishëm të Evropës. Të gjithë delirantë dhe idealistë të çartur, kampionë të egoizmit dhe dashnorë të xhelozisë për gjenë e tjetrit, veçanërisht turqit, sllavët dhe grekët, me të cilët na është dashur të kryqëzojmë shpesh armët dhe të ndajmë fatet në udhëkryqet e historisë:

“E jam derdhur nëkët’ log për me t’ kallzue,

se ne të parët një kanun na kanë lanë:

Armët me dhenë përpara e mandej gjanë,

Kurrë Bajlozit motrën mos me ja dhanë!…”

( Epi “Gjergj Elez Alia”, vargjet 116-119 )

Në mesin e viteve ’70, kur isha ende student, nën impresionet e epikës çame, kisha shkruar një cikël këngësh për atdhetarin  Muharrem Rushiti dhe trimat e çetës së tij “Çamëria”: Alush Takën, Abedin Madanin dhe Kajtaz Bilushin. Veçanërisht në njerën prej këtyre këngëve bëra debat me historianin, studiuesin dhe mbledhësin e folklorit Ibrahim Hoxhën, për të cilin kam shumë respekt. Më kujtohet fare mirë se në bisedë mori pjesë edhe Vera, bashkëshortja e tij që ishte një mësuese dhe amvisë e talentuar. Në bisedë Ibrahimi më ndriçoi shumë anë të figurës së Muharrem Rushitit, por një gjë më ka ngelur në mendje. Pak a shumë ai më tha se me këngët e tij populli i ka ngritur një Përmendore të Bardhë Muharrem Rushitit, një përmendore që do të ndriçojë gjithë faqet e historisë, një përmendore që nuk do ta nxijë koha, se Muharrem Rushiti luftoi për lirinë e vatanit të tij kundër pushtuesve turq e andartëve grekë, po ai kishte ndërkohë shumë miq, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi e në minoritet dhe nuk ra kurrë aq poshtë, sa të bënte masakër në fshatrat me popullsi greke për të shpërblyer me të njejtën monedhë vrasjen e pebesë të të birit apo masakrat shoveniste në Çamëri.

Është vërtet e çuditshme, por edhe gjyshja ime…, nënë Fezania, kur isha ende adolishent dhe sapo kisha filluar të vargëzoja, kur më dëgjoi të lexoja distikun: “Muharremi vjen kaluar, /I nxin martina në duar.” më kishte qortuar rreptë dhe me fjalë të tjera më kishte thënë të njejtën gjë që më vonë ma tha Ibrahimi, megjithëse qe një plakë e moshuar dhe pa shkollë, por me një kujtesë fenomenale këngësh popullore dhe me intuitë artistike të sigurtë. “Jo bir, nuk nxinë armët në duart e trimave, ato nxijnë në duart e atyre që bëjnë mynxira, në duart e kriminelëve. Për Muharrem Rushitin do shkruash: “ I ndrin martina në duar!” Kështu po, se me armët e tij ai i zbardhi faqen Çamërisë.”  Ky qortim i gjyshes plakë ishte si poetika e Aristotelit tim të parë, mësimi i parë i estetikës, stilistikës dhe teorisë së letërsisë.

*                      *                      *

Kur shoku im, mësuesi, arkeologu dhe studiuesi Halil Shabani më tha se kishte shkruar një monografi për Muharrem Rushitin dhe se dëshironte që unë t’ia redaktoja atë si dhe të shkruaja parathënien, të them të drejtën,   provova ndjenjën e mëdyshjes. Nuk është fjala se unë do të provoja veten. Jo, redaktime, parathënie dhe krijime origjinale pata bërë edhe më parë, pavarësisht nëse ishte shënuar apo jo emri im  nëpër faqet e librave. Ndjenjën e mëdyshjes ma shkaktoi diçka tjetër. Thashë me vete:

“ Të turpërohem me Halilin është kollaj, se e laj një herë tjetër turpin, por me bashkëvendasin tim, Muharrem Rushitin, nuk mund të turpërohem! ”

Por punët e mira si kjo e Halilit flasin vetë. Ato t’i largojnë mëdyshjet dhe të nxisin dëshirat.

I nderuar lexues, të drejtohem në njejës, sepse tani jemi përballë vetëm dy veta: unë dhe ti, si dhe autori i këtij libri, sërish me ty, ti dhe heroi i kësaj monografie, Muharrem Rushiti.

Libri nuk është as ndeshje sporti dhe as  spektakël televiziv,  kështu që njohuritë dhe emocionet nuk mund t’i ndash me të tjerët. Me librat ndodh ndryshe. Kënaqësitë e dhimbjet e leximit kthehen në botëpërjetime, hyjnë në gjakun tënd, bëhen pjesë e pasurisë tënde shpirtërore dhe intelektuale.

Ky libër nuk është pretencioz, as për nga volumi, as për nga ato ç’kërkon të kumtojë. Veç kumti i tij, brenda modestisë së vet, fsheh madhështinë e figurës së Muharrem Rushitit. Fjalët e këtij libri u referohen të vërtetave historike. Mos harro se në të ka 127 referime dokumentash arkivore dhe kjo është një pasuri e përdorur mirë. Ky   libër ju drejtohet këngëve historike dhe shpesh flet me gojën e tyre. Veprimi luftarak flakëron me gjakun e epiteteve,   trimat lëvizin në urat e krahasimeve, çlodhen në livadhet e metaforave dhe ndodh që të kapërcejnë edhe ylberët e hiperbolave, siç kapërceu ylberin e kohës Merushe Neloja, që preu flokët, u vesh si burrë e mori armët në dorë për t’u bashkuar me çetën e Muharrem Rushitit.

Kënga popullore nuk pranon këdo në qerthullin e vet. Ajo është vetëm streha e trimave, në të përkunden plaku me çap të gjatë “Muharremi, trim me fletë, /që merrte malin përpjetë, / në këmbë te argjiletë.” Në të këndon “Merushja gjeraqinë” e lëviz “Një gjëmë e zezë mbi kalë të bardhë, / hingëllin në përpazar, / kërkon Abedin Madanë, /të zotin ja kanë vrarë…” Në këto kënga “Alush Taka mustaqeverdhë,  /që lirat për shqipen ju derdhë” rri për krah Muharrem Rushitit, i cili vajton rënien e Kajtaz Bilushit: “Si Kajtazi trim nuk kemi, /  gjakun që e derdhi krua, / Labërisë ja paçim hua!” Ku ndodhi veprimi? “Mbase atje tek zalli i lumit, /në Janinë tek rrapi i falë…”

Veprimi rend nëpër shtigje të përgjakura, në një reliev të ashpër tragjik, nën një qiell të bruztë që rigon vetëm dhimbje. Veprimi lëviz  nga Çamëria në Kosovë, nga Janina në Prizëren, nga Koska në Gjirokastër, nga Konispoli në Kurvelesh, nga Smartja në Delvinë ndaj dhe mallkimet dhe apostrofat lëvizin “Nga Janina buzëargjentë, / ku kërkon junani vendë”, te “Evropa dhelpra plakë, /që s’na vë dot ne në lakë,/ jemi nga gjaku  pellazgë, / s’e lëshojmë këtë prag, /vdekëla na duket pak…”

Pra Muharrem Rushiti në këtë libër nuk vjen vetëm, ai vjen bashkë me emrat e fshatrave, me datat e betejave, me numrin e të vrarëve, me vargun e trimave, ndaj figura e tij rrezaton, ndaj lavdia etij është e madhe, se diti të ishte ashtu siç thotë populli: “Trim i mirë me shokë shumë”

Sarandë, më 19 mars 1996